Ndeshja ndërmjet Polonisë dhe Greqisë, e cila zhvillohet sot në orën 18:00 do të shënojë fillimin e Kampionatit të 14-të evropian, që prej 8 qershor deri më 1 korrik do të mbahet në Poloni dhe Ukrainë.

Njëherësh me këtë ndeshje do të fillojë edhe maratona e ndeshjeve nga Euro 2012. Kapiteni i Polonisë, Jakub Blazhkovski është shprehur i bindur se skuadra e tij mund të arrijë sukses në këtë Evropian, dhe ka thënë se përballja me Greqinë në hapje të këtij turneu mund të jetë vendimtare për ecurinë e mëtejshme të polakëve.

“Besoj se nëse e kemi fatin në anën tonë mund të arrijmë sukses në këtë turne. Megjithatë, e tëra varet se si do të luajmë në fazën grupore. Suksesi në fazën e parë do të na jap shumë vetëbesim dhe një gjë e tillë do të na mundësojë që të shkojmë tutje”, është shprehur Blazhkovski. Polonia bënë pjesë në Grupin A së bashku me Greqinë, Çekinë dhe Rusinë. “Hapi i parë është gjithmonë më i rëndësishmi, që do të thotë se për ne hapi i parë është ndeshja me Greqinë”, ka theksuar mesfushori 26-vjeçar, i cili llogaritet si njëri ndër lojtarët kyç të kombëtares polake.

Ndërkaq, sulmuesi i Kombëtares së Greqisë, Giorgos Samaras ka premtuar se skuadra e tij do të bëjë gjithçka për t’i dhënë gëzim vendit të tij, pas gjithë atyre problemeve të mëdha ekonomike, që është duke i përjetuar kohët e fundit.

“Unë nuk e di se sa larg do të shkojmë dhe se çka mund të bëjmë, por me mënyrën tonë të të luajturit futboll do të mundohemi t’i japim gëzim Greqisë”, është shprehur Samaras. Kampionati Evropian në Poloni dhe Ukrainë do të jetë i fundit me formatin prej 16 skuadrash, pasi duke filluar nga Euro 2016 në Francë do të jenë pjesëmarrëse 24 skuadra.(rb/shqiptarja.com)