Kuvendi ka rrëzuar më shumicë votash ditën e sotme dekretin e presidencial për zgjatjen e koncesionit për aeroportin e Rinasit. Dekreti presidencial u rrëzua me 84 vota kundër, 9 abstenime dhe 11 pro. Ndërkohë seanca e sotme plenare miratoi katër projektligje dhe tre projektvendime.
Rrëzimi i dekretit të Metës, u paralajmëruar po ashtu edhe nga Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila tha në parlament tha se pretendimet e kreut të shtetit lidhur me kohën e negocimit nuk qëndrojnë.
Po ashtu edhe nënkryetari i grupit socialist në PS, Taulant Balla nënvizoi se është investuar 90 milionë euro dhe se së shpejti do të ulen të gjitha llojet e transportit të ndërkombëtarëve.
Ndërkohë gjatë seancës së sotme plenare, u zhvillua edhe një interpelancë mes ministres së Kulturës Elva Margariti dhe deputetit Artur Roshi, ku ky i fundit kërkonte censurimin e disa filmave nga koha e diktaturës. Ministrja nënvizoi se do të ishte marrëzi që të censurohet një punë kolektive e krijuar kjo në një kohë dhe në një kontekst të caktuar.
Katër projektligjet e miratuara në seancën e sotme ishin: Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa ne ligjin nr. 124/2015 "Për efiçencën e energjisë" të ndryshuar""; Projektligj "Për zhvillimin dhe pjesëmarrjen e forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere te kësaj organizate në stërvitjen e përbashkët "DEFENDER EUROPE 21",
Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 12/2018 "Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme"; Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut".
Tre projektvendimet e miratuara në seancën e sotme ishin: "Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 43/2017 "Për miratimin e strukturës dhe organikës të Autoritetit të Konkurrencës"", "Për emërimin e një anëtari të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që do të mbajë funksionin e Kryetarit të Bordit" si edhe "Për emërimin e një anëtari në Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës."
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë seancës së sotme plenare, paraqiti për ratifikim Marrëveshjen e rishikuar të Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandën e Veriut.
Rishikimi i kësaj marrëveshje, vjen në një moment, kur këto dy vende dalë nga BE, dhe sigurohet vazhdimësi të marrëdhënieve midis palëve, si dhe ruhen kushtet preferenciale në lidhje me tregtinë që rrjedh nga Marrëveshja Shqipëri-BE.
Sipas Ministres së Ekonomisë, referuar analizave dhe të dhënave zyrtare, ekziston një potencial ende i pashfrytëzuar i marrëdhënieve tregtare mes vendeve tona, ndaj me këtë marrëveshje mallrat me origjinë nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga Shqipëria do të përfitojnë trajtim tarifor preferencial reciprok të njëjtë me atë që kanë përfituar kur Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e Bashkimit Evropian.
Me tej ministrja shtoi se ratifikimi dhe hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje do të nxisë thellimin e bashkëpunimit për një tregti edhe më të shtuar edhe në vitet e ardhshme.
Denaj tha se qeveria Shqiptare është e bindur se kjo marrëveshje do të ndikojë ndjeshëm në nivelin e flukseve të investimeve të huaja në Shqipëri dhe rritjen e eksporteve.
“Në kushtet e daljes së Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut nga Bashkimi Evro pian, proceset tona të bashkëpunimit kërkonin një rishikim: •për të plotësuar një boshllëk juridik dhe •për të siguruar vijimësinë e marrëdhënieve ekonomike në afatmesëm dhe afatgjatë.
Me ratifikimin e Marrëveshjes sot në Kuvend, plotësojmë një kuadër të përgjithshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me Mbretërinë e Bashkuar i cili është një partneritet shumë i rëndësishëm ndër vite.
•Sigurojmë vazhdimësi të marrëdhënieve midis Palëve; •Ruajmë kushtet preferenciale në lidhje me tregtinë midis Palëve që rrjedh nga Marrëveshja Shqipëri-BE.
Së pari, mallrat me origjinë nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga Shqipëria do të përfitojnë trajtim tarifor preferencial reciprok të njëjtë me atë që kanë përfituar kur Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e Bashkimit Evropian.Së dyti, referuar analizave dhe të dhënave zyrtare, ekziston një potencial ende i pashfrytëzuar i marrëdhënieve tregtare mes vendeve tona. Për këtë qëllim, ratifikimi dhe hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje do të nxisë thellimin e bashkëpunimit për një tregti edhe më të shtuar edhe në vitet e ardhshme. Sipas të dhënave të periudhës përpara pandemisë, marrëdhëniet tregtare mes Mbretërinë e Bashkuar, kanë njohur rritje të ndjeshme. Qeveria Shqiptare është e bindur se kjo marrëveshje do të ndikojë ndjeshëm në nivelin e flukseve të investimeve të huaja në Shqipëri dhe rritjen e eksporteve.
Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar në këtë marrëveshje kanë rënë dakord që:
1.Produktet bujqësore dhe produktet industriale ruajnë të njëjtat kushte preferenciale;
2.Kuotat tarifore sipas kësaj marrëveshje në lidhje me produktet bujqësore do të jenë 13.62% e sasisë së kuotave ekzistuese në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Të nderuar, Dua të kujtoj dhe një element shumë të rëndësishëm se në kuadër të nxitjes së Tregtisë apo Eksporteve të cilat zbatohen në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian dhe në kuadër të rajonit.Së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë, zbatojmë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore brenda marrëveshjes CEFTA, ku jemi të angazhuar dhe kemi kontribuar vitet e fundit për të reduktuar cdo barrierë.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje kemi miratuar Protokollet 5 dhe 6 për Liberalizimin e Tregtisë në mallra dhe shërbime me vendet e rajonit, duke shkuar drejt krijimit të një zone të gjërë ekonomike për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.Të gjitha sa më sipër, të nderuar, së bashku me 48 marrëveshje bilaterale për nxitjen e bashkëpunimit dhe investimeve përbëjnë kuadrin bazë të bashkëpunimit ekonomik dhe janë një oportunitet shumë i madh për Shqipërinë për të vijuar dhe rritur eksportet.
Së fundmi, krahas ratifikimit të Marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar, një vend partner dhe aleat i Shqipërisë në NATO dhe BE, theksoj se edhe procesi i angazhimit për integrimin e Shqipërisë në familjen europiane është një proces që brenda kuadrit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nënkuptohet nëpërmjet mbarëvajtjes të 12 kapitujve dhe kryesisht të atyre që lidhen me karakter ekonomik, prandaj shpresoj që për të gjithë kjo marrëveshje të jetë një marrëveshje e cila nxit bashkëpunimin ekonomik dhe aprovohet nga ky parlament.”, -tha ajo.
Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla tha nga foltorja e Kuvendit se ta bëjnë me referendum nëse populli shqiptar është pro Reformës në Drejtësi apo jo.
Balla shtoi sakaq se përbetimet kundër Reformës në Drejtësi i kanë hasur që nga viti 2016 dhe shkëputja e koalicionit të LSI-së, me PS-në ka ndodhur vetëm e vetëm që Reformën ta çojnë para.
‘Sot është dita përfundimtare e depozitimit të listave nga të gjitha partitë, ne kemi ekipet ë të mira në 12 qarqet e vendit. Dritarja që ne kemi për të përfshirë kontribute të reja dhe profesionistë me energji të reja dhe nga eksperienca që kanë. Gjej rastin ti shpreh mirëseradhjen Najada Çomos dhe Luljeta Bozos. Këto dy emra dhe emra të tjera i bëjnë ekipin e PS-së. PS mbetet e vetmja forcë politike ku mund të investohet besimi për të vijuar bashkëpunimin e më tejshme. Të bëjmë një referendum se kush është pro Reformës në Drejtësi dhe kush jo. Nuk ka asnjë dyshim, se përbetimet e tyre kundër Reformës në Drejtësi janë sinjale që i kemi hasur deri në vitin 2016. Kemi qenë të gatshme të prishim koalicioni me LSI-në vetëm e vetëm që Reformën ta çojmë para. Prej asaj dite është prishur koalicioni. Basha ishte zotuar ta çonte LSI-ë për skrap, por e mori me vete. Ne kemi sot një opozitë që vjen para qytetarëve shqiptarë me një ofertë skandalozë. Nuk ka një mendje të shëndoshë në këtë vend që të mund ti besoj Lulzim Bashës. Jam shumë mirënjohës që një pjesë e një grupi deputetësh më të cilët kemi çuar para reforma të rëndësishme dhe me konsultim me partnerët e Shqipërisë.’- tha Balla.
Sa i përket kontratës së re koncesionare për aeroportin e Rinasit, Balla tha se është investuar 90 milionë euro dhe se së shpejti do të ulen të gjitha llojet e transportit të ndërkombëtarëve.
‘Kontrata e re koncesionare për aeroportin e Rinasit, rregullon disa nga problematikat e kahershme që kishte kontrata e vjetër. E rregulluar sipas qeverisë Berisha dhe ministër i Transporteve ka qenë Lulzim Basha. Po investohet që në aeroportin e Rinasit të ulen të gjitha llojet e transportit të udhëtarëve. Ne kemi mundësi të presim edhe fluturime ndërkontinentale. E kishim të pamundur që të përfitonim nga fluturimet direkte. Vlera e investimit shkon mbi 90 milionë euro. Do të ketë çmime më të lira dhe më shumë kapacitete.’- tha Balla.
Gjatë diskutimit në seancë plenare të projektligjit për marrëveshjen koncesionare të Aeroportit të Rinasit, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku i ka kthyer përgjigje disa pretendimeve të Presidencës.
"Ne jemi shprehur gjerësisht sa i përket këtij projektligji. Unë do të ndalesha vetëm në disa pika, sa i përket afateve të negocimit apo të disa pretendimeve të tjera të ardhura nga Presidenca. Duhet thënë se kjo nuk është një marrëveshje ndërkombëtarë por një kontratë koncesionare. Presidenca ka pasur pretendime sa i përket kohës duhet thënë se ky negocim ka filluar që në janar të vitit 2020 dhe ka marrë më shumë kohë se normalisht për shkak të COVID. Negocimi bëhet me shoqërinë aksionare dhe jo me aksionerin. Ndryshimi i aksionarëve nuk përbën ndryshimin e një shoqërie aksionare. Ne ulemi me përfaqësinë e shoqërisë aksionare.
Sa i përket përfitimeve dua të them se janë vërtet të mëdha. Aeroporti i Tiranës tashmë me këtë kontratë që ju duhet ta miratoni sot do ta kaloni në një stad tjetër, duke e bërë Shqipërinë me një raport 4E si vendet evropiane. Ashtu siç edhe Aeroporti i Vlorës do të bëhet shumë shpejt realitet", tha Balluku.
Deputeti Ralf Gjoni deklaroi nga kuvendi se nuk do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit.
‘Ja myslym, përsëri me renditje jemi. Ja ku jemi, sërish me renditje. Me këtë sistem renditje më vjen keq, të nderuar kolegë të opozitës, nuk e ndjej dot veten mjaftueshëm për të garuar në këtë garë dhe këto zgjedhje të vjedhura. Falenderoj forcat e opozitës që më ftuan. Nuk e ndjej veten të fortë për të garantuar numërimin e votës time. Ky sistem do të vjedhës sërish votën. Votën e diasporës e tall dhe e pështynë.’- tha Gjoni.
Ralf Gjoni bëri u bëri një thirrje të pazakonte qytetarëve që të shkojnë në qendrat e votimit dhe të vendosin një kryq në fletën e votimit, për të abstenuar.
Deputetja Rudina Hajdari gjatë seancës së sotme plenare foli për problematikat që hasen banorët në zonën e Elbasanit, tha se nuk ka infrasturkturë dhe se nuk furnizohen me energji dhe ujë.
‘Në fakt kjo sallë duhet të ishte plot me deputetët dhe përfaqësuesit e atyre grave dhe nënave dhe sot duhet të ishin duartrokitur dhe të ishte bërë një seancë vetëm për to. Edi që vuajtjet tuaja janë të pafundme dhe sakrificat tuaja janë të pafundme, unë e kuptoj dhimbjen tuaj sepse jam nënë vete dhe si nënë e kuptoj sa e vështirë është të jetosh larg fëmijëve. Sot nënat i kanë fëmijët në emigrim. Një duartrokitje, për të ju lutem për gratë dhe vajzat tona. Sot shumë qytetarë fshatar nuk kanë mundësi që të furnizohen me energji. Si ka mundësi që në 2021 shqiptarët kërkojnë gjërat më elementare kërkojnë ujë dhe dira, rrugë dhe infrastrukturë, ku shkojnë taksat e qytetarëve shqiptarë. Ende nuk ka kanalizime për ujërat e zeza. Lagjet janë në rrezik për shëndetin e tyre sepse investimet mungojnë. Gjendje katastrofike në lagjet e Elbasanit, mungo investimi. Njëri thotë do bëj aeroporte tjetri thotë tramavaj, ndërkohë shqiptarët sa dalin nga shtëpia mbajnë erën e kanalizimeve. Ky është realiteti. Ku kanë shkruar taksat, a mendoni se i keni shqiptarët në xhep. Ju e dini se shqiptarët po zgjohen dhe ju nuk i keni në xhep. Ato po ndërgjegjësohen dhe po kuptojnë se taksat e tyre po vidhen. Shko nëpër fshatrat e Elbasanit dhe 1 km rrugë e bën për dy orë. Si në Romën e Lashtë, jetonin më mirë njerëzit dje se sot. Shqiptarët e dinë që ju vidhini, dhe ju nuk keni bërë asgjë për to. Mos e shisni votën tuaj. '- tha Hajdari.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti, po zhvillon një interpelancë me deputetin Artur Roshi. Deputeti Roshi pyeti ministren se çfarë është bërë për të censuruar propagandën në filmat e komunizmit. Roshi kërkoi që të dënohen dhe të ndalohen me ligj filmat sipas tij të propagandës sh të urrejtjes.
Ministrja theksoi se do të ishte marrëzi që të censurohet një punë kolektive e krijuar kjo në një kohë dhe në një kontekst të caktuar. Ministrja Margariti shtoi se adresimi i çështjeve të ngritura nga Roshi nuk marrin përgjigje nga Ministria e Kulturës.
‘Më lejoni ta filloj fjalën time me urimet më të sinqerta për gratë. Nuk mund ta fsheh se kur u njoftova për interepelancë mendja më shkoi tek sfida e mëdha, me gjunjëzimin që patën monumentet e Kulturës nga tërmeti. Deputeti Roshi është i shqetësuar për filmat e periudhës së diktaturës siç i quan ai, për lapidarët dhe për varrezat. Gjithë panik kërkon një interpelancë si mundësia e fundit për të treguar ekzistencën e vet në këtë vend. Janë të adresuara gabimisht këto çështje në ministrinë e Kulturës. Do të ishte marrëzi që Ministria e Kulturës të merrte përsipër të censurohet një punë kolektive e krijuar kjo në një kohë dhe në një kontekst të caktuar. Unë ju them me bindje se ka vdekur ajo kohë kur ndaloheshin dhe censuroheshin filma. Shqipëria e ka lënë pas këtë censuruar dhe ka zgjedhur rrugën e demokracisë. Qoftë arte pamore apo letërsi ato vlerësohen nga publiku. Janë krijimtari e mirëfilltë e skuadrave të mëdha. A jeni ju i gatshme të dënoni punën e qindra personave? Nëse keni frikë për brezin e ri që mund të infektohen nga propaganda, janë aq të hapur dhe të lexuar sa nuk do të shokohen nga propaganda. Krijimtaria artistike e krijuar para viteve ’90 është produkt i asaj punë dhe është dëshmi e gjallë sesi regjimi ndikon mbi to. Ministria e Kulturës mbështet kineastë dhe nuk censuron filmat e para viteve 90.’- tha Margariti.
Ministrja Margariti shtoi më tej se nuk do t’ja lejojnë vetes që të përsërisin gabimet e së shkuarës.
‘Ne nuk i lejojmë vetës që të përsërisim gabimet e së shkuarës, ne nuk mund të bëhemi censuruesit e rinj. Krijimtarinë e vlerëson koha dhe publiku. Nuk janë kompetencat e ministres ato, as vendosja e lapidarëve dhe përmendoreve.’- tha Margariti.
Deputeti Kostaq Papa ka kërkuar që të Kuvendi të nxjerrë një akt normativ që të shtyjë vlefshmërinë e kartave të deputetëve.
‘Të nxjerrin akt normativ për kartat e identiteti. Një projektligj për vlefshmërinë e kartave të identiteti. Shumica e popullsisë është pa karta identiteti. Ndërhyni që qeveria të sjellë një akt normativ për vlefshmërinë e kartave.’- tha Papa.
Sakaq kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se po punohet për tu gjetur një konsensus.
‘Nuk është shqetësimi i juaji ky është shqetësimi i fundit që ju keni. Ky shqetësim ka një propozim nga opozita dhe shumë subjekte politike dhe nga KQZ dhe nga presidenti, do të gjendet një konsensus me grupet e interesit dhe do të konsiderohet.’- tha Ruçi.
Me vjen keq qe z.Ralf Gjoni ka vendosur te mos kandidoje,eshte nje nga deputetet me te mire e me me integritet te kuvendit,nje zoteri qe me aktin e tij te guximshem te marrjes se vendit ne kuvend,fitoi respektin e nderkombetareve.Sa per Artur Roshin :zoteri,nuk mund t'i shpetosh pergjegjesise se te kaluares dhe zgjedhjeve te gabuara qe jane bere.S'ka Diell e Hene qe t'a fshehe faktin qe Balli bashkpunoi me nazi-fashistet.Ky eshte fakt i pakundershtueshem qe nuk e zhduk dot duke hequr o censuruar filmat e kohes se komunizmit.Organizata e B.K e kohes se luftes dhe kreret e saj t'a mbajne me krenari e koken lart /dekoraten e bashkpuntorit e tradhetarit/ sepse e kane merituar plotesisht.Shpresoj qe nje dite niperit dhe admiruesit e tyre,te kerkojne falje ,te denojne aktet e krereve gjate luftes dhe te distancohen prej tyre dhe t'a fillojne cdo gje nga /0/.Te njejte gje duhet te bejne dhe njerezit e lidhur me komunizmin,per periudhen nga 1947-1990.Vetem keshtu ka per te gjetur paqe ky vend me te kaluaren dhe fantazmat e saj,se sa per te tashmen ,eshte ceshtje tjeter.
Përgjigju