Kombëtarja shqiptare e futbollit do mësojë sot rivalët në Ligën C të Ligës së Kombeve. Shorti për grupet e këtij kompeticioni do mbahet në orën 18:00 në Bruksel. Ekipi ynë bën pjesë në Ligën C dhe është pozicionuar në Vazon 1, së bashku me Islandën, Malin e Zi dhe Kazakistanin.

Kuqezinjtë do përballen me një nga ekipet e vendosura në Vazon 2, 3 dhe 4 të këtij eventi, duke formuar grupin me katër skuadra.

Sipas ndarjes së vazove, Kombëtarja shqiptare mund të përballet me një nga ekipet e mëposhtme:

Vazo 2: Finlanda, Sllovakia, Bullgaria, Armenia

Vazo 3: Bjellorusia, Ishujt Faroe, Qipro, Estonia

Vazo 4: Letonia/Gjibraltari, Luksemburgu/Malta, Moldavia, San Marino

Pas vendit të fundit në edicionin e shkuar të Ligës së Kombeve (Grupi E, Liga B), tanët kërkojnë të jenë në krye të grupit që do mësohet sot, për t'u rikthyer në Ligën B. Nisur nga rivalët në këtë Ligë, tanët pritet të kenë një short të lehtë, por nuk do shmangin dot një mes Finlandës, Sllovakisë, Bullgarisë apo Armenisë.