TIRANE- Deputeti socialist Artan Gaçi në një letër drejtuar deputetëve të qarqeve bregdetare e atyre me dalje në liqenin e Shkodrës, liqenin e Fierzës dhe liqenin e Pogradecit u kërkon që të jenë në unison për të votuar nismën e tij ligjore për heqjen e moratoriumit të "skafeve". "Nesër (sot) do shqyrtohet kërkesa e PS për shfuqizimin e moratoriumit të mjeteve lundruese.

Nëpërmjet kësaj letre publike, ju bëj thirrje ju kolegë të mazhorancës të votoni në interesin më të mirë të atyre që përfaqësoni për të shfuqizuar moratoriumin e mjeteve lundruese, ligj që ka bllokuar zhvillimin turistik e ekonomik të Shqipërisë", shkruan Gaçi. Për të cilin, Moratoriumi e ka vendosur Shqipërinë në një pozicion të turpshëm krahasuar me fqinjët bregdetarë që e shohin turizmin si burim mirëqënieje për qytetarët e tyre dhe se zgjatja e tij vetëm sa do të thellonte absurdin e një ligji që nuk përmbush asnjë qëllim përveçse penalizimit të industrisë së turizmit. "Ju drejtohem ju me shpresën se do të ngriheni mbi interesin e çastit e do të reflektoni me votën tuaj vullnetin dhe interesin e atyre që përfaqësoni por edhe vetëdijen individuale për rëndësinë strategjike të turizmit për zhvillimin e vendit. Vota juaj në favor të shfuqizimit është prova që duhet t'u japim shqiptarëve se interesat e tyre janë mbi interasat partiake", shkruan deputeti i PS. "Uroj që kjo çështje të shërbejë si shembulli se s'nevojitet presioni i ndërkombëtarëve për t'u marrë vesh e për të bashkëpunuar për ato çështje që përbëjnë prioritet kombëtar", përfundon ai. Ligji për moratoriumin e skafeve u miratua nga mazhoranca e djathtë më 2006, disa muaj pasi kishte ardhur në pushtet, si shprehje e vullnetit për të luftuar pa kompromis çdo lloj trafiku, përfshi atë të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike. Ligji do kishte fuqi deri më 2010. Në atë kohë, ky ligj u bë objekt i një debati të gjerë, pasi opozita, por dhe bashkitë e qyteteve bregdetare e kundërshtuan atë si penalizues të turizmit e paaftësi e qeverisë për të kontrolluar kufijtë ujorë. Në prag të anëtarësimit në NATO, qeveria e djathtë për t'ju shprehur partnerëve ndërkombëtarë garancinë e saj se ishte e vendosur të luftonte çdo lloj trafiku, vendosi të zgjasë afatin e këtij ligji dhe për 3 vjet të tjera, pra deri në vitin 2013.
(sg/shqiptarja.com)