Kompeticioni më i rëndësishëm për klube në Evropë, Champions League, rikthehet sot në fushë me katër ndeshjet e para të aktit të parë të fazës së 1/8-ave.
Duke nisur nga ora 18:45 në Stamboll luhet Galatasaray - Liverpool, me miqtë që nuk do e kenë të lehtë edhe për shkak të 'zhurmës' që bëjnë tifozët turq. Galatasaray eliminoi Juventusin në fazën play-off dhe ka treguar se di të bëjë mirë, ndërsa sot mungojnë Baltaci, Can Guner apo edhe Arda Unyay i dëmtuar. Edhe nga ana tjetër trajneri Arne Slot do ketë plot nëntë mungesa. Portieri Alisson, Bradley, Chiesa, Davies, Endo, Isak, Leoni dhe Williams nuk janë të gatshëm kryesisht për shkak të dëmtimeve.
Në orën 21:00 luhen duelet Atalanta - Bayern Munich, Atletico Madrid - Tottenham dhe Newcastle - Barcelona.
Atalanta do provojë mrekullinë në Bergamo kundër gjigantëve nga Gjermania, edhe pse trajneri Palladino do duhet të bëjë pa të dëmtuarit De Ketelaere, Ederson, Raspadori dhe të pezulluarin Scalvini. Te Bayern mungojnë Ito, Kiala, Ndiaye dhe Neuer. Kjo është përballja e parë mes tyre në Champions dhe mund të vendos shumë se cili mes Serie A dhe Bundesligës do dërgojë pesë skuadra në këtë event sezonin e ri.
Në 'St. James Park' Newcastle përballet me Barcelonën. Trajneri i miqve Hansi Flick do duhet të bëjë pa Alejandro Balde, Christensen, de Jong, Gavin dhe Kounde. Edhe për Newcastle ka mungesa (Bruno Guimaraes, Krafth, Miley dhe Schar). Dy skuadrat u përballën edhe në fazën e ligës, me Barçën që fitoi 1-2 më 18 shtatorin e vitit të kaluar.
Champions League, faza e 1/8-ave:
E martë, 10 mars 2026
18:45 Galatasaray - Liverpool
21:00
Atalanta - Bayern Munich
Atletico Madrid - Tottenham
Newcastle - Barcelona
E mërkurë, 11 mars 2026
18:45 Bayer Leverkusen - Arsenal
21:00
Bodo/Glimt - Sporting Lisbone
PSG - Chelsea
Real Madrid - Manchester City
*Ndeshjet e kthimit do zhvillohen pas një jave
Për herë të parë Atalanta dhe Bayern Munich do takohen në Champions League, sfidë e cila luhet sot në orën 21:00 dhe vlen për fazën e 1/8-ave. Përpara ndeshjes foli për mediet trajneri i italianëve, Raffaele Palladino. Ai tha se mbrëmja e sotme do jetë diçka 'magjike' dhe të tijtë do provojnë të bëjnë mirë në Bergamo.
"Për ne do të jetë një natë magjike, shumë e bukur, që duam ta shijojmë. Është ëndërr të përballesh me Bayernin, një nga skuadrat më të forta në botë dhe ndoshta më në formë në pesë kampionatet kryesore evropiane. Ndoshta është një ndeshje si ‘Mission Impossible’, do të duhet një mrekulli. Sidoqoftë, ëndrrat ekzistojnë dhe duam ta luajmë shansin tonë", tha italiani.
Atalanta është e vetmja skuadër italiane ende në garë dhe Palladino e sheh këtë si krenari.
"Është kënaqësi të përfaqësosh gjithë Italinë. Kemi marrë shumë mesazhe inkurajimi nga kolegë dhe ish-lojtarë të Fiorentinës dhe Monzës. Nuk duhet ta ndryshojmë identitetin tonë. Duhet të mbajmë ritëm dhe intensitet të lartë", vijoi trajneri.
Palladino përmendi edhe mungesat e rëndësishme të Giacomo Raspadorit, Charles De Ketelaere, Ederson dhe Giorgio Scalvinit.
"Nuk shoh kush mungon, sepse jam i sigurt që kush do të zbresë në fushë do të japë gjithçka për këtë fanellë", tha mes të tjerash Palladino.
Komente






