Kuvendi miraton dy marrëveshjet me Britaninë e Madhe për transferimin e të burgosurve dhe për pranimin e emigrantëve, Ministri: Vetëm emigrantët që ikin nga Shqipëria

Opozita dhe maxhoranca janë bërë bashkë sot në Kuvend, duke miratuar dy marrëveshjet e qeverisë shqiptare me Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut mbi transferimin e të burgosurve dhe për ripranimin e emigrantëve të paligjshëm.

Marrëveshja për ripranimin e emigrantëve të paligjshëm është miratuar me 82 vota pra ndërsa vetëm 2 deputetë kanë abstenuar. Ndërkohë marrëveshja për ekstradimin e personave të dënuar në Britaninë e Madhe është kaluar me 95 vota pro dhe asnjë kundër.

Teksa ka patur jo pak aludime marrëveshja përfshinte pranimin e emigrantëve të vendeve të treta, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi sqaroi sot në Kuvend se marrëveshja parashikon vetëm ripranimin e atyre emigrantëve që ikin direkt nga Shqipëria dhe shkojnë në Britani. Sipas Çuçit, kjo garantimi i migracionit të sigurt mbetet një nga objektivat tona kryesore në fushën e çështjeve të brendshme, teksa shtoi se marrëveshja me Britaninë mbron sigurinë kombëtare dhe rajonale.

Ndërkohë, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se marrëveshja për transferimin e të burgosurve shqiptarë që vuajnë dënimin në Britani dhe Irlandën e Veriut, garanton që ata ta vuajnë dënimin në Shqipëri, ku mund të riintegrohen nga ana sociale dhe do mund të jenë më pranë të afërmve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:38
Socialistët emërojnë 5 zëvendëskryetar dhe 2 sekretar në komisionet parlamentare (Emrat)

Në komisionin për çështjet Ligjore, administratën publike dhe të Drejtat e njeriut, deputeti Eduart Ndreca caktohet zëvendëskryetar. Në komisionin për politikën e jashtme deputeti Blendi Klosi caktohet zëvendëskryetar. Ndërsa në komisionin për ekonominë dhe financat deputetja Blerina Gjylameti caktohet zëvendëskryetare, kurse deputetja Enslemvera Zake sekretare.

Por ashtu edhe në Komisionin  e sigurisë Kombëtare deputeti Xhemal Qefalia caktohet zëvendëskryetar, ndërsa deputetja Antoneta Dhima caktohet sekretare. Në komisionin për Veprimtarinë prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisit deputeti Fadil Nasufi caktohet zëvendëskryetar.

Ora 11:40
Marrëveshja me Britaninë për transferimin e të burgosurve, Ministri i Drejtësisë: Garantojmë që shtetasit shqiptarë të vuajnë dënimin në vendin e tyre

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka folur sot në Kuvend në lidhje me projektligjin për transferimin e të burgosurve Shqiptarë nga Britani e Madhe dhe Irlanda e Veriut. manja tha se kjo marrëveshje lehtëson bashkëpunimin me autoritetet gjyqësore me Mbretërinë e Bashkuar. Ai shtoi se marrëveshja garanton shqiptarët e dënuar në Mbretërinë e Bashkuar ta vuajnë dënimin në Shqipëri, ku mund të riintegrohen nga ana sociale dhe do mund të jenë më pranë të afërmve.

“Kjo marrëveshje lehtëson bashkëpunimin me autoritetet gjyqësore me Mbretërinë e Bashkuar. Ratifikimi i marrëveshjes është një tregues i besimit që autoritetet gjyqësore të huaja u japin autoriteteve gjyqësore shqiptare duke mbajtur në konsideratë progresin në reformën në drejtësi. Marrëveshja përmirëson kushtet dhe rregullat për personat e dënuar nga të dy shtetet palë, në funksion të lehtësimit dhe riintegrimit social të shtetasve të njërit kontraktues që vuajnë dënimin në shtetin tjetër. Garantojmë që shtetasit shqiptarë që janë dënuar në Mbretërinë e Bashkuar, të kenë një mundësi që në rast se i shërben riintegrimit social, të vijnë e të vuajnë dënimin në Shqipëri, ku mund të jenë më pranë të afërmve të tyre. Marrëveshja që kemi pasur ka qenë e pamundur për t’u zbatuar. Marrëveshja rregullon aspektet proceduriale që kanë qenë pengesë. Janë përmirësuar dispozitat që lidhen me detyrimin dhe përkthimin e akteve dhe dokumentacionit të nevojshëm që shtetësi marrës duhet t’i japë shtetit transferues, dhe informacionin e nevojshëm që kërkon. Janë përmirësuar parashikimet që parashikojnë vazhdimin e dënimit”, tha Manja.

Ora 11:09
Marrëveshja me Britaninë, Ministri i Brendshëm: Emigracioni në rritje, ripranim vetëm për emigrantët e vendeve të treta që ikin direkt nga Shqipëria

 

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka sqaruar sot nga foltorja e Kuvendit Marrëveshjen me Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut për ripranimin e emigrantëve nga vendet e treta. Çuçi bëri me dije se bëhet fjalë për ripranimin vetëm të emigrantëve të vendeve të treta që shkojnë në Britani, direkt nga Shqipëria.

"Ne kemi patur marrëveshje bilaterale me Bitaninë dhe Irlandën e Veriut që prej vitit 2003 sa i përket riatdhesimit. Por lind nevoja e rinovimit të këtij instrumenti juridik. Kjo marrëveshje vjen edhe si propozim i qeverisë Britanike në kuadër të daljes së saj nga BE. Shqipëria dhe Britania do të forcojnë bashkëpunimin në lidhje me luftën kundër emigracionit të parregullt. Kjo marrëveshje nuk është një legjislacion për të përafruar legjislacionin Shqiptar me atë të BE, nënshkrimi i saj është në kuadër t përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë kundër emigracionit të parregullt. Ky fenomen si kërcënim kryesor i sigurisë shoqërohet me vepra kriminale si trafikimi i qenieve njerëzore, kontrabandimi i emigrantëve si dhe lëvizjen e personave të përfshirë në akte terroriste. Vizionet e parashikuara janë ambiciozë dhe do i jepet përgjigje sfidave e nevojave të identifikuara. Emigracioni i jashtëligjshëm nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet emigracionit të ligjshëm. Kam kërkuar që shqiptarëve t'i lehtësohet lëvizja dhe punësimi, për tëpatur mundësi për punë sezonale për integrimin e shqiptarëve në Britani. Marrëveshje parashiko verifikimi e shtetasve me subjekt kthimi ripranimi duke shkëmbyer të dhënat. Rinovimi i kësaj marrëveshje, është një strument i rëndësishëm për të adresuar flukset migratore në një kontekst të ri. Nuk ka patur një marrëveshje të fshehtë dhenë këtë kuadër kanë lindur keqkuptime me termin e pranimit të shtetasve të tretë. Ky është një tekst që përdoret sot edhe në marrëveshjen kuadër që kemi me BE dhe ka të bëjë vetëm me ato shtetas që nuk janë shqiptarë por udhëtojnë nga Shqipëria drejtpërdrejtë në Britani dhen nuk kanë dokumente që të gëzojnë një prej statuseve të refugjatit apo emigraniti. Pra bëhet fjalë vetëm për ata shtetas të vendeve të treta që nisen nga Shqipëria dhe mbërrijnë në Britani. Edhe kur Britani do të dërgojë drejt vendeve të treta, jo Shqipërisë kthime të emigrantëve dhe do përdori transit Shqipërinë, është e detyruar që këta shtetas t'i marrë mbrapsht nëse ata mund të mbesin në Shqipëri", tha Çuçi.

Ora 10:54
Pedofili emërohet si mësues/ Xhixho: Të miratohet regjistri kombëtar i të dënuarve për krime seksuale! Ministrja Arsimit: Së shpejti ligj të ri që mos të cenohen të drejtat e fëmijëve

Punësimi i 62-vjeçarin Ëngjëll Bregut, si mësues në Berat, megjithëse rezultonte i dënuar për pedofili dhe ngacmim seksual, ishte çështja për të cilën deputetja e LSI-së Erisa Xhixho, i kërkoi shpjegime ministres së Arsimit Evis Kushi, në lidhje me rekutimin e tij në punë. Nga ana tjetër Xhixho tha se ky rast është prova se sa të vonuar jemi për miratimin e ligjit për regjistrin kombëtar të të dënuarve për krime seksuale.

'Si është e mundur që një person të bëhet pjesë e sistemit arsimor, çfarë praktikash ndiqni ju kur ka abuzime seksuale. Cfarë praktiash ndiqni ju që të evidentohet dhe mos të bëhet përsëritëse ky lloj rekurtimi? Sistemi i përfshirjes së mësuesve është korruptiv, ky rast është prova se sa të vonuar jemi në për miratimin e ligjit për regjistrin kombëtare të të dënuarve për krimet seksuale për krime seksuale. Ne me ligj do të ndalojmë hyrjen e këtyre grabitqarëve seksualë. Ne reagojmë pasi ndodhin ngjarjet dhe ky rast e dëshmon këtë fakt. Nuk ndërtojmë mekanizma parandalues. Ligji është shumë i vonuar. Me ligj do të kishim ndaluar raste të tilla. Do t’ju kërkoja që në rezymenë e gjithë kësja ta themi troç se sistemi i rekrutimit nuk është difektoz po korruptive. ‘- tha Xhixho.

Ministrja e Arsimit tha se është diskutuar edhe me ministrin e Drejtësisë që disa vepra të rënda penale të mos fshihen asnjëherë nga dëshmia e penalitetit

‘Dokumentacioni i dorëzuar nga mësuesi përmban edhe dëshminë e panalitetit ku rezulton se është i padënuar dhe nuk disponojmë asnjë informacion tjetër zyrtar për veprën penale. Kam diskutuar me ministrin Manja që disa vepra të rënda penale të mos fshihen asnjëherë nga dëshmia e penalitetit. Nisur jo vetëm nga zemërimi i lartë, por nga detyrimi ynë për sigurinë e fëmijëve në shkolla pak ditë pas ngjarjes firmosa udhëzimin që ndalon punësimin e personave të dënuar për të cilët gjykata ka marrë vendim të formës së prerë. Por a shmanget plotësisht rreziku me këtë udhëzim? Jam e hapur për regjistrin që ju keni propozuar dhe nëse ndihmon jam plotësisht që ta votojmë jo vetëm unë , por të gjithë ne.  Së shpejti do të kemi një iniciativë e re ligjore që e shmang totalisht rrezikun është e domosdoshme që ne do ta ndërmarrim shumë shpejt me kolegun Manja dhe nuk do të tolerojmë askënd që cënon të drejtat e fëmijëve.’- tha Kushi.

Ora 10:33
Refuzoi interpelancën, por Ministrja i përgjigjet Dules: Shqipëria vend model për respektimin e pakicave kombëtare! U garantohen liri që shqiptarëve në shumë vende i mohohen

 

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule refuzoi interpelancën me Ministren Elisa Spiropali, megjithatë kjo nuk e pengoi këtë të fundit që t'i përgjigjej. Spiropali tha se Shqipëria është vend model për respektimin e pakicave kombëtare dhe se atyre u garantohen liri që shqiptarëve në shumë vende të botës u mohohen.

"Ishte pikërisht në respekt të kërkesës suaj për të dëgjuar se çfarë kanë bërë qeveritë shqiptare për mbrojtjen e pakicave kombëtare, ne vendosëm të mbajmë sot këtë interpelancë dhe ju vendosët mos ta zhvilloni. Kohën tuaj e shfrytëzuat dhe thatë disa të pavërteta. Ky vend është një shembull për rajonin për sa i përket respektimit të pakicave kombëtare dhe plotësimit të kuadrit ligjor. Ju garantohen liritë ekonomike e kulturor, por dhe liri të tjera që fatkeqësisht shqiptarëve në shumë vende të botës i mohohen", tha Spiropali.

Ora 10:29
Rama nuk u paraqit, Vangjel Dule refuzon interpelancën me Spiropalin: Kryeministri tregoi se në axhendën e tij nuk egziton respektimi i minoriteteve

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule ka refuzur që të zhvillojë interpelancën me ministren për Parlamentin Elisa Spiropali, pasi kjo e fundit zëvendësoi kryeministrin Edi Rama. Dule tha se qëndrimi kryeministrit Edi Rama për të mos u përballur në interepelancë me të dëshmon se për të respektimi i të drejtave të minoriteteve dhe i lirive të tyre nuk egziston në axhendën e prioriteteve të tij

‘Depozitova kërkesën për interpelancë më kryeministrin në lidhje me politikat e qeverisë dhe respektimit e minoriteteve. Pse e kërkova me kryeministrin, jo se nuk kam respekt, për ministren Spiropali, por për cilido. Jam njoftuar sot në mëngjes se kryeministri nuk paska denjuar që të diskutojë me këtë çështje dhe e ka deleguar. Është mënyrë cinike, e ka të plotë mundësinë që ta bëj por jo dëshirën. Më datën 9 nëtor e depozitova kërkesën. Qëndrimi i sotëm i kryeministrit Rama dëshmon se për të respektimi i të drejtave të minoriteteve dhe i lirive të tyre nuk egziston në axhendën e prioriteteve të tij. Por për fatin tonë të mirë egziston për BE-në. Ky debat nuk mund të bëhet i fragmentarizuar, me keqardhje nuk e pronoj interpelancën me Spiropalin. Vendoseni vet zonja kryetare, se kur do të zhvillohet. Është qëndrim abuzim.’- tha Dule.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 17/12/2021 03:58

    Po Shqiperia eshte bere bulevard per emigrantet e paligjshem,perse duhet t'i mbajme ne,kur ne fakt si pikenisje shumica e tyre kane Greqine dhe Turqine?!

    Përgjigju
  • Nacionalisti: 16/12/2021 09:19

    Lerini drogaxhijte atje ku jane. Pse duhet ti mbajme ne burgjet tona me taksat tona ku do kene mundesi te perdorin edhe smartphone?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Sarandë, 2 vite burg biznesmenit Pando Papuçi I Konfiskohet pallati 7 katësh në ndërtim e sipër! Ishte pa leje

Sarandë, 2 vite burg biznesmenit Pando Papuçi I Konfiskohet pallati 7 katësh në ndërtim e sipër! Ishte pa leje