Kosova sot 15 vjet shtet i pavarur! Ish luftëtarët e UÇK ‘festojnë’ në Hagë! Kuvendi seancë solemne! Mban fjalën dhe presidenti Bajram Begaj

KOSOVË- 15 vite më parë, në një sallë të mbushur plot, nga e cila ishin drejtuar sytë e miliona shqiptarëve në çdo cep të trojeve shqiptare por edhe të globit, u shqiptuan fjalë që bartnin  ëndrra dhe sakrifice heronjsh nder shekuj: Kosova, shtet i pavarur dhe demokratik! Si për t’u mishëruar sakrificat që s’dolën sot në atë sallë, që është i Kuvendi i Kosovës mungon ai që e shqiptoi atë deklaratë dhe 3 të tjerë, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli. Ishte ora 15:34 e 17 gushtit 2008 kur komandanti Hashim Thaçi, atë ditë Kryeministër, siç e tha vete 'duke ndjerë rrahjet e zemrave të stërgjyshërve' bëri një ëndërr realitet duke zhbëre padrejtësinë e madhe që i ishte bërë një kombi.

Sot kjo ëndërr ka 15 vite që po jetohet çdo ditë. Sot, 17 shkurt 2023, Kosova feston 15-vjetorin.

Kuvendi i Kosovës, mbajti një seancë solemne, ku nisi me himnin e Kosovës, me atë të BE-së, si edhe me “Baresha”, të Nexhmije Pagarushës. Në fjalën e saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pati një mesazh për politikën, ku tha se pavarësisht ndasive politike, në këtë drejtim duhet të bëhen të gjithë bashkë. Osmani, theksoi se është e nderuar që sot nga foltorja e Kuvendit i uron qytetarët për shtetësinë e vendit. Ajo ka përmendur ata të cilët kanë luftuar e dhënë kontributin e tyre për Kosovën që është sot.Ka përmendur presidentin historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovën, komandantin legjendar Adem Jasharin, por jo edhe krerët e UÇK-së që gjenden në Hagë.

“Jam e nderuar që sot në ditëlindjen 15’të të Kosovës sonë të mund të ju drejtohem nga foltorja e Kuvendit. Më lejoni ta përgëzojë secilin qytetarë për kontributin në ndërtimin e shtetit tonë të përbashkët. Ta kujtojmë pijetarin e shtetësisë sonë, presidentin historik dr. Ibrahim Rugovën,. T’i kujtojmë bijtë e bijat tona të cilët të rreshtuar në UCK sakrifikuan jetën e tyre. Komandantin historik, Adem Jasharin. T’i kujtojmë përfaqësuesit e institucioneve të pavarura që kontribuuan për këto 15 vite në shtet ndërtim,”- ka deklaruar Vjosa Osmani. Megjithatë, ndonëse Osmani nuk i përmendi, UÇK “ishte” në Kuvend. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, Vendosi në foltore të Kuvendit emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Njëjtë, si Osmani, edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca përmendi sakrificën e UÇK-së, por jo ish luftëtarët që gjenden në Hagë.

“Trungu ynë u ujit me gjakun e UÇK-së, e cila zhvilloi lutë të drejtë dhe mbrojtëse. Kjo ishte lufte e domosdoshme e popullit tonë, e cila u kurorëzuar me pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e përqendroi fjalimin e tij me nota mirënjohjeje dhe falënderimi për ndërkombëtarët që e kanë mbështetur Kosovës në rrugëtimin e saj për liri.

“Mirënjohje dhe respekt për aleatët tanë e ndihmuan popullin tonë nga shtypja drejt lirisë. Gëzuar 17 shkurti dhe urime 15 vjetori i pavarësisë së Kosovës.”- tha ndër të tjera Kurti.

Në seancë, ishte i pranishëm edhe presidenti Shqiptar, Bajram Begaj i cili theksoi se Kosova është një shtet i pavarur, pavarësisht se si vepron Serbia.

 “Kosova është shtet i lirë e i pavarur, sido që të veprojë Serbia. Qeveria serbe nuk është distancuar nga agresori dhe as ka ndaluar aktivitetin e saj kundër njohjes së republikës së Kosovës”, tha Begaj.

Dita nisi me një mbledhje festive të Qeverisë në orën 08:00 të mëngjesit dhe u pasua me ngritje solemne të flamurit të Kosovës. Më pas u bën homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, te Adem Demaçi dhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”. Pas përfundimit të seancës solemne, mabhet një parakalim i i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës në sheshin e kryeqytetit.

Kremtimet e Ditës së Pavarësisë do të përfundojnë me një koncert përmbyllës.

Vijon...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:08
15 vjet shtet: Harta që tregon shtetet që e njohin pavarësinë e Kosovës

Kosova sot shënon 15-vjetorin e Pavarësisë, që u shpall më 17 shkurt të vitit 2008. Mbi 100 shtete, e kanë njohur Kosovën si të pavarur prej atëherë.

Njohja e fundit, sipas të dhënave në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka ardhur nga Izraeli më 1 shkurt të vitit 2021.

Ndërkohë, “Al Jazeera” ka publikuar një hartë që tregon shtetet që e kanë njohur, dhe ato që ende s’e njohin Kosovën si të pavarur.

Ora 13:31
Manifestimi qendror i 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Osmani: Pjestarët e Ushtrisë që parakalojnë para nesh janë pjesa më e ndritshme e historisë sonë

1676637090_fg.JPG

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandantja supreme e FSK-së, ka thënë se ushtria dhe policia e Kosovës janë të gatshme për të ruajtur çdo cep të territorit të Kosovës.

Në manifestimin qendror të shënimit të 15 vjetorit të pavarësisë, Osmani tha se ushtarët dhe policët tanë janë pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare.

“Këta janë pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por falënderojmë edhe aleatët tanë strategjik”, tha ajo.

Para qindra qytetarëve, fjalën e mori edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ushtarët dhe policët e Kosovës kanë treguar aftësi dhe profesionalitet.

Ai tha se buxhetin për mbrojtje po e rrisin vazhdimisht.

“Këta janë të betuar për të mbrojtur sovranitetin dhe rendin dhe ligjin në Kosovë”, tha ai.

Ora 12:42
15 vjet Pavarësi e Kosovës/ Konjufca përmend sakrificën e UÇK-së: Lufta e domosdoshme e popullit tonë

1676634157_glauk.JPG

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës e Kosovës për Ditën e Pavarësisë.

Në adresimin e tij në seancën solemne të Kuvendit, ai ka falënderua të gjithë ata që kanë kontribuuar për këtë ditë.

“Trungu ynë u ujit me gjakun e UÇK-së, e cila zhvilloi lutë të drejtë dhe mbrojtëse. Kjo ishte lufte e domosdoshme e popullit tonë, e cila u kurorëzuar me pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ora 12:16
Kurti: Mirënjohje dhe respekt për aleatët tanë e ndihmuan popullin tonë nga shtypja drejt lirisë

1676554507_kurti.JPG

Nga mbledhja solemne e Kuvendit, Kurti shprehu mirënjohjen e popullit nga shtypja drejt lirisë. Kurti u shpreh se sot, ndihen rrahjet e zemrave ndaj atyre që luftuan për këtë ditë

“Teksa shënojmë ditëlindjen vazhdojmë të ndjejmë rrahjet e zemrave ndaj atyre që luftuan për këtë ditë. Siç rrahin sot jep shteti ynë  dhe pavarësia e tij. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit, njohje dhe mirënjohje atyre që kontribuuan për shtetin e Kosovës. Mirënjohje dhe respekt për aleatët tanë e ndihmuan popullin tonë nga shtypja drejt lirisë. Gëzuar 17 shkurti dhe urime 15 vjetori i pavarësisë së Kosovës.”- tha ndër të tjera Kurti.

Ora 12:03
Deputetja vendos në foltore të Kuvendit stemën e UÇK-së

1676631911_GE.jpg

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka bërë një akt simbolik sot në seancën solemne të Kuvendit, e cila po mbahet për nder të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Më të filluar seanca, ajo ka vendosur në foltore të Kuvendit emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Ora 11:59
15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, Begaj: Shtet i lirë dhe i pavarur sido që të veprojë Serbia! Të bashkëpunoni për ruajtjen e paqes në rajon

 

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke dhënë një mesazh edhe për tensionet me Serbinë. Begaj thotë se duhet të bashkëpunojnë për stabilitet dhe paqe në rajon.

“Në këtë ditë të shënuar, me mirënjohje kujtojmë Adem Jasharin, UÇK, luftëtarët e lirisë që edhe sot na frymëzojnë për të mbrojtur të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e një kombi. Kërkojmë sot liderin e forcës së durimin, shqiptarin që çoi përpara kauzën e Republikës së Kosovës dhe ruajti paqen, kujtojmë presidentin Rugova, president i paqes në rajon.

Ju uroj sukses e hapa sa më të shpejtë për anëtarësim në NATO dhe organizata të tjera. Kosova është shtet i lirë e i pavarur, sido që të veprojë Serbia. Qeveria serbe nuk është distancuar nga agresori dhe as ka ndaluar aktivitetin e saj kundër njohjes së republikës së Kosovës. Serbia duhet të bashkëpunojë me Kosovën për stabilitet dhe ruajtjen e paqes në rajon. Ne ballkanasit nuk jemi larg njëri-tjetrit po jemi shembull që distancat s’janë as kriter as pengesë për t’ju gjendur pranë njerëzve e popujve. Gëzuar ditën e pavarësisë së Kosovës, shtet përjetë”, tha Begaj.

Ora 11:53
Pavarësia e Kosovës/ Vjosa Osmani: Përballë Serbisë duhet të jemi një! Republika jonë është e përjetshme

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndau mesazhin e veçantë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, e cila kremtohet me sfidën e madhe të dialogut me Serbinë. Presidentja Osmani u bëri të gjithëve thirrje se pavarësisht ndasive apo këndvështrimeve të ndryshme, të jemi të bashkuar përballë Serbisë, e cila sot e kësaj dite cenon dhe vë në dyshim pavarësinë e Kosovës. Osmani u shpreh se procesi i dialogut me Serbisë e ka një epilog, atë të njohjes reciproke.

“Sot rikujtojmë dhe falënderojmë edhe miqtë, aleatë të cilët i kemi quajtur me të drejtë shpëtimtarë të lirisë të cilët kanë qenë me ne. Kur ne ishim të shtypur e kërkonim lirinë, e kur e fituam dhe gëzonim tokën tonë të lirë ata janë ende me ne. Kosova është shtet i ri, ka dëshmuar demokraci e liri. Institucionet tona po forcohen dita ditës. Sfidat janë të të pranishme, por ja kemi dalë. Gjithsesi na kanë bërë më të fortë.  Kosova nuk mund të jetë ishull i izoluar kundrejt atyre që ndodh në arenën ndërkombëtare. Sot e kësaj dite forcat destruktive provojnë të cenojnë pavarësinë tonë. Përballë Serbisë ne duhet të jemi një, por duhet të jemi të mençur.

Prandaj pavarësisht ndasive në pikëpamje, spektri politik i vendit do të jetë i bashkuar përballë atyre që përpiqen të pengojnë shtetin tonë, ashtu siç kemi qenë kurdoherë. Beteja për anëtarësi të organizatave ndërkombëtare kërkon sfidë të madhe dhe punë të madhe. Shpresojmë ta mbyllim procesin e integrimit, sepse jemi fuqishëm në krah të Ballkanit Perëndimor. Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog, njohja reciproke. Rendi demokratik, sovraniteti ynë dhe njohja reciproke janë të pa negociueshme.  Të punojmë bashkë që shtetin e republikën ta forcojmë dhe ta zhvillojmë bashkë. Republika jonë është e përjetshme,. Zoti e bekoftë Kosovën, qytetarët e miqtë tanë!”- tha Osmani.

Ora 11:22
Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës nis me intepretimin e filarmonisë për 15 vjetorin e Pavarësisë

1676629523_kosov.JPG

Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës ka nisur me interpretim të filarmonisë të Kosovës për 15 vjetorin e Pavarësisë.

Ora 10:39
15 vite Pavarësi e Kosovës, nderohen figurat e shquara të vendit, Osmani: Sot kujtojmë sakrificën por është edhe ditë shprese drejt rrugës euroatlantike

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ndarë një mesazh emocionues në 15-vjetorin shtetit sovran të Kosovës. Osmani thotë se kjo datë na kujton sakrificën që u dha për të qenë Kosova e pavarur. Për këtë, Osmani dhe krerët e shtetit të Kosovës por edhe homologu i saj shqiptar Begaj, kanë shkuar të nderojnë figurat dhe monumentet simbol të Republikës së Kosovës. Osmani kujton me nderim të madh, familjen e Adem Jasharit, ish presidentin historik Ibrahim Rugova si dhe në monumentin e të pagjetura, për të kujtuar se plagët e thella janë ende prezent. Por përtej këtij sfondi, Osmani shprehet 17 shkurti është edhe ditë shprese, që Kosova të jetë pjesë e familjes euroatlantike, atje ku i takon të jetë. 

“Në këtë 15 vjetori të pavarësisë së republikës sonë kujtojmë sakrificën që dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre që Kosova të ishte e pavarur.

Jemi këtu me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit por edhe me delegacionet për të nderuar sakrificën e familjes Jashari trimërinë dhe guximin e tyre të cilën u vunë themelet e vendit tonë. Pak më herët  nderuam edhe ish presidentin Ibrahim Rugova, arkitektin e shtetit të Kosovës. Bëmë nderime dhe në monumentin e të pagjeturve, për të kujtuar që plagët janë akoma të thella, bëjmë përpjekje çdo ditë për të gjetur të dashurit tanë.

Sot është ditë shprese, p[re shkak se Kosova jo vetëm që është vendi me më të rinjtë për nga mosha por e ka dhe rrugën e  qartë përpara, ajo rrugë është rruga euroatlantike dhe Kosova e ka aty vendin.”- u shpreh Vjosa Osmani.

Edhe presidenti Begaj uroi 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Kënaqësi të jem këtu në 15 vite Pavarësi të Kosovës. Rrugëtimi ynë është përpara, në rrugëtimin euroatlantik."- tha Begaj.

Kryeministri Kurti nga ceremonia e nderimeve të figurave të shquara të shtetit të Kosovës, u shpreh se rruga për të ecur përpara e ka në mendje dhe në kujtesë çmimin e lartë që është paguar për të arrirë pavarësinë e shtetit sovran të Kosovës.

“Teksa festojmë, kujtojmë me mall e krenari ata të cilët vetë mohuan dhe sakrifikuan dhe dhanë jetën për lirinë e vendit. Ardhja jonë këtu, në këtë ditë kaq të rëndësishme tregon që rruga jonë përpara, e ka në mendje dhe në kujtesë çmimin e lartë që kemi paguar për ta pasur pavarësinë. Gëzuar!”- tha Kurti.

Ora 10:19
VIDEO/ Momenti kur Hashim Thaçi shpallte Pavarësinë e Kosovës, sot në Hagë i akuzuar për krime lufte

 

17 shkurti i vitit 2008 ishte data kur Kosova e shpalli pavarësinë. Në seancën e asaj dite, 109 nga 120 deputetë morën pjesë në sallë. Deklaratën e pavarësisë e kishte lexuar kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, sot në Hagë i akuzuar për krime lufte.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhej ndër të tjera në deklaratë.

Ora 09:57
Fluks në kufi/ Qytetarët e Kosovës zgjedhin të festojnë në Shqipëri 15 vjetorin e Pavarësisë, qytetari: Sot, më të bashkuar se kurrë, s’kemi ndasi

 

Qytetarët e Kosovës kanë zgjedhur Shqipërinë për festën e pavarësisë. Në Doganën e Morinës pati fluks te larte qytetaresh e mjetesh ndërsa policia kufitare operoi pa kontrolle duke shmangur radhët.

“I uroj krejt shqiptarëve pavarësinë e Kosovës. Kufiri është thjesht formalitet, ne të bashkuar jemi.”- tha një qytetar.

Ora 09:45
'New Born' merr pamje tjetër për 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës! Mesazhi kundër Asociacionit: Jo Republikë e copëtuar

1676623817_rr.JPG

Në këtë 15 vjetor të Pavarësisë, monumenti ‘New Born’ në Kosovë ka marrë një pamje të re me ngjyrat e flamurit.

Çdo vit, pa përjashtim, NEWBORN ka dhënë një mesazh të fortë, duke shënuar çdo vit zhvillimin e Kosovës. Në fotografitë e shpërndara në Facebook, tregohet mesazhi “No New Broken Republic” (Jo Republikë e copëtuar) që i referohet Asociacionit.

“Tema e këtij viti nuk është ndryshe. Në fakt, është provokuese, ndoshta më shumë se herët e tjera, por si gjithmonë është aktuale me gjendjen në të cilën ndodhet populli ynë dhe vendi ynë dhe është një udhëkryq i rëndësishëm drejt shtetësisë së Kosovës.”, shkruhet në fotografitë e shpërndara në Facebook nga faqja që mban emrin e monumentit.

 

Ora 09:37
Kosova 15 vite shtet sovran, Adem Jashari dhe UÇK zbukurojnë sheshin më të madh në botë Times Square

1676623092_Capture235600x351.jpg

Kompania shqiptaro-amerikane Tafingo që vepron në SHBA dhe Kosovë, tashmë tradicionalisht është bërë e njohur për vendosjen e billboardeve anë e mbanë Amerikes për ditën e pavarësisë së Kosovës.

 Për nder të 15 Vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosoves ka vendosur billboard në një nga ekranet gjigante në Times Square NY. Mesazhi i billboardit në ekranin gjigant në Times Square, falenderon SHBA për ndihmën e saj për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës! Billboardi në vijim vazhdon me disa fotografi të komandantit legjendar Adem Jashari dhe emblemës së UÇK-së.

Në një prononcim për media, pronarët e kompanisë Tafingo, Atdhe dhe Dren Deva theksuan se është tashmë traditë e kompanisë së tyre që 3 vite me radhë promovimi i shtetit të Republikës së Kosovës pikërisht në ditën e pavarësisë në billboarde të ndryshme nëpër Amerikë, dhe këtë gjë e bëjnë me kënaqësinë më të madhe.

Ora 08:39
Ngritja solemne e flamurit të Kosovës në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, i pranishëm Bajram Begaj! Pranë tij qëndrojnë Kurti, Osmani dhe Konjfuca

 

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ishte i pranishëm në ngritjen e flamurit të Kosovës në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Pranë tij qëndronin presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

 

 

Ora 08:26
15 vite Pavarësi e Kosovës, Kurti uron përmes mbledhjes festive: Puna e festa në republikën tonë shkojnë bashkë

1676618805_kurti.JPG

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për 15-vjetorin e pavarësisë së vendit të tyre përmes një mbledhjeje “festive”. Arsyeja se pse kreu i qeverisë së Kosovës zgjodhi ta nisë me një mbledhje ishte për të tejçuar mesazhin se vetëm nëpërmjet punës dhe sakrificës, do të arrihet rritja e pavarësisë por më e rëndësishmja do të arrijë të karakterizojë njerëzit e mirë të Kosovës. Kurti u ndal edhe te detyra që i pret në të ardhmen, ku synim mbeten të rinjtë. Ai tha se synimi janë të rinjtë e Kosovës, për të cilët shpreson që 20-vjetori të vijë me dëshirën e tyre për të zgjedhur Kosovën për një të ardhme më të mirë dhe për një jetë profesionale më të plotë.

“Puna e festa për republikën tonë duhet të shkojnë gjithnjë baske. Pavarësia u arrit përmes mundit dhe sakrificës por pavarësia jonë do të rritet vetëm përmes punës. Vetëm përmes punës dhe sakrificës e cila i karakterizon njerëzit e mirë të Kosovës. Ata punojnë këtu por edhe jashtë vendit, ku kushtet janë më të mira.

Detyra jonë kryesore është që kur të vijë 20-vjetori të jenë shtuar dhe shumëfishuar arsyet që të rejat e të rinjtë të mund të zgjedhin Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë e për një jetë më të mirë.”- tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.

/G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mala: 17/02/2023 15:08

    JO NDARAS NGA CLIRIMTARET E SHTETNDERTUESIT, APO DUKE URREJTUR E E INJORUAR DERI NE MOSDURIM CLIRIMTARET.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni