Sot është 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas! Në sheshin 'Nënë Tereza' vendoset instalacioni 'Këpucët e kuqe'

Sot është 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, ditë e cila shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim për disa dekada. Në këtë ditë në sheshin ‘Nënë Tereza’ mëngjesin e sotëm, është vënë instilacioni i këpucëve të kuqe, një mesazh ky i përbashkët i shoqërisë kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave e për të gjitha jetët e humbura.

Ideja e këpucëve të kuqe daton vite më parë, kur artistja meksikane Elina Chauvet filloi instalacionin “Los Zapatos Rojos” në nder të motrës së saj, që humbi jetën si pasojë e dhunës në familje. Muaj mars nisi i trashtë në Shqipëria, pasi 3 gra u vranë nga Dan Hutra, njëra prej të cilave ishte shtatzëne.

8 Marsi: Në shumë vende të botës kjo ditë kujtohet si festë e protestë, si një traditë që ka nisur që nga fillimi i shekullit të 20-të. Historia dhe kuptimi i një përvjetori të themeluar në vitin 1921, që na fton të reflektojmë për rolin e femrës në shoqëri dhe për çështjet kritike që ende ekzistojnë

8 Marsi është data kur në të gjithë botën festohet Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila nuk është një ditë e feminizmit ekstrem, por momenti kur të gjithë jemi të ftuar të reflektojmë për çështje që lidhen me botën femërore, mbi arritjet e mëdha çështje sociale dhe politike që lidhen me mundësi të barabarta dhe hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë për të kapërcyer boshllëqet që ekzistojnë ende. Nën sytë e njerëzimit vazhdon lufta ndaj të gjitha diskriminimeve dhe dhunës ndaj gruas.

Në të gjithë botën gratë vazhdojnë të ngrenë zërin e protestës për të luftuar kundër shkeljeve të shpeshta të së drejtës për të qenë të sigurta e për të qenë të lira në zgjedhjet e tyre. Disavantazhet profesionale dhe ekonomike janë disa çështjet për të cilat gratë në të gjithë botën vazhdojnë të luftojnë. Edhe pse është e vërtetë që janë bërë shumë hapa përpara, veçanërisht në vendet Perëndimore, është gjithashtu po kaq e vërtetë që rruga drejt barazisë gjinore dhe emancipimit social është ende e gjatë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:19
Veliaj u shërben drekën grave dhe vajzave, punonjëse të Bashkisë së Tiranës: “Mirënjohës për punën tuaj! Tirana, një nga qytetet më të pastra në rajon”

1678296015_4c468cc58f4c48d199ff7160c8a71f8b.jpg

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryebashkiaku Erion Veliaj, së bashku me disa nga drejtuesit e këtij institucioni, u shërbyen drekën vajzave dhe grave punonjëse të Bashkisë së Tiranës, të cilat kujdesen për qytetin.

Veliaj shprehu mirënjohjen për punën e tyre të përditshme, që Tirana të jetë një nga qytetet më të pastra në rajon.

“Zgjodha që këtë ditë ta kaloj me zonjat që mbajnë pastër qytetin tonë, institucionet tona, Bashkinë e Tiranës, sepse unë besoj se civilizimi nuk fillon nga ata që flasin në televizor dhe banaqet e ekraneve. Civilizimi fillon te pastërtia, me zonjat dhe zonjushat që bëjnë një punë jashtëzakonisht dinjitoze, jo vetëm për institucionin e bashkisë, por janë kartolina e parë e qytetit tonë, që konsiderohet sot një nga më të pastrit në gjithë rajonin tonë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se civilizimi i një shoqërie fillon nga mënyra se si sillemi e respektojmë hapësirën e punës dhe hapësirën e qytetit tonë.

“Ju falënderoj me gjithë zemër për këtë dhe dua t’ju them se jo vetëm nuk është një punë për t’u përbuzur, është një nga punët për t’u respektuar më shumë. Besoj se aty fillon civilizimi, jo nga si krekosemi, jo nga si shahemi e përflasim njëri-tjetrin, por nga si sillemi e respektojmë hapësirën e punës dhe hapësirën e qytetit tonë”, tha ai.

Veliaj siguroi se edhe në këto ditë festash, ku konsumi rritet ndjeshëm, qyteti do ta përballojë me dinjitet.

“Këto janë ditë me shumë konsum, pas 7-8 Marsit vjen Dita e Verës, pastaj muaji i Ramazanit - Qyteti ka shumë ngarkesë dhe ka shumë nevojë për pastrim, por unë besoj se ne e kemi përballuar me dinjitet dhe do të doja që sot ta kthejmë kokën tek ato kolege që bëjnë ndoshta një nga punët më të rëndësishme. Mezi pres që këtë traditë të mirë, ta kthejmë në një sjellje të përditshme. Jam shumë mirënjohës edhe ndaj disa kolegëve burra që erdhën këtu për të treguar që nuk është kurrë vonë për emancipim”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Me rastin e 8 Marsit, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh të ndryshme.

Ora 15:03
Dita Ndërkombëtare e Gruas, Manastirliu-Veliaj: Mbi 6200 nëna përfituan nga politika e re e mbrojtjes sociale

Në ditën Ndërkombëtare të Gruas, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, me kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kanë marrë pjesë në një takim me gratë përfituese të programit të ri të mbështetjes me sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, për nënat e papuna me tre ose më shumë fëmijë.

"Jam shumë e kënaqur që në pak kohë informacioni ka vajtur tek çdo grua dhe janë më shumë se 6200 gra përfituese në të gjithë Shqipërinë, nëna me tre e më shumë fëmijë, të cilat për 5 vitet e para të fëmijës së tretë, katërt dhe më shumë, përfitojnë nga shteti kontributin e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore dhe, ajo që është e rëndësishme, është që të gjitha bashkitë kanë kontribuar që informacioni të shkojë kudo. Në Bashkinë e Tiranës janë më shume 700 nëna përfituese në këtë program",- theksoi Manastirliu.

Duke e konsideruar këtë një ditë reflektimi, Manastirliu tha se dhe se mbështetja e qeverisë me programet sociale për gratë dhe vajzat do të vijojë.

"Ne do të vijojmë të mbështesim çdo grua për ta fuqizuar atë, duke filluar nga vajzat në edukim, arsimim dhe duke u dhënë më pas mundësinë dhe oportunitetet për të qënë të barabarta, në barazinë sociale e drejtësinë sociale. Kjo është një ditë që na bën të reflektojmë mbi çfarë duhet të bëjmë më shumë për të drejtat e grave",- tha Manastirliu.

Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, ka vlerësuar programin social për gratë me shumë fëmijë duke theksuar se me këtë mbështetje është ndërtuar një themel solidariteti.

"Me vjen mirë që Ogerta arriti ta çonte deri në fund reformën për ato gjyshe që kishin rritur gjithë jetën fëmijët dhe ngeleshin pa pension se nuk kishin bërë vitet e punës. Fakti që sot jepen ndihma për nënat me shumë fëmijë, por edhe ju quhen vite pensioni, unë besoj që kemi arritur një gjë shumë të madhe. Ajo që Ogerta dhe skuadra kanë bërë sot, vërtet ka ndërtuar një themel solidariteti",- the Veliaj.

Pas nismës së Këshillimit Kombëtar, qeveria miratoi programin e mbështetjes për nënat e papuna me tre apo më shumë fëmijë të mitur, si një paketë mbështetëse që garanton mbrojtje sociale të barabartë, mirëqënie sociale,  mbrojtje të rolit të gruas dhe fuqizimin e saj brenda familjes, duke vlerësuar punën e papaguar, me qëllim mirërritjen e fëmijëve të mitur që nga lindja e tyre deri në moshë parashkollore, si edhe duke njohur kontributin e punës së papaguar. Kjo politikë e re përmirëson cilësinë e jetesës brenda familjes dhe gjithashtu pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e shkallës së lindshmërisë në vend. 

Programi i mbrojtjes së veçantë nga shteti për gratë e papuna me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, ku njëri prej fëmijëve është nën moshën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën 100 000 (njëqind mijë) lekë në muaj, ju mundëson të gjitha nënave të papuna që periudha e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare të njihet si periudhë kontributive sigurimi për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje.

Ora 14:29
‘Më kë nxirë jetën duke më thënë laj enët’, Kryemadhi mesazh me nota humori nënës për 8 mars: Faleminderit për mbështetjen pa kufij

Deputetja Monika kryemadhi ka uruar të gjitha gratë dhe vajzat për 8 mars, ndërsa ka ndarë një foto me nënën dhe vajzën e saj. Më nota humori Kryemadhi i shkruan nënës se i ka ‘nxirë jetën duke i thënë laj enët’ dhe e falënderon atë për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë.

"Një urim i veçantë për të gjitha ju nëna dhe gra në çdo ditë të jetës tuaj, jo vetëm sot. Mam ma ke nxirë jetën duke më thënë çohu laj enët, bëj punët, mëso, ku je, ku humbe.  S’më the njëherë një fjalë të mirë se mos më hipte vetja në qejf, edhe kur grindesha me kalamajtë e lagjes, fajin sipas teje e kisha gjithmonë unë. Edhe kur merrja dhjetë në një provim të vështirë në Matematikë më thoje: e mirë se nuk ke shkuar në hënë, atë punë ke të studiosh.

Përtej shakave dua të të falenderoj për mbështetjen pa kufij, për sakrificën sublime, për lodhjen e tejskajshme, për ty mam dhe për të gjitha ju gra dhe nëna që kujdeseni çdo ditë për familjet tuaja. Qofshi të lumtura dhe të bekuara kudo ku jeni! Zoti iu dhëntë forcë dhe kurajo për të përballuar çdo sfidë që na sjell jeta", shkruan Kryemadhi. 

Ora 14:12
8 marsi, ministrja Xhaçka: Të luftojmë për një shoqëri më të drejtë për gratë

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale ka shprehur urimin e saj për festën e 8 marsit.

“Ndërkohë që gratë kanë arritur të fitojnë sot një përfaqësim e fuqi për të ndikuar në fatet e vendit, ana tjetër e medaljes është që gra e vajza anembanë vendit vazhdojnë të përballen me dhunë, abuzim e diskriminim.

Dua t’i bëj thirrje çdo gruaje e çdo vajze që të vazhdojmë të punojmë, të luftojmë, sepse një shoqëri më e drejtë për gratë, është një shoqëri më e mirë për të gjithë.

Dhe të mos harrojmë për asnjë moment, që e vetmja mënyrë sesi mund të arrijmë atë që meritojnë gratë dhe vajzat, është duke i kushtuar kauzës tonë çdo ditë, po aq vëmendje e po aq rëndësi, sa i kushtojmë në 8 Mars”, tha kryediplomatja shqiptare.

Ora 13:25
8 Marsi, Veliaj, Krifca dhe stafi i AKU-së mbjellin pemë te Parku i Liqenit: Krenar për vajzat dhe gratë e Tiranës

Për 8 Mars, ditën e festës së gruas, stafi i vajzave dhe grave të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, dhuruan 18 pemë të llojeve të ndryshme - ullinj, mimoza, selvi, fotinia, lejlander - qytetit të Tiranës. Aksionit të mbjelljes iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi edhe qytetarë të tjerë të mbjellin pemë për festat e tyre.

“Gratë dhe vajzat e Tiranës, jo vetëm mbajnë familjet tona edhe në ditët e vështira të tërmetit e pandemisë, jo vetëm sigurohen që janë pjesa më vitale, më e disiplinuar, më produktive e administratave tona, si në bashki, si në qeveri, por janë jashtëzakonisht aktive edhe në sektorin privat, si drejtuese. Sot jemi në rreth 990 e ca mijë pemë e në punë ditësh, besoj kapim shifrën 1 milionë peme të mbjella. Sigurisht, ambicia jonë është që deri në 2030 të shkojmë në 2 milionë pemë të mbjella në Tiranë”, tha Veliaj.

Përveç Liqenit të Tiranës, kryebashkiaku tha se ka plot hapësira ku qytetarët mund të mbjellin pemë.

“Një hapësirë tjetër për të mbjellë pemë, kush ka nevojë për ide, është Parku i Liqenit të Farkës. Është mushkëria e dytë e Tiranës, të cilin po e gjelbërojmë, po vendosim disa pista të vrapit, të ecjes me biçikletë. Sigurisht, këto do jenë dy parqet më të mëdha dhe sigurisht parku i Farkës na mundëson që Njësia 1 dhe Njësia 2, Mulleti, Farka, Shkoza, Dajti, të ‘shkarkojë’ atje dhe të ulet edhe pak fluksi që kemi këtu në parkun e Liqenit të Tiranës”, sqaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë i ftoi të gjithë që të shfrytëzojnë stinën për të mbjellë sa më shumë pemë.

“Ftesa për qytetarët është jo vetëm për festat e 7-8 marsit, por kemi Ditën e  Verës, ditën e Pyjeve, ditën e Mjedisit, kemi sebepe e ditëlindje pa fund. Disa mund të vijnë ta bëjnë këtë në park, disa mund ta bëjnë tek shtëpia e tyre, nëse kanë një shtëpi private; nëse jetojnë në pallat, mund të mbjellin poshtë pallatit të tyre. Ku ka vullnet dhe dëshirë, ka gjithmonë një rrugëzgjidhje, nëse duam të lëmë një kontribut. Nxitoni, teksa jemi në ditët e fundit të stinës së mbjelljeve dhe kam një mirënjohje e falënderim i veçantë për të gjithë. E di që shumë organizime preferojnë një vallëzim e një drekë apo darkë, por fakti që në këtë axhendë futet edhe një kontribut për Tiranën tonë, ju bën vërtet një krenari të qytetit”, u shpreh Veliaj.

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca tha se gratë gjithmonë duan të japin shembuj të mirë, si në këtë rast, ku kanë zgjedhur të mbjellin pemë për t’i shtuar ‘jetë’ qytetit.

“Në ditën e gruas, ku ka më bukur sesa të lidhim forcën e gruas me fuqinë dhe prejardhjen dhe vazhdimësinë e natyrës dhe pemëve. Vendosëm së bashku me AKU-në, të ishim këtu sot për të dhënë një kontribut. Ne donim të tregonim që forca e gruas është një model në Shqipëri, edhe për faktin se gruaja e ka shkruar në historinë e Shqipërisë modelin e saj ndër vite dhe për ne është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë të tregojmë nëpërmjet shembullit të praktikave të mira të punëve të mira, sesi gruaja është edhe motor zhvillimi, por edhe një model i rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë sonë. Ky sot është vetëm një shembull i vogël, një simbol i vogël për ditën e gruas”, tha Krifca.

Ora 12:45
8 marsi, Rrumbullaku mesazh efektiveve: Ju inkurajoj të jeni të motivuara çdo ditë për përmbushjen e detyrës suaj fisnike

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku iu ka dërguar një mesazh urimi, inkurajimi dhe mbështetjeje, vajzave dhe grave që japin kontributin e tyre në Policinë e Shtetit, në shenjë vlerësimi për profesionalizmin dhe fisnikërinë që transmetojnë çdo ditë gjatë përmbushjes së detyrave të tyre.

“Përshëndetje! Në cilësinë e kolegut, me të cilin bashkëndan sfidat e misionit të Policisë së Shtetit dhe si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, të uroj GËZUAR 8 MARSIN!

Të inkurajoj të jesh e motivuar çdo ditë, për përmbushjen e detyrës fisnike që mban, pasi botëkuptimi, mirëqenia dhe vlerësimi yt, qëndrojnë jo vetëm në bërthamën e shoqërisë, por janë edhe parimet më të larta dhe më të pacënueshme të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit është familja jote e madhe, në të cilën gjen barazi dhe vlerësim, cilësi këto që të japin mundësinë për promovim të vlerave dhe për ecuri në karrierë”, shkruan Rrumbullaku në mesazhin për efektivet.

Ora 12:03
Veliaj uron 8 marsin: Faleminderit për kontributin e dhënë për Tiranën! Me ju dhe falë jush ky qytet është më i bukur

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka zgjedhur që t’u urojë 8 marsin të gjithë vajzave dhe grave duke publikuar  foto nga stafi i Bashkisë së Tiranës.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj i falënderon vajzat dhe gratë për kontributin e dhënë në Tiranë.

“Gëzuar 8 Marsin për gjitha nënat, gratë dhe vajzat    nga super ekipi i zonjave/zonjushave të Policisë Bashkiake!  FALEMINDERIT  për kontributin e dhënë për Tiranën! Me ju dhe falë jush ky qytet është më i bukur”, shkruan Veliaj.

Ora 12:01
Berisha u uron grave 8 marsin: Mirënjohje e pakufishme për gjithçka bëjnë për familjen

Sali Berisha ka uruar gratë për 8 mars, teksa ka publikuar një foto krah bashkëshortes së tij Liri Berisha dhe vajzës së tij.

“Gëzuar 8 Marsin. Të dashur miq, le të ju urojmë sot së bashku, nënave, grave, motrave, vajzave tona më të mirave, më fisnikeve e më të bukurave të familjeve, shoqërisë dhe kombit tonë një urim nga thellësitë e zemrës dhe të shprehim mirënjohje të pakufijshme për gjithçka ato kanë bërë dhe bëjnë për ne, familjen dhe kombin tonë. Gëzuar”, shkruan Berisha.

Ora 11:55
8 marsi, Meta: Të përkushtohemi që gratë dhe vajzat të tejkalojnë çdo pengesë dhe që shoqëria jonë të ecë përpara

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar gratë për 8 mars, ndërsa thotë se duhet të përkushtohemi që gratë dhe vajzat të tejkalojnë çdo pengesë dhe që shoqëria jonë të ecë përpara!

“Gëzuar të gjitha grave, nënave dhe vajzave shqiptare kudo ku ato janë. Gratë, nënat dhe vajzat janë gjysma më e rëndësishme e familjeve tona dhe shoqërisë tonë. Ato janë baza e edukimit të fëmijëve tanë dhe e fateve të së ardhmes së vendit tonë. Ato shkëlqejnë në të gjitha fushat ndaj dhe duhen mbështetur më fortë për të shprehur gjithë potencialin e tyre.

Sot ato janë mjeke, pedagoge, politologe, sipërmarrëse, juriste, mësuese, menaxhere, nëna. Gëzuar dhe njëherë 8 marsin dhe le të bashkojmë të gjithë përpjekjet tona që të tejkalojmë çdo pengesë dhe vështirësi në mënyrë që gratë, që nënat dhe vajzat shqiptare të shpërthejnë duke shprehur gjithë potencialin e tyre dhe energjitë më pozitive në të mirë të familjeve tona, të shoqërisë e sidomos të mirëedukimit dhe lumturisë së fëmijëve tanë”, thotë Meta.

Ora 11:13
VIDEOLAJM/ Sot 8 marsi, Celibashi u dhuron tulipanë grave në sallën e KQZ

Kryekomisoneri Ilirjan Celibashi u ka dhuruar nga një tulipan grave në sallën e KQZ me rastin e 8 marsit.

Ora 10:52
Krifca: Politika për të zgjeruar përfaqësimin e gruas në sipërmarrjet rurale! Gratë në bujqësi, jetë, forcë e zhvillim

1678355685_Capture222.jpg

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, gjate nje takimi qe zhvilloi me gra dhe vajza përfaqësuese të realiteteve rurale, të ardhura nga çdo cep i Shqipërisë në kuadër të 8 Marsit vuri ne dukje forcën e gruas ne zhvillimin e ekonomisë se vendit dhe veçanërisht ne atë rurale.

Në hollin e MBZHR-së, gjatë këtij takimi Krifca tha se, “shumë konsiderojnë që bujqësia dhe puna në fshat janë aktivitete të cilat i përkasin burrave. Por unë jam e bindur se shtylla mbi të cilën është ndërtuar bota rurale, shpina mbi të cilën mbështetet, është ajo e një gruaje”.

Ajo tha se, “sipas USAID sot në botë 60-80 % të sigurimit ushqimor garantohet nga gratë. Dhe përsëri nga ne gratë kërkohet më shumë. Na japin më me vështirësi rolin tonë në vendimmarrje, mjafton t’ju them se mbi 90 % e ministrave të Bujqësisë në Europë, janë burra”.

“Janë bërë pa dyshim përpjekje titanike nga forca socialiste me ndryshime ligjore duke siguruar kuota të barazisë gjinore, duke mundësuar më shumë pjesëmarrje të gruas në politikë, përfaqësim në vendimmarrje, në qeverisje vendore e qendrore duke u shndërruar Shqipërinë në vendin e dytë në botë me përfaqësinë më të lartë të grave në qeverisje”, u shpreh Krifca.

Gjatë fjalës së saj ministrja theksoi se, “për të zgjeruar përfaqësimin e gruas në biznes e sipërmarrje, kemi ndërtuar politika që të mund t’i japin përparësi grave rurale. Kështu, me programin IPARD janë mbështetur 137 gra fermerë, me një buxhet prej 24 milionë euro”.

Krifca u shpreh se, pas produkteve të certifikuara “Made in Albania” qëndrojnë duart e grave dhe përkujdesja e tyre.

Gjithashtu ministrja u ndal dhe tek kthimi i vajzave në tokën e të parëve, duke i shndërruar kullat e tyre ato në destinacione agroturistike, të cilat kthejnë jo vetëm shpresën në komunitet, por sjellin dhe një ndikim ekonomik pozitiv.

Ajo gjithashtu tha se vajzat duke bashkëpunuar me brezin e vjetër mbajnë gjallë traditën e kulinarisë të zonave nga vijnë.

“Nëse ti je vajzë e re, që punon me nënën tënde dhe keni krijuar një ndërmarrje të vogël glikosh dhe reçelrash, jo vetëm ke rritur të ardhurat ekonomike të familjes tënde, por ke trashëguar dhe mbajtur gjallë traditën kulinare shekullore të zonës nga ku vjen”, u shpreh ministrja.

Ministrja e mbylli fjalën e saj duke i cilësuar gratë heroina të heshtura dhe të palodhura, si dhe shtyllën kurrizore të ekonomisë sonë rurale.

Në aktivitet foli edhe Nerlina Kuqi nga ferma e patateve në Divjakë, e cila ka në administrim tokën e familjes në fshatin Gur. Nerlina është një sipërmarrëse që dëshiron ta zgjerojë aktivitetin e saj në biznes dhe një nga objektivat madhorë që ka është që fermën e saj të prodhimit ta kthejë në agroturizëm, për të nxitur zhvillimin e zonës ku ajo jeton dhe punon.

Po ashtu, e mori fjalën edhe Marjana Koceku, u vlerësua në fushën e agroturizmit. Marjana është rikthyer në kullën e të atit të saj në Dukagjin dhe e ka restauruar ndërtesën duke e kthyer kullën në një bujtinë, ku pret turistë nga e gjithë bota, ndër ta shumë anglezë, gjermanë dhe nordikë. Gjithashtu ajo menaxhon një blog, ku promovon zonën e Dukagjinit dhe agroturizmin e saj për të tërhequr vizitorë.

Në këtë aktivitet, u vlerësuan me certifikatë mirënjohjeje disa gra, të përzgjedhura vetë nga komunitetet e tyre, shoqatat e prodhuesve, blegtorëve apo të agroturizmit.

Certifikatë vlerësimi në fushën e agroturizmit mori Marie Shkjau – Pukë, Sabina Sina – konservuese frutash dhe perimesh (reçel), Dëshira Balika në Paskuqan për bletarinë, Ina Murataj në blegtori.

Certifikatë vlerësimi në fushën e prodhimit bujqësor mori Liri Miho, certifikatë vlerësimi në fushën e peshkimit mori Elona Isai, certifikatë vlerësimi për profesoret e UBT: prof. dr. Lumturi Papa – përgjegjësja e departamentit të Shkencave Zooteknike, Vjollca Ibro – profesoreshë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit.

Ora 10:28
Dita e 8 Marsit, Nikolla: Shanset e barabarta për gratë dhe vajzat janë axhenda e Kuvendit

1674737286_640063aeeef82b139.jpg

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar gratë për festën e 8 Marsit.

“Për gratë dhe vajzat e Shqipërisë po ndryshojmë shumë gjëra. Por fokusi ynë është në çka nuk kemi arritur të ndryshojmë deri më tani. Shanset e barabarta janë axhenda e Kuvendit, institucioneve dhe shoqërisë.   Të gjitha ne sëbashku, 50 gra në Kuvend dhe 13 në Qeveri, po u hapin rrugën fuqizimit të  grave e vajzave në jetën politike, tregun e punës, jetën ekonomike, familje e komunitet. Gëzuar  8 marsin!”- shkruan Nikolla.

Ora 10:03
8 Marsi, Alibeaj: Urim nga zemra për gratë e mençura, të forta, të vuajtura dhe guximtare

Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka ndarë një urim në kuadër të ditës së grave.

“Çdo 8 mars një urim nga zemra shkon për të gjithë zonjat shqiptare. Gratë e mençura dhe të forta, të vuajtura dhe guximtare. Ato që për çdo ditë janë nëna të dashura dhe të dhimbsura, familjare të shkëlqyera, profesioniste të zonja e gjithmonë të palodhura.”- shkroi Alibeaj.

 

Ora 08:31
Meta uron 8 Marsin me një foto me nënën e tij: Je burim dhe forcë në gjithë jetën time

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, me rastin e ditës së 8 marsit ka uruar nënë e tij, për të cilën shkruan se është burim lumturie dhe force.

‘Gëzuar 8 Marsin nëna ime! Je burim lumturie dhe force në gjithë jetën time!’- shkruan Meta.

 

Ora 08:11
Dita e Gruas, Rama: Këtë vit me risi, nënat e papuna me 3 e më shumë fëmijë, do u paguhen sigurimet

Kryeministri Edi Rama në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ka rikujtuar mbështetjen që qeveria u ka dhënë nënave të papuna me tre e më shumë fëmijë.

‘Mirëmëngjesi! Gëzuar "8 Marsin" me risinë që këtë vit e në vijim nënave të papuna me tre e më shumë fëmijë, sigurimet shoqërore e shëndetësore u paguhen nga shteti pas Këshillimit Kombëtar, ku shumica dhanë pëlqimin e tyre për këtë risi!’- shkruan Rama.

 

Ora 07:46
8 Marsi, presidenti Begaj: Gratë janë shtylla që mbajnë në këmbë familjet e çojë para shoqërinë

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, presidenti Bajram Begaj, ka uruar gratë shqiptare, të cilat i cilëson si shtyllat që mbajnë në këmbë familjet dhe çojnë përpara shoqërinë.

'Gratë e mrekullueshme të këtij vendi, janë shtyllat që mbajnë në këmbë familjet dhe çojnë përpara shoqërinë. Nderimi dhe falenderimet për to janë për të gjithë jetën! Unë dhe Armanda ju përcjellim të gjitha grave shqiptare urimet më të mira në këtë ditë! Gëzuar Ditën tuaj nëna, motra, bija!'- shkruan Begaj.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Yllka: 08/03/2023 13:33

    Miliona peme mbjell kleptokracia dhe vetem parqe qe nuk kemi...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin