Kuvend/ Opozita kërkesë llogarie qeverisë mbi raportin e DASH, Tabaku: Korrupsioni dhe vjedhja e zgjedhjeve, probleme reale! Alibeaj: Flisni për të shpallurit 'non grata'! Ministrja: I vlerësojmë kritikat

TIRANË- Raporti i Departamentit Amerikan Të Shtetit, për Shqipërinë, pak ditë më parë ka nxitur debate në Kuvendin me mazhorancës dhe opozitës. Deputetja e opozitës, Jorida Tabaku, tha se problematike është korrupsioni dhe përdorimi i grupeve kriminale për të influencuar zgjedhjet dhe deformimin e vullnetin.

Nga ana tjetër kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj i ka kërkuar maxhorancës të mbajë një qëndrim në lidhje me shpalljen 'non grata' të ish-deputetit socialist, Aqif Rakipi. Alibeaj tha se nuk bëhet fjalë për përgjegjësi individuale, por për përgjegjësi të të gjithëve, pasi flitet mbi fatin e qeverisjes së shqiptarëve.

Në kundërpërgjigje, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka tha se i lexojnë me kujdes kritikat e partnerëve dhe i vlerësojmë ato. Xhaçka u shpreh më tej se DASH vlerëson mbështetjen që qeveria ka dhënë për procesin e vettingut, ndërsa vlerësohet kontributi ynë për reformimin e Policisë së Shtetit.

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, tha gjatë fjalës së saj, duke ju referuar raportit të DASH, se shqyrtohet me kujdes çdo vërejtje, për të përmirësuar aspekte të qeverisjes. Sipas Xhaçkës, DASH vlerëson mbështetjen që qeveria ka dhënë për procesin e vettingut, ndërsa vlerësohet kontributi ynë për reformimin e Policisë së Shtetit.

Seanca plenare, nisi me interpelancën e deputetit Zef Hila me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në lidhje me menaxhimin e shërbimeve në qendrën e shërbimeve sociale ‘Besa’ në Barbullush të Vaut të Dejës. Sipas deputetit demokrat, administrimi i qendrës sociale është jashtë vëmendjes së institucioneve dhe ministrisë. Hila tha se fondet e deleguara nga ministria, janë vetëm për punësime abuzive, ndërsa në terren nuk është kryer asnjë inspektim për punën e qendrës sociale dhe shërbimin ndaj personave që duhet të marrin shërbim. Në fjalën e saj ministrja e Shëndetësisë, tha se janë kryer inspektime vazhdimisht dhe qendra është monitoruar dhe se rezulton se është një qendër që i plotëson standardet bazë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:35
Kuvendi miraton me 105 vota letërnjoftimin elektronik për shqiptarët, deputetët 'pro' projektligjit për të drejtat e autorit

1649693780_kuvend.jpg

Është miratuar në Kuvend me 105 vota letërnjoftimi elektronik për shqiptarët. 14 deputetë kanë votuar kundër, ndërsa një ka abstenuar. Ndërkohë,  me 72 vota pro u miratua rezoluta ERRU për vitin 2021. Gjithashtu në seancën e sotme parlamentare,  u miratua edhe ligji për krijimin e grupeve vendore të veprimit me 71 vota pro dhe 41 kundër si edhe projektligji për të drejtat e autorit u miratua me 71 vota pro.

Ora 17:06
U rikthye në Kuvend, Leskaj uron Majkon: Politikan që meriton respekt, s’do jetë në grupin e kanabisit

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj i ka uruar mirëseardhjen kolegut të tij, Pandeli Majkos. Ai e cilësoi Majkon si një politikan që meriton respekt, ndërsa shtoi se është i bindur se nuk do të jetë në “grupin parlamentar të kanabisit”, referuar këtu procesit të legalizimit të kanabisit mjekësor.

"Në krye të herës do më lejoni të jap një vlerësim dhe urim të vecantë për deputetin më të ri dhe më të vjetër të Kuvendit të Shqipërisë Pandeli Majko. Një politikan me integritet, i vlerësuar që meriton respekt. Unë besoj se Majko nuk do të jetë te Grupi Parlamentar i kanabisit", tha Leskaj. 

Pandeli Majko u betua sot për herë të 8 si deputet i Kuvendit të Shqipërisë duke zënë vendin e lënë bosh nga Alqi Bllako, i cili u arrestua nga SPAK për aferën e inceneratorit të Fierit.

 

Ora 16:21
FOTOLAJM/ Deputeti socialist i pavëmendshëm në Kuvend, i 'vjedh' pasionin Ramës, kapet duke pikturuar

Për deputetin e Partisë Socialiste, Toni Gogu seanca e sotme plenare duket se ka qenë shumë e mërzitshme, aq sa ka zgjedhur që të kalojë kohën duke pikturuar. Ai është parë teksa në një faqe formati e ka mbushur me piktura. Duket se Rama ua ka kaluar pasionin për pikturën edhe deputetëve të tij.

Ora 16:11
Shehi kundër legalizimit të kanabisit mjekësor: Hajde t'i mbushim mendjen fermerit që të mbjellë patate, kur mund të bëjë lekë ndryshe

 

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, (LZHK) Dashamir Shehi është shprehur kundër procesit të legalizimit të kanabisit mjekësor. Sipas Shehut, kjo do të demoralizonte fermerët për të mbjellur kultura bujqësore, pasi do e shohin që do e ketë më të lehtë për të bërë para në në mënyrë më të lehtë.

"Hajde t'i mbushim mendjen atij shko e mbill patate,.kur mund të thotë se këtu ka 100 mundësi për të fituar para ndryshe, nuk e di se ku shkon marrina, vendime të gabuara do e shikoni që në fund të këtij viti do të ndikojë te niveli i bujqësisë në Shqipëri, do i ftoja kolegët e bujqësisë kemi akoma kohë që të nxisim bujqit që të mbjellin kulturat e pranverës dhe në vjeshtë të shtojmë sipërfaqet me drithëra që të mos jemi kaq të varur nga perëndimi, kundër këtij ligji nuk jam sot, sikur qeveria t'i largojë pak duart nga 5 gjërat që vijnë nga Europa, bujqësia ka nevojë për ide të tjera shumë më të mëdha, shumë të rëndësishme. Kjo është mënyra se duhet trajtuar bujqësia", tha Shehi.

Ora 15:52
Shehu kundër legalizimit të kanabisit mjekësor: Nuk do forcojë ekonominë, por do shkatërrojë vendin, keni shembull Kolombinë

 

Nga Foltorja e Kuvendit, Tritan Shehu është shprehur kundër legalizimit të kultivimit të kanabisit mjekësor. Kjo sipas tij, nuk do të sjellë rritje ekonomike për vendin, siç kryeministri Edi Rama ka deklaruar, por do të shkatërrojë vendin.

"Tymi të mos dalë në shkolla, po nga qielli shqiptar, është krim për mua dhe të kuptoni qartë që asnjë vend i botës nuk është zhvilluar nga droga, Kolumbia, psh, droga nuk forcon ekonominë, por shkatërron vendin, demokracinë, ekonominë, imazhin e një vendi. jemi njollë e zezë për kanabisin, do bëhemi 3 herë më shumë, se nuk e keni kontrolloni dot, Italia e përdor në mënyrë shumë të kufizuar, ca do bëjmë, ku do shkojmë, do bëjmë republikë kanabisi, nuk do t'ju lejojmë ta bëni, nuk do e kaloni në Kuvend, se do duhet të ndryshoni Kodin penal, siç kthyet mbrapsht ndryshimet në Kodin e familjes, do e bëni dhe këtu, se do të shkatërroni gjithë vendin, do të shkatërroni dhe procesin e integrimit duke rritur kriminalitetin në vendin tonë", tha Tritan Shehu.  

Ora 15:31
Alibeaj debat me Felaj: Sa herë drejton ti seancën ndodhin incidente, nuk e di ça frustrimesh ke, por ruaj neutralitetin

 

Enkelejd Alibeaj ka pasur një debat me nënkryetaren e Kuvendit, Ermonela Felaj, sipas së cilit nuk po zbaton neutralitetin, por po mban anë duke refuzuar që t'u jap fjalën deputetëve të opozitës, dhe këtu iu referua Helidon Bushatit.

Enkelejd Alibeaj: Sa herë ulesh ti aty, ndodhin vetëm incidente, nuk e di ca frustimesh ke, se kur je këtu je e socialiste, kur je aty të paktën tregohu neutrale, replika jepet kur përdoren fjalë të padenja dhe të pahijshme, jo nuk i bëri, i ka shtrembëruar thelbin e diskutimit, faktet që nxori zonja, dhe kjo është e drejta parlamentare e parlamentarizmit dhe kjo është replika.

Ermonela Felaj: Ju siguroj që Rregullorja do të lexohet si shkruhet, jo si doni ju ta mendoni

Ora 15:17
Nuk iu dha fjala mbi replikën e ministres Krifca, Bushati bllokon për disa minuta Foltore, largohet pasi Felaj i tërheq vëmendjen

 

Deputeti i PD-së, Helidon Bushati ka bllokuar foltoren e Kuvendit, pasi nuk iu dha e drejta për replikë, pas replikës së ministres Frida Krifca. Ai u largua pasi Ermionela Felaj i tërhoqi vëmendjen. 

Ora 14:47
Balla i drejtohet Shehajt: Thonë se ke blerë mandatin tek Basha në 2017, kallëzoje penalisht kolegun nëse gënjen

 

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Taulant Balla, duke ju drejtuar deputetit të PD-së, Agron Shehaj, i cili akuzoi qeverinë për blerje votash, iu kthye duke i rikujtuar një deklaratë se edhe për të kanë thënë se ka blerë mandatin në 2017 tek Basha. Deputeti Balla tha, se ai nëse gënjen le ta kallëzoj penalisht.

‘Shko të foltorja e partisë, nëse ke prova shko në prokurori. Edhe për ty një deputet i PD-së thotë se e ke blerë mandatin tek Lulzim Basha në 2017. Natyrshëm meqë ta kanë thënë, kallëzoje penalisht dhe thuaj se ai gënjen, mendoj se duhet të vendosim disa standarde. Po shkelni hapur rregulloren ku flitet dhe nuk thuhet asgjë për atë që duhet të diskutoni.

Ju qenkeni kundër që shqiptarët që punojnë në emigracion dhe mos të sjellin paratë në Shqipëri. Që mos t’ua nximë jetën me sa histori idiote që edhe policia e shtetit ndalon një shqiptar që vjen në shtëpinë e vet.’- tha Balla.

Agron Shehaj: Me akuzoi se vij këtu e sjellë thashetheme se paskam blerë mandatin. Unë këtu flas me faktin, jo me thashetheme!

Ora 14:11
Spiropali debat me Berishën në Kuvend: Nuk e mund dot më Shqipërinë, je gjenerali i një ushtrie që mendon se ti je gjallë! Ish-kryeministri: Po e frenoj gojën se je zonjë

Ashpër i është përgjigjur ministrja Elsa Spiropali akuzave të Sali Berishës mbi qeverinë. Nga Kuvendi, Spiropali i tha Berishës de nuk e 'mund dot më Shqipërinë', teksa i kujtoi atij se në një kohë kur denoncon korrupsionin në qeveri është i shpallur 'non grata' nga SHBA.

"Tre piramida ke ndërtuar në jetë, ato financiare që rrënuan Shqipërinë, ato arsimore që bënë analfabet të rinjtë dhe atë politik në majë të së cilës ti nuk ngjitesh më sepse nuk je gjenerali i ushtrisë së vdekur, por i një ushtrie që ti mendon se je gjallë. Doja ta pyesja Flamurin, pse mendon se ju jeni gjallë politikisht? Të gënjen mendja që munde Lulin, por edhe 7 jetë të jetosh nuk e mundon dot PS dhe Edi Ramën. Nuk e mund dot më Shqipërinë. Ka bërë shumë rrugë, të ka lënë pas. Hija është më e madh ese drita që lëshoni aty-aty për të verbuar ata që ju ndjekin. Flet për krimin në qeveri, por nuk dua të të kujtoj certifikatën që e ke marrë me shumë nder. Harron që ishe ti ai që dilte krenar e thoshte ishte vendim politik të kanabizohej Lazarati dhe nuk mbajte kurrë përgjegjësi. Ne i lexojmë raportet, shohim dhe kritikat, por nuk jemi euforik të flasim për ato çështje që raporti thotë. Vetingu është procesi thelbësor që po pastron sot drejtësinë. Ne i kemi humbur disa beteja, por kemi fituar luftën sepse Shqipëria nuk përmendet më si vend problematik për kultivimin e kanabisit. Ne duam të legalizojmë një ekonomi që ti e mbaje si ilegale", tha Spiropali.

Nga ana tjetër Berisha tha se nuk mund t'i përgjigjet Spiropalit 'siç e meriton' sepse 'gjuha ime frenohet para një zonje'.

"Zonja që foli që thirret 'zonja 5 mln' nuk hyn tek anëtarët e mëdhenj të organizatës, por si anëtare. Ndaj dhe ju keni në bord të dilni dhe të shani me gjuhë ordineri, të përdorni fjalë se një grua që i thotë vetes e tillë nuk janë lejon vetës fjalë të tilla. Jo se më mundon fjalori, por goja ime frenohet, kur vjen problemi para një zonjë", tha ai.

 

Ora 13:30
Raporti i DASH, ministrja e jashtme: Lexojmë me kujdes kritikat e partnerëve dhe i vlerësojmë ato! Vlerësohet mbështetjen që qeveria ka dhënë për procesin e vettingut

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, tha gjatë fjalës së saj, duke ju referuar raportit të DASHA, se shqyrtohet me kujdes çdo vërejtje, për të përmirësuar aspekte të qeverisjes. Sipas Xhaçkës, DASH vlerëson mbështetjen që qeveria ka dhënë për procesin e vettingut, ndërsa vlerësohet kontributi ynë për reformimin e Policisë së Shtetit.

‘Të vetëdijshëm për luftën që kemi ende për të bërë për reformën në drejtësi. Ne i lexojmë me kujdes kritikat e miqve e partnerëve dhe i vlerësojmë ato. Të përkushtuar për të realizuar çdo detyrim në procesin e integrimit evropian Kemi treguar vullnet të plotë për të bashkëpunuar ngushtë me KKIE. Ngjarjet në Ukrainë, dëshmi se shqetësimet tona ishin të justifikuara. Izolimi i Ballkanit Perëndimor është kosto e lartë për BE. Nëse BE tregon të njëjtën vendosmëri si me Ukrainën, BP nuk do jetë i prekshëm ndaj telasheve. Paketa e rezistencës sociale, synon mbështetjen e atyre që kanë më shumë nevojë.’- tha Xhaçka.

Fjala e plotë
Është e pamundur të zhvillosh një diskutim serioz me opozitën për çfarëdo raporti ndërkombëtar e padyshim nuk mund të ishte ndryshe me raportin e DASH. Ajo që më habit gjithsesi është se shoh të komentojnë raportin shumë nga ata opozitarë që deri dje në fakt nuk kanë lënë gjë pa thënë kundër Departamentit të Shtetit e Sekretarit të Shtetit kur shpalli non grata Sali Berishën. Me një pjesë të madhe prej jush, jo me ju veçanërisht. Për të mos përmendur pastaj se çfarë ka nxjerrë nga goja një pjesë e madhe e opozitarëve edhe për Ambasadoren Amerikane.

Dhe të shohësh sot opozitën non-grata të denoncojë qeverinë bazuar tek një raport i atyre që i kanë shpallur non-grata, ky besoj është ilustrimi më i qartë i çoroditjes së kësaj opozite por edhe aftësisë së saj për të lexuar raporte.

Natyrisht, si qeveri na takon që ta lexojmë ndryshe këtë report sidomos për faktin që vjen nga aleati ynë strategjik Shtetet e Bashkuara në një moment kaq të rëndësishëm të marrëdhënieve tona, kur partneriteti ynë është duke u thelluar në çdo aspekt, çka padyshim, do nënkuptonte edhe një dialog të hapur e të sinqertë për performancën e Shqipërisë në fusha aq të rëndësishme sa të drejtat e njeriut apo sundimi i ligjit etj.

Prandaj qeveria lexon me kujdes, lexon çdo vërejtje apo kritikë, çdo sugjerim, çdo ide që vjen nga  autoritete ndërkombëtare edhe nga DASH, për të përmirësuar aspekte të qeverisjes.

Dhe përtej citimit të pjesshëm, aty vlerësohen përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të luftuar korrupsionin, fenomen që në fakt nuk lindi me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet.

Sa i takon luftës ndaj korrupsionit, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, DASH nxjerr në dukje rëndësinë që ka procesi i vetingut për të pastruar sistemin nga gjyqtarë e prokurorë që nuk justifikojnë pasurinë dhe në këtë pikë e vlerëson mbështetjen që qeveria jonë ka dhënë për procesin e vettingut.


DASH vlerëson kontributin e qeverisë për të reformuar e ruajtur integritetin e trupës së policisë së shtetit, qoftë me shpalljen e masave kundër korrupsionit në radhët e policisë, qoftë me vetingun e zyrtarëve të policisë, qoftë me punën e bërë nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Shtetit, me rastet e abuzimeve nga elementë edhe vetë brenda policisë së shtetit.

Nuk dua të anashkaloj kritikat, sepse të thuash të drejtën është kjo qeveri e para që ka kritika për punën e saj, sidomos kur vjen puna tek lufta kundër korrupsionit apo krimit të organizuar me të cilën pavarësisht progresit të dukshëm padyshim që s’jemi të kënaqur.

 Jemi të vetëdijshëm për luftën që kemi ende për të bërë krah për krah partnerëve tanë strategjikë, e sidomos Shteteve të Bashkuara që kanë luajtur një rol kaq jetik e kaq thelbësor në reformën në drejtësi. Sepse mos harroni që kjo është një reformë që ësht bërë në bashkëpunim të ngushtë me SHBA.

Nuk kam pse jua numëroj unë se ju i dini më mirë se unë, sesa deklarata në mbështetje të punës së kësaj qeverie për reformën në drejtësi e arritjet e saj ka bërë dhe vetë Ambasada Amerikane apo Ambasadorja Amerikane, dhe sa e sa zyrtarë të tjerë amerikanë. Aq sa i keni kritikuar edhe ju dhe i keni akuzuar për mbështetje ndaj qeverisë. Ashtu sikundër, kanë pranuar njësoj si ne vështirësitë e reformës dhe faktin që një reformë kaq madhore, që duhet të adresojë problemet e akumuluara prej dekadash në shoqërinë shqiptare, sigurisht që do kohën e saj dhe nuk mund të bëjë çudira.

E nëqoftëse s’mbani mend këto, besoj mbani mend vrerin që keni vjellë vetë në dhjetëra deklarata kundër ambasadës kundër ambasadores sepse mbështeste reformën , qeverinë edhe punën e saj për të forcuar sundimin e ligjit.

Ne i lexojmë me kujdes kritikat e miqve e partnerëve ne i vlerësojmë kritikat e miqve dhe partnerëve, ndryshe nga ju që herë i lani herë i shplani. Kështu e lexojmë edhe këtë raport, si një vlerësim të vyer nga aleatët tanë strategjikë të ecurisë së punës që kemi ende për të bërë në një proces ku jemi duke ecur bashkë, hap pas hapi dhe që do të vazhdojmë ta bëjmë me të gjithë mbështetjen dhe me të gjithë përkushtimin jo se e kërkojnë partnerët ndërkombëtarë, por sepse e kërkojnë qytetarët shqiptarë që nuk meritojnë asgjë më pak sesa jemi duke bërë dhe që do të vazhdojmë të bëjmë me detyrën dhe përgjegjësinë që kemi ndaj fëmijëve tanë pikë së pari që të jetojnë si evropianë këtu brenda kufijve të vendit tonë.

Ora 13:26
Shpallja 'non grata' e Aqif Rakipit, Alibeaj i drejtohet maxhorancës: Gjeni kurajën e flisni, nuk është përgjegjësi individuale

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj i ka kërkuar maxhorancës të mbajë një qëndrim në lidhje me shpalljen 'non grata' të ish-deputetit socialist, Aqif Rakipi. Alibeaj tha se nuk bëhet fjalë për përgjegjësi individuale, por për përgjegjësi të të gjithëve, pasi flitet mbi fatin e qeverisjes së shqiptarëve.

"Këtu nuk flet askush për të shpallurit non grata nga DASH, nuk ka asnjë qëndrim. Përgjegjësinë më të madhe personale duhet ta mbajë kryeministri. Çfarë qëndrimi mbani ndaj vendimeve të DASH për përcaktimin e personave politikë 'non grata'? Cili është standardi politik që ju do të vendosni? Çfarë mendoni për atë së çfarë është vendosur si justifikim, keni ju një opinion? Nuk mund ta mbani kokën ulur në telefona, duhet ta gjeni kurajën, çfarë do bëni do prisni sa të vijë ai? Autonominë tuaj njerëzore duhet ta nxirrni. Nuk është përgjegjësi individuale, por publike e të gjithëve sepse bëhet fjalë për ta se çfarë është fati qeverisjes së shqiptarëve. Dilni flisni, shikoji shqiptarët në sy dhe merrni masat tuaja", tha ai.

Ora 12:29
Ministri i Brendshëm: Mbi 80% e shërbimeve të Gjendjes Civile do të jenë online, s’ka më pritje nëpër sportele

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, teksa foli sot në Kuvend për Aktin Normativ të shtyrjes së vlefshmërisë së ID në 6 bashkitë ku u mbajtën zgjedhjet e pjesshme lokale, duke iu dhënë mundësi rreth 144 mijë qytetarëve të votonin, u ndal edhe te modernizimi i shërbimit të Gjendjes Civile. Ai tha se sot ky shërbim është ngritur në një nivel të paimagjinueshëm deri disa vite më parë

“Besoj se të gjithë i mbani mend radhët e gjata që krijoheshin nëpër sportele të Gjendjes Civile për një certifikatë lindje, martese apo një dokument tjetër çfarëdo. Në jo pak raste këto sportele ishin kthyer në qendra ku gëlonte ryshfeti. Sot janë 21 shërbime të Gjendjes Civile që merren online direkt nga celulari apo kompjuteri juaj. Shkëputja e kontaktit direkt me punonjësit i ka prerë rrugën korrupsionit dhe ka shkurtuar kohën e pritjes së qytetarëve për të marrë shërbimin që kërkojnë. Aktualisht jemi në hapat e fundit të punës për konfirmimin edhe të certifikatave në gjuhë të huaj të cilat do të gjenerohen automatikisht nga #eAlbania pa qenë nevoja për t’u paraqitur nëpër sportele. Mbi 80% të shërbimeve të Gjendjes Civile do të jenë online përmes një sistemi që jep siguri, mban larg korrupsionin, si dhe iu garanton qytetarëve shërbim cilësor me një klik përmes celularit të tyre. Ky është një kapërcim i jashtëzakonshëm që krijon siguri, që tregon përkujdesje dhe sjell zhvillim. Edhe po të dojë këtë nuk mund ta mohojë dot askush”, tha Çuçi.

Për fushatën e vetëdeklarimit dhe regjistrimit të adresave, Ministri i Brendshëm tha se adresën e plotë me 8 elementë sipas ligjit e kanë rreth 2.4 milionë shtetas shqiptarë, ndërkohë që vijon fushata e ndërgjegjësimit për qytetarët që nuk e kanë ende një adresë të saktë të regjistruar. Vetëm me një adresë të saktë tha Çuçi, ke akses në shumë shërbime publike të cilat në masë të madhe ofrohen online.

“Dixhitalizimi dhe procesi i modernizimit të shërbimeve publike është një instrument i pazëvendësueshëm jo vetëm për të mbajtur larg korrupsionin në zyrat e shtetit, por është një kapërcim epokal që sjell akses më të madh dhe më cilësor të qytetarëve në shërbimet publike”, u shpreh ministri Çuçi.

Ora 11:43
 Raporti i DASH, Tabaku: Kryeministri tha se është copy-paste i vitit të kaluar, po qeveria e Ramës është që prej 2013

Deputetja Jorida Tabaku ka folur në kuvend për raportin e DASH ku tha se problematikë është korrupsioni dhe përdormini i grupeve kriminale për të influencuar zgjedhjet dhe deformimin e vullnetin. Duke komentuar deklaratën e Ramës se raporti ishte copy-paste nga viti i kaluar, tabaku tha se dhe qeveria e njëjta është dhe se nuk mund të pritet rezultat tjetër.

“Shqetësimi im është përdormini i grupeve kriminale për të influencuar zgjedhjet dhe deformimin e vullnetin dhe me vjen çudi si nuk flet mazhoranca për këtë çështje që po theksonte nga Departamenti i Thesari dhe raporti i DASH për korrupsionin. Kryeministri tha se është copy paste i vitit të kaluar, po sigurisht se dhe korrupsion i tillë është po qeveria e Ramës është, nuk është se kanë ikur.  Se qeveria është copy paste, vendimet janë copy paste dhe korrupsioni është i tillë. Këto shqetësime janë reale për shqiptarët kush i ndikon zgjedhjet dhe kush i vjedh qytetarët”, tha Tabaku

Ora 11:01
Interepelancë për qendrën sociale ‘Besa’ në Vaun e Dejës, Hila: Janë 19 punonjës për 22 persona që marrin shërbim! Paguani kuzhinier, megjithëse dreka merret me katering! Ministrja: Rezulton se plotëson standardet

Menaxhimi i qendrës së shërbimeve sociale ‘Besa’ në Barbullush’ të Vaut Të Dejës, ishte në qendër të diskutimit ndërmjet interpelancës së ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, të kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Zef Hila. Sipas deputetit demokrat, administrimi i qendrës sociale është jashtë vëmendjes së institucioneve dhe ministrisë. Hila tha se fondet e deleguara nga ministria, janë vetëm për punësime abuzive, ndërsa në terren nuk është kryer asnjë inspektim për punën e qendrës sociale dhe shërbimin ndaj personave që duhet të marrin shërbim. Sipas Hiles, në qendrën sociale janë punësuar 19 punonjës për 22 persona që duhet të marrin shërbim. Hila tha ofrimi i shërbimit nuk është në nivelin e kërkuar, ndërsa kërkoi ngritjen e grupeve të kontrollit për aktivitetin e kësaj qendre.

Në fjalën e saj ministrja e Shëndetësisë, tha se janë kryer inspektime vazhdimisht dhe qendra është monitoruar dhe se rezulton se është një qendër që i plotëson standardet baze dhe po punon për ti arritur. Sipas ministres, janë kryer vizita periodike për të gjitha aspektet e vlerësimit, ndërsa shtoi se forma e financimit është miks, dhe që një pjesë e mbulon MF, por e rëndësishme është që të përcillet qëndrueshmëria e shërbimeve.

Ogerta Manastirliu: Ne jemi të vetëdijshëm që kemi shumë punë për të bërë për ngritjen e qendrave sociale. Ministria e Shëndetësisë ka prioritet cilësinë e shërbimeve sociale. Nëpërmjet fondit sociale, si një mekanizëm i ngritur për të financuar mbështetjen ne kemi ngritur 35 shërbime sociale në 32 bashki të vendit, duke mbështetur më shumë se 4180 individë, të cilët janë individë në nevojë. Në qendrën Besa në Babrullush, mbështetja nuk ka munguar, ashtu si për ketë qendër edhe për 8 qendra të tjera në gjithë vendit. Kemi instrumenta sot të cilat financojnë shërbimet sociale.

Qendra që ju keni në Babrullush, është një qendër që në bazë të monitorimeve nga Inspektoriati i Punës, rezulton një qendër që i plotëson standardet baze dhe po punon për ti arritur. Kjo është një qendër që është model shërbimi, pasi ofrohen shërbime rezidenciale për 20 të moshuar. Ofrohen shërbime të përkujdesit ditor ashtu që nëpërmjet stafeve të rekrutuara nga bashkia e Vaut të Dejës. Qendra ‘Besa’ është qendër e bashkisë së Vaut të Dejës dhe kemi arritur në një pjesë ku financohet. Fakti që në këtë qendre janë të arritura standardet bazë. Në 2020 janë verifikuar të gjitha standardet bazë të kësaj qendre. Në tetor të 2021, është bërë një vlerësim i rekomandimeve të lëna në shkurtin 2020. Janë kryer edhe vizita periodike për të gjitha aspektet e vlerësimit dhe monitorimit. Janë lënë dhe rekomandime të tjera për përmirësim. Forma e financimit është një financim miks, një pjesë e mbulon MF, dhe besoj është e rëndësishme ajo çfarë po përcjellim me qendrueshmërinë e shërbimeve. Do të rrisim dhe zgjerojmë përkujdesin tonë për ato që kanë më shumë nevojë.

Zef Hila: Po dizinfomoni qytetarët. Vetëm me fonde që janë të deleguar nga ministria 100% në buxhetin e kësaj qendre, paguani 4 roje, 3 sanitare dhe asnjë specialist i kësaj fushe. Paguhet kuzhinier që shërbimi i gatimit behet me katering. Tërhiqni fjalën tuaj, pasi kjo është e vërteta me dokumente zyrtare. Fondet e akoduara për qendrën sociale ‘Besa’ janë vetëm për stafin drejtues. Inspektimi që thoni ju ka qenë formal, por e vërteta është krejtësisht ndryshe. Qendra ‘Besa’, rritje personelit me 38%.

Numri i përfituesve u ul nga 26 në 22 dhe ju rritët fondit vetëm për paga dhe punësime abuzive. Numri i punonjësve ishte 19 ndërsa numri i personave që merrnin shërbim ishte 22. Në bazë të cilit kriter ju keni zgjedhur të punësoni kaq punonjës. Një punonjës, rezulton se ndryshon sa një pozicion në tjetrin, madje dhe në profesion. Rezulton se në 2019 si rojë, pastaj si kuzhinier, pastaj e kthejnë roje, pastaj çudia më e madhe si kujdestar dhe infermier. Është turp për ju. Realiteti është krejt ndryshe unë, vij nga terreni. 0 lekë nga buxheti i shtetit, është një nga qendrat me model.

Në dy vite është kryer vetëm një inspektim, ndërkohë që duhet të ishin kryer 4 prej tyre. Inspektimi i kryer rezulton me shumë mangësi dhe nuk janë marrë masa. Nuk kanë kryer detyrën, por kanë abuzuar, pasi informacioni është krejt e kundërta nga ajo që u kanë raportuar. Ofrimi i shërbimit nuk është në nivelin e kërkuar. Kjo pasi nuk është monitoruar, duhet të ngrini një grup pune dhe kontrolli, për të verifikuar dhe kontrolluar aktivitetin e kësaj qendre.

Ora 10:17
Pandeli Majko dhe Etilda Gjoni anëtarë të Komisionit të Jashtëm, Benet Beci kalon te ‘Veprimtaria prodhuese’

Pas marrjes së mandatit, Pandeli Majko është zgjedhur anëtar i Komisionit të Jashtëm. Benet Beci do të jetë anëtar në Komisionin për Veprimtaritë prodhuese, ndërsa Etilda Gjonaj anëtare në Komisionin e Jashtëm, duke zëvendësuar Benet Becin.

Ndryshimet u votuan nga socialistët në nisje të seancës së Kuvendit.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • tani: 14/04/2022 12:52

    bravo,ky eshte zhvillim. ..por cudia(qe dihet) eshte pse shtohet numeri i punonjesve ne shtet!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë