Debatet në seancën plenare këtë të enjte u përqëndruan tek mungesa apo bllokimi i interpelancave. Deputetët e opozitës renditën disa kërkesat për interpelanca me ministrat që prej muajsh nuk zhvillohen dhe qëndrojnë në sirtaret e kuvendit. Kryetari i Kuvendit tha se do të zhvillohen vetëm ato interpelanca që janë të rregullat procedurialisht.
Në bllok opozita akuzoi qeverinë se nuk po jep llogari para parlamentit, ndërsa kuvendin e drejtuar nga Niko Peleshi e cilësojnë si mburojë të abuzimeve të mazhorancës.
“Thojini ministres se ç’ndodh në spitalet shqiptare se nuk e ka idenë çfarë kalojnë pacientët. Njoftojeni të paktën për rrogën që ka kaluar”, tha Korreshi.
“Kanë kaluar 4 muaj, nuk shoh kërkesën time për interpelancë që lidhet me bujqësinë dhe fondet e IPARD”, tha Tedi Blushi.
“Do të zhvillohen, do të ezaurohen bazuar në një koordinim me çdo ministër, bazuar edhe në angazhimet dhe agjendat që ata kanë”, tha Erion Ismaili.
“Këtë parlament që mbron vjedhjet e Edi Ramës dhe klanit të tij familjar e qytetar në një leckë të vetën ku nuk respektohet asnjë ligj”, tha Berisha.
E radhës, i mori kartonët e kuq të mazhroancës, edhe në këtë seancë, një interpelancë e kërkuar nga deputeti Klevis Balliu me kryeministrin Edi Rama për vendimmarrjet në Këshillin Kombëtar të Territorit.
“Nuk mund të thirret kryeministri në interpelancë bazuar në artikuj mediatik”, tha Peleshi.
Opozitës iu rrëzua edhe një tjetër nismë, kërkesa e deputetit Eno Bozdo për të futur me procedurë të përshpejtuar, për në seancën e 16 prillit, projekt-ligjin për krizën e naftës.
“Projektligji i lejon qeverisë të shoqërojë uljen e taksave që rëndojnë në çmimin e naftës, si ajo e qarkullimit, ose taksa e karbonit. Të implementohet modeli i akcizës së lëvizshme që përdoret sot nga Italia. Çdo tepricë e TVSH-së që vjen nga rritja e krizës, shkon për të ulur akcizën në të njëjtën masë”, tha Bozdo.
"Nafta është mall burse. Shqipëria sot blen në bursë. British Petroleum që është furnizuesi kryesor i Shqipërisë sot, në çdo mëngjes shet me çmim burse”, tha Balla.
“Opozitën e trajtoni me urretjen më të madhe, 1 herë në 3 muaj Spiropali e Nikolla dilnin kundër grupit. Ku është e keqja po rrëzoni armikun e popullit me karton të kuq”, tha Bardhi.
Në nisje të seancës plenare, opozita ngriti edhe një tjetër shqetësim, mungesën e transparencës dhe debatit parlamentar për procesin e integrimit europian. Megjithatë palët arritën në dakordësi. Me votë u pranua propozimi i Taulant Ballës për caktimin e datës 14 maj për zhvillimin e debatit.
Lajmi në përditësim...

Ministri Petrit Malaj ka hedhur poshtë akuzat e opozitës, se niveli i euros ka rënë për shkak të hyrjes në vend të parave të siguruara nga aktiviteti kriminal.
Teksa tregoi disa parametra që sipas tij pasqyrojnë qartë rritjen ekonomike në Shqipëri, Malaj tha se s’kemi të bëjmë me para kriminale, por me para që kalojnë përmes sistemit bankar dhe që janë të mirë-monitoruara.
“Shqipëria si një vend kandidat për në BE, ndodhet në një fazë të rëndësishme të forcimit të shtetit ligjor. Remitancat për vitin 2025 sipas të dhënave të Eurostat u llogaritën në mbi 2 miliardë euro. Të ardhurat nga turizmi në 2025 kapën shifrën prej 5.7 miliardë eurosh, me një rritje prej 14.5 % krahasuar me vitin 2024. Investimet e huaja direkte u rritën në nivelin më të lartë historik për 9 mujorin e parë të vitit 2025, në vlerën 1.6 miliardë euro. Kreditimi në valutë, pra në euro, në 2025 u shtua me 1.8 miliardë euro. Investimet e shtetasve të huaj për blerjen e pasurive të paluajtshme u llogaritën në masën 560 milionë euro. Këta tregues tregojnë se nuk kemi të bëjmë me para të pista që hyjnë në territorin shqiptar, por kemi të bëjmë me para që kalojnë përmes sistemeve bankare, që janë të mirë-monitoruara”, tha mes të tjerash Malaj.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka hedhur akuza të forta për korrupsion ndaj Qeverisë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi tha se projektligji për portet turistike, i propozuar nga deputetja socialiste e Vlorës, Zamira Sina, i shërben interesave të 3-4 personave.
Ai tha gjithashtu se investimet strategjike janë tendera të dhëna pa garë nga Qeveria, teksa shtoi se aeroporti i Kukësit ka dalë jashtë funksionit, ndërsa Triporti i Vlorës është në pronësi të një pensionisti (që s’ka asnjë lidhje me projektin).
“Akti i parë që deputetja juaj e re bën në seancën plenare, nuk është si një ligj që zgjidh hallet tuaja. Ka hallin e 2-3 individëve, sepse unë nuk di më shumë njerëz që mund të kenë interes për të ndërtuar porte turistike. Dhe akti i parë, ligji i parë që sjell në Kuvend, është një ligj për dy veta. Sot zonja ngriti kartonin e kuq, votoi kundër ligjit për të lehtësuar barrën fiskale dhe për të ulur çmimin e naftës.
Dhe është e njëjta shumicë që kur bëhet fjalë për të ulur çmimin e naftës për jahtet, ngrenë kartonin jeshil, ndërsa kur bëhet fjalë për uljen e çmimit të naftës për qytetarët dhe fermerët, ngrenë kartonin e kuq. Dhe na thonë ne ‘pse votoni kundër’. Sigurisht që do të votojmë kundër, sepse ne nuk jemi këtu për të përfaqësuar interesat e 5 individëve.
Kur miratuat ligjin për investimet strategjike në 2015, i premtuat qytetarëve shqiptarë se do të lehtësonit procedurat për të thithur investimet e huaja. Na thoni pak sa investime të huaja keni thithur nga zbatimi i ligjit për investimet strategjike. Ju na thoni ne ‘hajdeni në Kuvend dhe votoni ligj për Olta Xhaçkën dhe Pëllumb Gjokën. Ndërsa ne kemi propozuar 18 ligje, të gjitha në interes të qytetarëve shqiptarë.
Po si ka mundësi që ju e quani luftën kundër korrupsionit si luftë klasash? Ju çdo projekt që lidhet me aeroportet dhe portet, e keni paracaktuar. Aeroportin e Kukësit pa garë, ka dalë jashtë funksionit. Gjithë ai investimet përdoret nga çunat e Kukësit që bëjnë gara me makina me njëri-tjetrin. Portin e Vlorës, pa garë, të përcaktuar. Vetëm javën e kaluar u morën në ndjekje penale një pjesë e zyrtarëve të përfshirë në këto procedura. Ç’keni bërë me Triportin në Vlorë? Sot pronari është një pensionist që nuk ka lidhje fare me projektin. Në s’jemi kundër zhvillimit, por këto projekte duhen dhënë me garë”, tha mes të tjerash Bardhi.
Deputeti dhe kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, solli në Kuvend revoltën e banorëve të Rrjollit, të cilët pretendojnë se po u grabiten pronat nga botuesi dhe biznesmeni Bashkim Ulaj, për të ndërtuar një resort.
Duke iu drejtuar kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Ballës, deputeti Shehaj tha se nëpërmjet biznesmenit Ulaj mazhoranca po vjedh qytetarët.
“Banorëve të një fshati të tërë, pasi iu kanë marrë votën ju thonë ju jeni mashtruesa. Po mashtroni Bashkim Ulajn. E di Edi Rama se ka folur me Bashkim Ulaj dhe Bashkim Ulaj u ka thënë mos e vrit mendjen se janë ata mashtruesa. Kjo është ajo që ka ndodhur në Rrjoll. U keni marrë votën dhe tani po i shkelni me këmbë”,- tha Shehaj.
Në kundërpërgjigje, Balla i tha Shehajt se ky i fundit është i vetmi ligjvënës që e ka blerë me para vendin e tij në parlament.
“Ti je i vetmi që ke ardhur në politikë duke e blerë vendin e deputetit dhe shpresoj që t’ia dal ta bind edhe Lulin që të bëhet i penduar dhe të tregojë sa i ka dhënë Lulit për të hyrë në Parlament.
Deputeti Oerd Bylykbashi tha se sot gjykata ka vendosur vlerën e kompensimit të tokës private të shpronësuar për interes të ndërtimit të portit të ri të Durrësit, 115 euro/metër katror, nga 5.5 euro/metër katror që autoritetet kishin caktuar si vlerë.
“Nga 500 hektarë që ndërtohet, kismet, Port i ri i Durrësit, 400 janë shtet, 100 janë privat. Shteti ia ka caktuar vlerën e shpronësimit, 5.5 euro/metër katror. Kanë fituar gjyqet në gjykatë sot. Gjykata ka vendosur që vlen metri 115 euro”,- tha Bylykbashi.
Ligjvënësi demokrat tha se ndërtimi i porti të ri në Durrës, do të shkaktonte një disavantazh të madh strategjik dhe ekonomik për vendin në rajon.
“Deri sa të ndodhë, nësë do të ndërhohet porti tjetër, më të gjithë infrasktruturët që ky sot ka, do të kalojnë të paktën një dekadë, derisa të jetë e nevojshme që të kalojnë atje, dhe do duhen 3-5 vjet për kompanitë shqiptare që të lidhin dhe njëherë interesat që ta kalojnë nga port i Durrësit. Pra një dekadë e më shumë humbje e rëndësisë strategjike, dhe çfarë ndodh, të gjitëh interesat e transporteve të çdo llojh forme, përfshirë dhe ushtarake, do të spostohen drejt Tivarit dhe Selanikut”,- tha Bylykbashi.
Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj është përplasur në debat me deputeten e PD Jorida Tabaku, pas fjalës së mbajtur në foltore nga kjo e fundit teksa u shpreh kundër projektligjit për procedurën e ndërtimit të porteve publike. Ibrahimaj i tha se është kjo qeveri që ka rritur të ardhurat në vend e ka zhvilluar sektorin e turizmit.
Ibrahimaj: Filozofia e qeverisjes që ju shani, është ajo që ka mbështetur sektorin e turizmit që të shumëfishojë numrin e turistëve dhe numrin e të ardhurave, vendet e punës dhe bizneset turistike. Është ajo filozofi që kur ka marrë mandatin ka performuar me rritje ekonomike. Është ajo filozofi që ka bërë që borxhi të reduktohet nga viti në vit. Është ajo filozofi që e sjell dhe këtë ligj që bën, redukton kohën e ofrimit të një shërbimi për biznesin. E pse një bizës ka interes që të zhvillojë një projekt që kategorizohet si investohet si investim strategjik ,duhet ta refuzojmë se duhet të bëjë një tjetër procedurë për marinë e një tjetër për investimin strategjik.
Tabaku iu përgjigj duke thënë se ligjet e ardhura nga mazhoranca favorizojnë oligarkët.
Tabaku: Ajo që unë thashë është që ky model ekonomik ka sjellë atë që filozofi qeverisë i ka bërë ekonomisë. Filozofia qeverisëse ka ulur bujqësinë më të ulët të mundshëm. Ka zhvlerësuar euron, ka kriminalizuar ekonominë. Miraton për 10 orë 17 VKM për inverenatorët e për 10 orë sjell ligje që mbrojnë interesat e oligarkëve. Ministrja të na thotë interesat e kujt mbron sot me ligjin e porteve turistike. Këto përrallat që vijnë me mesazhe jemi mësuar, kanë ikur e kanë ardhur të tjerë me radhë, siç do iki ministrja për tu mos u kthyer më kurrë.
Ibrahimaj: Unë në nder të pozicionit që mbaj, nuk angazhohem në debate që prekin personalisht një deputet, ministër apo individ në seancë. Më vjen zor që një deputete me një eksperiencë kaq të gjatë, bën aludime që janë të pavend. Ajo filozofi qeverisëse që ne kemi lënë pa punë mijëra njerëz, nuk janë të bazuara në fakte. Faktet tregojnë që papunësia ka rënë. Struktura e ekonomisë ka ndikuar që apo vende pune që janë me kosto të ulëta po transformohet në vend pune me paga më të larta.
Nga vendi ndërhyu dhe kreu i grupit të PD Gazment Bardhi: Mbylle gojën. Po flet deputetja, s’të ofendoi njeri. Dil jep llogari për pasurinë aty, e korruptuar. Dil jep llogari për fondet që i ke dhënë burrit tënd.
Tabaku: Ministrja të kërkojë ndjesë, kërcënime guxoni nuk guxoni nuk bën dot askush.
Teksa po diskutohet për projektligjin për ndërtimin e porteve turistike, deputeti i PS Erion Braçe tha se turizmi në Shqipëri është në zhvillim e sipër. Ai kërkoi nga projektligji që portet të mbeten pasuri publike dhe jo t’i kalojnë privatin. Ai tha se nuk duhet të cenohet mjedisi e siguria duhet t’i besohet shtetit dhe jo privatit.
“Turizmi dega kryesore e ekonomisë. Çdo ironi që behët këtu apo çdo fjalë e thënë më shumë se duhet, patjetër që impakton ekonominë. Turizmi është një zhvillim i rëndësishëm. 70 vite më parë këtu nuk vinte kurrkush përveç atyre që ishte i partive marksiste-leniniste. Apo kur deri 30 vite më para, detin e kishim objekt lufte sa kohë niseshin anije me njerëz, e në bregun tjetër mbyteshin andej. Ca vite më tutje detin e bregun e kishim pikë kyçe për trafikun e armët. Turizmi ynë hë bërë konkurrues në rajon, askujt nuk i vjen mirë që ti shtohet në konkurrent apo ti marrë 100 mijë njerëz jo më 1 milionë njerëz. Është dega në rritje për shkak të numrit që është dhe ai i turistëve. Është shifër në rritje që i bën mirë vendit. Turizmi është në rritje dhe si shërbime. Qarkullimi vijon të jetë ose i qëndrueshëm ose në rritje. Është në rritje dhe si destinacion. Po ne vetëm vijën bregdetare kemi pasur destinacion, tani janë malet plot. Shikoni të ardhurat sesi po ndryshojnë. Është rritur dhe punësimi nga ky sektor. Edhe investimet në këtë degë janë shtuar. Patjetër që ligji duhet të garantojë barazi për çdo investitor. E dyta lidhet me ambientin dhe vija bregdetare është pasuri publike dhe duhet të mbetet e tillë deri në fund. Marinat detare i marrim si investim por duhet të mbeten pasuri e këtij vendi. Duhet plan se ku do të vendosen marinat detare. E fundit është siguria dhe kjo duhet të jetë e shtetit”, tha Braçe.
Turizmi është motori i ekonomisë, theksoi Taulant Balla në Kuvend duke i treguar opozitarëve 5 përfitime që kanë ardhur prej tij.
“Për ne 5 gjëra i ka sjellë turizmi. Kemi 4 herë më shumë turistë sesa në vitin 2013. Vitin e kaluar shënuam mbi 12 milionë. E dyta, turizmi sjell më shumë punë. E treta, sjell më shumë të ardhura. E katërta, sjell më shumë mirëqenie. E pesta, sot Shqipëria ka një ofertë për diasporën për t’u rikthyer. Paketa e Maleve apo Dyfisho biznesin tënd janë mundësi që po i përdorin”, tha Balla.
Ai theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka trefishuar PBB duke arritur të vlerësohet pozitivisht nga agjencitë e ekonomisë. Kreu i grupit parlamentar të PS tha se pret që ky sezon turistik të jetë edhe më pozitiv, teksa pati një mesazh për opozitën.
“Dua të shpreh pritshmërinë për një sezon shumë më të mirë turistik sepse numrat për këtë sezon turistik duket se janë pritshëm më të mirë sesa vjet. Kush mendon që mund të dëmtojë ekonominë e vendit duke djegur, duke sulmuar godina me molotovë, dëmton ekonominë e shqiptarëve, dëmton ekonominë e turizmit”, tha Balla.
Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho kërkoi sqarime nga ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro për një VKM të vitit 2024, teksa thotë se mësuesit në sistemin e arsimit janë trajtuar në mënyrë të pabarabartë financiarisht si dhe nga pagat u janë marrë në mënyrë flagrante 1 milionë lekë të vjetra, që sipas Xhixhos, ende nuk janë rimbursuar.
“Janë prej 11172 punonjës mësimorë. Vendimi i qeverisë datë 26 qershor 2024 i hoqi padrejtësisht mësuesve nga 20-60 mijë lekë të vjetra në mua, duke ua mbajtur nga paga për 1 vit e gjysmë jo vetëm që nuk rritën pagat, po u ka marrë në mënyrë flagrante deri në 1 mln. Jo vetëm që nuk u kërkuar ndjesë, por edhe projektligji që u synua të korrigjonte këtë padrejtësi, ishte gjysmak. Sot mësuesit përballen dhe me njëherë krizë ekonomike, çmimet janë rritur me 50%. Është rritur dhe çmimi i naftës, po flasim për gjëra mbijetese. A keni ndërmend t’i ktheni mësuesve paratë që u keni marrë për turpin tuaj? Sot duhet t’i ktheni 1 mln të vjetra çdo mësuesi”, tha Xhixho.
Ministrja Kumbaro, duke sqaruar dhe problematikën, u shpreh se ky boshllëk ligjor është kompesuar me ndryshimet ligjore të miratuara në Kuvend në mars të këtij viti. Kumbaro u shpreh se sot janë 6761 punonjës të arsimit që përfitojnë trajtim të barabartë financiar.
“Nga kjo sallë jam përgjigjur pyetjeve që ishin pjesë kësaj sekuence parlamentare. Si ministre dhe ne si mazhorancë, nuk i jemi përgjigjur çështjeve me retorikë, por me vendime konkrete. Këto janë zgjidhur që në fillim të muajit mars kur miratuam ndryshimet në ligjin për armimin parauniversitar. Ndryshimet lidheshin me trajtimin financiar për në kategori mësuesish. Bëhet fjalë për ato që janë punësuar përpara datës 1 mars 2017 me kohë të plotë dhe pa afat, që për shkak të kohëzgjatjes së prog studimit nuk ekuivalentoheshin me 8 semestra sipas kuadrit ligjor në fuqi. Vetë organizimi ka qenë i ndryshëm. Dua të them se përmes ndryshimit ligjor, janë 6761 punonjës arsimor që përfitojnë sot trajtim të barabartë duke i dhënë fund një hendeku të padrejtë. Jo vetëm që rritëm pagat, por më pas morëm dhe përgjegjësinë që kjo rritje nxori në pah. Nuk u bë më herët se zgjidhet nuk bëhen me deklarata, por me procese ligjore të qëndrueshme”, tha Kumbaro.
Xhixho u shpreh se qeveria po abuzon me mësuesit duke u shpallur të pavlefshme diplomat e marra përpara vitit 2011. Deputetja e PL tha qeveria u kërkon dhe master për të mbushur universitetet, që po zbrazen nga studentët.
“Vini këtu e thoni sikur keni bërë heroizëm. Jen ministrja e nuk mban përgjegjësi se urdhrat i jep Edi Rama. Mësuesit po përballen me një tjetër problem, çfarë ndodh me mësuesit sot, pas 15 vitesh në sistem, sot qeveria u thotë që të diplomuar para 2011, duhet të pajisen me licencë. U mohohet përvoja 15 vjeçare, e u rriten dhe kostot. Vetëm regjistrimi për këtë provim 100 mijë lekë të vjetra. Për të marrë kartonin do paguajnë dhe 200 mijë lekë. U kërkohet dhe master me qëllim mbushjen e universiteteve që po zbrazen. Nëse sipas jush janë të paaftë, a nuk jeni ju në shkelje të ligjit që i keni mbajtur? Në vend që të gjeni zgjidhje, krijoni artifice për tua vështirësuar jetën. Në vend që të rrisni pagat, nuk bëni gjë tjetër veçse rrisni kostot e tyre”, tha Xhixho.
Me 77 vota pro, mazhoranca rrëzoi kërkesën për procedurë të përshpejtuar të projektligjit të PD për uljen e çmimit të naftës. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se mazhoranca e trajton opozitën me urrejtje, ndërsa i dha edhe një këshillë Peleshit.
“Opozitën e trajtoni me urrejtjen më të madhe! Një datë të kërkojmë ne, ju votoni kundër! Luani rolin tuaj si mbi palët, si moderator i debatit dhe s’bëni gabim që një herë të vetme në 6 muaj t’i kërkosh kolegëve ta mbështesë kërkesën e opozitës ose të paktën ndiq modelin e Lindita Nikollës dhe Elisa Spiropalit, dil njëherë nga rreshti se s’të gjen gjë! Një datë po kërkojmë!”, tha Bardhi.
Lidhur me rritjen e çmimeve të naftës, Taulant Balla tha se sot Shqipëria blen në bursë, ndërsa nga radhët e opozitës pati replika ndaj tij. Kreu i grupit parlamentar të PS i solli në vëmendje opozitës mungesën në votimin për rezolutën ndaj Iranit, ndërsa tha se Bordi i Transparencës ka dhënë rezultate më herët. Sa për votimin kundër nismave ligjore të opozitës, i këshilloi “të mos mërziten.”
“Këta, kur u kthen përgjigje nuk provokohen dhe nuk mbajnë. British Petroleum, çdo mëngjes shet me çmim burse dhe e paskemi fajin ne tha zotëria që SHBA-të kanë sulmuar Iranin dhe regjimi i Iranit ka bllokuar Ngushticën e Hormuzit dhe ka ardhur rritja e çmimit të naftës. Është në turpin tuaj që keni munguar në Kuvend në deklaratën ndëshkuese të Kuvendit ndaj regjimit dhe Gardës Revolucionare iraniane. Bordi i Transparencës është një mekanizëm i përdorur edhe 4 vite më parë kur Rusia sulmoi Ukrainën dhe ka dhënë efektet e veta, por këto do t’i diskutojmë kur të vijë projektligji. Mos u mërzisni që nismat tuaja ligjore i votojmë kundër, por ne jemi të gatshëm që nismat tuaja ligjore t’i diskutojmë jo me këtë variantin këtu, ne kemi nismat tona, qeveria të vetat. Qeveria po bën punën e duhur sa i takon adresimit të kësaj krize botërore të çmimit të naftës”, tha Balla.
Taulant Balla kërkoi arsyetime për kërkesën e PD për shyqrtim me kërkesë të përshpejtuar për reagimin ndaj krizës së lëndëve djegëse. Gjithashtu ftoi opozitën për bashkëpunim por “pa gërduf e molotovë.”
“Këtu në vend që të arsyetohej kërkesa e 36 deputetëve për arsyet e procedurës së përshpejtuar, u bë politikë e ditës mbi një fakt që është botëror. Për të vijuar atë që thashë në fillim të kësaj seance, lidhur me një kërkesë tjetër dhe ju përmenda një fakt që për disa u duk qesharak sepse u kujtova Bundestagun gjerman. Kanë qenë 83 ligje dhe nuk është miratuar asnjë ligj që vjen nga opozita, është e natyrshme që pushteti vjen nga qeveria federale. Ftesa përsëri është e hapur që nëse doni të punojmë së bashku, bujrum, por jo me këtë përsëri se nuk gjej fjalë më të bukur shqip se gërdufja, pa gërduf, pa molotovë, pa dhunë”, tha Balla.
Deputeti i PD Eno Bozdo në prezantimin e projektligjit “Për mekanizmin e reagimit të krizave të furnizimit dhe çmimit të lëndëve djegëse’”, për kalimin me procedurë të përshpejtuar, tha se Shqipëria duhet të bëjë ndërhyrje ligjore për uljen e taksave që rëndojnë sot në çmimin e naftës. Bozdo tha se Shqipëria sot nuk ka asnjë rezervë dhe se qytetarët sot blejnë naftën më shtrenjtë se gjithë vendet e rajonit, krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë. Ky propozim për kalimin ne seancë të këtij projektligji me procedurë të përshpjetuar, u rrëzua me 77 vota nga PS.
“Shqipëria nuk zotëron asnjë gramë naftë rezervë të sigurisë strategjike; kryeministri pretendon të kundërtën. Jemi ndoshta i vetmi vend që s’kemi një rezervë të tillë, edhe pse legjislacioni e ka me detyrim. Qeveria nuk e ka vënë ujin në zjarr dhe kjo ndodh gjithmonë. Në këtë pikë, lutemi që kriza mos të thellohet dhe mos të marrë ndonjë urdhër për lirimin e rezervave të naftës, që dihet të jenë 90 ditë, ndërsa sot janë 0 ditë. Të gjitha vendet e tjera të rajonit i kanë këto rezerva.
Projektligji ofron mundësinë, hap derën për ndërhyrje ligjore në raste krizash, që i lejon qeverisë të shoqërojë uljen e taksave që rëndojnë në çmimin e naftës, si ajo e qarkullimit që qytetarët e paguajnë dy herë, ose ndryshe taksa e karbonit, duke e bërë çmimin e naftës shumë të shtrenjtë. Nëse i eliminojmë këto taksa, do të mund të krahasohemi me Maqedoninë dhe Kosovën. Këto vende pa det e tregtojnë naftën 30-40% më lirë.
Një tjetër mekanizëm që sjell projektligji është ai që të implementohet modeli i akcizës së lëvizshme që përdoret sot nga Italia. Çdo tepricë e TVSH-së që vjen nga rritja e krizës, që derdh më shumë para të pamerituara në arkë, shkon për të ulur akcizën në të njëjtën masë. Ky mekanizëm merr në dorë menaxhimin e rezervës.
Ky projektligj kërkohet me urgjencë, sepse jemi i vetmi vend që s’kemi marrë asnjë masë konkrete për amortizimin e çmimit të naftës. Kjo ngjan me përballimin e krizës së Covid. Bordi është vullnet politik i kryeministrit”, tha Bozdo.
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj tha në Kuvend se me urdhër të kryeministrit Edi Rama, Gjykata e Lartë po tenton të nxjerrë nga burgu zyrtarët e lartë të akuzuar për korrupsion. Shehaj i referohet seancës në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë që janë thirrur për të rishikuar praktikën e arrestit me burg dhe kohëzgjatjen e tij.
“Sot me urdhër të Edi Ramës është mbledhur Kolegji i Bashkuar i Gjykatës së Lartë për të nxjerrë nga burgu të akuzuarit për korrupsion ose për të shpëtuar nga burgu ata që sot janë në hetim”, tha Shehaj.
Deputeti i Partisë së Lirisë Tedi Blushi kërkoi nga ministri i Bujqësisë Andis Salla që t’i përgjigjet kërkesës së tij për interpelancë për të dhënë llogari për bllokimin e fondeve të IPARD.
“Në datën 16 dhjetor kam depozitar kërkesën për interpelancë me ministrin bujqësisë. Kanë kaluar 4 muaj, më në fund e mbaroi vizitën turistike e shoh në sallë por nuk shoh kërkesën time për interpelancë që lidhet me bujqësinë dhe fondet e IPARD. Po testoni durimin e fermerëve që p mësyjnë në dyert e bashkisë, do bëni sot interpelancë për qumështin pluhur të Serbisë që ka përmbytur tregun. Kanë 3 vite fondet e IPARD që janë bllokuar, kush do të japë llogari?”, tha Blushi.
Ndërsa mori fjalën në Kuvend, Sali Berisha përsëriti akuzat e tij kundrejt qeverisë dhe kryeministrit Rama se “përdor parlamentin”. Gjithashtu tha se Balluku, së cilës Kuvendi nuk ia hoqi imunitetin, ishte notere e vjedhjeve të kryeministrit, dhe ndryshe nga të tjerët, nuk mund të largohej.
“Këtë parlament që për herë të parë në 35 vite parlamentarizëm pluralist, mbron në mënyrën më të paskrupullt, antikushtetuese, antidemokratike, vjedhjet e Edi Ramës dhe klanit të tij familjar e qytetar. Edi Rama e ka shndërruar këtë parlament në një leckë të vetën ku nuk respektohet asnjë ligj, rregull, as Kushtetuta përveç interesave të tij. Nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë që shqiptarët dhe mbarë bota të ngrihen për imunitetin e lubi Ballukut që ishte notere e vjedhjeve të Edi Ramës. Këto do të kishin marrë rrugën me kohë, lubia jo se ka 25 vjet në libër me të. Sigurisht që e shtytë debatin për integrimin se ishte debati për lubinë dhe s’donit kurrë të hapej ai debat”, tha Berisha.
Me nota të forta ironie, deputeti i Lushnjes Saimir Korreshi iu adresua ministres së Shëndetësisë, Evis Salës, për mungesën e saj në interpelancat e kërkuara. Ai tha se nëse është e nevojshme ta kërkojnë, ndërsa pacientët në spitale përballen me peripeci të ndryshme dhe askush s’mban përgjegjësi. Në fund, deputeti kërkoi me ironi që të paktën ta njoftojnë që rroga ka kaluar.
“A është mirë ajo se duhet pyetur nga shëndeti se mirë interpelancat tona s’i keni futur në tenxhere për t’u zier? E di ajo që është ministre apo s’e di se nuk braktiset Kuvendi kështu? Nuk pret sëmundja siç thotë ministrja, në fund të vitit, brenda këtij viti, nuk pret. Nëse s’e dini ku është, ta kërkojmë rrugëve të Tiranës. Ilaçet s’e dinte, çfarë pune bën kjo? Se për të marrë urgjencën, i bie 127 lidhem me Tiranën dhe ai kismet kur të lidhet me Lushnjen.
Nuk doja ta provoja te robtë e shtëpisë, por thojini ministres se ç’ndodh në spitalet shqiptare se nuk e ka idenë çfarë kalojnë pacientët. A e dini që s’ka as pambuk në Lushnje, as dorashka? Të vijë e ta shohë ç’ndodh! Kush mban përgjegjësi? Zhvendoset spitali e s’del leja e ndërtimit? Pse duhet t’i trajtojmë njerëzit si stallë derrash? Njoftojeni të paktën për rrogën që ka kaluar”, tha Korreshi.
Deputeti i partisë Mundësia tha se projektligjet që PS sjell në Kuvend, nga ajo për Portet Turistike e deri tek përzgjedhja e kreut të ri të Gardës së Republikës, po largojnë Shqipërinë nga anëtarësimi në BE dhe po i jep të drejtën e kontrollit të plotë kryeministrit Edi Rama.
“Sot në rend dite kemi një projektligj që hedh poshtë gjithçka çka u tha. U tha që kemi sjellë 23 projektligje për BE sot vjen një projektligj me një nen që thuhet se vetëm kryeministri ka të drejtë të japi portet turistike. Këto nisma që nuk i nënshtrohet asnjë lloj konsultimi, largohen nga ligjet që duhet të na përafrojnë me BE. Tani në momentin fundit u tërhoq dhe ligji për Gardës, tani projektligji kërkon që edhe kreun e Gardës ta caktojë kryeministri”, tha Kapri.
Pasi sqaroi pozitën e saj pas fjalëve të Ballës se është larguar nga mbledhja e konferencës së kryetarëve, Jorida Tabaku tha se arsyeja e vërtetë që po e mban peng procesin e integrimit është votimi kundër heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut.
“Pas diskutimit jam larguar për të drejtuar një komision tjetër. Ajo lista atje është hiç asgjë krahasuar me votën për imunitetin e zv/kryeministres. Ajo është vota që duhej për integrimin. Ajo po e mban peng procesin. Sot Shqipërinë po e mban peng ajo vota kundër imunitetit të Belinda Ballukut, pastaj këto listat që tunden në parlament janë retorikë boshe për politikë të ditës, janë thjesht gënjeshtrat e radhës sa për të kaluar edhe ditën e punës sot”, tha Tabaku.
Pasi Taulant Balla tha se opozita nuk ka votuar për një sërë ligjesh për procesin e integrimit, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se ndaj opozitës nuk ka transparencë dhe s’është vënë në dijeni të këtyre ligjeve, pavarësisht kërkesave të përsëritura.
“Ju nuk denjoni të informoni opozitën cila është lista e ligjeve të nevojshme për procesin e integrimit. E kemi kërkuar më shumë sesa 10 herë, praktikisht në çdo mbledhje të konferencës së kryetarëve. Vini dhe tundni një listë dhe thoni nuk votoni. Nga ta dimë ne kush janë ligjet kur nuk i dimë? Na i jepni t’i dimë kush janë ligjet! Kemi kërkuar bashkëpunim dhe na është mohuar transparenca minimale për t’i ditur këto projektligje”, tha Bardhi.
Kryeparlamentari Niko Peleshi i tha se në zyrën e tij s’ka asnjë listë të këtij lloji.
“Në zyrën e kryetarit të Kuvendit nuk mbahet apo fshihet asnjë listë integrale që lidhet me procesin e integrimit”, iu përgjigj Peleshi.
Mocioni me debat mbi problematikat e konstatuara nga DASH për klimën e investimeve në Shqipëri u miratua përmes votimit në Kuvend për t’u zhvilluar në datën 14 maj.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se miratimi është plotësisht në shkelje të rregullores së Kuvendit.
"Është tërësisht në shkelje të rregullores së Kuvendit. Rregullorja ju detyron të propozoni kur s’ka mirëkuptim, një datë që s’mund të jetë më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së mocionit. S’e di si e llogarisni 30 ditë 5 muaj sepse kërkesa jonë është e datës 5 nëntor 2025. Ju vini me propozim që mocioni të zhvillohet në javën e parë, të dytë apo të tretë të majit. Kjo është shkelja juaj personale. Ju vazhdoni në çdo seancë të shkelni rregulloren", tha Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla propozoi datën 14 maj për zhvillimin e mocionit me debat për raportin e DASH sa i përket klimës së investimeve në Shqipëri, ndërsa opozita kërkon që debati të zhvillohet menjëherë.
Ndër të tjera Balla replikoi dhe me PD të cilët i cilësoi si ‘dashnorët e rinj’ të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke u thënë se prej shtatorit kur ka nisur legjislatura e re, nuk kanë dhënë asnjë votë pro ligjeve që kanë kaluar në Kuvend sa i përket procesit të anëtarësimit në BE.
“Për të qenë të vërtetë në ato që themi, nuk duhet të marrim përsipër të themi gjëra kur kemi ikur nga salla. Tabaku nuk ka qëndruar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve deri kur kemi rënë dakord për kalendarin. Është larguar për punët e veta, por të paktën, kur të dalësh këtu, të thuash të vërtetën. Nuk kemi diskutuar për çështje të propozimit për ndryshime të rregullores, por vetëm për detyrimin që ka Kuvendi që menjëherë, sapo GJK të zbardhë vendimin e saj. GJK është në shkelje të ligjit, sepse brenda 30 ditësh duhet ta kishte zbardhur vendimin. Nuk kemi hyrë te propozimet për ndryshimet në rregullore. Kemi rënë dakord me Tabakun për kalendarin, është në procesverbal dhe është e papranueshme të vish këtu dhe të thuash që s’kemi rënë dakord.
Sa i përket mocionit me debat, jam dakord që duhet të ishte zhvilluar. Në nëntor të vitit të kaluar, në Konferencën e Kryetarëve, kemi rënë dakord që të bëjmë një bashkim të dy çështjeve: raportin e DASH dhe mocionin me debat që lidhet me nenin 18 për ligjin për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit. Padyshim që bie dakord që edhe ju edhe ne na ka kaluar afati i përcaktuar, por nuk është e vërtetë që qeveria nuk ka raportuar fare sa i përket procesit. Unë thashë ta bëjmë ose më 7 apo 14 maj; ju e doni menjëherë, për këtë duhet të votohet.
Ju thoni që mazhoranca u ka mohuar të drejtën që ju të sillni iniciativa ligjore. Jemi të gatshëm t’ju miratojmë edhe ju propozime, por jo me dhunë e forcë. Nëse doni që të vini t’ua miratojmë ne, e para duhet të vini të na i prezantoni, t’i diskutojmë e t’i miratojmë. Sot ju, dashnorët më të rinj të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, do t’ju jap një fakt: e keni filluar këtë legjislaturë në fund të shtatorit dhe prej asaj dite, në 23 ligje, në asnjërin prej tyre nuk gjendet asnjë votë pro nga ju. Këto lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Presione nuk hamë. Ju jeni përjashtuar vetë nga procesi i integrimit. Nuk keni gjetur asnjë arsyetim për t’i thënë popullit përse nuk i votoni ju ligjet. Mocioni me debat të zhvillohet më 14 maj”, tha Balla.
Në konferencën e kryetarëve, opozita kundërshtoi futjen në rendin e ditës të Kuvendit të ndryshimeve në rregullore. Përpara Kuvendit, deputetja e PD Jorida Tabaku tha se mazhoranca ka thënë që pret zbardhjen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tha se bashkëjetesa në parlament është shkelur me dy këmbë. Ajo pohoi që rregullorja duhet të ketë ndryshime konsensuale.
“Ndryshimet e rregullores të cilat PD i çoi në Gjykatën Kushtetuese, janë besoj, me një vendim të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë opozitës për shkelje të rregullave të parlamentit, janë rasti më flagrant sesi rregullat e bashkëjetesës në këtë parlament janë shkelur me dy këmbë. PD i qëndron faktit që rregullorja e parlamentit duhet patjetër të ketë ndryshime konsensuale. Ndryshimet e reja shkelin të drejtat e komisioneve dhe kryetarëve dhe krijojnë një super komison sikur po ndahen vilajete këtë në parlament, njëri i nënës e tjetri i njerkës. Ky diskutim në konferencën e kryetarëve duke pasur parasysh që kishte në bazë vetëm ndryshimet e rregullores, është e nevojshme që të sqarohemi që ndryshimet e rregullores të njëanshme që marrin hapësirën e opozitës, që s’janë dakordësuar e konsultuar janë në shkelje të të gjitha parimeve të bashkëjetesës në parlament”, tha Tabaku.
Në një deklaratë të dhënë përpara nisjes së seancës plenare, deputetja e PD Jorida Tabaku ka kundërshtuar ligjin për Portet Turistike.
Tabaku tha se i ka dorëzuar një shkresë Parlamentit Europian ku i njofton se “ligji për portet turistike, ndryshimi i fundit që vjen në Parlament, është në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit si dhe të 3 kapitujve të legjislacionit të BE-së. 5, 8, dhe 14. Nuk është gjë e re që ligjet që kalojnë në Kuvendin e Shqipërisë janë me porosi, që mbrojnë interesat e veçanta, por ky është i 18-ti në radhën e ligjeve që vijnë me porosi.”
Deputetja demokrate shtoi se këtu bëhet fjalë për një model qeverisje “që i ndan pronat publike sikur i kanë të nënës e të babës” që sipas saj po e varfëron vendin dhe që sipas saj reflekton mënyrën si qeveria shqiptare e koncepton procesin e integrimit.
Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka shkuar kësaj radhe në seancë plenare me qese me perime me vete. Me kërkesë të tij, sot do të zhvillohet një interpelancë me ministrin e Bujqësisë Andis Salla për fermerët dhe situatën e prodhimit, përpunimit, tregtimit të qumështit në vend.
Komente











