Me 75 vota pro, miratohet akti normativ për kompensimin e çmimeve për materiale ndërtimi, Ministrja: Paketë anti krizë, përfitojnë 300 kompani! Duma: Gënjeni, publikoni fituesit! Favorizoni miqtë e Ramës

TIRANË- Me 73 vota pro, 33 kundër dhe 1 abstenim, është miratuar në Kuvend akti normativ për kompensimin e çmimeve për materiale ndërtimi.

Ky akt ka sjellë debate mes opozitës dhe maxhorancës në Kuvend. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka prezantuar aktin dhe e cilësoi si një hap të nevojshëm për situatën në të cilën ndodhet vendi, pasi nuk mund të lejojnë që ekonomia të ngadalësohet. Ministrja tha se ky akt është pjesë e paketës anti-krizë, ndërsa shtoi se do të përfitojnë 300 kompani ndërtimi, të cilave do tu kompensohet 5-30% e materialeve të ndërtimit.

Ministrja shprehet se ta mbështesin sektorin e ndërtimit pasi muajt e fundit ka pasur ngadalësim, duke theksuar se qeveria duhet të garantojë rritje ekonomike. Sipas Ibrahimajt, ngadalësimi në sektorin e ndërtimit prek investimet në infrastrukturë por edhe procesin e rindërtimit, prandaj duhet ndërhyrë pasi rindërtimi është prioritet.

Ky akt u kundërshtua në bllok nga opozita, e cila thotë se akt favorizon oligarkët që qëndrojnë pranë kryeministrit Edi Rama. Deputetët demokratë kërkuan që qeveria të bëjë publik listën e 300 kompanive që do të përfitojnë kompensim. Grida Duma akuzoi qeverinë se nuk janë 300 komani, por një grusht ndërtuesish që do të favorizohen nga qeveria, por ministrja Ibrahimaj tha se nuk është e vërtetë.

Demokratët insistuan që në këtë kohë krize, qeveria duhet të mbështesë kategori të tjera, si bizneset në nevojë e pensionistët, pasi nuk përballojnë dot rritjen e çmimeve dhe jo të favorizonte më të pasurit që tregun e kanë të siguruar.

Zv.kryeministri Arben Ahmetaj tha se nëse do të jetë e nevojshme do të miratojnë një paketë tjetër në vjeshtë për përballimin e krizës.

Nga ana tjetër, opozita thotë se ky akt favorizon kompanitë që nuk i kanë përfunduar punimet në kohë, duke shkelur afatin kohor të kontratës. Sipas tyre, këto kompani në vend se të penalizohen se nuk kanë kryer punimet sipas kontratës do të kompensohen nga qeveria.

Por për deputetin socialist Erion Braçe ky akt ishte i nevojshëm pasi duhej të niste puna në kantier dhe ekonomia t’i rikthehet normalitetit. Braçe ka krahasuar qeverinë e Edi Ramës me atë të Sali Berishës, ku tha se ky i fundit në kohën e krizës në vitin 2008-2009 nuk i mbështeti kompanitë, por i përplasi kompanitë në dyert e bankave për të marrë kredi pasi i detyroi për të plotësuar kontratat që kishin me qeverinë.

Sipas aktit normativ, rreth 300 kompani do të përfitojnë 5-30% kompensim për çmimin e rritur të hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastike, aluminit, bakrit dhe zinkut deri në përfundimit e situatës së krizës të shkaktuar nga situata globale ekonomike për shkak të rritjes së çmimeve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:31
Korreshi: S’ka më erë bagëti në fshat, por vetëm hashash! Na rroftë që kemi shqyer sytë duke mësuar, se vijnë çunat e Londrës me 2 mln euro, ata me jahte ne me kamerdare

 

Deputeti demokrat, Saimir Korreshi ka folur për situatën në blegtorisë dhe bujqësisë në vendin tonë, teksa ka dalë hapur edhe kundër aktit normativ për amnistrinë fiskale.

“Ka ikur akoma karakteristike e bagëtive, ka vetëm aromë hashashi, ku janë lopë. Kush i ka, kush i mban, 7 mijë lekë është dengu i barit, u trumbetua se 97% e produkteve bujqësore a ku do unë vinte nga vendi, ne po hamë djathë me niseshte, sot fshatari po blen  qumësht në fshat. Na vjen keq që kemi studiuar, e kemi shquar sytë, kemi ndërruar 7 herë numrin e syzeve. Bëhemi si ato çunat e Londrës me 2 mln euro. Ke frikë të shkosh në jug se s’të thotë ti çuni i shalqinjve dil këtej, se nuk je si çunat e Londrës, ato me jahte ti me kamerdare zinzi”, tha Korreshi.

Ora 18:12
Miratohet akti normativ për Kompensimin e çmimeve për materiale ndërtimi

Miratohet akti Normativ që I hap rruge kompensimit nga shtetit të 300 kompanive të ndërtimit që kanë projekte publike.

  • 109 në votim
  • 75 pro
  • Kundër 33
  • 1 abstenim
  • Akti miratohet
Ora 18:04
Kompensimi i çmimeve për materialet e ndërtimit, Kryemadhi kundër aktit normativ: Kush do i kontrollojë faturat e rimbursimit

 

Në fjalën e saj në Kuvend, Monika Kryemadhi renditi disa nga arsyet që sipas saj nuk është dakord me aktin normativ për rimbusimin e çmimeve për materialet e ndërtimit, pasi kjo gjë duhej të bëhej edhe për sektorë të tjerë, jo vetëm për ndërtimin. Kryemadhi tha se dyshimi nis nga fakti se kush do i kontrollojë këto fatura të rimbursimit. Sipas saj Rama po përdor një skema të evazionit fiskal sa i takon amnistisë fiskale.

‘Në pamje të parë kur e shohim Aktin Normativ e sheh dhe mendon se jetojmë një Danimarkë, në një shtet demokratik, pasi në kushtet kur thotë se çmimi i hekurit apo i çimentos është rritur për shkak të luftës. Do të ishte mirë që kjo gjë të bëhej dhe për sistemin arsimor, për shëndetësinë, për pensionistët dhe firmat e ndërtimit, që të bëhej një amendament i tillë për të subvencionimin e bizneseve. Por dyshimi nis; kush do të kontrollojë faturat?! Nga eksperienca ime, siç e kam thënë dhe për inceneratorët. Këto kompani kanë blerë sheqer dhe kripë dhe kanë shitur zhavorr dhe beton. Ka tre grupe që nuk e përballojnë dot tatim/fitimin, shmangin TVSH, ka një grup tjetër që fitojnë koncesione me 40 mln euro km dhe bëjnë fatura të fryra dhe marrin rimbursim të TVSH. Janë dhe kompani të tjera që janë të lidhura me inceneratorët. Faktet do të jenë shumë shpejt pranë mediave. Këtu janë 9 kompani që janë të lidhur bashkë dhe drejtohen nga familja Ymeraj dhe Frangaj.

Dhe unë ngre dyshimin. Kush është mekanizmi kontrollues i këtyre faturave? Skema e evazionit fiskal, ku ministret janë të detyruara të gëlltisin këtë lugë, është skema që ka përdor Edi Rama, skema që ai përdor për të blerë çdo institucion, shtetëror, publik, mediatik dhe financiar. Evazion i pastër fiskal, pa llogaritur se çdo të ndodhë me kompanitë. Shqipëria nuk ka nevojë për amnisti fiskale, por për formalizimin e tregut, që fillon që tek oligarkët e ushqimeve, që iu shesin fatura kompanive me dy punonjës. Këto miellin dhe sheqerin e shesin te kompanitë e inceneratorëve, etj. Ndaj ky akt normativ është mbulesë e asaj grope të zezë të helmatisur e me sëmundje.’- tha Kryemadhi.

Ora 17:47
'Rama po i’u përdor si Gaddafi 12 badigardët e tij', Spiropali-Berishës: Ti e çove djalin e preferuar me flokë të lyer te diktatori

1656598519_Screenshot4.jpg

Në sallën e Kuvendit, Sali Berisha e krahasoi kryeministrin Edi Rama me Gaddafin, ish udhëheqësin e Libisë, kur tha se kryeministri shqiptar po përdor zonjat ministre për të pastruar imazhin e tij.

“Të mos ju përdorë asnjëherë Edi Rama për imazhin e tij. Se edhe Gaddafi mbante 12 badigarde, por Gaddafi Gaddaf mbetej. Edhe Rama hajdut ishte dhe hajdut mbetet. Le të marrë jo 14 gra, por 36 dhe ti bëjë ministre përsëri është hajdut, nuk e shpëlani dot ju atë”, tha Berisha.

Përgjigjen ia dha ministrja Elisa Spiropali.

“Ky akt normativ nuk i shërben një grushti biznesmenësh. Janë 300 kompani ndërtimi që punojnë përditë. Përmendi këtu Gaddafin, po te Gaddafi çove djalin e preferuar Sali, e cove te ato lëkundëset. E gjesdisje me flokë të lyera, të kthyera mënjane. S’ka më këtu as Gaddaf, as sjellje gaddafore. Ska më sëmundje të tilla këtu, e morët përgjigjen në 2013. Pushteti u duket shumë i largët dhe prandaj bërtisni edhe më fort”, tha Spiropali.

Ora 16:40
Ekonomi: Rama është brend ndërkombëtar! Berisha: Edhe ata Gaddafit i thonin ylli i Saharasë

1656606993_berisha.jpg

Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi, nuk është tërhequr nga lavdet e bëra ndaj kryeministrit Rama, të cilin e cilësoi si një brand ndërkombëtar.

“Në fakt të gjithë e dimë që brandi është term shumë i rëndësishëm në marketing, pavarësisht nëse brandi është tregtar apo politik. Ai që është brend do të marketojë ndryshe një cilësi të asaj që përfaqëson. Dhe zoti Rama është pikërisht ai që di të marketojë ndryshe një cilësi të popullit shqiptar. Është një brand ndërkombëtar. Ajo që ka arritur Shqipëria në arenën ndërkombëtare sot është e panjohur më përpara, prandaj edhe trembeni ju. Është ndryshe nga çdo herë tjetër. Në çdo detyrë që që kemi marrë në arenën ndërkombëtare, kemi dalluar në këto vite. Mos harroni sa mirë që u menaxhua kryesimi i OSBE-së, mos harroni zërin që kemi sot në NATO. Ka një arsye pse zoti Rama është brand ndërkombëtar, nuk e ç’bëjmë dot këtë se e shikojmë ne, e shikojnë dhe partnerët ndërkombëtarë”, tha Ekonomi.

Përgjigja ka ardhur direkt nga Sali Berisha.

“Kjo është e qartë se vetëm vidhet, por kam dy përgjigje, lidhur me vizitën e ish ministrit të jashtëm në Libi dhe takimin me Gaddaf është ai që më tha se çadra e tij rrethohen nga 12 gra. Ai më informoi se siç i thotë Milva , ata i thoni Gaddafit ylli i Saharasë, ndaj mendoj që të mos ndiqni shembullin e tyre sepse ato ai i mbante për funksione mbrojtëse dhe ju keni detyra para qytetarëve dhe jo para atij… Ti i thua brend, ajo i thoshte ylli i Saharasë. Unë nuk them se ky është Gaddaf, por nuk është për tu bërë brend.”, tha Berisha.

Ora 16:38
Berisha: Mungojnë ilaçet për diabetikët, ç’e do krevatin dopio drejtoresha e QSUT në zyrë? Ministrja e Shëndetësisë: E pavërtetë

1656600750_Screenshot1.jpg

Sali Berisha në Kuvend ka lexuar një mesazh sipas së cilit të sëmurëve me diabet u mungojnë ilaçet, ndërkohë që një gjë e tillë është mohuar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Sali Berisha: Prej një muaji insumanrapit dhe insultard mungon dhe jemi pa mjekim, kur ne kërkojmë shtrat dopio në zyrë këto s’të duket gjë, pse u dashka që drejtoresha të porosit shtrat dopio, por fakti që abuzohet në këtë mënyrë, lihen të sëmurët pa ilaçe.

Ogerta Manastirliu: Personi që thotë të pavërtetën shpreson që njerëzve t’u fshihet kujtesa, njerëzit ju mbajnë mend në çfarë gjendje e keni lënë shëndetësinë, është një pavërtetë e madhe, 17 lloje insulinash janë të rimbursim, dhe të gjitha farmacitë që tregojnë barnat me rimbursim, kanë 17 lloje insulinash,  ju ftoj të mos hidhni baltë, për t’u bërë kryelajm se koha juaj ka ikur dhe shyqyr nuk do kthehet më.

Ora 16:32
Trëndafila të kuq në çdo tavolinë të Kuvendit, ja kuptimi! FOTOGALERI

Nëse keni parë trëndafila të kuq në sallën e kuvendit në çdo tavolinë, ato kishin një kuptim të veçantë. E gjithë kjo skenë që ka transformuar sallën e Kuvendit është në kuadër të Javës çame. Në këtë fotogaleri do të shikoni atë që nuk është parë në kamera nga Kuvendi.

Ora 16:30
Spiropali-Dules: A do e stolisni ju protestën e katranit në 7 korrik?

 

Ministrja e Shtetit, Eliza Spiropali, duke iu drejtuar Vangjel Dules, e ka pyetur nëse do të marrë pjesë në protestën e Sali Berishës.

“Do e stolisni ju protestën e katranit që sapo foli, meqë jeni një njohës shumë i mirë i gjuhës. Janë katandisur që gjuhën e kanë kthyer në mjet kriminal të bjerrjes së besimit, jeni kapur pas flokëve të Saliut si i mbyturi që të mbyt, për qytetarët jemi ne këtu që përgjigjemi, as në ditë të bardhë e as të zezë”, tha Spiropali.

Ora 16:25
Berisha: 99% e tenderave jepen me fond limit

1656598519_Screenshot4.jpg

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se nga hetimet që ai ka kryer, rezulton se tenderat fitues janë me 99% të fondit limit, pasi aty brenda përfshihen dhe ryshfeti që marrin anëtarët e kabinetit Rama.

“Kam kohë që hetoj dhe çfarë më rezulton. Tendera me 99% e fondit limit që nuk ndodhte kurrë. Janë paratë që kompania i paguan zyrtarëve. U thonë do të të japë 99% të shumës së fondit limit dhe do më japësh kaq përqind.

A e dini ju që ndërtuesi i vilës së Ikonomit dhe Ramës në Jalë fitoi tenderin me 99% të fondit limit, është vëllai i komandantit të gardës. Fitoi tenderin për rrugët e Korçës.

Po s’është vetëm ky, po Salillari që s’di ku t’i çojë paratë edhe ai me 99% të fiondit limit pa çka se shembi rrugën e Borshit.

S’ka rëndësi se me 99% dalin paratë”, tha Berisha.

Ora 16:11
‘Jep dorëheqjen’, ministrja e Arsimit i përgjigjet Vokshit: Ndryshe nga ti, nuk bëj shou! Kam një muaj që të pres në gjykatë!

1656341056_kuvendi11.jpg

Deputetja Albana Vokshi në një komunikim për mediat tha se këtë të mërkurë ka marrë pjesë në seancën gjyqësore për një padi të bërë ndaj ministres së Arsimit Evis Kushi, për tezat e provimit të maturantëve të cilat u dolën para provimeve.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi i është përgjigjur sot nga foltorja e parlamentit deklaratave të deputetes Albana Vokshi, e cila i kërkoi ministres një ditë më parë të japë dorëheqjen, ndërsa e ka paditur, për nxjerrjen e tezave të provimeve të maturës.

‘Isha në seancë gjyqësore për një padi të ministres Kushi, për denoncimin që kam bërë për nxjerrjen e tezave. Ishte seanca e parë që quhet seanca pajtuese, por ministrja Kushi nuk ndodhej.’, tha Vokshi.

Ministrja e Arsimit thotë se ajo nuk ishte e pranishme  pasi ndodhej një një samit në Paris.

"Znj. Vokshi dje bëri një deklaratë para gjykatës, duke vazhduar të kryejë të njëjtën vepër penale, për të cilën e kam thirrur në atë gjykatë. Dje nuk munda t’i përgjigjem sepse isha e ftuar në Samitin e Arsimit në Paris, një event madhështor ku morën pjesë ministrat e 145 vendeve të botës," - tha Kushi.

Kushi tha se në datën 8 prill ngriti një padi ndaj Vokshi ku e akuzoi për shpifje. Dje nuk ishte seanca e parë, siç Vokshi thoshte në deklaratë, por ishte seanca e tretë.

“Kam 1 muaj që e pres në gjykatë. Herën e parë nuk më erdhe,  edhe herën e dytë që isha aty prapë nuk më erdhe me pretendimin që nuk kishe marrë njoftim. Dje për shkak të angazhimit në samitin e Parisit u përfaqësova me avokat, ndërkohë që edhe në dy seancat e para nuk ishit e përfaqësuar nga dikush," - u shpreh ministrja.

Megjithatë, Kushi tha se nuk doli të bëjë shou politik e publik, por po pret vendimin.

"Kam bërë padinë, ju kam akuzuar për shpifje dhe po pres e qetë vendimin e gjykatës, sepse unë i besoj drejtësisë, ndërkohë që ju akuzat i hidhni në facebook. Çojini në gjykatë, dhe pastaj bëni shou me vendimin e gjykatës, por jo pa fakte," - tha ministrja.

Më tej Kushi e ftoi Vokshin të presë qetësisht vendimin e gjykatës, të gjejë argumenta për tu mbrojtur në gjykatë dhe pastaj mund të bëjmë përsëri debate politike.

Ora 16:09
Debati për maturën/ Zhupa: Korrigjuat brenda natës provite që të ndalnit protestat! Kushi: Punojmë ditë natë, tezat janë hartuar me përgjegjshmëri

1656598453_Screenshot1.jpg

Matura ka qenë në qendër të diskutimeve në Kuvend ku ministrja e Arsimit, Evis Kushi është shprehur se teza është hartuar me përgjegjshmëri, teksa iu ktheu përgjigje edhe tyre që kanë hedhur akuza mbi arsyet se përse janë korrigjuar tezat gjatë mbrëmjes, për Kushin ky është një treguar se kjo ministri punon ditë e natë.

“Dua t'u përgjigjem disa nga kolegëve të opozitës. Do ta nis me kolegun Dule që tha ministret stolisin kolltuqet ministrore. Eshtë e disata herë që përdoren shprehje seksiste kur nuk kanë argumente të tjera. E mira është të kërkohet ndjesë por zoti Dule e di vetë se ç’bën. Së dyti u ngritën akuza për maturën shtetërore, këtë vit më shumë se kurrë jemi angazhuar jo vetëm në Ministrinë e Arsimit por në të gjitha institucionet arsimore.

Është punuar që në shtator më pas kemi zhvilluar takime e trajnime me mësuesit e maturantët. Testet janë hartuar nga mësuesit më të mirë me përvojë të gjatë, teste brenda programit dhe pa gabime. Respektonin nivelet e vështirësisë. Nuk mund të jenë testet shumë të thjeshtë, sepse nëse janë penalizohen maturantët e mirë. Testet janë hartuar me përgjegjësinë më të lartë. Ju hidhni akuza pse u korrigjuan gjatë natës. Jemi mësuar të punojmë ditë e natë. Ju duhet të ishit të pakënaqur nëse do të ndodhte e kundërta. Dalja e tezës, nuk jemi krenarë që pani nis provimi del testi. Kjo nuk është mirë por ne në fakt kemi 31 mijë maturantë dhe 7 mijë mësues të angazhuar në proces. Kemi marrë të gjitha masat por teknologjia është përmirësuar dhe është e vështirë që në kaq shumë të mos shpëtojë ndonjëri”, tha Kushi.

Ajo shtoi se do të merren edhe masat që tezat të mos dalin, edhe pse thekson se kjo është tepër e vështirë në kohën kur ka avancuar kaq shumë tekonologjia.

 “Por që testi del nga brenda jashtë kjo nuk shkakton një diferencim të maturantëve apo ulje të cilësisë së provimit apo korrigjimit. Ne do marrim masa dhe për këtë por ju siguroj që është shumë e vështirë, është tepër e vështirë sot teknologjia ka arritur atje sa ne as nuk i parashikojmë dot se ku mund të ketë ndonjë mësues apo maturantë ndonjë aparaturë që fotografon testin”, tha Kushi.

Mirëpo, deputetja demokrate Ina Zhupa tha se tezat u korrigjuan gjatë natës me qëllim që të shmangen protestat, referuar këtu daljes së notave të biologjisë menjëherë, pak orë para protestës së paralajmëruar e cila më pas u anulua.

“Nuk je duke i bërë mirë sistemit, sistemi është shumë i thjeshtë, që ata mësues t’i trajnoni, t’i paguani, të bëni teste brenda programit, dhe nuk ëhstë mirë që çelësi i përgjigjeve të dalë përpara në rrjetet sesa ta publikoni ju, dua të jem aleatja juaj dhe jo kundërshtarja juaj”, tha Zhupa.

Ora 14:54
Kompensimi i kompanive të ndërtimit, Salianji: Favorizon oligarkët që Rama ua ndan buxhetin çdo vit

 

Opozita ka kundërshtuar në bllok aktin normativ për kompensimin e çmimeve të materialeve të ndërtimit. Edhe deputeti demokrat Ervin Salianji e konsideron një akt që favorizon oligarkët.

“Kanë prioritet të ndihmojnë një grusht oligarkësh që e kanë shqyer Shqipërinë dhe e ndajnë buxhetin e shtetit në mënyrë të përvitshme. Janë të njëjtin oligarkë që marrin para nga taksat e shqiptarëve dhe i kthejnë kulla në Tiranë. Një pjesë e madhe e tyre janë ata që donin të ndihmoi për të pastruar para, nisma me amistinë për të gjithë këtë kategori. A duhet të penalizoheshin kompanitë që nuk i kanë kryer punët në afat. Në vend që të penalizohen këto favorizohen duke iu dhënë para shtesë. Për të kuptuar se cili është realiteti, shikoni për çfarë bëhet diskutimi publik, një diskutim se iu kanë humbur lopët. Këtu kanë ikur 500 mijë njerëz. Këta bëjnë sikur nuk shohin dhe shqetësimi ë i madh qenka se ka rënë numri i lopëve.

I nisin me 50 mln rrugët dhe iu shkojnë 180. Prandaj është e pamundur, jo se nuk ka para Shqipëria, paratë që nuk i jep nga xhepi qeveria që ia ka marrë nga rritja e çmimeve, ua zhvat qytetarëve,  nuk i shpërndan në mënyrë të drejtë, nuk ndihmon qytetarët, bizneset në nevojë. Nëse do kishte favorizim që do prekeshin punëtorët do e votonin pro. Më të pasurit që janë bërë të pasur në kurriz të mijëra qytetarëve se kanë lidhje me qeverinë t’iu japim dhe ca para më shumë. Kjo është politikë zhvatjeje hapur me ligj, pa pikë turpi bëhet sikur po ndihmohet ekonomia, kut të gjithë tjerët nuk përballojnë dot çmimet e naftës. Një pjesë e madhe po i bëjnë pastrim po këto kompani”, tha Salianji.

Ora 13:53
Tabaku: Keni nisur kompensimin e kompanive pa miratuar aktin, i shërben vetëm oligarkëve! Ministrja: Gënjen, s’është dhënë asnjë lek

 

Deputetja demokrate Jorida Tabaku akuzoi qeverinë se ka nisur kompensimin e kompanive të ndërtimit pa miratuar aktin normativ. Sipas saj ky akt i shërben vetëm oligarkëve të cilët ia kërkojnë qeverisë këto ligje.

Tabaku tha se abuzimi më i madh në këtë akt është kompensimi i kompanive që kanë pronar persona të shpallu në kërkim për trafik droge. Tabaku ngriti të njëjtin shqetësim si deputeti demokrat Arbi Agalliu, që nga ky akt amniston kompanitë të cilat kanë vonuar investimet publike, që në fakt parashikohen penalitete me gjobë, por sipas Tabakut qeveria do ti kompensojë.

“Kanë bërë një akt ligjor të paligjshëm që duhej ta kalonin në procedurë normale, ka hyrë në fuqi ndërkohë që kanë filluar ti paguajë këto kompani. Vonesa në përfundimin e veprave shoqërohet me penalitete. Me këtë akt po amnistojnë kompanitë që kanë pasur vonesa në punime. Në Shijak duhet të ishin ndërtuar 212 janë ndërtuar vetëm 15% e vlerës. Po i amniston këto, po i japin 80 mln euro që s’kanë bërë punën. Në Vorë 70 apartamente nga 405, po i japin 80 mln euro, po i amnistojnë se nuk kanë bërë punën. Kaq e gjithë bashkë është e gjitha paketa që ka ardhur në ndihmë të ekonomisë.

Kanë lidhje me qeverinë, kam denoncuar tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, shtesat te rruga e Arbrit. Abuzimi më i madh është për kompanitë që kanë pronar persona në kërkim, persona të hetuar gjykuar për trafik ndërkombëtar droge. 18.6 mln euro janë dhënë për kom që janë në hetim nga prokuroria, kujdeset që atyre tu sigurojë përfitime. Akt në shërbim të oligarkëve.  Oligarkët paguajnë qeverinë për të kaluar akte. Kjo është kapja e shtetit, kompani kërkojnë mbështetje e sjellin këtu rritje buxheti për to. Bëjmë një akt qytetar nëse në votojmë kundër të këtij akti”, tha Tabaku.

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha se nuk është e vërtetë që ka nisur kompensimi për kompanitë e ndërtimit. Ajo theksoi se deri më tani asnjë kompani nuk ka marrë para, ndërsa tha se nuk janë një grusht oligarkësh që përfitojnë, por 300 kompani.  

“Asnjë kompani nuk është kompensuar, kishim nxitim se duhej të fillonim kompensimin. Nuk janë një grusht oligarkësh, janë pjesa më e mashe e bizneseve në sektorin e ndërtimi, janë 300 biznese që janë kontraktuar ose kanë kontratë aktive. Kemi mbështetur të gjithë ata sektor që po ndikohen nga kriza, duke u munduar që qeveria të ndajë kostot me subjektet në mënyrë që ekonomia të mos ngadalësohet”, tha Ibrahimaj.

Ora 13:21
Ministrja e Bujqësisë: 5 muajt e parë të vitit kanë qenë të mirë për fermerët! Nuk dëgjova njeri të krenohej për punën e tyre

 

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca ka folur në Kuvend për fermerët duke thënë se 5 muajt e parë të këtij viti kanë qenë të mirë për fermerët. Ndër të tjera thotë se nuk dëgjoi askënd të krenohej për raportin e INSTAT pasi është rritur prodhimi i perimeve dhe bimëve mjekësore.

"Agresioni rus në Ukrainë ka goditur rëndë prodhimin bujqësor në botë. Derisa të përballemi me këtë situatë të rritjes së ushqimeve, e kuptojmë nevojën për solidaritet njerëzor e kombëtar. Është barrë që na takon si pjesëtare e aleancës ë NATO-s.

Ministria e Bujqësisë së bashku me atë të jashtme ndjekin dinamikat e furnizimit me ushqime në vend, furnizimin e rregullt të tregut me ditët e muajt në vijim. Prodhimi bujqësor në vend ka vijuar të rritet, prodhimi i grurit ka qenë i mbarë duke qenë edhe më i lartë se ai i vitit të kaluar.

Ministria e Bujqësisë do të inkurajojë rritjen e sipërfaqeve të mbjella me grurë dhe misër. Po ndjekim funksionimin e tregut ku konstatojmë se blerja e grurit prej 50/kg, duhet të kemi parasysh se një pjesë e prodhimit shkon dhe për nevojat e vetë fermerëve. Në publikimin e INSTAT nuk dëgjova njeri të krenohej për punën e fermerëve që prodhimi i perimeve janë rritur me 3.3%, rritjen me 10% të bimëve mjekësore.

Ne presim vijim të këtij trendi prodhimi dhe eksportesh. Ky ka qenë pesë mujor i mirë për fermerët. Blegtoria mbulon mbi 97% të konsumit. Në lidhje me numrat e raportuar, për herë të parë inventarizimi fizik i numrit të krerëve në terren ka filluar të bëhet në fund të vitit 2019. Kemi rritje veterinerësh me mbi 360 veterinerë shtesë.

Vëmë re rritje me 17% të krerëve në fermat blegtorale që kanë nga 10-50 krerë lopë. Kjo dukuri e blegtorisë ka të bëjë dhe me konkurrencën e brendshme për fuqi punëtore", tha Krifca.

Ora 12:49
Dash Sula: Pse të kompensohen kompanitë që marrin fonde publike, 8 prej tyre që do fitojnë i kanë pronarët në kërkim ndërkombëtar

 

Deputeti demokrat Dash Sula tha se nuk është kundër aktit normativ për kompensimin e kompanive të ndërtimit, por ai thekson se nuk duhen kompensuar ato kompani që marrin fonde publike. Sipas Sulës, 8 pronarë të kompanive që do përfitojnë kompensim janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar por aktiviteti i tyre ekonomik vazhdon.

Deputeti demokrat ngriti një denoncim, ku thotë se kullat që po ndërtohen në Tiranë, të Liqeni, 15-katëshi kanë 4-5 kate pa leje, ndërsa sipas tij ndërtuesit janë miq të afërt me deputetët.

“Ky akt nuk është akt gabim, por mënyra sesi serviret, duke pasur parasysh që kjo qeveri nga 1 tetori 2013 deri më tani ka qeverisur me 112 akte normative. Kjo qeveri i bën aktet normative sipas interesave të veta. Nuk jemi kundër se duhet të indeksohen. Po pse të kompensohen kompanitë e ndërtimit që marrin fonde publike, nuk indeksohen qytetarët e thjeshtë që blejnë çdo ditë me çmime të larta. Filozofit që na tregon ministrja nuk janë të vërteta.

U ke dhënë 90 mijë lekë për tre muaj, ua zgjidh hallin pensionistëve? Po ato kompani ndërtimi janë aty që ndërtojë kullat këtu, a e dini ju ministre që çdo katër kate-pesë kate janë pa leje. Këto kulla janë në proces legalizimi për të shmangur taksën 12% të bashkia. A e dini ju qeveritare ca janë ato kulla te liqeni, që janë pa leje. Katër kate pa leje të 15-katëshim te këndi i lojërave te liqeni, ju fusni në burg fshatarët për një avlli. Pjesa tjetër që marrin fonde, vjedhin dhe i pinë gjakun qytetarëve. 8 persona janë në kërkim ndërkombëtar dhe vazhdojnë aktiviteti ekonomi. Janë kulla të personave që kanë lidhje me qeveritarët me politikanët”, tha Sula.

Ora 12:21
Kompensim ndërtuesve në kohë krize, Braçe: Akti i duhur, qeverisja e Berishës i mbyti me borxhe! Të jemi transparentë, ja kompanitë që s’duhet të fitojnë

Deputeti socialist Erion Braçe e ka konsideruar një veprim të duhur aktin normativ për kompensimin e çmimeve të ndërtimit. Braçe ka krahasuar qeverinë e Edi Ramës me atë të Sali Berishës, ku tha se ky i fundit në kohën e krizës në vitin 2008-2009 i përplasi kompanitë në dyert e bankave për të marrë kredi pasi i detyroi për të plotësuar kontratat që kishin me qeverinë. Braçe tha se qeveria në atë kohë shkoi edhe me tej, duke miratuar një VKM që ndalonte kompanitë që nuk kishin plotësuar 70-75% të kontratës të konkurronin në kohë krize, ndonëse ne kohë krize.

Braçe tha se ky akt është i duhuri pasi puna në kantiere duhet të hapet e njerëzit duhet të rikthehen në punë pasi ndrydhe dëmi ekonomik do ishte shumë i madh.

“Më thoni një vend që nuk është në situatë të vështirë, ne jemi në presion të inflacionit është e vërtetë më tregoni një vend tjetër që nuk është në këtë presion. Ka kaluar situata ta vështira, nuk krahasohen me këtë situatë. Në 2008-2009 bota hyri në recesion. Ca bëtë ju e rritët pagën, e rritën pensionet, ndonjë pagesë për pensionistët, ndihmuat kompanitë në vështirësi jo. I vendosët në rresh për të marrë para nga baka për të plotësuar kontratat që kishin me qeverinë tuaj vendosët edhe me VKM që këtyre kompanive pa plotësuar 70-75% të kontratës nuk mund të hyjnë në tendera. Bëtë ndonjë paketë ju, ulët ndonjë taksë ju, zero, asgjë. Ja ku i kam të dhënat përpara. Janë dy situata të vështira që po krahasohemi na nxjerrin si dita me natën. Ca është ky akti, të mos fushës kompanitë në vështirësi likuiditeti për të plotësuar kontrata, nuk po bëjmë atë që bëtë ju që përplasët në dyert e bankave. Ato rrugët që mbarojnë nuk janë në interes të qeverive, por qytetarëve. Padiskutim ky akt është vendimi i duhur për të hapur kantieret, për të kthyer njerëzit në punë se ndryshe dëmi duhet të ishte shumë i madh”, tha Braçe.

Nuk munguan rezervat e Braçes ndaj këtij akti, duke theksuar se procesi duhet të jetë më transparent. Qeveria duhet të publikojë edhe kompanitë fituese, teksa listoi disa kategori kompani të cilat sipas tij nuk duhet të përfitojnë.

“Ky proces ka nevojë për më shumë transparencë, jo thjesht për paradë. Procesi duhet të detajohet të bëhet konkrete, çdo afat, vlera, kompani. Ky akt nuk mjafton duhet një tjetër akt ligjor një VKM që e detajon në zbatim, që bën transparencë. Kompanitë që kanë fituar me 99% të fondit limit nuk duhet kompensuar, kompanitë jashtë afateve kontraktuale nga janari 2020 deri në shkurt 202 nuk duhen kompensuar”, tha Braçe.

Nëpërmjet këtij akti qeveria kompenson ndërtuesit e kontratave publike nga 5-30% për çmimin e rritur të hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastike, aluminit, bakrit dhe zinkut.

Ora 12:01
Fatmir Mediu thirrje Ramës: Bashkojuni SHBA-ve, sanksiononi kompanitë kineze që mbështesin Putinin

 

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, i ka bërë sot thirrje qeverisë shqiptare që t’i bashkohet sanksioneve të marra nga SHBA për kompanitë kineze të cilat kanë mbështetur Rusinë.

"Krahas debateve për cështjet ekonomike Kuvendi të kuptojë strategjinë kombëtare dhe ushtarake dhe si do ta përshtasim. Kërkoj që Parlamenti të vlerësojë faktin se SHBA 2 dite më parë ka vendosur sasskione ndaj disa kompanive kineze që kanë mbështetur Rusinë. Nuk jemi as ne të imunizuar. Kompani ruse që veprojnë këtu kanë qenë të lidhura me këto kompani që kanë shkelur sanksionet. Ndaj i takon qeverisë dhe Kuvendit që të flasë qartë dhe hapur që këto kompani nuk duhet të ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri”, tha ai.

Ora 11:47
Kompensimi i çmimeve për materialet e ndërtimit, Duma: Po favorizoni miqtë e Ramës! Pse s'i publikoni kompanitë fituese, gënjeni, nuk janë 300

 

Deputetja demokrate Grida Duma ka kundërshtuar aktin normativ për kompensimin e çmimeve të materialeve të ndërtimit, duke akuzuar qeverinë se nëpërmjet këtij akti po favorizon kompanitë më të mëdha që e kanë tregun e sigurt. Sipas Dumës, maxhoranca do aprovojë një akt normativ që privilegjojnë më të pasurit e ata më të avantazhuarit. Demokratja tha se ky akt favorizon ato kpamni ndërtimi që ulen me Edi Ramën në tavolinë.

Duma u ndal edhe në shifrën që dha ministrja e Financave Delina Ibrahimaj se nga ky akt përfitojnë 300 kompani ndërtimi. Duma tha se qeveria gënjen, pasi nuk ia kanë dhënë opozitës listën e kompanive fituese, sipas saj janë rreth 30 kompanitë më të rëndësishme që përfitojnë.

“Çdo detyrim e kanë dhënë me koncesioni, ekonomi e tregut është e djathtë, ku akt normativ është monopol, oligopol. S’kisha parë ndonjëherë në komision të shëndetësisë që u vendosën deputetët në rresht në orar. Si ka mundësi këta që duhet të kenë pronar votuesin, duhet të shqetësohen nëse ata i votojnë. Pronari vetëm që rezultoi aty ishte kryeaksioneri i peshqve të mëdhenj. 140 deputetë janë mbledhur për aktin normativ që ca kompani të mëdha që e kanë të sigurt tregun se kanë marrë tendera, juve sot jeni mbledhur që më të pasurit, më të avantazhuartit, ata që ulen në tavolina me shefin tuaj, ju japin urdhra të vini në komisione, kur unë kam dashur të bëj minimumin jetik, pronari ynë i vërtetë është votuesi. Ju shqetësoheni se aksionerët e peshqve të mëdha e marrin rimbursimin apo jo.

Emrin e kontratave nuk na e keni thënë, thoni 300, kam bindjen se janë 30 të rëndësishme, kur i pyet nëse ky kompensim do i shkoj punëtorëve, jo thonë. Po kjo paga që nuk është indeksuar, që marrin pagë mjerane, po ju që nuk vini kurrë për të folur për minimin jetik, flisni për paketa 30 mijë lekë të vjetra në muaj. Komisioni për dhënien mendim jepte mendim pasi ishte marr vendimi. Miratojnë se jua japim informacion pastaj deputetët të rrinë në terr.

Keni ardhur të voton më të pasurit, më të privilegjuarit, kjo ju bën autokratët e tranzicionit. Mos i nxirrni nga xhepi, ca keni dhënë, i merrni nga buxheti. Ata që i marrin paratë dhe zotërojnë 90% të pasurisë dhe i çojnë në offshore. Duhet ndërtuar mirëqenia në këtë vend, por si ekonomi tregu, keni rrit ndërtimet me 51% të lekëve të zeza. Më të madhe peshë të TVSH ua ka dhënë energjia. Që ju s’jeni as të majtë e të djathtë, por votojnë sot për ata 10 që do ua sillni kështu në rresht, harrojeni se do ju respektojnë kur u vënë në rresht se kanë bërë marrëveshje me njërin”, tha Duma.

Ora 11:23
Akti normativ për kompensimin e çmimeve për materialet e ndërtimit/ Ahmetaj: Është në favor të investimeve publike! Në vjeshtë paketë tjetër ndihme nëse nevojitet

 

Zv.kryeministri Arben Ahmetaj foli në Kuvend për aktin normativ të materialeve të ndërtimit duke e nisur fjalën e tij me të gjithë mbështetjen që ka dhënë qeveria në 3 vitet e fundit për qytetarët.

Sa i përket aktit normativ, sqaron se qeveria kompenson kompanitë private në favor të investimeve publike por vepron brenda mundësive të veta. Ndaj thekson se kjo nuk bëhet nga fryma e Zotit, por lidhet me punën e qeverisë.

Ndër të tjera thotë se nëse do të jetë e nevojshme, do të vijojnë paketën e re në vjeshtë. Nuk mungoi ironia e tij për opozitën, të cilëve i thotë se duhet të vendosin nëse janë të djathtë apo të majtë.

"Në aspektin e panoramës së mbështetjes, ftoj palët dhe qytetarët që të analizojnë veprimet e qeverisë në 3 vitet e krizës që kanë kaluar. Është marrë me qytetarët që kanë humbur shtëpitë, e paprecedentë nga ana sociale, asnjë vend se ka bërë, kanë vënë kredi. E dyta, në pandemi, u injektua një paketë për t'i ndihmuar. Çfarë ndodhi me ekonominë, 50 mijë vende pune u shpëtuan. Pastaj kategoria e dytë, qytetarët që kanë sipërmarrje të vogla që paguajnë 0 taksa. Ma gjeni precedentin në Evropë. Kjo është filozofia e mbështetjes.

Po ata që paguajnë më pak? Pjesa më e madhe nuk paguajnë asnjë taksë. Dikush nga e djathta më thoshte nuk duhet t'i taksojmë. I thoja, jo nuk duhet t'i taksojmë.

Në krizën nga lufta në Ukrainë, e gjithë bota e ka pranuar krizën e cmimeve që nga energjia deri te ushqimet dhe nuk dihet sa do vazhdojë. Çfarë bëri qeveria? Paketë injektuese për qytetarët në nevojë. Më pas vendosi të mbajë çmimet e energjisë si asgjëkundi tjetër. Ndihmë për peshkimin gjithashtu.  Qeveria ka në fokus qytetarin si konsumator dhe që ka nevojë të ndihmohet në raste krizash. Këtë ka bërë qeveria.

Ju të djathtët duhet ta vendosni. Ne jemi për të gjithë, ju 3%. Investimet publike kanë një ngërç. Çmimet janë rritur. Qeveria kompenson në favor të investimeve publike. Qeveri vepron brenda mundësive të veta, edhe kur premton subvencion. Mundësia kufizohet që nga borxhi deri tek të ardhurat. Kjo po bëjmë ne me këtë akt. Po injektojmë 5-30%. Për një deputet që kupton, ekonomia është rritur. Nga vjen kjo? Vetëm nga fryma e Zotit? Ka lidhje edhe me qeverinë. 450 milionë dollarë vetëm tani janë injektuar. Ne jemi të majtë dhe do ti mbështesim të gjitha shtresat në nevojë. Do vazhdojmë me një paketë të re për pensionistët nëse do të jetë nevoja në vjeshtë. Ju thoni që çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti, është i lartë, por jo më i larti. Ka shumë shtete të Europës ku çmimi është më i lartë. Është rekord injektimi dhe vendoseni në jeni të djathtë, gjysmë të djathtë apo gjysmë të majtë", tha Ahmetaj.

Ora 11:13
Akti normativ për kompensimin e çmimeve të materialeve të ndërtimit, Agalliu: Shkakton abuzime, disa kompani favorizohen

 

Deputeti demokrat Arbi Agalliu tha se akti normativ për kompensimin e çmimeve për materialet e ndërtimit shkakton abuzime, kjo për shkak se ka kompani që kanë kryer punime para miratimit të aktit duke përballuar kostot e rritura. Ndërkohë, Agalliu shprehet se ka kompani të tjera që nuk i kanë kryer punimet, kanë shkelur afatin kohor të kontratës dhe do të kompensohen.

“Mund të shkaktojë abuzime dhe trajtim jo të barabartë, pasi disa kanë kryer punime para aktit duke përballuar edhe rritje të kostove, disa të tjera nuk kanë kryer punime, duke shkelur grafikun kohor të kontratës. Ata që kanë kryer punime s’do marrin kompensim, ata që se kanë respektuar kontratën do kompensohen.

 

Ora 11:08
Spaho kritikon mininstren Ibrahimaj: Përsërit veten! Kërkoji punonjësve në ministri të të thonë 5 gjëra për aktin normativ për materialet e ndërtimit

 

Deputeti i PD Edmond Spaho ka komentuar fjalën e ministres së Financave Delina Ibrahimaj në Kuvend. Teksa po diskutohet për aktin normativ për kompensimin për materialet e ndërtimit, nga e cila përfitojnë 400 kompani ndërtimi, Spaho kritikon ministren se thotë të njëjtat gjëra për cdo cështje. Për këtë arsye e ndërpreu disa herë gjatë fjalës së saj dhe mori vërejtje nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

"Kemi një rend dite dhe duhet të mbetemi strikt. Nuk është normale që ministrja vjen me të njëjtin fjalim që ka mbajtur për privatizimin e Butrintit, për Ukrainën dhe vjen e shpjegon aktin normativ për kompensimin e materialeve të ndërtimit.

Së paku të na thonë 5 gjëra që lidhen me aktin normativ, t'ja kërkojnë punonjësve në ministri. Të mbetemi në debatin për cështjen jo të fluturojmë e të dëgjojmë të njëjtat histori që kemi 4 muaj që i dëgjojmë", tha Spaho.

Ora 11:02
Akti normativ për kompensimin e çmimeve të materialeve të ndërtimit, Ministrja e Financave: Pjesë e paketës anti-krizë, përfitojnë 300 kompani

 

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Kuvend aktin normativ për kompensimin e çmimeve të ndërtimit. Ibrahimaj bëri me dije se do të kompensohet 5-30% për çmimin e rritur të hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastike, aluminit, bakrit dhe zinkut.

Ibrahimaj tha se nga ky akt do të përfitojnë 300 kompani ndërtimi. Ajo theksoi se ky akt është pjesë e paktës anti-krizë sepse çmimet e ndërtimit janë rritur ndjeshëm. Ministrja shprehet se ta mbështesin sektorin e ndërtimit pasi muajt e fundit ka pasur ngadalësim, duke theksuar se qeveria duhet të garantojë rritje ekonomike. Sipas Ibrahimajt, ngadalësimi në sektorin e ndërtimit prek investimet në infrastrukturë por edhe procesin e rindërtimit, prandaj duhet ndërhyrë pasi rindërtimi është prioritet.

"Që prej fillimit të agresionit rus qeveria në mënyrë të vazhdueshme po bëjmë debate publike, kemi diskutuar gjatë, mbi efekte luftës dhe masat që mund të merren për parandalimin e efekteve. Ky akt është pjesë e paktës anti-krizë, zgjidhja e problematikave te rritja nga rritja e hekurit. Rritja  e çmimeve të këtyre produkteve në tregje nuk filli me luftën, por që në 2021 nga kërkesa. Shifrave në Shqipëri, nga viti 2020, çmimet e çimentos janë rritur me 47.8%, me dhjetorin e këtij viti janë rritur me 20%. Hekuri 56%, dhjetori këtij viti me 30%. Kjo situatë nuk ndodh vetëm në Shqipëri, në gjithë botën, rajonin. Ndërtimi zë 8% të punësimeve. Ne do mbështesim ato biznese që jo vetëm të vijojën vazhdimësisë  e ciklit ekonomik, por që të mbajnë edhe normat e punësimit.

Kemi ngadalësim me 1.6%, dy muajt e fundit ka pasur një impakt në ngadalësimin e këtij sektori, qeveria ka detyrë të ndërhyjë që të garantojë rritje ekonomike, Ky akt prek investimet në infrastrukturë dhe rindërtim, që janë jetike për ekonominë  e vendit dhe pasojat e tërmetit. Procedurat e përfitimit të kompensimit janë përcaktuar me detaje. Realizmit të një kontrate shtesë që kryhet pas kati normativ. Rritja është nga 5-30%. Përfitues janë rreth 300 kompani, numër i lartë kontratash që janë t lidhura që prej fillimit të përcaktimit të këtij akti. Efekti është 6 mld lekë që jo domosdoshmërisht dhe përdoret, fondi do dorëzoihet bazuar në faturat dhe në një analizë ët këtyre punimeve. Ne do njohim deri në 30% të shpenzimeve të lidhura me këto produkte", tha Ibrahimaj.

Ora 11:02
Shpëtim Idrizi: Çamët nuk gëzojnë dot pronat e tyre! Babai im u dëbua! Kërkoj drejtësi për familjen dhe shqiptarët që u sakrifikuan

 

Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi kujtoi javën Çame duke thënë se kërkon drejtësi për familjen dhe për ato shqiptarë që u sakrifikuan. Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit tha se masakrimi dhe dëbimi i popullsisë çame nuk është histori por kujtesë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Ndër të tjera kërkoi që të bëhen të gjithë bashkë për interesin kombëtar pas nuk janë rastësisht në Kuvend, por thotë se vijnë si pasardhës të atyre që u vranë dhe dëbuan vetëm se ishin shqiptarë.

“27 qershori është i njohur nga ky Parlament si Dita e gjenocidit ndaj popullsisë çame në Greqi. Siç është e njohur botërisht në fund të Luftës së Dytë Botërore u krye një nga spastrimet etnike më të pashembulltat në historinë e njerëzimit. 2770 jetë njerëzore u masakruan barbarisht. Nuk u vranë në luftë por në shtëpitë e tyre.

30 mijë u dëbuan. 2900 të tjerë vdiqën nga uria etja dhe sëmundjet në një rrugëtim biblik drejtë Shqipërisë. Kjo seancë vjen pas një jave shumë të rëndësishme për ne, javën çame. Si asnjëherë, në këtë javë kam parë shkëlqimin e rezistencës së kësaj kauze të të drejtave njerëzore të nëpërkëmbura. Për ne nuk është histori por kujtesë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Çdo vit ky Kuvend ka nderuar kujtimin e shqiptarëve të Çamërisë në një akt që e kemi kërkuar si nderim për të rënët dhe si një kujtim që kemi ende mbi supe një dramë njerëzore të pazgjidhur. Konventa të shumta ndërkombëtare janë shkelur me kryerjen e gjenocidit në Çamëri. Popullsia çame dhe ajo kosovare u sakrifikuan në 1913 në mënyrë që për këtë Shqipëri që kemi sot dhe që ne të jemi deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Çamët sot nuk gëzojnë sot dot pronat e tyre. Unë quhem Shpëtim Idrizi, babai im u dëbua, sot jam në Kuvend dhe kërkoj drejtësi për familjen time dhe për ato shqiptarë që u sakrifikuan. Unë ekzistoj, ashtu si unë në këtë sallë janë edhe pesë të tjerë që kanë gjak çam. Ne nuk jemi rastësisht këtu, jemi si pasardhës të atyre që u vranë dhe dëbuan vetëm se ishin shqiptarë.

Unë po ju kërkoj që duhet të jemi të gjithë bashkë kur flitet për interesin kombëtar. Çështja e shqiptarëve të Çamërisë nuk është çështjes e një komunitetit, por është e të gjithë shqiptarëve”, deklaroi Idrizi.

Ora 10:44
Mbahet një minutë heshtje në Kuvend për shqiptarët e 'Çamërisë'

 

Në Kuvendin e Shqipërsë është mbajtur një minutë heshtje për shqiptarët e 'Camërisë'. Kjo u kërkua nga kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, i cili falenderoi ministrat e deputetët duke i thënë: "Jam shumë mirënjohës".

SI.E./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 01/07/2022 00:45

    Jeni i vetmi vend ne bote qe kompenson matrapazet e ndertimit.

    Përgjigju
  • Qytetar i shqetesuar: 30/06/2022 11:36

    Ne qofte se ka nje shtrese ne nevoje sot jane ndertuesit. Kane 6 muaj qe s‘i nderrojne makinat dhe nuk po i blejne dot nje shtepi te dyte ne plazh dashnoreve. Po nuk u miratua paketa e mbeshtetjes solidare plot me pare mund te detyrohen te flene me grate e tyre. Urgjentisht te nderhyje qeveria se nuk dihet cfare femijesh do lindin nga ky perversitet.

    Përgjigju
    • Kistra: 30/06/2022 14:01

      Me lot! "...mund te detyrohen te flene me grate e tyre."

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën