Të gjithë besimtarët ortodoksë kremtojnë sot Pashkët. Të gjitha kishat e vendit janë mbushur me besimtarë që kanë ndjekur meshën e ngjalljes së Krishtit.

‘Krishti u ngjall’ është refreni i kësaj dite festive që shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët që çukisin vezët e kuqe, ngjyrë e cila simbolizon gjakun e Krishtit. Në mesazhin e tij, kryepeshkopi Janullatos tha se duhet të lëmë dritën e ngjalljes të ndriçojë jetën tonë dhe shpirti i shenjtë të na dhurojë qëndresë, durim e shpresë.

Në Tiranë, mesha u kremtua në Katedralen Ngjalla e Krishtit, nën drejtimin e Kryepeshkopit Anastas. Në Berat, ceremonia e Pashkës u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga At Johan Qako dhe u ndoq nga qindra besimtar. Ata morën dritë nga drita e Zotit, duke ndezur qirinjtë dritë që çdo besimtar ortodoks e përcjell me vete në shtëpinë e tij, si shenjë mirësie dhe shpresës për të marrë bekimin e Zotit. Mesnata, që shënoi edhe ringjalljen e Krishtit, kulmoi në sheshin qendror të qytetit, jashtë Katedrales “Shën Dhimitri”,ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar.

Edhe në Vlorë, mesha u mbajt në kishën Shën Theodhori. Besimtarët morën mesazhin se në këtë ditë të madhe tregohet fitorja e jetës mbi vdekjen e dritës mbi errësirës dhe e dashurisë mbi urrejtjen. Në Sarandë, me qirinjtë e lutjes në duar, besimtarët kanë kremtuar Pashkët. Në Lushnje, mesha tradicionale e Pashkëve u drejtua nga At Arkipi dhe besimtarët morën dritën e u lutën për paqe e begati në këtë ditë të shënuar.

Në Korçë kishin mbërritur qytetarë edhe nga Tirana për të festuar Pashkët dhe në këtë ditë të rëndësishme të kalendarit festiv, të gjithë uronin mbarësi e suksese. Në Fier, pati fishekzjarri pasi u mbajt mesha e mesnatës në kishën e Shën Gjergjit nga Metropoliti At Nikolla.

Edhe në Gjirokastër, Katedralja e “Ngjalljes së Krishtit” ka mbledhur me qindra besimtarë duke uruar njëri-tjetrin- "Krishti u Ngjall”. Kambana e kishës ka tingëlluar fort në momentin kur akrepat e orës shënuan ardhjen e ditës së re dhe simbolikisht Ringjalljen e Krishtit.

Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë nga e Premtja e madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet.

Vezët e Pashkës të lyera me të kuqe, me ngjyrën e gjakut të Krishtit, janë çukitur me ardhjen e ditës së shënuar për të gjithë krishterimin ortodoks në mbarë botën.

Ngjyra e kuqe simbolizon gjakun e Krishtit dhe përplasja e tyre simbolizon çarjen e pushtetit te Ferrit me ngjalljen e Krishtit. Vezët janë simbol i lindjes së jetës nga guaska e vdekjes. Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit.

Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.

Report Tv dhe Shqiptarja.com iu uron të gjithë besimtarëve ortodoksë Gëzuar Pashkën!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:55
Festimet për Pashkët në Korçë, qytetarët nga Tirana: Këtu është atmosferë tjetër! Gjithmonë largohemi nga ky qytet me zemër të madhe

 

Qyteti i Korçës është kthyer në kryeqendrën e festimeve për Pashkët. Qytetarë të ndryshëm, kryesisht nga Tirana kanë zgjedhur të shkojnë në Korçë për të festuar.

“Qytetarët e Korçës dhe mbarë Shqipërisë ju urojmë Pashkë të mbarë dhe suksese në punë e familje. Korça është kryeqendra e ortodoksisë shqiptare. Krishti u ngjall mbrëmë dhe na dha gëzim të madh. Kjo u manifestua nga e gjithë qytetaria e Korçës. Ortodoksia ka ecur shumë përpara me në krye Janullatosin dhe me përpjekjet e mëdha të klerit tonë.

Gëzuar Pashkët, shëndet e dashuri.

Kam ardhur nga Tiranë. Është e disata herë që vij për Pashkën në Korçë. Gjithmonë ndahemi nga ky qytet me zemër të mirë e të madhe. Uroj kurajo e dashuri për të gjithë shqiptarët.

Gëzuar Pashkët. Çmimet kanë qenë normal. Edhe shtrenjtësia brenda një normaliteti duhet se është gjithë ky investim. Atmosfera është tjetër në Korcë se janë të gjithë vendalinj.

Gëzuar Pashkët. Krishti u ngjall”, thonë ata.