TIRANE- Ndryshimi i orës këtë vjeshtë u bë të dielën e fundit të tetorit (27), kur në orën 03:00 (sipas orës shqiptare) akrepat e orës shkuan në 02:00. Nga kjo ditë të gjithë do të kenë zyrtarisht një orë më shumë gjumë.

Ndryshimi i orës bëhet dy herë në vit në javën e fundit të tetorit dhe në të dielën e fundit të marsit me qëllim shfrytëzimin sa më mirë të energjisë diellore.

Ndryshimi i orës më parë në Europë ka qënë jo i njëtrajtshëm, por ajo filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike. 

Ndryshimi i orës në Europë u vendos si ligj europian nga viti 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet . Norma europiane vendos në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur ora shkon një orë përpara) dhe përfundimin e saj (kur ora shkon një orë pas ); që tani respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit.

Stina e vjeshtës, nisi më 22 shtator në orën 20.44 në hemisferën tonë dhe sipas sinoptikanëve ajo do të zgjasë 89 ditë dhe 20 orë. Stina e verës i la kështu vendin vjeshtës, e cila do të përfundojë më 21 dhjetor me fillimin e stinës së dimrit. 

Tashmë çdo ditë dielli në mëngjes lind një minutë më vonë se një ditë më parë dhe mbasditeve ai ulet gati dy minuta më parë. Sipas përllogaritjeve, çdo ditë dielli do të jetë mbi horizont gati tre minuta më pak.

(v.gj/shqiptarja.com)