Zgjedhjet në Kosovë/ ​Pjesëmarrja në votime mbi 40 për qind, më e ulët se më 2021 dhe 2019! Policia: Procesi ishte i qetë, pa incidente madhore

PRISHTINE- Mbi 1 milion e 970 mijë votues u thirrën të votojnë sot (9 shkurt) në Kosovë për të zgjedhur parlamentin e ri dhe kabinetin e ri qeveritar. Zgjedhjet shihen si një referendum për kryeministrin Albin Kurti, i cili është kritikuar edhe nga zyrtarë të administratës së mëparshme amerikane për veprimet, që janë cilësuar si të pakoordinuara, në veriun e Kosovës.

Klikoni për rezultatet: Rezultatet e Exit- Polleve nxjerrin Vetëvendosjen e Albin Kurtit forcë të parë nga 37% deri në 40.3% ndërsa PDK forcë e dytë, nga 22% deri në 23%. LDK parti e tretë me rreth 20% ndërsa AAK-Nisma deri në 8%.

Votimi i sotëm përcakton se kush do të udhëheqë palën kosovare në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat kanë ngecur për një kohë të gjatë.  Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur gati dy vjet më parë sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës. Procesi i votimit i cili ishte dhe nën vëzhgimin e vendasve dhe ndërkombëtarëve nisi në orën 07:00 dhe u mbyll në orën 19:00 ishte i qetë. Nuk u shënua asnjë incident domethënës, ndërsa 6 persona u arrestuan për krime zgjedhore. Një grup xhirimi i Report Tv u vendos sot në Prishtinë për të ndjekur dhe raporton në kohë reale nga afër të gjitha zhvillimet.

Pjesëmarrja më e ulët 

Në orën 20:00 KQZ raportoi se nga procesimi i mbi 90% të qendrave të votimit, pjesëmarrja rezulton 40.04% (nuk përfshihet vota e diasporës), 6.86% më pak se në vitin 2021. Shikuar në përqindje ka pjesëmarrje më të ulët të daljes në votime në krahasim me zgjedhjet e mbajtura para katër vjetësh. Po ashtu, dalja është më e ulët se në vitin 2019.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 të drejtë vote kanë pasur 1 milion e 794 mijë e 862 qytetarë. Pjesëmarrja e qytetarëve në këtë proces zgjedhor ka qenë 48,78 % apo 903,379 votues. Ndërkaq, në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 dalja në votim ishte 44.56 për qind apo 826,916 mijë qytetarë. 

Pjesëmarrja e ulët nxiti kryeministrin Albin Kurti të bënte thirrje për të votuar dhe dy orë para se të mbylleshin qendrat e votimit

Sot është dita D e demokracisë. Kush nuk ka dalur ende të votojë, shkoni tash sa më parë, tha Kurti.

Edhe kandidatët e tjerë për kryeministër gjatë ditës bënë apel për të votuar.

Presidentja Osmani pasi votoi e quajti ditën e sotme vendimtare. 

"Sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim, duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm, nga i cili përcaktohet parlamenti i ardhshëm, pastaj edhe institucionet tjera, dhe merren vendime që kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre. tha Osmani.

Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.

Pas përfundimit të votimeve, policia e Kosovës u shpreh se procesi ishte i qetë dhe pa ndonjnë incident madhor. Megjithatë janë referuar 6 raste në prokurori, për të cilën janë shoqëruar 7 persona, 3 prej të cilëve po hetohen në gjendje të lirë.

'Plani operacional i paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve u realizua me sukses në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa ndonjë incident madhor që do të kishte penguar/cenuar procesin zgjedhor, andaj vlerësuar në aspektin e sigurisë, procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit, sot ka iniciuar gjashtë (6) raste, prej tyre tri (4) raste të natyrës penale nga kapitulli XVIII i KPRK “Veprat Penale Kundër të Drejtave të Votimit“ dhe dy raste penale “Sulm ndaj personit zyrtar & Kanosje“, me ç ‘rast janë shoqëruar shtatë (7) persona të dyshuar, ku me autorizim të prokurorit katër (4) prej tyre janë dërguar në mbajtje, kurse tre (3) janë liruar në procedurë të rregullt, raste këto të cilat nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.  
Po ashtu, janë trajtuar edhe disa raste tjera, për të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent janë evidentuar si shënime zyrtare', shprehet policia.

Në gjithë territorin e Kosovës në total 941 qendra votimi. Ndërkohë dje votoi diaspora.  Në këto zgjedhje marrin pjesë edhe serbët lokalë, ndonëse kishin bojkotuar zgjedhjet prej nëntorit të vitit 2022, kur Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – pati dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, .

28 subjekte politike me 1.280 kandidatë, konkurrojnë për të siguruar vendet në parlamentin 120 vendesh të Kosovës. Njëzet nga këto vende u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat dhjetë janë për komunitetin serb, nga radhët e të cilit konkurrojnë gjashtë subjekte politike. Dhjetë të tjera për komuniteteve tjera pakicë. Rreth 100 mijë qytetarë serbë me të drejtë vote patën mundësinë të zgjedhin mes gashtë partive politike nga radhët e këtij komuniteti. Brenda territorit të Kosovës janë 1,970,944 qytetarë me të drejtë vore, nga të cilët 125 852 mijë qytetarë votojnë për herë të parë.

KFOR-i ka rritur praninë e tij në Kosovë dhe ka shtuar më shumë forca për zgjedhjet. Një ekip prej 100 vëzhguesish nga BE-ja, 18 nga Këshilli i Evropës dhe rreth 1600 të tjerë nga organizata ndërkombëtare ose vendore do të monitorojnë gjithashtu votimin.

Ndiqni lajmet në zhvillime...

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:22
Përfundimi i votimeve në Kosovë, policia: Procesi ishte i qetë, pa ndonjë incident madhor

Policia e Kosovës ka dhënë një deklaratë të shkruar pas përfundimit të procesit të votimeve për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Procesi ishte i qetë thotë policia pa ndonjë incident madhor.

Ndërkohë ka nisur hetimi për 6 raste, një prej të cilave ishte sulm ndaj personit zyrtar. Janë shoqëruar 7 persona, 3 prej të cilëve po hetohen në gjendje të lirë.

'Plani operacional i paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve u realizua me sukses në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa ndonjë incident madhor që do të kishte penguar/cenuar procesin zgjedhor, andaj vlerësuar në aspektin e sigurisë, procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze.

Një ndër qëllimet e planit operativo policor, ka qenë inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit, sot ka iniciuar gjashtë (6) raste, prej tyre tri (4) raste të natyrës penale nga kapitulli XVIII i KPRK “Veprat Penale Kundër të Drejtave të Votimit“ dhe dy raste penale “Sulm ndaj personit zyrtar & Kanosje“, me ç ‘rast janë shoqëruar shtatë (7) persona të dyshuar, ku me autorizim të prokurorit katër (4) prej tyre janë dërguar në mbajtje, kurse tre (3) janë liruar në procedurë të rregullt, raste këto të cilat nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Po ashtu, janë trajtuar edhe disa raste tjera, për të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent janë evidentuar si shënime zyrtare.

Vlen të potencohet se Policia e Kosovës ka trajtuar çdo informacion i cili ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor, si dhe ka trajtuar edhe raste tjera që nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor.

Plani policor vlerësohet se është realizuar me sukses, falë bashkëpunimit ndërinstitucional, falë punës dhe angazhimeve të zyrtarëve policorë si dhe bashkëpunimit dhe kulturës së lartë të treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës.'

Ora 19:29
Përfundon procesi i votimit në Kosovë, Report Tv pasqyron situatën nga qendra e votimit në Prishtinë

 

Teksa procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka përfunduar në orën 19:00, Report Tv, nëpërmjet gazetarit Arlind Isait që ndodhet në Prishtinë, përcjell atmosferën e një prej qendrave të votimit në kryeqytet.

“Në shkollën e mesme “Meto Bajraktari” në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. Asnjë votues i ri nuk mund të futet në dyert e shkollës për të votuar. Për të bërë një pasqyrim të situatës edhe nëpërmjet pamjeve kjo është dera e shkollës, e cila figuron e mbyllur. Tashmë askush nuk mund të vijë në ambientet e shkollës, në qendrën e votimit 19/23 ku ne ndodhemi. Prej rreth 30 minutash kur ne kemi mbërritur këtu nuk kishte ndonjë fluks domethenënës, rreth 20-25 persona ishin në radhë në lëto dyer për të votuar. Kryesisht është përfunduar procesi i votimit. Çfarë sheh njerëz që lëvizin pranë meje janë staf i administrimit të procesit zgjedhor, njerëz të akredituar për të mbikqyrur procesin”

Ora 19:28
​Mbyllen 32 qendrat e votimit në jug të Mitrovicës

1739125770_96121739125524.jpg

Të gjitha qendrat e votimit në jug të Mitrovicës janë mbyllur me kohë për zgjedhjet parlamentare që janë mbajtur sot në vendin tonë.

Janë gjithsej 32 qendra të votimit në këtë komunë, ku 81 mijë e 482 qytetarë kanë pasur të drejtën e votës së tyre.

Në njërën prej qendrave të votimit që është shkolla fillore “Andon Zako Çajupi”, ku edhe ka filluar numërimi i votave, dalja e qytetarëve të interesuar për të marrë pjesë në këtë proces është rreth 25 për qind.

Melihate Meha, menaxhere e kësaj qendre, ka bërë të ditur për KosovaPress se procesi ka vijuar qetë dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar.

Ora 18:06
Votimet në Kosovë, Prokurori i Shtetit: Deri tani janë arrestuar 6 persona për krime zgjedhore

1739121021_laurapula.jpg

Laura Pula

Për zgjedhjet për Kuvendin e së Kosovës, që po mbahen sot në vendin tonë Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës, tha prokurorja, Laura Pula.

“Në tërë Republikën e Kosovës po kujdestarojmë deri në 100 prokurorë në 38 komuna. Është e vërtete se nga ora 7 e mëngjesit jemi gardianë të ruajtjes së votës së sovranit. Po mundohemi të jemi aty në momente kritike specifike e të iniciojmë çdo rast që ka të bëjë me shkelje eventuale kundër të drejtës së votimit që përbën një kapitull të posaçëm nga kodi penal i RKS e që ka hiq më pak se 11 vepra penale, kundër të drejtës së votimit”, tha Pula.

Ajo tha se deri rreth orës 15 janë arrestuar gjashtë persona, në tri raste, të cilët janë në ndalim, me qëllim të mbledhjes së hetimeve.

Pula tha se këto raste nuk mund t’i konsiderojnë të vogla apo të mëdha, por a mund të prishin imazhin.

“Ne mund të themi jo por kanë vepruar kundër ligjit. Për shkak të veprimeve të kundërligjshme do të kenë edhe pasojat për ta. Prokurori i shtetit në këtë mision e ka mision mbrojtjen e votës.

“Në çdo portal që publikohet ndonjë parregullsi që brenda apo jashtë ne mund të veprojmë, ne menjëherë merremi me atë informatë edhe në at rast prokuroria kompetente në koordinim me hetuesinë po merren”,- thotë Pula.

Ora 17:23
Zgjedhjet në Kosovë/ 10 mijë votues më pak se në vitin 2021 deri në orën 15:00, Albin Kurti u bën thirrje qytetarëve që t'u drejtohen vendvotimeve

1739090818_albinkurti.png

Albin Kurti

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur thirrjen drejtuar qytetarëve për të marrë pjesë në votimet e parlametareve të këtij 9 shkurti. 

Shkak i kësaj thirrje nga kreu i Lëvizjës Vetëvendosje duket të jetë bërë pjesëmarrja e ulët e qytetarëve për të votuar, të paktën deri në orën 15:00, kohë për të cilën ka raportuar më së fundmi edhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. 

Rreth 10 mijë votues më pak se në vitin 2021 deri në orën 15:00.

Postimi i Albin Kurtit në rrjetet sociale:

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Sot është dita D e demokracisë. Kush nuk ka dalur ende të votojë, shkoni tash sa më parë. Pyesni të gjithë të afërmit e miqtë se a kanë votuar dhe ua përcjellni këtë porosi timen që të shkojnë të votojnë menjëherë nëse nuk e kanë bërë. Më pak se dy orët në vijim, deri në 19:00, janë vendimtare për edhe më shumë se katër vitet e ardhshme!

Ju falemnderit,

Albin Kurti

Ora 17:00
Zgjedhjet në Kosovë/ Problematikat e raportuara gjatë votimit, zëdhënësi i KQZ-së i përgjigjet Report Tv

Zëdhënësi i KQZ-së në Kosovë, Valmir Elezi raportoi në orën 16:15 mbi ecurinë e zgjedhjeve parlamentare, që po mbahen në vend.

Elezi u përgjigj për gazetarin e Report Tv, Arlind Isai, për problematikat e raportuara deri tani në procesin e votimit.

“Ka pasur të ndryshme sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me votimin me kusht, funksionimine këtyre qendrave, disa vonesa por pasi kemi përcjellë udhëzimet e nevojshme dhe ndërhyrjet që është dashur të bëhen, janë tejkaluar ato dhe procesi ka vijuar normalisht”,-u përgjigj Elezi për Report Tv.

Ora 16:21
Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ: 28% pjesëmarrja deri në orën 15:00, kanë ardhur 50 mijë vota me postë

 

Zedhenesi i KQZ, Valmir Elezi publikoi shifrat e pjesëmarrjes në votime deri në orën 15:00.  Kur kanë mbërritur të dhënat për 91.31 të qendrave të votimit, deri në 15:00 pjesëmarrja ka qenë 28.2 %

Nëse krahasohet me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja deri në ora 15:00 ishte më e vogël. Para katër vjetësh, deri në këtë orë ishte mbi 32%.

84 mijë kanë zgjedhur votim me postë. Kanë ardhur deri tani 50 246 vota në postë. Kanë nisur verifikimi i tyre, ndërsa 15 mijë qytetarë kanë ushtruar të drejtën e votës në seli diplomatike.

Ora 16:09
Mediat e huaja raportojnë për Kosovën, “The Guardian”: Në zgjedhje nën hijen e Trumpit

1739113916_7KIHI5P5SJOH5NQ7UL5XGTXFZA.jpg

Zgjedhjet në Kosovë

Mediat më prestigjioze ndërkombëtare kanë raportuar të dielën për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

“Kosova voton për parlamentin e ri, teksa ndihma e huaj po pakësohet dhe bisedimet me Serbinë kanë ngecur”, është titulli që mban artikulli i agjencisë së lajmeve Associated Press.

Sipas agjencisë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë kanë ngecur dhe ndihma e huaj është vënë në pikëpyetje. 

AP-ja raporton edhe për zotimet që kanë dhënë partitë kryesore në këto zgjedhje.

Agjencia tjetër e lajmeve “Reuters” shkruan se “Kosova mban zgjedhjet e turbullt nga tensionet me Serbinë”.

Reuters shkruan po ashtu se fushata zgjedhore ka qenë e ashpër dhe se janë shqiptuar më shumë se 650,000 euro gjoba për partitë këtë fushatë, trefishi i  vlerës së shqiptuar në vitin 2021.

The Guardian” ka folur për ndikimin që kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund ta ketë për Kosovën.

“Kosova po voton teksa hija e Trumpit shkakton brenga”, shkruan e përditshmja britanike “The Guardian”, duke sqaruar se frika e ndarjes, që ishte ngritur gjatë administratës së parë të Trumpit, është rikthyer

“The Guardian” shkruan më tej se Kosova shkon në zgjedhje të cilat mund të shënojnë një udhëkryq në historinë e vendit të ri dhe madje të përcaktojë integritetin e ardhshëm territorial në një botë gjithnjë e më armiqësore.

Edhe media franceze, “France24” shkruan se Kosova voton në zgjedhjet parlamentare “të mjegulluara nga tensionet me Serbinë”.

Sipas mediumit, këto zgjedhje mund të përcaktojnë se kush do të udhëheqë palën kosovare në negociatat me Serbinë, të cilat ngecën vitin e kaluar.

Ora 15:46
Kosovë/ KQZ nis verifikimin e votave me postë nga diaspora

1739112449_KQZ.jpg

KQZ Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka nisur verifikimin e votave përmes postës.

Sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara.

Derisa, numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve.

Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë.Po ashtu Komisioni Qendror, gjatë ditës ka filluar edhe procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime nga jashtë Kosovës që deri me tani kanë arritur në këtë institucion, transmeton Klankosova.tv

Qëllimi i verifikimi është për të parë nëse pakot me fletëvotime janë dërguar nga votues të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës.

Ora 14:53
E ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së viziton një qendër votimi në veri të Kosovës

1739109257_aa.JPG

Sot po mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë për zgjedhjen e kryeministrit të ri.

E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, ka vizituar qendrën e votimit "Vik Karaxhiq" në Zveçan.

Ora 14:37
Zgjedhjet/ Ambasadori i BE-së në Kosovë apel qytetarëve: Shfrytëzoni të drejtën e votës

Foto: Aivo Orav

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, vizitoi një qendër votimi në Vushtrri, për të parë ecurinë e zgjedhjeve.

Përmes një postimi të publikuar në rrjetet sociale Orav u bëri thirrje popullit të Kosovës që në këtë ditë të shfrytëzojnë të drejtën e votës

“BE-ja ka vendosur Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së në Kosovë 2025 për të vëzhguar të gjitha aspektet e këtij procesi. Populli i Kosovës duhet të ushtrojë të drejtën e votës dhe të shprehë lirisht zgjedhjen e tij”, shkroi ambasadori Orav në X.

Ora 14:22
Zgjedhjet në Kosovë/ Votimi në përfaqësi diplomatike, votuan 73% e të regjistruarve

1739042857_zgjedhjetnekosove.JPG

Më shumë se 73% e diasporës së Kosovës, e regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike, ka ushtruar të drejtën e votës. 

Komisioni Qendror i zgjedhjeve atje ka njoftuar se nga 20 mijë votues kanë votuar më shumë se 15 mijë në 32 ambasada dhe konsullate nëpër vende të ndryshme të botës.

Më së shumti kanë votuar në Konsullatat e Kosovës në Mynih, Duzeldorf, Uashington dhe Nju York. Diaspora e regjistruar për të votuar në përfaqësitë dipolamtike votoi një ditë më parë, 8 shkurt. 

Për zgjedhjet parlamentare kanë votuar edhe ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Dhomat e Specializuara në Hagë, Hashim Thaçi, ish-krye-parlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.

Vota në përfaqësitë diplomatike pason atë me postë. Nga gjitha diaspora e Kosovës janë regjistruar 105 mijë votues, 20 mijë në konsullata dhe 85 mijë me postë. Nga këta të fundit deri tani kanë mbërritur në KQZ rreth 50 mijë.

Ora 13:44
Voton Glauk Konjufca, kryeparlamentari i Kosovës fton qytetarët të marrin pjesë: Ditë e rëndësishme për demokracinë

1739105258_kk.JPG

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të dalin për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Ai ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.

Konjufca tha se sot është një ditë shumë e rëndësishme për demokracinë e shtetit. Ai shtoi se gjëja më e rëndësishme sot është që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme.

Ora 13:12
Zgjedhjet në Kosovë/ EULEX-i monitoron situatën e sigurisë në mbarë vendin

1739103226_ddd.JPG

EULEX-i përmes patrullave të tij tokësore është duke monitoruar situatën e sigurisë në mbarë Kosovën me rastin e ditës së zgjedhjeve.

Shefi i EULEX-it Giovanni Pietro Barbano tha se ky monitorim bëhet për ushtrimin e lirë të së drejtës së v otës duke u fokusuar veçanërisht në komunitetet joshumicë.

“Aktualisht në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet. EULEX-i, përmes patrullave të tij tokësore të mbikëqyrura nga Qendra jonë për Situatë dhe Koordinim, është duke monitoruar situatën e sigurisë në mbarë Kosovën për ushtrimin e lirë të së drejtës së votës duke u fokusuar veçanërisht në komunitetet joshumicë”, ka shkruar Barbano në “X”, tha ai.

Ora 11:42
Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ publikon shifrat: Deri në orën 11:00 votuan 8.6% e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka publikuar pjesëmarrjen në votime. Sipas të dhënave zyrtare, deri në 11:00, ka votuar 169,435 qytetarë me të drejtë vote, nga 1,970,944 në total. Shprehur në përqindje, 8.60% prej tyre.

Kryetari i KQZ, Kreshnik Radoniqi bëri një krahasim me pjesëmarrjen në zgjedhje në vitin 2021, kur deri në orën 11:00 kishin votuar 8.3 e qytetarëve me të drejtë vote. Pra, këto zgjedhje kemi një rritje me vetëm 0.3%.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë konferencës për media tha se procesi po shkon normalisht.

I pyetur nëse ka pasur probleme për hapjen e qendrave të votimit, Radoniqi tha se ka pasur disa probleme në qendrat e votimit me kusht, që kanë të bëjnë me llogaritë për ato qendra. Por tha se procesi është në rregull.

Ora 11:33
Zgjedhjet në Kosovë/ Demokracia Plus ngre shqetësimin: Ngjyra shënjuese e gishtërinjve po fshihet lehtësisht

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka ngritur shqetësimi se shënjimi i gishtërinjve me ngjyrë matrikuluese po fshihet lehtësisht.

Përmes një postimi në Facebook, ai tha se kjo rrit rrezikun për votim të dyfishtë.

“Tri vëzhgime nga procesi i votimit:

1. Shenjimi i gishtërinjve me ngjyrë dalluese po fshihet lehtësisht, duke rritur rrezikun e votimit të dyfishtë. Kjo përbën një hap prapa krahasuar me praktikën e mëparshme të përdorimit të ngjyrës së padukshme, pasi qytetarët mund të bien pre e presioneve për të votuar ose për të mos votuar.

2. Kabina e votimit është më e ulët dhe votuesit ulen në bankë, gjë që rrit rrezikun e cenimit të fshehtësisë së votës, veçanërisht kur një votues tjetër qëndron në këmbë.

3. Mundësia për të votuar deri në dhjetë kandidatë në listë është e panevojshme, pasi sondazhet tregojnë se shumica e qytetarëve mezi arrijnë të zgjedhin katër preferenca. Ky proces jo vetëm që e ngadalëson votimin dhe numërimin e votave, por gjithashtu forcon kontrollin e liderëve partiakë mbi deputetët. Kandidatët lokalë do ta kenë shumë më të vështirë të zgjidhen, ndërsa do të favorizohen të preferuarit e liderit, të cilët përfitojnë më shumë hapësirë mediatike”, shkruan ai.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk janë deklaruar për këtë shqetësim të ngritur.

Krasniqi ndërkaq pati vërejtje edhe për kabinën e votimit, e cila tha se është më e ulët “gjë që rrit rrezikun e cenimit të fshehtësisë së votës, veçanërisht kur një votues tjetër qëndron në këmbë”.

Ora 11:21
Zgjedhjet në Kosovë/ Voton Presidentja Vjosa Osmani: Qytetarët duhet t'a shfrytëzojnë këtë ditë për të votuar

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka hedhur votën për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Osmani votojë në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik, në Prishtinë.

Pas votimit në një prononcim për media, ajo u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë.

"“Duhet ta mbajmë të tillë [nivelin e demokracisë], dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej. Sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim, duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm, nga i cili përcaktohet parlamenti i ardhshëm, pastaj edhe institucionet tjera, dhe merren vendime që kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre.

Qytetarët duhet ta shfrytëzojnë këtë ditë për të votuar. Ata i kanë informatat rreth vend votimeve dhe është mundësi e mirë që të japin vlerësimin e tyre për politikanët, por ti japin mundësi edhe atyre që kandidojnë për herë të parë. I uroj suksese atyre që kandiduan në këto zgjedhje, e mbara t'i prijë Kosovës dhe një mënyrë e mirë për të kontribuar për Kosovën është votimi’, tha ajo.

Ora 11:04
Zgjedhjet Parlamentare/ Voton kryetari i PD në Kosovë Memli Krasniqi: Ditë e rëndësishme për qytetarët dhe demokracinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka hedhur votën e tij për zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në Kosovë (9 shkurt).  Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Meliza Krasniqi.

Pas votimit ai është shprehur se sot është një ditë e madhe dhe e rëndësishme për qytetarët dhe demokracinë e Kosovës. Krasniqi u shpreh se kjo ditë duhet të shfrytëzohet nga secili qytetar që ka të drejtë vote.

“Sot është një ditë e mirë, është një ditë e madhe, është një ditë tepër e rëndësishme për vendin tonë, për qytetarët tanë, për demokracinë e Kosovës. Unë bashkë me Melizën sapo votuam në shkollën fillore “Hasan Prishtinë” në Prishtinë”. Me besimin e plotë për të ardhmen e qytetarëve tanë, për mundësinë dhe potencialin për të pasur një jetë më të dinjitetshme për të gjithë, besoj që kjo ditë duhet të shfrytëzohet nga secili qytetar që ka të drejtë vote që të vij dhe përmes ushtrimit të kësaj të drejte ta japin verdiktin se nga dëshirojnë ta drejtojnë vendin në katër vitet e ardhshme. Jam besimplotë se ashtu siç kemi pasur një fushatë shumë pozitive, një fushatë që ka qenë e drejtuar kah e ardhmja, edhe vota dhe verdikti qytetar do ta thotë të njëjtën”, është shprehur Krasniqi.

Ora 10:50
Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë/ Presidentja Vjosa Osmani pret në radhë për të votuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në radhë, teksa shkojë për të votuar paraditen e sotme, për zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Vjosa Osmani është parë duke pritur për disa minuta në radhë, për shkak se para kishte disa qytetarë që po votonin.

Osmani votojë në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik, në Prishtinë.

Ora 10:49
Zgjedhjet/ Report Tv në Prizren, qytetarët: Presim ndryshime të mëdha! Fiton Kurti, luftoi për Kosovën

Report Tv sjell situatën e procesit të votimit në Kosovë. Gazetari Benet Beqiri i cili ndodhet në Prizeren informon se zgjedhjet po mbahen në Komunat e Prizrenit, Suarekës, Malishevës, Dragashit e Mamushës.

Në këtë rajon janë thirrur për të votuar 351147 zgjedhës me të drejtë vote në 179 qendra votimi, me total 456 kuti votimi.

Procesi ka nisur me disa vonesa për shkaqe teknike ndërkohë që vijon i qetë dhe pa probleme deri më tani. Ka një pjesëmarrje të konsiderueshme të qytetarëve me të drejtë vote.

Ata vlerësojnë procesin ndërsa shprehin pritshmëritë nga qeveria e re dhe kandidatët e tyre të preferuar.

“Presim një sukses për të gjithë popullin, presim punësim. Shpresojmë që mërgimtarët të kthehen në Kosovë’, tha një qytetar pasi doli nga qendra e votimit për Report Tv.

“Rrëmujë nuk ka, gjithçka është në rregull. Presim që të realizohen synimet e qytetarëve”, tha një qytetar tjetër.

“Zgjedhjet janë vullneti i popullit. Ka për të qenë shumë më mirë. Ka për të pasur prosperitet  sidomos për lirinë. Ne e meritojmë të jemi më mirë”, Bahrije Besimi, qytetare.

Presim ndryshime të mëdha për popullin e Kosovës”, tha Rasim Gashi votues.

“Presim stabilitet ekonomik, shoqëror dhe politik”, tha një qytetar.

"Kurti i ndihmon të gjithë, mendoj se ka për të fituar 100%. Nuk shaj asnjë, gjithkush ka vendin e vet. Ka luftuar për Kosovën”, u shpreh një qytetare tjetër.

Edhe kryesuesit e vendvotimeve vleresojnë si të qetë procesin dhe arsyet e vonesës së fillimit të votimeve.

“Procesi po shkon shumë mirë. Është një proces i rregullt. Qendra 05 ka rreth 700 votues që duhet të votojnë”, tha Melisa Cana, kryetare e qendrës së votimit për Report Tv.

"Procesi po shkon mirë. Votimi filloi rreth orës 7:20. Deri tani kanë votuar 39 persona", tha një anëtare e qendrës së votimit.

“Procesi i votimit nisi 15 minuta me vonesë, për shkak të shpërndarjes së materialit. Çdo gjë po shkon shumë mirë”, shtoi një anëtare tjetër e qendrës së votimit.

Ora 10:45
Zgjedhjet në Kosovë/ Fotografoi votën dhe sulmoi dy policë, arrestohet votuesi

1739094807_SSS.JPG

Në qendrën e votimit ‘Xheladin Rekaliu’ në Podujevë është arrestuar një person, pasi dyshohet se ka fotografuar votën.

Sipas mediave në Kosovë, po ashtu raportohet se i njëjti ka sulmuar edhe dy policë.

Ora 10:41
FOTOLAJM/ Veterani i luftës shkon të votojë i veshur me uniformën e UÇK-së: Jam betuar që s’do ta heq kurrë

1739094316_MuhametKuka.JPG

Një nga veteranët e UÇK-së, Muhamet Kuka, ka ushtruar të drejtën për të votuar për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ditën e sotme (9 shkurt). 

Ai ka shkuar në qendrën e votimit i veshur me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas votimit, ai është shprehur se është betuar që nuk do ta heqë asnjëherë këtë uniformë.

“Procesi shkoi shkëlqyeshëm edhe hyrja brenda. E përfundova me gëzim votimin. Unë e kam dhënë një betim, që mos ta heqë uniformën”, është shprehur ai për Klan Kosova.

Ora 10:13
Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë/ Voton kandidati i LDK Lumir Abdixhiku: Vendosni fatin tuaj për 4 vitet e ardhshme
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka votuar për zgjedhjet parlamentare në shkollën Faik Konica në Prishtinë.

Abdixhiku ftoi të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të votojnë për të vendosur për “fatin e tyre dhe të Republikës së Kosovës” për katër vjetët e ardhshëm.

 ‘Është ditë e demokracisë dhe në këtë ditë të demokracisë ftoj qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në vendosjen e fatit të tyre për katër vjetët e ardhshme të dhe Republikës së Kosovës’, ka thënë Abdixhiku.

Ora 10:06
BE 104 vëzhgues për zgjedhjet në Kosovë: Të përkushtuar të monitorojmë procesin zgjedhor

Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (EOM), Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, ka deklaruar se me 104 vëzhgues të BE-së në terren, janë duke monitoruar nga afër procesin zgjedhor.

Ajo ka theksuar se kanë për qëllim të vlerësojnë nëse qendrat e votimit u hapen me kohë, nëse materialet e nevojshme janë të pranishme dhe si po zhvillohet procesi zgjedhor.

Derisa ka bërë të ditur se një vlerësim i plotë do të jepet në një konferencë për media të martën.

“Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian është në terren në mbarë Kosovën. Vëzhguesit tanë e nisën punën herët në mëngjes për të siguruar një vlerësim të plotë të procesit zgjedhor. Aktualisht ndodhem në Prishtinë, dje isha në Prizren. Një ditë më parë isha në Mitrovicën e Veriut dhe sot do të udhëtoj në disa vende të tjera jashtë Prishtinës për të parë nga afër situatën. Qëllimi ynë është të vlerësojmë nëse qendrat e votimit u hapën në kohë, nëse të gjitha materialet e nevojshme janë të pranishme dhe si po zhvillohet procesi zgjedhor. Në këtë fazë, është ende herët për të nxjerrë përfundime. Një vlerësim i plotë do të jepet në konferencën tonë për shtyp ditën e martë", tha ajo.

Ajo më tej ka theksuar Bashkimi Evropian mbështet plotësisht demokracinë në Kosovë.

"Me 104 vëzhgues të BE-së në terren, ne jemi të përkushtuar të monitorojmë nga afër procesin zgjedhor. Bashkimi Evropian mbështet plotësisht demokracinë në Kosovë dhe dëshiron të sigurohet që të gjithë votuesit të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës.
Kështu thuhet në njoftimin e prokurorisë, duke shtuar se në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme.

Ora 09:57
Zgjedhjet në Kosovë/ Serbët i kthehen votimeve në veri, Vuçiç thirrje: Votoni Listën Serbe! 5 të ndaluar për shkelje zgjedhore

Foto:  Aleksandër Vuçiç

Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet parlamentare, ndërsa serbët në veri, me krye kryetarin e Listës Serbe, Zllatan Ellek, kanë marrë pjesë në votime.

Kjo është hera e parë që qytetarët serbë në veri u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të votojnë në zgjedhjet. Vuçiç po ashtu thekson që ata të votojnë Listën Serbe, sepse sipas tij është e vetmja garanci që Albin Kurti nuk do t'i dëbojë.

"Po shfrytëzoj rastin t'u bëj thirrje të gjithë serbëve nga Kosova që të shkojnë e të votojnë. Votoni Listën Serbe, sepse ajo është garancia e vetme që Kurti nuk do t'i dëbojë serbët nga Kosova", shprehet Vuçiç.

Lista Serbe është e vetmja që dëshiron të luftojë për interesat e popullit serb dhe që Kurti në asnjë mënyrë nuk mund të japë ryshfet", tha Vuçiç.

Ndërkohë, pak pasi nisi votimi, 5 persona u ndaluan në Kosovë për veprën penale cënim i lirisë së votuesve. Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka evidentuar 2 raste me këtë vepër penale.

Prokurori i Shtetit tha se ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe staf të sistemit prokurorial për procesin zgjedhor, në mënyrë që të procedohet çdo parregullsi e mundshme në zgjedhje.

Edhe misioni ndërkombëtar Eulex është angazhuar për të shmangur konfliktet apo përplasjet e mundshme.

Ora 09:55
Zgjedhjet në Kosovë/ Kërkon mandatin e dytë, Kurti thirrje qytetarëve: Bëjeni zërin tuaj të dëgjohet, vendosni për 4 vitet e ardhshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka votuar për zgjedhjet parlamentare të Kosovës. Kurti kërkon mandatin e dytë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë.

“I falënderoj të gjithë qytetarët kanë votuar deri në këto çaste, inkurajo çdo njeri që të votojë, ushtrojeni të drejtën demokratike për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet, përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për 4 vitet e ardhshme. Suksese”, tha Kurti.

Ora 09:49
Zgjedhjet në Kosovë/ Voton kandidati i PDK: Në fund sovrani vendos

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka votuar sot (9 shkurt) në Mitrovicë.

Ai i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në Kosovë që të votojnë, ndërsa theksoi se në fund është sovrani që vendos. 

“Në fund sovrani vendos, qytetarët votojnë. Për mua çdo rezultat që votojnë qytetarët e Kosovës është i pranueshëm, jam optimist. Ka qenë një fushatë e gjatë, por jam i lumtur që gjatë gjithë kohës e kemi ruajtur pozitivitetin”, tha ai. 

Thirrje për të dalë në votime kanë bërë edhe kandidatë tjerë për kryeministër. Përveç Hamzës, në garë për këtë pozitë janë edhe Albin Kurti, kryeministër aktual, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ora 09:47
Zgjedhjet në Kosovë/ Voton Albin Kurti, Report Tv sjell pamjet

Report Tv përcolli momentin e votimit nga Kurti, ndërsa bashkëshortja e tij Rita Augestad Knudsen nga Norvegjia nuk voton.

Kryeministri aktual, Albin Kurti, që sërish është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, ka votuar për zgjedhjet parlamentare në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, ndërsa ka qenë i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij.

Report Tv që ndodhet në Kosovë për të ndjekur procesin zgjedhor hap pas hapi, ka siguruar pamjet nga votimi i Kurtit.  

Ora 09:36
Zgjedhjet/ Serbët e zhvendosur nga Kosova votojnë në zgjedhjet parlamentare

Komisariati për Refugjatë i Republikës së Serbisë është angazhuar në "mobilizimin" e personave të zhvendosur për të votuar në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

Sipas informacioneve të gazetarëve të Radios Evropa e Lirë që janë në terren, autobusët kanë mbërritur sot në mëngjes në Mitrovicë dhe shumica prej tyre votojnë me kusht në Mitrovicën e Veriut.

Radio Evropa e Lirë ka hasur disa prej tyre edhe në Graçanicë, siç është Zhivorad Petkoviq nga Vrnjaçka Banja.

Ai tha se ka ardhur pa probleme në Kosovë me një furgon, dhe teksa shumica votojnë në Mitrovicë, ndërsa ai ka vendosur të votojë në Graçanicë.

Ora 09:15
Fëmijët e Haradinajt votojnë për herë të parë/ Kryetari i AAK-së thirrje qytetarëve: Kosova ka nevojë për votën tuaj

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka hedhur votën e tij për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Haradinaj është kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët dhe votoi orën 9:00 në shkollën e mesme "Ali Sokoli" në Prishtinë.

Haradinaj ishte i shoqëruar me familjen, ndërsa dy fëmijët e tij votojnë për herë të parë. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Haradinaj u bëri thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e votës.

“Ka filluar mirë, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të votoni. Kosova ka nevojë për votën tuaj. Na priftë e mbarë dhe suksese”, tha ai.

Ora 09:07
Zgjedhjet në Kosovë/ 5 persona të ndaluar për shkelje zgjedhore në Zubin Potok

1739088534_NdrtesaeProkurorittShtetitnPrishtin..JPG

Pesë persona janë ndaluar në Zubin Potok për veprën penale “cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, bëri të ditur Prokurori i Shtetit.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka iniciuar dy raste të ndara lidhur me këtë vepër penale, pas pranimit të informacione nga qytetarët për shkelje zgjedhore.

Prokurori i Shtetit tha se ka angazhuar afër 100 prokurorë dhe staf të sistemit prokurorial për procesin zgjedhor, në mënyrë që të procedohet çdo parregullsi e mundshme në zgjedhje.

“Prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku Prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”, u tha në njoftim.

Ky institucion u bëri thirrje qytetarëve, partive e institucioneve të tjera që të denoncojnë çdo rast që dyshojnë për keqpërdorim të votave. Po ashtu, Policia e Kosovës njoftoi se po zbaton planin e saj për ditën e zgjedhje, në koordinim me Prokurorinë për të mbrojtur votën.

Ora 08:33
Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ: Në të gjitha qendrat e votimit ka nisur votimi! Zëdhënësi thirrje qytetarëve: Votoni

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë, procesi i votimit ka filluar, duke shtuar se i gjithë materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë.

Gjatë konferencës së parë për media të KQZ-së, ai iu bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe tha se të drejtë vote brenda Kosovës kanë mbi 1.9 1,970,944 votues. 

“Në orët e hershme të mëngjesit është shpërndarë materiali zgjedhorë ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet për në të gjitha qendrat e votimit. Duke u mbështetur në informacione që kemi pranuar deri më tani, në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës, në 903 në gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime ka filluar procesi i votimit në zgjedhjet për kuvendin e Republikës së Kosovës. Përveç votimit të rregullt në këto qendra votimi siç e dini KQZ, ka caktuar edhe 38 qendra të votimit me kusht, nga një për çdo komunë me gjithsej 56 vendvotime. KQZ, u bën thirrje qytetarëve me të drejtë vote, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese duke votuar në zgjedhjet për kuvendin e ardhshëm të Kosovës”, tha Elezi.

Elezi u kujtoi qytetarëve vendimin e KQZ-së se ata mund të identifikohen në qendrat e votimit me letërnjoftim me afat të skaduar.

Ora 08:31
Zgjedhjet në Kosovë, Report Tv në një qendër votimi në Prishtinë, hidhen votat e para nga qytetarët

Kosova mban sot (9 shkurt) zgjedhjet Parlamentare. Për të ndjekur hap pas hapi procesin zgjedhor ekipi i Report Tv me gazetarin Arlind Isai ndodhen në Kosovë.  

Nga shkolla 'Naim Frashëri' në Prishtinë, gazetari raportojë se kanë ardhur votuesit e parë për të votuar edhe pse të pakët në numër.

Ndërkohë, deri më tani nuk janë shënuar incidente, ndërsa procesi i votimit vijon normalisht.

Ora 07:54
Zgjedhjet në Kosovë/ Procesi i votimit në disa qendra në Prishtinë s’ka nisur ende, shkak problemet teknike

1739084370_vv.JPG

Në disa qendra votimi procesi ende s'ka nisur. Kështu, një ndër to është qendra e votimit në Prishtinë në Fakultetin e Edukimit, ku procesi i votimit nuk ka nisur në orën 07:00.

Sipas mediave në Kosovë, menaxheri i qendrës bëri me dije se ishin përballur me disa probleme teknike.

Ora 07:30
Zgjedhjet në Kosovë/ Nis votimi në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe
Në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, qytetarët kanë nisur procesin e votimit.
Serbët në veri gjerësisht kishin bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat në veri, pasi Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, u tërhoq nga institucionet e Kosovës.

Kjo është hera e parë që ata u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe partia më e madhe e serbëve në Kosovë ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore.

S.B/G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Igor: 09/02/2025 20:28

    Thuani lamtumire Kosoves po erdhen Hajdutet e vjeter ne qeveri u shit Kosova si fitues doli VUCICi a ju pelqen apo jo kete e ka pritu qe te humbas Kurti ,edhe pse Evropes dhe Amerikes nuk i pelqen Kurti por per Kosoven ka luftuar gjithmone por porendimit nuk i pelqen e verteta.

    Përgjigju
  • miri: 09/02/2025 14:07

    do zoti fito ramush haradinaj

    Përgjigju
    • adi: 09/02/2025 21:23

      per mua ishall fiton mami jot

  • Sondazhi i ditës: 21 Mars, 10:09

    Sa e dëshironi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?



×

Lajmi i fundit

Kishte fshehur 1890 fara kanabisi  në kofanon e makinës, arrestohet 26-vjeçari në Krujë (EMRI)

Kishte fshehur 1890 fara kanabisi në kofanon e makinës, arrestohet 26-vjeçari në Krujë (EMRI)