Sot do të luhen një pjesë e ndeshjeve të kthimit për turin e parë eliminator të “Champions League” ku pavarësisht se në fushë nuk do të jetë asnjë skuadër nga Superliga të inkuadruara do të jenë dy skuadra shqiptare.
Në orën 17:00 në stadiumin e Shkupit Shkëndija e Tetovës do të presë skuadrën e Estoneze të Nome Kalju. Takimi i parë i luajtur në Talin është mbyllur me shifrat 0-1 dhe çështja e kualifikimit duket më se e arritshme. Për kampionët e Maqedonisë së Veriut do të mjaftonte edhe barazimi 0-0, por duke parë synimet që ata kanë këtë sezon Nome Kalju pritet të lihet pas pa probleme.
Për këtë takim trajneri Qatip Osmani do ta ketë të plotë grupin pasi me skuadrën këtë javë janë stërvitur edhe dy brazilianët Juan Felipe dhe Stenio Junior. Gjithsesi këta të fundit nuk pritet ta nisin si titullarë.
Përveç Shkëndijës sonte në fushë do të zbresë edhe një skuadër tjetër shqiptare. Bëhet fjalë për kampionët e Kosovës Ferronikelin, të cilët në orën 20:45 në stadiumin Fadil Vokrri do të presin uellsianët e TNS-s. Ndeshja e parë e zhvilluar në Britani është mbyllur me shifrat 2-2 dhe sot kampionët e Kosovës kanë shansin për të shkruar historinë pasi asnjë skuadër nga ky kampionat nuk ka shkuar në turin e dytë të Championsit.
Përballë TNS-ë Ferronikelit përveç fitores do t’i mjaftonte edhe një barazim pa gola ose 1-1.