Me 95 vota pro dhe 5 kundër miratohet përbërja e Komisionin të Posaçëm që do përzgjedhë kandidaturat e KQZ-së së re! PD hyn në Kuvend

TIRANË- Këtë të enjte (17 shtator) Parlamenti vendosi për krimjimin e Komisionit të Posaçëm të Parlamentar për shqyrtimin dhe përzgjedhjes së kandidaturave për organet drejtuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Me 95 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim, Parlamenti votoi për krijimin e kësaj strukture të përbërë nga deputetë të mazhorancës, opozitës parlamentare dhe asaj jashtë. Kështu PD-ja futet në Kuvend, pas rreth 2 viteve jashtë saj, pas bojkotit, ndërsa të gjithë ata që do të duan të jenë anëtarë të 3 organeve të KQZ së re do të kenë afat edhe ditën e nesërme për të aplikuar. 

Nga mazhoranca
Damian Gjiknuri Kryetar
Alket Hyseni Anëtar
Adnor Shameti Anëtar
Nga opozita e re
Myslim Murrizi Anëtar
Edmond Stojku Anëtar
Nga opozita jashtëparlamentare
Oerd Bylykbashi

Gjatë seancës e cila zgjati për më pak se 4 orë, ka pasur debate mes deputetëve ku diskutimi u hap me Ministrin e Turizmit Blendi Klosi. Ai ishte thirrur në interpelancë nga deputeti Vasil Sterjovski teksa foli për investimet në Bashkinë e Pustecit e veçanërisht në Liqenin e Prespës të cilën e konsideroi një destinacion të preferuar nga turistët.

Protesta e naftëtarëve të Ballshit ishte një temë tjetër e diskutuar në Parlament të cilës fillimisht i dha zë deputetja Rudina Hajdari. Ajo tha se qeveria dhe opozita po heshtin ndërkohë që disa jetojnë në luks e protestuesit kërkojnë pagat. Për këtë foli dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla i cili tha se kjo situatë është pasojë e privatizimit kriminal të rafinerisë nga Berisha.

Ndër të tjera Balla solli në vëmendje dhe domosdoshmërinë e transparencës së pronarëve të medias. Ai tha se pronarët e mediave dhe vetë gazetarët duhet të identifikohen për "Fake News" që shpërndahen. Balla gjithashtu tha se drejtësia shqiptare duhet të rihapë hetimet për ngjarjen e Gërdecit dhe përfshirjen e Shkëlzen Berishës tek ajo. Ai tha se drejtësia amerikane e konfirmoi implikimin e tij në këtë ngjarje e duke e quajtur krim shtetëror.

Përpara se të komunikoheshin rezultatet për miratimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, foli dhe deputeti Myslym Murrizi i cili i qëndron sërish listave 100 përqind të hapura. Ai thotë se ruajtja e kuotave gjinore mund të bëhet nëse ka vullnet brenda partive politike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:27
Kuvendi miraton emrat e Komisionit për përzgjedhjen e kandidaturave të KQZ-së

Kuvendi vendosi krijimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të shqyrtimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave për organet drejtuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

 Përbërja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për shqyrtimin dhe përzgjedhjen e kandidaturave është si më poshtë:

a) Nga grupi parlamentar i shumicës parlamentare caktohen:

1. Damian Gjiknuri Kryetar (Grupi parlamentar i partisë Socialiste)

2. Alket Hyseni Anëtar (Grupi parlamentar i partisë Socialiste)

3. Adnor Shameti Anëtar (Grupi parlamentar i partisë Socialiste)

b) Nga grupet parlamentare të pakicës parlamentare caktohen:

1. Myslim Murrizi Anëtar (Grupi parlamentar “Demokrat”)

2. Edmond Stojku Anëtar (Grupi parlamentar “Demokraci dhe Drejtësi”)

Ora 13:15
Murrizi: Hapni listat 100 përqind. Mos u trembni për të ruajtur kuotat gjinore, realizohen nëse ka vullnet

 

Në seancën Parlamentare, deputeti Myslym Murrizi u bën thirrje palëve politike për të hapur listat me 100 përqind.

Ai thotë se ruajtja e kuotave gjinore është thjesht një pretekst për të mos hapur listat 100 përqind pasi deputetët kanë frikë nga kandidatet femra se mos dalin përpara.

"Ju mos u trembni për të ruajtur zonjat. Ju trembeni se mos zonjat ju dalin përpara dhe ju humb krenaria false, burrërore që nuk e keni. Po ta keni ju vini në këtë sallë si burra me dy "r". Lërini zonjat të kandidojnë se kanë kuotën e tyre. Tirana ka 35. 12 zonja të jenë nga PD e PS. Të jeni të bindur që treçerekun e zonjave të kësaj salle femrat e mundin. Ju që ju dhimbset lista e zonjave doni të mbani disa burra-femra në atë parlament. Mos u tallni me shqiptarët. Të hapim 100 përqind listat. Ta implementojmë të plotë kushtetutën në Kodin Zgjedhor. Në këtë sallë mos të vinë njerëz deputetë pas fustaneve të grave. Bëni sikur ziheni ditën dhe bëni marrëveshje natën. Hajde t'i hapim 100 përqind. Ato zonja që janë dinjitoze, do vijnë këtu. Komisionerët i keni firmosur." - tha Murrizi

Ora 11:45
Balla: Të hapen hetimet për Gërdecin, Shkëlzen Berisha i përfshirë në krim shtetëror (VIDEO)

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla nga foltorja e Parlamentit u shpreh se çështja e Gërdecit duhet të rikthehet sërish në vëmendjen e drejtësisë shqiptare.

Ai tha se drejtësia amerikane konfirmoi përfshirjen e Shkëlzen Berishës në këtë ngjarje, ndaj Balla e quan këtë krim shtetëror.

Balla i bën thirrje SPAK-ut që të nisë menjëherë hetimet.

"Duhet rihapur hetimi dhe për masakrën e Gërdecit pas konfirmimit nga drejtësia amerikane se Shkëlzen Berisha është një prej personave të përfshirë në atë fatkeqësi dhe krim shtetëror por përpara se të ngrini akuzën përpara ministrave të kësaj qeveria, të paktën keni detyrimin të shikoni dhe të bëni një hulumtim të çështjeve që kanë çuar në atë situatë të vështirë të kompanisë armene" - tha Balla.

 

Ora 11:25
Balla në parlament: Transparencë për pronësinë e medias! I bindur që portali i Berishës sot do ketë arsye për të prodhuar 'Fake News' (VIDEO)

Duke folur nga foltorja e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla foli për domosdoshmërinë e transparencës për pronësinë e medias. Ai mori shkas për ato që i konsideroi "Fake News" lidhur me makinën e ministrit Lleshaj.

Balla tha se është i bindur që portali i Shkëlzen Berishës do të prodhojë lajme të rreme ndaj kërkoi transparencën mbi pronarët e mediave.

"Edhe pse Kuvendi gjatë viteve të fundit që ka bërë ndryshime në kodin penal. Dje kemi pasur një rast të përsëritur. Janë zjarre që vendosen nga njerëz të papërgjegjshëm. I bashkohem thirrjes së deputetit Roshi, jo vetëm institucionet brenda policisë së shtetit për dhe shërbimi informativ shtetëror përgjegjësitë që i takojnë. Jam i bindur që portali i Shkëlzen Berishës, Syri.Net apo i dhëndrit të Sali Berishë, Jeta është pa qejf, do kenë shumë arsye për të prodhuar lajme sot dhe se u prek çështja e medias këtu. Shqipëria e ka të domosdoshëm transparencën e pronësisë së medias. Duhet të ketë të publikuar zyrtarisht se kush është pronari. Kush janë gazetarët që shkruajnë lajme fake. Dy mediat që përmenda më lartë, mjafton të pyesësh se si financohen këto dhe do kuptosh qartë se si fabrikohen këto lloje mediash e lajme. Meqënëse pati një shkëmbim replikash. Përpara se të ngrini gishtin e akuzës për një lajm të caktuar, bëni mirë që të drejtoheni zyrtarisht. Nëse doni informacion mbi makinën e ministrit të brendshëm apo çdo zyrtar i këtij shteti dhe shkruani 2 gisht letër e drejtohuni zyrtarisht." - tha Balla.

Ora 10:55
'Ministri ecën me makinë 100 mijë euro'? Lleshaj sfidon deputetin: Jap dorëheqjen nëse vërtetoni që kushton aq (VIDEO)

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka bërë një replikë me deputetin Andi Përmeti, i cili e akuzoi se nuk ka sqaruar publikun në lidhje me makinat e shtrenjta me të cilat qarkullon, por ka zgjedhur të sulmojë mediat që e kanë nxjerrë një lajm të tillë.

Në kundërshtim të deklaratës së deputetit Përmeti, Lleshaj tha se ai ka vetëm një makinë tip "Honda" të vitit 2010. Më tej ministri i Brendshëm sfidoi deputetin, duke i thënë se makina është e ministrisë dhe kushton 49 mijë euro, nëse kjo nuk është e vërtetë atëherë Lleshaj tha se do të japë menjëherë dorëheqjen. Ai tha gjithashtu se nëse makina nuk kushton 100 mijë euro siç thotë Përmeti, atëherë ai duhet të japë dorëheqjen.

"Media që ju i referoheni nuk e meriton emrin, pasi ka bërë mashtrim publik.

Po bën prej disa ditësh mashtrim publik  duke thënë se Sandër Lleshaj ka blerë makinë 100 mijë euro.  Unë kam vetëm një makinë tip "Hoda" të vitit 2010.

Ju sfidoj se nëse ai mjet nuk kushton 49 mijë euro unë jap dorëheqjen këtu, nëse nuk ka kushtuar 100 mijë euro atëherë jepni dorëheqjen ju", tha Lleshaj.

Ora 10:54
Protestat e naftëtarëve të Ballshit, Hajdari: Qeveria dhe opozita heshtin, disa jetojnë si sheik, ndërsa punëtorët kërkojnë pagat (VIDEO)

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, deputetja Rudina Hajdari ka folur për protesta e naftëtarëve të Ballshit, të cilët kërkojnë pagat e tyre. Hajdari ka deklaruar se është një turp për politikën shqiptare që hesht, ndërkohë që ata punëtorë po kërkojnë pagat për të mbajtur familjet e tyre. Në fjalën e saj, gjithashtu Hajdari përmendi se një grup të pangopurish që e kanë lënë vendin me 900 milion euro borxh jetojnë si sheik, ndërsa punëtorët që kërkojnë pagat procedohen.

Hajdari ka vënë në dukje edhe heshtjen e opozitës jashtë parlamentit, e cila si gjithmonë hesht përpara fenomeneve të tilla, ku një grup punëtorësh kërkojnë të marrin jo më shumë, por vetëm pagën për djersën e derdhur në punë.

"Njerëz të palodhur që nuk paguhen, nga ana tjetër kemi disa njerëz që janë të pangopur, kanë marrë këtë pasuri e kanë shfrytëzuar dhe e kanë futur vendin në gropë. Dua të përmend naftëtarët e Ballshit që janë njerëz me dinjitet janë kthyer pa dinjitet  se nuk ka kush ti mbrojë, deputetët heshtin, qeveria hesht, por edhe një opozitë që është jashtë parlamentit edhe ajo hesht dhe kjo është skandaloze. Më përpara dhe pse ishte një biznes i korruptuar prapë i sillte fitim shtetit. Që kur arma u privatizua, që në kohën e Berishës, e ka çuar vendin në gropë.

Ata me të drejtë kërkojnë rrogat e tyre, e kanë lënë me 900 milion euro dollarë borxh këtë vend. A ka ndonjë procedim për këta persona nuk paguajnë punëtoret. Me kohë këta naftëtarë dalin në rrugë për të protestuar. Një grup të pangopurish që jetojnë si sheik,  ndërsa ata që kërkojnë pagat procedohen. Sot ne heshtim përpara atyre që kërkojnë pagat. Ky lloj sistemi duhet të shkallmohet", deklaroi  Hajdari.

Ora 10:38
Klosi interpelancë me opozitën: Liqeni i Prespës destinacion tërheqës, 110 mijë turistë në vit, kanë zbutur varfërinë në zonë (VIDEO)

I thirrur në interpelancë nga deputeti Vasil Sterjovski në Kuvend, Ministri i Turizmit Blendi Klosi foli mbi investimet në Bashkinë e Pustecit e veçanërisht në Liqenin e Prespës.

Nga foltorja e Parlamentit, Klosi shprehet se këtë destinacion e vizitojnë mbi 100 mijë turistë dhe sërish kapacitetet e vendosura me bujtina nuk janë të mjaftueshme.

Sigurisht ai nuk e mohoi as faktin se për të mirëmbajtur liqenin e Prespës duhet të angazhohen edhe shtetet të cilat i kap sipërfaqja e saj.

"Dëshira për natyrën dhe kujdesi ndaj saj është parësore. Liqeni i Prespës lag disa shtete disa vende e kultura. Është një nga ata momentet që bashkon kaq shumë kultura dhe histori. Kemi investuar për ta kthyer Liqenin e Prespës në një destinacion vërtetë tërheqës. Vitin e kaluar ishin 110 mijë turistë që kanë vizituar Prespën. Këto dhjetra e qindra mijëra turistë kanë ndikuar në zbutjen e varfërisë në atë zonë. Thelbi i bisedës është sa industria e turizmit do ndikojë në ekonominë e familjeve shqiptare. Ka disa bujtina dhe guesthouse. Ka mbi 100 shtretër në atë liqen por ka më shumë kërkesa se kaq. Në vendin e BE-së që lag ky liqen, 1 mijë metra është larguar parkimi. Ngrohja globale dhe ngrohja me 2 gradë temperatura na bën që të shqetësohemi. Festa e dimrit këtë vit ishte mjaft e ngrohtë. Nuk kishte më borë që të kthehej në liqen. Po kërkon të ndryshojë krejtësisht mentalitetin e funksionimit të atij territorit. Një objekt i vetëm nuk vlen aq sa do të vlente mirëmbajtja e Prespës. Jeni i ftuar në zyrën time në Ministrinë e Turizmit dhe tju shpjegoj më gjerë mbi investimet e bëra në këtë rajon. Disa nga ndërhyrjet që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, kisha. Trajtimi i ujrave të zeza në Pustec. Për kanalizimin e ujrave të zeza. Po punohet për mbështetjen e banesave, trajnimin  e personave që do të punojnë në atë projekt" - tha Klosi

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

DASH e cilëson 'retorikë të papërgjegjshme' kërcënimin e Medvedevit ndaj NATO-s

DASH e cilëson 'retorikë të papërgjegjshme' kërcënimin e Medvedevit ndaj NATO-s