Të gjithë iu shmangën protestuesve që qëndronin në hyrje të parlamentit, por brenda sallës së seancave plenare, të shumtë qenë deputetët që nxituan të marrin fjalën për të diskutuar interesin e protestuesve.
Demokratët, ishin penduar për bojkotin, por jo për kërkesat e tyre, pasi që në nisje kërkuan që nismat e tyre ligjore, që reflektojnë kërkesat e protestës, të merren parasysh.
“Ka një muaj që janë dorëzuar amendamentet, të cilat protesta më e fuqishme pas viteve ‘90 rinore qytetare kërkon të anulohen. I injoroni sikur nuk ekzistojnë”, tha Sali Berisha.
“Bëni sipas qejfit tuaj, i hiqni e fusni ç’të doni nga rendi i ditës. Ky është cenim i parlamentit. I trajtoni ca të nënës, ca të njerkës”, tha Gazment Bardhi.
“S’mund të ketë dy standarde e duam integrimin për ligjin e të drejtës së autorit, por jo për investimet strategjike apo zonave të mbrojtura”, tha Jorida Tabaku.
Por, Taulant Balla dha lajmin se ligji i ri për investimet strategjike është rrugës për në Kuvend.
“Jemi duke punuar për një ligj të ri për investimet strategjike. Se kur votohet nuk e vendosni dot ju, të paktën jo deri sa të keni 71 mandate”, iu përgjigj Balla.
Në debat me deputetët e partive të vogla, Taulant Balla e bëri të qartë se dialog nuk ka me ata që kamuflohen si protestues në bulevard, por që përfaqësojnë interesat e opozitës.
“Jam i bindur që as ua merrte mendja se do të vinte kjo ditë në mes të vapës, Botërorit, të sharave të Ramës dhe Taulantit që nuk lë rast pa i quajtur sorra. Protestuesit e kanë kuptuar që s’është sprint, por maratonë”, tha deputeti Redi Muçi.
“Vazhdoj të të quaj një sorrë, edhe Gonen, edhe Lalpin, edhe bufin. Më jeni dukur si ajo miza te bishti i kalit, ndërkohë që respektin ndaj flamingove s'ma ndryshon dot ti. Ndaj flamingove që e braktisën llumin e kënetës, ku filluan të kakarisin vetëm bufi dhe sorrat, ne jemi të gatshëm të dialogojmë me flamingot që e braktisën llumin, për të gjitha shqetësimet e tyre”, tha Balla.
Sali Berisha u detyrua të ndërpresë bojkotin dhe të rikthehet në seancat plenare pasi disa deputetë demokratë dolën kundër vendimit të tij për bojkot.
Gjatë seancës së sotme parlamentare, Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla iu rikthye thumbave ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe datëlindjes së tij.
Balla tha se Berisha figuron i lindur më 1 korrik 1944 në dokumentet zyrtare, ndërsa prej vitesh feston 15 tetorin, datë që sipas tij është zgjedhur pasi bie një ditë para ditëlindjes së Enver Hoxhës.
“Ka edhe nga ata që kanë ndërruar datën e ditëlindjes, por nuk po i hyjmë kësaj historie. Ta urojmë në korrik apo në tetor, kur e kishte një ditë para diktatorit? Shqipëria i ka këto, sepse kështu ishte gjendja civile”, tha Balla.
Ditëlindja zyrtare e Berishës është 1 korriku i vitit 1944, një datë që figuron në pasaportën e tij dhe në rregjistrin themelor të shtetasve dhe në listat e votimit. Edhe në regjstrin themelor te regjistruar ne Vicidol në vitin 1950 rezulton se Sali berisha ka lindur me 1 korrik 1944. Por, ai prej vitesh feston 15 tetorin si ditëlindje të tij duke pretenduar se babai zbriti nga fshati në Tropojë për herë të parë në tetor dhe vetëm atëhere arriti ta regjistronte në gjendje civile.
Por sipas Ballës, i cili prej vitesh e akuzon Berishën për këtë çështje, e vërteta se kreu i PD-së zgjodhi 15 tetorin si ditelindjen e tij dhe e festonte në mesnatë për të qenë në sinkron me Enver Hoxhën.
Me nota të forta ironie, Saimir Korreshi iu drejtua Niko Peleshit si “shoku kryetar” disa herë derisa kryeparlamentari ia ktheu se Kuvendi s’është festival folklorik. Më pas, deputeti iu referua rregullores së Kuvendit duke thënë se nëse është letër higjienike, të paktën ta kishin bërë më të hollë.
Peleshi ia ktheu deputetit se jo çdo gjë shpjegohet me shembujt që përdor Korreshi, ndërsa protestuesit në shesh janë edhe kundër fyerjeve që përdor opozita.
Saimir Korreshi: O shoku kryetar! E mira është të mbash edhe një çikë vesh këtej nga salla se për ty po flasim ne, nuk po flasim për muret. O shoku kryetar! Alooo! O shoku kryetar!
Niko Peleshi: Shokun kryetar shko takoje aty ku ke shokët!
Saimir Korreshi: Për ty po flasim ne!
Niko Peleshi: Këtu s’është festivali folklorik.
Saimir Korreshi: Ty po të kërkojmë ne!
Niko Peleshi: Atë ty mos ma drejto mua se unë s’ju drejtohem me ty, ti e emër.
Saimir Korreshi: Kur flasim të drejtohemi juve ju, do juve ju, fort i nderuar dhe i respektuar shoku kryetar, për këtë rregullore se e votuam me pompozitet. Nëse e keni bërë për letër higjienike ta bënit më të hollë se na grric. E para njëherë, na çoni në mëngjes për orë pilafi na çoni në komision. Të premte, në terren prapë. E di juve ju? E dyta, vini këtu dhe na mallëngjeheni, nëse ti na trajton dhe të kanë thënë që jemi punëtorët e tu, juve ju ia fut kot! Kemi ardhur me votat e atyre shqiptarëve që s’janë me juve ju si qiverri. Një nga kërkesat e panegociueshme është kapitulli 27. Edhe fondet IPARD që çdo2 muaj dilni këtu dhe thoni do të hapen, opingat do të hapen! Përrallat me mamadhi që na vijnë nga Europa nuk shkojnë me ne! Nuk mund të mos i kalonit ato 35 amendamentet e opozitës! Marta Kos që mos të bëhet dhallë, të vijë këtu e të mos flasë kundër raportit të PE dhe mos të na tregoni përralla me mbret.
Niko Peleshi: E para, ka disa gjëra që shpjegohen me bostanë, shalqinj, misra e grurë, pro disa nuk shpjehohen dot. Nëse doni mendimin tim, një pjesë e atyre qytetarëve në shesh janë edhe kur ju dëgjojnë ju që mendoni se mandatin jua kanë dhënë si licencë për të nxjerrë nga goja çfarë të doni, të fyeni kë të doni, të shkelni kë të doni dhe t’u jepni shembullin më të keq fëmijëve me fjalorin tuaj.
Kuvendi duhet të pranojë pyetjet e deputetëve të opozitës, i kërkoi Gazment Bardhi Niko Peleshit duke e akuzuar kryetarin se nuk po zbaton rregulloren. Më pas, i tha se s’mund t’ia dërgojnë pyetjet në adresën ku banon pasi s’ia dinë shtëpinë me qira. Për këtë, Peleshi tha se s’ndien turp, por Bardhi shtoi se e ka te kompleksi i “White Rock” në Dhërmi, ku ndodhet vila e fshehtë e Ballukut.
Gazment Bardhi: Kemi që në mëngjes që në përputhje me rregulloren, deputetët e grupit parlamentar tentojnë të depozitojnë pyetje dhe thonë duhet të kishin ardhur 24 orë përpara. Kur afati bie të dielën shtyhet në ditën e parë të punës që është e hëna dhe kemi tentuar të depozitojmë pyetjet. Shtëpinë s’ta dimë se ti jeton me qira, kështu ke deklaruar.
Niko Peleshi: S’e kam për turp.
Gazment Bardhi: S’ke si ta kesh për turp se e ke te White Rock me Belindën. Në përputhje me rregulloren, kur afati bie me ditë pushimi, bie të nesërmen. Keni detyrimin të pranoni pyetjet me shkrim dhe t’ua shpërndani anëtarëve. Zbatoni rregulloren e Kuvendit. Dreqi ta hajë, lexoje njëherë nga neni i parë te i fundit se ngele duke na futur në probleme çdo seancë.
Kreu i PD, Sali Berisha iu përgjigj Taulant Ballës për reformën territoriale. Balla tha se PS synon të zhdukë 20 bashki dhe se sipas tij, Edi Rama urdhëroi deputetët që të vijojnë punën të vetëm pa opozitën.
“Boçi ka bërë përpjekjet më maksimale direkt me Maznikun, apo pengun, edhe me përfaqësues të tjerë që janë të angazhuar të mbështesin këtë proces. E vërteta është se pati një ujdi mes tyre për të zgjatur afatin e komisionit, sikundër kushti për të marrë ekspertizën e Kongresit të Autoriteve Rajonale të KiE është për ne i panegociueshëm dhe është rënë dakord që në fillim. Ishte Rama që urdhëroi pengun e tij të veprojë në mënyrë të njëanshme. Projekti i diskutuar nga ju, shkurton 20 bashki të shpërndara në gjithë vendin, nga Kruja deri në Konispol”, tha Berisha.
Kreu i grupit të PS, Taulant Balla ka replikuar me deputetin Redi Muçi i cili i e ka akuzuar se i ka quajtur protestuesit sorra. Balla, tha se sorra vazhdon të quajnë Agron Shehajn, Adriatik Lapajn por edhe bufin, duke iu referuar Sali Berishës. Deputeti i PS tha se janë të gatshëm të dialogojnë me “flamingot e vërteta”, ndërsa foli edhe për ligjin për investimet strategjike që do të shfuqizohet.
“Vazhdoj të të quaj një sorrë, edhe Gonen, edhe Lalpin, edhe bufin. Më jeni dukur si ajo miza te bishti i kalit, ndërkohë që respektin ndaj flamingove s'ma ndryshon dot ti. Ndaj flamingove që e braktisën llumin e kënetës, ku filluan të kakarisin vetëm bufi dhe sorrat, ne jemi të gatshëm të dialogojmë me flamingot që e braktisën llumin, për të gjitha shqetësimet e tyre.
Ky është dallimi ynë i madh. Nëse kjo palë këtu u mor peng nga sindroma e Stokholmit, ku i përdhunuari bie në dashuri me përdhunuesin, dallimi ynë i madh me ty, Muçi, është diferenca që dimë të bëjmë.
Jemi duke punuar për një ligj të ri për investimet strategjike. Se kur votohet nuk e vendosni dot ju, të paktën jo deri sa të keni 71 mandate”, tha Balla.
Duke iu kujtuar deputetëve se një ditë më parë protesta para kryeministrisë përmbushi 50 ditë, Redi Muçi tha se ata e kanë kuptuar që është një maratonë. Duke marrë shkas nga Botërori, ai tha se të rinjtë kanë fituar “mbi shkelmat e ish-ëve”, gjë për të cilën mori një përgjigje me humor nga Peleshi. Më pas, Muçi u bëri thirrje kolegëve të japin dorëheqjen dhe të largohen me nder.
Redi Muçi: Dje ishte dita e 50-të e një proteste të vazhdueshme qytetare. Jam i bindur që as jua merrte mendja se do të vinte kjo ditë në mes të vapës, Botërorit, të sharave të Ramës dhe Taulantit që nuk lë rast pa i quajtur sorra. Sado të përpiqesh që këtë luftë të rinjsh ta kanalizosh te llogoret e vjetra, ke të bësh me protestues krejt ndryshe, të rinj e të reja që i përdorin rrjetet sociale më mirë se ti. Nga Botërori mund të themi që puna e të rinjve fitoi mbi shkelmat e ish-ëve. S’po flas për Messi-n, por për ata druvarët që vazhduan. Protestuesit e kanë kuptuar që s’është sprint, por maratonë dhe e kanë vullnetin për t’i qëndruar sepse falë saj do të bëjnë të mundur pengimin e planeve djallëzore të Edi Ramës që në muajin e korrikut s’keni guxuar të kaloni në seancë plenare ligjet shkatërrimtare. Gjatë gushtit, nëse guxoni përsëri të shtrini duart, të rrethoni sërish me tela me gjemba Shqipërinë, përsëri protesta do iu dalë në ballë deri në momentin kur Rama të kuptojë që protesta do ia pamundësojë qeverisjen. Ju si deputetë mund të ikni me nder para këtij mandati duke dhënë dorëheqjen.
Niko Peleshi: Muçi, mos na hapni probleme me Argjentinën.
Deputeti i PD-së, Gent Strazimiri solli në Kuvendi qëndrimet e Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos. Ai tha se edhe BE është kundër ligjit për zonat e mbrojtura.
“Për projektin në Zvërnec mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE dhe ka një sërë ligjesh që duhet të ndryshohen. Para se të nisin protestat, kishim rënë dakord me qeverinë shqiptare që të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe për investimet strategjike.
Nuk është citimi i Berishës, është citimi i shoqes Marta Kos që vjen këtu dhe puth në gushë Edi Ramën. Kjo është kërkesë e BE dhe jo vetëm e opozitës. Nuk bëhet shpjegim vote kur është pro, por kur është kundër Niko” tha Strazimiri.
Kundërshtimi i deputetëve të opozitës për koncertin e Kanye Ëest apo ligjit të investimeve strategjike, tregon arsyen e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit 2025, tha Blendi Klosi. Deputeti u tha se sot axhenda e shqiptarëve është integrimi në BE dhe e ftoi opozitës të bëhej pjesë e më pas të fliste për “ligje që s’i ka kuptuar.”
“Po shpjegohet qartazi pse keni humbur dhe do të humbni. E konsideroni turizmin jo si ekonomi, por si pushime. E konsideroni ligjin e investimeve strategjike si problem, ndërkohë që as nuk e mendoni që është problem. Thoni kërkojmë ne si ata, që s’jeni si ata, përpiqeni të futeni fshehurazi, anulimin e Paketës së Maleve. Bëhuni seriozë. Nuk mendoj se trajtimi i parlamentit hajde, ik ju bën me më shumë kredibilitet. Votoni një herë të vetme që kërkon përafrimin e legjislacionit me BE. Kemi premtuar integrimin dhe sot jemi te kjo axhendë. Bëhuni pjesë e axhendës së shqiptarëve dhe pastaj flisni për ligje që s’i keni kuptuar”, tha Klosi.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku kundërshtoi ndryshimin e rendit të ditës, ku më kërkes ëtë PS u hoq projektligji për “shoqëritë europiane”. Opozita u ankua se Kuvendi nuk fut në rend dite kërkesat e saj, për të diskutuar për protestën. Sipas Tabakut, nuk mund të ketë dy standarde për integrimin europian.
“Ligji i investimeve strategjike për disa nga deputetë është i ri, disa nga ne kanë 10 vite që e kundërshtojnë. Kërkesat tona për shfuqizim shkuan në vesh të shurdhër, ka shpërndarë rreth 80 projekte, 70 për dhënie leje turizmi, ka tërhequr vetëm një investim të huaj. Vetëm ndarje favoresh. Në 2022, ne emër të grupit të PD solla propozim për ta pezulluar atë ligj, sepse shoqëria s’ka përse ti ndajë aeroporti e portet sikur të jenë të nënës e të babës. Është betejë e gjatë, s’mund të ketë dy standarde e duam integrimin për ligjin e të drejtës së autorit, por jo për investimet strategjike apo zonave të mbrojtura. Ose ka një proces integrimi me vullnet të plotë, ose këto gënjeshtra për qytetarët nuk mund të ketë”, tha Tabaku.
Duke iu drejtuar kryeparlamentarit Niko Peleshi, Sali Berisha e quajti “vasalin më të shpifur të Edi Ramës” dhe “armik të egër” të Kushtetutës dhe procesit të integrimit. Gjuha e tij mori përgjigje nga kryetari i parlamentit që i ndërpreu fjalën dhe i tha të mos tejkalojë etikën parlamentare, në të kundërt do të marrë masat.
Sali Berisha: Do të mbetesh në historinë e këtij vendi si vasali më i shpifur i Edi Ramës, si armik i egër i Kushtetutës dhe të drejtave kushtetuese të deputetëve. Si armik i egër i procesit të integrimit të Shqipërisë. Ka 1 muaj që janë dorëzuar amendamentet për amendimin e ligjeve që KE kërkon të anulohen dhe amendohen të cilat protesta më e fuqishme pas viteve ’90 kërkon të anulohen dhe dil përpara...
Niko Peleshi: Nuk ju drejtohem me ti. Mos tejkaloni etikën parlamentare! Mos përdorni epitete! Do t’ju ndërpres sa herë të shkeni rregulloren! Do të marr masa sipas rregullores për të gjithë deputetët që na sjellin këut një lumë fjalësh që nuk na takon ne!
Taulant Balla kërkoi ndryshimin e rendit të ditës për heqjen e projektligjit “për shoqëritë europiane.”
“Lidhet me negociatat, ka edhe disa projektligje të tjera që kanë të bëjnë me kapitullin e 17-të dhe do t’i diskutojmë të plota në seancën plenare të 23 korrikut”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.
Në argumentin kundër, Gazment Bardhi tha se mazhoranca ndryshon rendin e ditës sipas dëshirës duke mos përfshirë projektligjet e iniciuara nga opozita.
“Bëni sipas qejfit tuaj, i hiqni e fusni ç’të doni nga rendi i ditës. I keni futur në kalendarin e Kuvendit si ligje pa datë për seancë plenare dhe nuk pranoni t’i shqyrtoni. Ka nisur puna për çdo projektligj javë më vonë të propozuara nga deputetët e opozitës. I merrni në shqyrtim në komisione, ndërkohë 4 iniciativa të deputetëve të opozitës nuk i trajtoni. Ky është cenim i parlamentit. I trajtoni ca të nënës, ca të njerkës. Meqenëse hoqëm për hatër të integrimit, të fusim për hatër të integrimit 4 projektligje që kjo seancë, ky parlament të kthehet në normalitet”, tha Bardhi.
Propozimi i Ballës për ndryshimin e rendit të ditës u miratua.
Komente










Zoti kryetar ky koreshi kujton se eshte duke vjel shaqi e bastano ne arat e lushnjes duhet ta cani tek portokallia ne sezonin e shtatoritse vetem per humour eshte te zevendesoje policin apo rolin e lushnjarit
PërgjigjuPadër Gjakmarkaj! Me 700000 mij votues që ti pretendon do ishit shëm më tepër deputet po ju keni matematiken e Lulit.
Përgjigju