1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës. 

Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kryeministri Edi Rama, në këtë ditë ka falënderuar punëtorët që bënë realitet projektin e rindërtimit, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, ku mijëra banorë mbetën pa shtëpi.

‘Mirëmengjes dhe me falenderimin nga zemra për të gjithë njerëzit e punës që bënë realitet projektin e rindërtimit, pa të cilët nuk do mund t’u kthenim dot buzëqeshjet familjeve të prekura, ju uroj të diel të qetë.’- shkruan Rama.

Me rastin e 1 majit, mesazhin e tij ka dhënë edhe presidenti Ilir Meta. Ai tha se kjo nuk është një ditë feste, por reflektimi, duke i vënë theksin faktit se duhet të ndalen menjëherë abuzimet në punë. Edhe Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përshëndetur sot njerëzit e punës në Ditën Ndërkombëtare të Punës. Urimin e saj dërgoi edhe ministria e Jashtme, Olta Xhaçka. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:29
1 maji, ministrja e Jashtme: Nderimet për burrat dhe gratë që punojnë për një shoqëri dhe vend më të mirë

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka përshëndetur të gjithë burrat dhe gratë që punojnë me rastin e 1 majit.

“Në këtë Ditë të Punës ne shprehim nderimet tona për të gjithë burrat dhe gratë që punojnë për të bërë jetën tonë, shoqërinë dhe vendin tonë më të mirë. Ne vlerësojmë përpjekjet dhe përshëndesim punën tuaj të palodhur.”, shkruan Xhaçka.

Ora 12:59
1 maji, Meta: Ditë reflektimi dhe jo feste! T’i japim fund abuzimeve në punë

Presidenti Ilir Meta me rastin e 1 majit, tha se kjo nuk duhet të jetë një ditë feste, por një ditë reflektimi për të gjitha kushtet e punës në Shqipëri. Sipas tij punët jo të mirëpaguara, pa kontrata të rregullta dhe pa sigurime shëndetësore duhet të marrin fund!

Ai e ka shoqëruar postimin e tij në Facebook me disa fotografi nga tubimi i ditës së sotme përballë kryeministrisë.

“1 Maji nuk mund të jetë thjeshtë një ditë feste, por një ditë reflektimi për të gjitha ditët dhe kushtet e punës në Shqipëri.

Puna jo e mirëpaguar, pa kontratë të rregullt dhe kontribute pensioni, pa sigurim shëndetësor dhe të drejta për pushim me pagesë e zhvesh punëtorin nga dinjiteti dhe e vendos në një marrëdhënie shfrytëzimi.

Kjo situatë duhet të marrë fund!  Pasojat e rënda dhe afatgjata të pandemisë dhe luftës në Ukrainë, në veçanti rritja abuzive e çmimeve, e shtrojnë më me forcë këtë domosdoshmëri, në veçanti për rritjen e pagës minimale, garantimin e kushteve në vendin e punës dhe të çdo të drejte që siguron mirëqenie dhe drejtësi sociale. Të dëgjojmë me përulësi zërin e punëtorëve!”, shkruan Meta.

Ora 10:14
Nikolla, mesazh me rastin e 1 Majit: Përballë njerëzve të punës, përgjegjësia jonë politike shumëfishohet

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përshëndetur sot njerëzit e punës me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës.

“Sot është Dita e mirënjohjes ndaj punëtorëve. Ndaj thjeshtësisë e madhështisë së njerëzve të punës.

Atyre që ditë pas dite, në heshtje, me mundin, durimin dhe talentin e tyre, ndërtojnë jetën e familjeve dhe të ardhmen e fëmijëve.

Historia e vërtetë e Shqipërisë është historia e njerëzve të punës.  Që lodhen, kontribuojnë dhe dalin në pension, duke u trashëguar brezave shembullin e tyre. Që me modelin e tyre të të punuarit e të jetuarit me nder, i japin jetë Shqipërisë.

Prandaj, sa më të denja të jenë kushtet e punës dhe paga e punëtorëve, aq më e fortë bëhet ekonomia.  

Sa më i fortë të jetë dhe sa më shumë të dëgjohet zëri i tyre, aq më e drejtë bëhet shoqëria.

Si legjislatore dhe Kryetare e Kuvendit, sot ndjehem më shumë e detyruar, për ligje më të mira për njerëzit, botën e punës dhe nevojat e familjeve punëtore.

Përballë njerëzve të punës, që krijojnë të mirat për familjet e tyre dhe për Shqipërinë, përgjegjësia jonë politike shumëfishohet.”, shkruan në mesazhin e saj Nikolla.