TIRANË- Mungesa e medikamenteve, mosfunksionimi i disa pajisjeve në Onkologjik dhe problematikat me analizat laboratorike pas datës 20 të çdo muaji ishin në qendër të interpelancave të kërkuara nga opozita me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala.
“Dua të flas për kushëririn e mikut tim që pret me siguria produktin për hepatitin c, për stadin 4, është i shtati në radhë, është duke prit radhën, shpresoj të jenë gjallë dhe të mbijetojnë deri në atë moment”, tha Kliti Hoti.
Deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoto, ishte i pari që hapi radhën e interpelancave me ministren e Shëndetësisë Evis Sala. Ai iu referua një shembulli konkret për të dëshmuar sipas tij një feniomen shqetësues në spitalet publike, mungesën e medikamenteve
“Për sa i përket disponibilitetit të barnave po punojmë intensivisht në disa drejtime. Sot në QSUT nuk mungon asnjë bar", tha Sala.
Shqetësimet më të forta u ngritën nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cila i renditi ministres Sala mungesën e pajisjeve në Onkologjik, një spital që në mënyrë të përsëritur është bërë objekt debatesh. Xhixho i renditi ministres Sala mungesën e pajisjeve në Onkologjik, ku prej më shumë se 8 muaj thotë se nuk punon brakiterapia, ndërkohë për 120 pacientë në ditë që kryejnë kimoterapi, ka në dispozicion vetëm 30 poltrone. Sa i takon akseleratorëve, Xhixho tha se vetëm 2 janë në funksion, ndërsa ngriti pyetjen se përse një i tretë nuk vihet ende në punë.
“Prej 8 muajsh, brakiterapia nuk funksionon, duke prekur rreth 200 gra dhe vajza me kancer gjinekologjik. Ju thoni se do të vihet në punë brenda vitit 2026, por këta pacientë duhet të presin. E njëjta situatë është edhe me PET Scan-in, një ekzaminim që thoni se do të vihet në punë në fund të vitit 2026. Kjo mungesë ka ndikim të drejtpërdrejtë te këta qytetarë”, tha Xhixho.
Ministrja Sala pranoi se brakiterapia dhe pet Scan-i dhe një prej akseleratorëve nuk janë në punë, megjithatë premtoi zgjidhje brenda vitit 2026.
“Në radioterapi kemi instaluar akseleratorin e tretë duke e plotësuar shërbimin me tre akseleratorë, ndërsa ka nisur puna edhe për akseleritorin e katërt në shërbimin e neurokirurgjisë në QSUT. Po punojmë që ky shërbim të plotësohet së shpejti edhe me brakiterapi. Në lidhje me Pet-CT jemi duke punuar ngushtësisht me agjeninë ndërkombëtare të energjisë atomike jo vetëm për blerjen e pajisjes, por për krijimin e një shërbimi", tha Sala.
Analizat laboratorike në spitalet publike kryhen nga një kompani private e cila ka fituar koncensionin për këtë shërbim. Deputeti Bardh Spahia ngriti shqetësimin për kufizimet që shfaqen pas datës 20 të çdo muaji. Por ministrja Sala e kundërshtoi këtë pretendim, duke theksuar se nuk cenohen rastet urgjente.
“Në të gjithë 19 spitalet publike përfshirë këtu edhe QSUT-në. Rrezik për moskryerjen edhe të analizave urgjente pasi koncesionari vendos kufij për tejkalimin e planit të parashikuar", tha Spahia.
“Në raste të caktuara mund të shtyhen disa analiza rutinë, por në asnjë rast nuk cënohet ekzaminimi, diagnostikimi apo trajtimi i pacientit. Pra, çdo pacient që ka nevojë për analizë në funksion të diagnozës apo trajtimit, e merr atë pa ndërprerje”, iu përgjigj Sala.
Gjatë interpelancave, ministrja hodhi poshtë edhe cdo pretendim për qarkullimin e barnave të skaduara në treg. “Asnjë qytetar, asnjë pacient nuk ka marrë barna të skaduara", tha ajo.
Në deklaratat e Bujar Leskajt në Kuvend, nuk munguan kontradiktat. Ndërsa e quajti administratën publike, patronazhiste, abuzive e pa meritokraci, deputeti demokrat vlerësoi pozitivisht drejtoren e shërbimit legjislativ në Kuvend.
“Thuajse 1/3 e administratës është jo profesioniste, patronazhistë, politike, emërime jo në bazë merite, por politike, vepron në mënyrë abuzive dhe selektive mbi interesin publik”, tha Leskaj për administratën, para se të vijonte me lëvdatat për Merita Qaton: “Një falënderim të veçantë për një nëpunëse të lartë të administratës, Merita Qaton, për shërbimin, përkushtimin, pasionin, ndershmërinë e saj. Shembuj të tillë të nëpunësve duhen në administratë”, tha Leskaj.
Deputetja e Vlorës, Briseida Çakërri, ia ktheu përgjigjen sapo u ngjit në podium:
“Meqë ti e mbylle me përshëndetje, unë po e nis fjalën time me një përshëndetje për patronazhistët: U shtofshi në PS!”, tha ajo.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka zhvilluar një seancë pyetje-përgjigje në Kuvend me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Tabaku hodhi akuza ndaj qeverisë se përmes çmimeve të ulëta të referencës, po favorizon ndërtuesit e pallateve, të cilët sipas saj, në këtë mënyrë paguajnë më pak taksa.
Sipas Tabakut, kjo bëhet me qëllim mbrojtjen e interesave kriminale, të atyre që sipas saj pastrojnë paratë e pista duke investuar në ndërtim.
Më tej Tabaku akuzoi qeverinë se po ‘sulmon’ bizneset e vogla, përmes kontrolleve të shpeshta tatimore.
“Në dhjetor 2025 Parlamenti votoi me votat e shumicës një ligj të ri për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, i cili presupozonte që do i jepte fund ngrirjes 10 vjeçare që ju bë vlerësimit të pasurive, të cilat ishin vlerësuar me referenca të viteve të shkuara dhe këtu i referohem 2016. Dua t’i kujtoj koleges se çfarë i ka ndodhur tregut të pasurive të paluajtshme gjatë gjithë këtyre viteve, ndërkohë që mazhoranca e mbante të fjetur në sirtar këtë propozim ligjor. Një nga arsyet kryesore për të cilën u vendos miratimi i ligjit, sipas vetë edhe dokumentave që kishte ligji, ishte zhdukja e informalitetit në tregun e pasurive të paluajtshme, duke e bërë të pamundur deklarimin fiktiv të vlerave më të ulëta gjatë shit-blerjeve.
Një problem i vazhdueshëm në praktikë. Ky propozim ligjor do të kishte një bum të ardhurash dhe ndikim shumë pozitiv në buxhet. Por 4 muaj pas miratimit të këtij ligji, aktet nënligjore të këtij ligji kanë qenë në pikëpyetje. Për gati 2 vite qeveria bllokoi procesin e rivlerësimit të pronave me argumentin se duhet të miratoheshin çmimet e reja të referencës për zonat jashtë Tiranës, veçanërisht për zonat bregdetare. Pse u mbajt i bllokuar për 2 vite rivlerësimi i pronave të qytetarëve, kur në fund referencat e reja nuk u miratuan? Cila ishte arsyeja e vërtetë e kësaj vonese? Duke lënë në fuqi çmime reference shumë më të ulët se vlera reale, ndërtuesit në bregdet paguajnë taksa shumë të ulëta.
Ndërtuesit janë përfituesit kryesorë të kësaj që qeveria ka bërë. A nuk përbën kjo një praktikë mbrotje për ndërtuesit? Ndërtimi është një nga sektorët me informalitetin më të lartë. Një nga sektorët ku pastrimi i parave, sipas të gjithë informacioneve ndërkombëtare, ka hapësirën më të madhe për të ndodhur dhe ndodh realisht. Me 9 milionë metra katrorë ndërtim gjatë viteve të kaluara. Ndërkohë bizneseve të vogla u janë turrur inspektorët tatimorë. Pse ministria e Financave e ka çuar në kalendat greke zbatimin e këtij projektligji. Qeveria fsheh përfituesit e vërtetë, mbron interesa kriminale e korruptive. Çmimet e apartamenteve kanë shkuar nga 2500-6000 euro metri katror. Po bëni ligje me porosi”, tha mes të tjerash Tabaku.
Nga ana tjetër, ministri Malaj u përgjigji se taksimi në ndërtim bëhet në bazë të preventivit të investimit që do të realizohet dhe jo në bazë të çmimeve të referencës.
Malaj tha më tej se gjatë këtij viti do të realizohet procesi i rivlerësimit të pronave në të gjithë Shqipërinë, proces që sipas tij do të përmbyllet brenda vitit 2026.
Lidhur me akuzat e Tabakut se po ‘sulmohen’ bizneset e vogla, Malaj tha se gjatë vitit 2025 ka pasur vetëm 3700 kontrolle nga Tatimet në bizneset në vend, që sipas tij përbën 3%, në krahasim me numrin e përgjithshëm të bizneseve.
“Komenti i fundit i bërë nga Tabaku, se tatimet i qenkan turrur biznesit, ndërkohë që flet në mënyrë hipotetike, sepse nga 142 mijë tatimpagues që janë aktiv në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, përgjatë gjithë vitit 2025 janë bërë vetëm rreth 3700 kontrolle, që është rreth 3%. Vetëm ju e dini kujt informacioni i referoheni kur thoni se tatimet i qenkan turrur biznesit.
Pretendoni se qeveria ka 2 vite që ka bllokuar procesin e rivlerësimit. Por që një proces të bllokohet, duhet të fillojë njëherë. Nuk ka pasur kurrë nisje të një procesi rivlerësimi. Procesi i rivlerësimit ka filluar në dhjetor 2025 dhe po vijon me ritme shumë të mira, ku kemi rivlerësime të pasurive jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Deri tani janë rreth 9500 aplikime. Procesi do të jetë i hapur deri në datën 31 dhjetor 2026, një kohë mëse e mjaftueshme për qytetarët shqiptarë që dëshirojnë të bëjnë rivlerësimin e pronës së tyre. Sa i takon çmimeve të reja të referencës, dua të theksoj se vendimmarrja në lidhje me këto çmime është shumë e rëndësishme dhe grupi ndërinstitucional po merr gjithë kohën e nevojshme për të nxjerrë çmimet sa më reale, që i afrohen çmimet reale në treg. Sepse ajo që është konstatuar se çmimet e pasurive që regjistrohen në ASHK janë më të ulëta sesa çmimet e marketuara nga zyrat Imobilare. Qëllimi është që të reflektohet dinamika e tregut, zhvillimi i zonave bregdetare dhe të marrë në konsideratë edhe transaksionet reale.
Pyetjes së dytë, ku doni të dini sa është vlera e të ardhurave të munguara në buxhet, si rezultat i taksës së ndikimit në infrastrukturë, më duhet të them së pari se taksa e ndikimit në infrastrukturë është një taksë vendore dhe nuk e ndikon buxhetin e shtetit. Taksa e ndikimit në infrastrukturë është një taksë që ndërtuesit e paguajnë, bazuar në preventivin e investimit që do bëjnë, jo bazuar në çmimin e referencës. E thënë ndryshe, ne nuk po avantazhojmë askënd, por po zbatojmë kuadrin ligjor në fuqi dhe që do të ndryshojë sapo grupi i punës ndërinstitucional të mbarojë punën e tij. Për metodologjinë e re të çmimeve dhe çmimet e reja të referencës, ka një urdhër nga kryeministri, ku përfshihen 9 institucione”, tha mes të tjerash Malaj.
Në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë është zhvilluar interpelanca mes deputetit demokrat Zija Ismaili dhe ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Ismaili tha gjatë fjalës së tij se fermerët e qarkut të Beratit dhe të të gjithë Shqipërisë nuk kanë marrë asnjë kompensim nga qeveria apo bashkitë, pas përmbytjeve të shkaktuara gjatë muajve të fundit.
Ismaili tha se vetëm në qarkun e Beratit janë përmbytur në total 900 hektarë, të cilat sipas tij, nëse përllogariten si toka të mbjella me produkte bujqësore, dëmi do të shkonte deri në 135 milionë euro.
“Fermerët janë lënë jashtë vëmendjes së qeverisë, sepse nuk kanë përfituar asnjë kompensim pas përmbytjeve. Çmimi i lartë i naftës dhe mungesa e fondeve po shtyjnë fermerët të braktisin punën e tyre. Në qarkun e Beratit në total janë përmbytur 900 hektarë, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe miliona euro humbje. Për 900 hektarë sera, kosto e fermerëve ka shkuar në 21 milionë euro. Rendimenti mesatar për 900 hektarë do të varjonte nga 72 mijë ton deri në 135 mijë ton perime në vit. Nëse këto perime do të shiteshin në tregun e shumicës, me një çmim mesatar prej 1 euro, dëmi ekonomik do të varionte nga 72-135 milionë euro. Shkak kryesor i përmbytjeve kanë qenë kanalet kulluese. Ka pasur një debat mes qeverisë qëndrore dhe asaj vendore, mbi kompetencat për menaxhimin e këtyre kanaleve. Qeveria ka bërë vetëm premtime. U ngritën komisionet lokale për dëmet në sera dhe në fund qeveria u shpërndau nga 1 kg ushqim për bagëtitë e imta dhe nga 5 kg ushqim për gjedhët, përmes kryepleqve të fshatrave, që në fakt janë vetëm patronazhistë”, tha mes të tjerash Ismaili.
Nga ana tjetër, ministri Salla tha se nuk është përgjegjësi e qeverisë kompensimi i dëmeve në rast të fatkeqësive natyrore, nuk është përgjegjësi e qeverisë, por e bashkive. Sipas Sallës, bashkitë kanë përfunduar inventarizimin e dëmeve në terren, për të bërë të mundur më pas kompensimin e fermerëve.
Po ashtu, Salla tha se brenda vitit 2026 Ministria e Bujqësisë do të paraqesë në Kuvend projektligjin për sigurimet në bujqësi, e cila sipas ministrit, do të garantojë një zgjidhje të qëndrueshme për situatat e fatkeqësive natyrore.
“Përmes kësaj interpelance të kërkuar nga zoti Ismaili gjej rastin të sqaroj një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët. Ministria ndjek në vijimësi situatën e krijuar nga fatkeqësitë natyrore. Reshjet intensive dhe për periudha të zgjatura kohe kanë krijuar përmbytje në tokat bujqësore. Osumi, Devolli e Semani dolën nga shtrati i tyre, duke dëmtuar tokat bujqësore. Ministria është angazhuar dhe në bashkëpunim me bashkitë dhe Emergjencat civile, për të normalizuar situatën në një kohë sa më të shkurtër. Në buxhetin e 2026 Ministria ka parashikuar disa rehabilitime në strukturat mbrojtëse, ku ka pasur dëme nga përmbytjet. Në kuadër të marrjes së masave, Ministria e Bujqësisë do të ndërhyjë në të tjera investime të plotë në basenin lumor, për mbrojtjen nga përmbytjet. Ministria ka bashkëpunuar me bashkitë për evidentimin e dëmeve në terren, për kapërcimin e çdo situate. Megjithatë strukturat e Ministrisë së Bujqësisë nuk e kanë në fushën e tyre përgjegjësinë e kompensimit të dëmeve në rast të fatkeqësive natyrore ndaj fermerëve apo subjekteve të tjera të prekura. Kompensimi i dëmeve bëhet nga organe të qeverisjes vendore. Bashkitë kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve në terren. Qeveria siç është bërë e ditur ka shprehu angazhimin se do të vendosë në dispozicion vlerat financiare për të kompensuar dëme të tilla në buxhetin e 2026. Megjithatë për një zgjidhje të qëndrueshme, Ministria e Bujqësisë ka parashikuar që brenda këtij viti të paraqesë projektligjin për sigurimet në bujqësi”, tha mes të tjerash ministri Salla.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala iu përgjigj opozitës për faktin se pas datës 20 të çdo muaji, pacientët në spitale përballen me mungesë të shërbimit të analizave nga ana e koncesionarit. Sala tha se kontrata parashikon një planifikim mujor të të volumit dhe buxhetit të analizave për çdo spital dhe kur arrihet rreth 75% e këtij vëllimi, koncesionari njofton strukturat drejtuese përkatëse. Sala thotë se në këtë fazë, shërbimi vijon normalisht, por prioritet u jepet analizave urgjente.
"Është e rëndësishme të sqarohet për të gjithë qytetarët se shërbimi nuk ndërpritet në asnjë moment. Kontrata parashikon një planifikim mujor të volumit dhe buxhetit të analizave për çdo spital. Në momentin kur arrihet rreth 75% e këtij vëllimi, koncesionari njofton strukturat drejtuese përkatëse si një mekanizëm monitorimi dhe menaxhimi të përdorimit të shërbimit. Në këtë fazë shërbimi vijon normalisht, por prioriteti i jepet analizave urgjente dhe atyre të domosdoshme për vendimmarrje klinike. Kjo do të thotë se në raste të caktuara mund të shtohen disa analiza rutinë, por në asnjë rast nuk cenohet ekzaminimi, diagnostikimi apo trajtimi i pacientit. Çdo pacient që ka nevojë për analizë në funksion të diagnozës apo trajtimit, e merr atë pa ndërprerje", tha Sala.
Gjatë interpelancës me ministren e Shëndetësisë, deputetja e opozitës Erisa Xhixho ngriti shqetësime për kapacitetet e kufizuara në spitalin Onkologjik, mungesën e funksionimit të brakiterapisë prej 8 muajsh dhe numrin e pamjaftueshëm të akseleratorëve për radioterapi.
"Në Onkologjik trajtohen çdo ditë deri në 120 pacientë me kimioterapi. Për këta pacientë ka vetëm 30 poltrone, ndërsa 90 të tjerë presin me orë të tëra ose detyrohen të marrin trajtimin në karrige. Këto 30 poltrone nuk janë siguruar nga shteti, por nga një donator që ka dhënë 75 mijë euro. A nuk ka ky shtet 75 mijë euro për të siguruar edhe 30 poltrone të tjera, kur një shtet si Kosova ka 100 të tilla?
Prej 8 muajsh, brakiterapia nuk funksionon, duke prekur rreth 200 gra dhe vajza me kancer gjinekologjik. Ju thoni se do të vihet në punë brenda vitit 2026, por këta pacientë duhet të presin. Çfarë duhet t’u themi vajzave që vuajnë, të presin përkeqësimin e sëmundjes derisa qeveria të kujtohet? Pse nuk e zgjidhni përmes rimbursimit në një spital privat ose jashtë vendit? Ky është kriminalitet shëndetësor.
E njëjta situatë është edhe me PET Scan-in, një ekzaminim që thoni se do të vihet në punë në fund të vitit 2026. Kjo mungesë ka ndikim të drejtpërdrejtë te këta qytetarë.
Në radioterapi kemi dy akseleratorë linearë për rreth 100 pacientë në ditë, ndërkohë që akseleratori i ri ende nuk është funksional. Kemi vetëm dy pajisje për rrezatimin e jashtëm për këtë numër pacientësh. Kur do të vihet në punë pajisja e tretë dhe a keni në plan të merrni një akselerator të katërt?", tha Xhixho.
Në interpelancën e kërkuar me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, deputeti demokrat Bardh Spahia ngriti shqetësimin lidhur me ndërprerjen e shërbimit të analizave pas datës 20 të çdo muaji nga ana e koncesionarit.
“Pas datës 20 të çdo muaji, nuk ofrohet asnjë analizë laboratorike përmes koncesionit të laboratorëve pasi mungojnë fondet. A është normale pas 6 vitesh, ju pranoni problemin. Këtë problem e ka ngritur për vite me radhë, jo vetëm opozita, por edhe mjekët. Mungesë në kryejnë analizat laboratorike në 19 spitale publike, përfshirë edhe QSUT. Rrezik edhe për moskryejnë e analizave emergjente, pasi koncesionari vendos kufi për tejkalimin e planit të parashikuar. Deri tani janë shpenzuar më shumë se 60% e fondit prej 13 mld lekë dhe ende pacientët nuk marrin shërbimin, apo rrezikojnë të mos i kryejnë edhe për raste urgjente pasi koncesionari e ndalon shërbimin pas datës 20 të çdo muaji kalendarik. Rrezikohen jetë njerëzish, u duhet të paguajnë para ekstra nga xhepi për të mos rrezikuar jetën dhe shëndetin”, tha Bardh Spahia.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala po përballet në interpelancë me 3 deputetë të opozitës për shërbimet spitalore në vend. Deputeti demokrat Kliti Hoti ngriti shqetësimet për trajtimin e pacientëve të Onkologjikut, duke theksuar mungesën e barnave, detyrimin për t’u trajtuar jashtë vendit dhe mungesën e një regjistri onkologjik, që sipas tij pengon hartimin e politikave efektive në shëndetësi.
“Nuk është prioritet i kësaj mazhorance. Dua të flas për shoqen time nga Shkodra me kancer gjiri dhe iu komunikua që trajtimi është i disponueshëm, kur u paraqit për terapi, barnat mungonin, u trajtua në Itali, janë rreth 27 vajza te një spital në Itali, 3 nga Shkodra, dua të flas për pacientin e moshuar nga Shkodra me kancer prostate që pas një ndërhyrje kirurgjikale iu kufizua lëvizshmëria dhe detyrohet për tu paraqit në Tiranë për të marrë recetën. Absurde. Dua të flas për kushëririn e mikut tim që pret me siguria produktin për hepatitin c, për stadin 4, është i shtati në radhë, është duke prit radhën, shpresoj të jenë gjallë dhe të mbijetojnë deri në atë moment. Ende s’ka regjistër të sëmundjeve onkologjike, pa këtë institucionet nuk dimë sa raste kemi, si trajtohen dhe çfarë politikash duhen e u ndjek. Një qendër nuk mund të përballojë nevojat e të gjithë vendit”, tha Hoti.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro është thirrur në interpelancë nga deputetët e PD për të dhënë llogari për një udhëzim të nxjerrë në shkurt të vitit 2025, ku i kërkohet mësuesve, të cilët janë diplomuar përpara vitit 2011 dhe futur në sistemin arsimor pas këtij viti, të japin provimin e licencës.
“Me një udhëzim, kujtohen dhe thonë që pasi ke 15 vite që je mësues dhe pasi ke dhënë kontribut në arsim, pasi ke kaluar nga mësuesi i kualifikuar në atë specialit, kur t’i duhet të marrësh kualifikim si mësues mjeshtër, këta të thonë bëhu dhe njëherë student dhe jep provimin e licencës”, thotë Zhupa.
Ministrja Kumbaro iu përgjigj pretendimeve të opozitës se vendimi i vitit të kaluar është i bazuar në ligjet e hartuara nga qeveria e drejtuar nga Sali Berisha.
“Në nenet 7 dhe 8 të ligjit “Për Profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” dhe që ka hyrë në fuqi në 12 janar të vitit 2011, përcaktohet se personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Është e përcaktuar shumë qartë edhe në ligj, se mësuesit të cilët kanë qenë të punësuar në sistem, para vitit 2011, përpara se ligji për profesionet e rregulluara, të ketë hyrë në fuqi, përjashtohen nga ky detyrim! Sepse ligji nuk ka fuqi prapavepruese”, tha Kumbaro.
Deputetja Zhupa ndër të tjera tha se ky vendim është hartuar për t’i shërbyer “klientëve privatë” të ministres, referuar projektligjit në rendin e ditës sot “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore", ku Qendra e Shërbimeve Arsimore do të kthehet në institucion autonom. Mësuesit duhet të paguajnë vlerën 10 mijë lekë si tarifë aplikimi për marrjen e licencës.
“Ju prishni sigurinë në vendin e punës, e drejta e fituar, siguria juridike mësuesve, që nuk janë pak, janë 2 mijë mësues. Përveç se duhet të mësojnë, duhet të paguajnë dhe 100 mijë lekë për aplikimin. Sot kemi një pikë tjetër, këtë qendrën e shërbimeve arsimore që jep licencat, ta marrë privati. 200 milionë lekë janë vetëm nga ky detyrim. Marrëveshje për tu pasuruar në kurriz të mësuesve”, tha Zhupa.
Ministrja Kumbaro tha se udhëzimi i muajit shkurt 2025, për të cilin është thirrur interpelanca, nuk bën asgjë tjetër përveçse rimerr referencën ligjore te ligjeve të cituara më parë.
“Është e rëndësishme të qartësohet se ky proces nuk synon të krijojë pasiguri apo të penalizojë askënd, por të ndërtojë një sistem më të drejtë dhe më të qëndrueshëm në afatgjatë. Dhe mbi të gjitha, dua ta them shumë qartë: nuk po hiqet askush nga puna! Por po shoqërojmë me komunikim dhe trajnim edhe ata pak mësues qe ende nuk e kane kryer këtë detyrim ligjor, pa u cenuar aspak sigurinë juridike apo profesionale, qe nuk e di se nga e shpikët”, tha Kumbaro.
Deputeti demokrat Enno Bozdo tha sot gjatë seancës plenare se "prej 3 javësh tashmë është depozituar një kërkesë nga 7 deputetë për interpelancë me ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës, fokus te hidrokarburet, rezerva e naftës që duhet të ekzistonte dhe nuk ekziston, të gjitha temat që furnizohen me masat e marra në raste se situata do të komplikohet".
Ligjvënësi demokrat iu drejtua kryeparlamentarot Niko Peleshi duke e pyetur se përse interpelanca nuk është përfshirë ende në kalendar dhe rend dite.
Peleshi u përgjigj duke thënë se "është në kalendar, është në seancën e radhës, mund të ishte futur dhe sot. Sot kemi 6 interpelanca, por kemi edhe një kufizim në rregullore, nuk mund të ketë më shumë se 2 seanca urgjente në një seancë, sot kemi 2 interpelanca urgjente dhe 4 normale të zakonshme. Kështu që në seancën e radhës interpelanca juaj do jetë në rendin e ditës".
Deputeti demokrat Saimir Korreshi thotë se ka 2 muaj që ka kërkuar interpelancë me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, por ende nuk ka marrë përgjigje. Me ironi Korreshi tha se ne “deputetëve fshatrë nuk na vjen radha”.
“Kam bërë kërkesë për interpelancë me ministren e Shëndetit. Ne fshatarëve nuk na vjen radha? Para viteve 90 kur mbarja radhën për vajguri, nuk kishte mbaronte, edhe kjo pjesa e interpelancave në të njëjtin nivel jemi? Në Lushnjë nuk pret situata se kur do rregullohet dhe kur do ta ketë terezinë ministrja. Ajo ka ca batuta që thotë në fund të vitit, por deri në fund të vitit nuk premton zgjidhje. Merrni masa se kam dy muaj që kam bërë kërkesë për interpelancë”, tha Korreshi.
Sali Berisha vijoi edhe në seancën plenare të sotme të akuzojë qeverinë dhe mazhorancën se është shkaktare e një ngërçi të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
"Integrimin europian ju e mbyllët, dërgoni poshtë e përpjetë të deleguara të diskredituara që jo vetëm nuk ju zgjidhin punë, por neverisin të gjithë ata që i takojnë, i bazoni në telefonatat hektike të një njeriu që uroj që të mos i marrë më në telefon, por nuk ky është procesi",- tha Berisha.
"Po nafta 150 lekë shitet në Maqedoni, sepse ajo mori masa të tjera pas rritjes së çmimeve. Për fermerët shitet shumë më lirë. E keni shndërruar në një ndëshkim për shqiptarët, a mundet parlamenti të kapërcejë këtë çështje. Mos harroni një gjë, qëndrimet që mbani ju bëjnë fajtorë",- shtoi ai.
Kreu i grupit të PS, Taulant Balla iu përgjigj akuzave të Sali Berishës se PS i mbylli Shqipërisë derën e Bashkimit Europian. Balla i tha se Shqipëria ka përmbushur detyrimet që vijnë nga procesi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe se qeveria ka dorëzuar në Kuvend raportin vjetor. Balla i tha Berishës se duhet të heqin dorë nga balta që hedhin ndaj Shqipërisë dhe të bëhen bashkë për të punuar për procesin e integrimit.
“Ka mbërritur raporti vjetor i qeverisë për rrugën drejt BE. Ajo që duhet tua themi me krenari shqiptarëve, është fakt nga KE, PE dhe KiE , se Shqipëria ka përmbushur detyrimet që vijnë nga procesi i anëtarësimit të Shqipërisë sonë të përbashkët në BE. Të gjitha piketat e ndërmjetme sipas raportit të KE janë përmbushur, ka një procedurë që të gjithë e dimë që nga KE kalon të Këshilli dhe nga Këshilli të vendet anëtare. Brenda fillimit të qershorit, sikurse u komunikua nga Kos dhe Kallas, se pritshmëria e Shqipërisë për të përmbyllur procesin e anëtarësimit brenda 2030-ës është realiste, madje po citoj Kallas që tha se Shqipëria bashkë me malin e zi duhet të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhjet europiane të vitit 2029. Ky është fakt, sa i përket gjithë këtyre emaileve që the, habereve që the. Hiqni dorë nga kjo baltë që hidhni kundër Shqipërisë, nuk e keni Shqipërinë vend armik. Nuk ju zgjedhim dot, por është momenti të punojmë bashkë. Nuk iu bën nder të shani nga mëngjesi në darkë”, tha Balla.
Me 74 votat kundër të mazhorancës u rrëzua edhe kërkesa e dy deputetëve të Partisë Mundësia për interpelancë me ministrin e bujqësisë Andis Salla për fondet e IPARD. Edhe kërkesa e Kaprit dhe Shehajt u rrëzua me argumentin se çështja e fondeve IPARD është në hetim nga SPAK.
“U kam kthyer përgjigje për kthimin e kërkesës për interpelance, janë në hetim nga SPAK, për të mos ndërhyrje në organin e drejtësisë, kuvendi nuk mund të zhvillojë interpelanca për çështje që janë objekt hetimi penal”, tha Niko Peleshi.
“U bë më shumë se 1 vit që KE ka marrë një vendim për të bllokuar fondet e IPARD. Ndonëse çështja ka 2 vite në SPAK, nuk mund të prekim pafundësisht prokurorinë, sa kohë KE thotë nuk ka 190 mln euro për fermerët shqiptarë. Ministri u thotë shqiptarëve që në qershor do hapet IPARD III. KE thotë se s’ka vendimmarrje, pa kthyer mbrapsht 33 mln eurot e vjedhura, s’mund të ketë fonde të tjera për fermerët shqiptarë. Çështja është që qeveria s’po jep zgjidhje, janë 190 mln euro të mohuara, kush do mbajë përgjegjësi?”, tha Erald Kapri.
Me 74 votat e mazhorancës, u rrëzua kërkesa e deputetit Xhelal Mziu me ministrin e bujqësisë, Andis Salla për Fondet e IPARD.
Komente











