Procesi gjyqësor për vrasjen e Ardit Spahiut, ngjarje e ndodhur më 27 nëntor 2020 në Molenbeek të Belgjikës, ka vijuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel.
Romain Delcoigne, avokati që mbron një prej të akuzuarve, Elvis Murataj, paraqiti një sërë provash për të demonstruar se klienti i tij nuk ishte në automjetin “Golf GTI” që u përdor në ekzekutimin e Spahiut, shkruajnë mediat belge.
Ndërkaq, avokati tjetër mbrojtës, Quentin Mayence vuri në dyshim përshkrimet e dëshmitarëve, provat e ADN-së dhe komunikimet e përgjuara përmes Sky ECC dhe shtoi se përshkrimi fizik i bërë nga dëshmitarët për tre personat që ndodheshin në makinë, është i papajtueshëm me profilin e Elvis Muratajt.
Në fillim të gjyqit, Elvis Murataj u akuzua si autori i vrasjes, por avokatët thanë se Murataj nuk ka pasur asnjë rol në atentatin ndaj Spahiut.
Flobenc Mecja dhe Endrit Sadedini, të akuzuar si dy personat e tjerë të armatosur në "komando", mungojnë në këtë gjyq, ndryshe nga Elvis Murataj. Ata janë të burgosur në Shqipëri në lidhje me raste të tjera.
Të premten, mbrojtja e Elvis Muratajt iu drejtua logjikës së jurisë. Ata kërkuan lirimin e tij nga akuzat për përfshirjen e tij në vrasjen e Ardit Spahiut, i cili u vra me 18 plumba nga dy armë zjarri.
Elvis Murataj është i pandehuri i katërt që kërkon lirim nga akuzat për shkak të mosbesueshmërisë së provave të paraqitura nga prokuroria, pas Elton Rocit, Blerim Mamutaj dhe Franc Çopjas.
Komente









