Qytetarët që do të udhëtojnë pasditen e sotme drejt Pogradecit apo Korçës duhet të kenë parasysh kufizimet e përkohshme në qarkullim, për shkak të Maratonës Ndërkombëtare të Pogradecit.
Nga ora 18:30 deri në 22:00 do të bllokohet plotësisht aksi Lin–Pogradec, ndërsa në segmentin Tushemisht–Pogradec do të bllokohen të dyja korsitë e lëvizjes. Kufizime të përkohshme do të ketë edhe në disa rrugë brenda qytetit të Pogradecit.
Policia ka hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë maratonës, ndërsa u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të përdorin aksin alternativ Qafë Plloçë–Qukës.
Maratona organizohet nga shoqata “Maraton Albania”, në bashkëpunim me Bashkinë dhe përfshin dy disiplina: Half Maratonën 21 kilometra, me nisje nga fshati Lin dhe mbërritje në qendër të Pogradecit, si dhe Mini Maratonën 11.5 kilometra, e cila zhvillohet përgjatë itinerarit Pogradec–Buçimas–Tushemisht dhe rikthehet në qendër të qytetit.
Ndërkaq, atmosfera sportive ka nisur një ditë më herët me zhvillimin e Maratonës së Bebave. Mbi 60 fëmijë të vegjël morën pjesë në garat e organizuara, duke konkurruar në disiplinën "këmbadorazi" dhe në ecje.
Maratona e Bebave është kthyer tashmë në një traditë që i paraprin Maratonës Ndërkombëtare të Pogradecit, e cila pritet të sjellë në qytet mijëra vrapues nga vende të ndryshme të botës.










Komente
Komento