TIRANË- Ditën e sotme ka startuar festivali ‘Sunny Hill Festival’ në Tiranë që do të zgjasë për tre ditë rresht. Emra të mëdhenj do të ngjiten në skenën e Sunny Hill Tirana përballë një panorame të mrekullueshme te Liqeni Artificial i Tiranës, ku skena dhe çdo detaj tjetër tashmë është gati të mirëpresë edicionin e parë të këtij eventi muzikor në Shqipëri. 40 yjet e muzikës do të performojnë për tre netë rresht të ftuar nga këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa.

Action Bronson, reperi i famshëm italian Fedez, Tananai  por dhe artistë shqiptarë si Dren Abazi e Dafina Zeqiri do të jenë të parët që do të startojnë festivalin.

Ndërkohë, në ditën e dytë të festivalit do të performojnë vetëm DJ të njohur botëror, ndërsa dita e tretë e festivali do të hapet nga reperi i njohur Stormzy, ndjekur nga Mc Kresha & Lyrical Son & Ledri Vula, Mozzik & Getinjo dhe Elgit Doda.

Për të marrë më shumë detaje rreth Sunny Hill Festival, mund të shkarkoni aplikacionin zyrtar të festivalit, që është në dy versione, për android dhe IOS. Bileta e blerë është e vlefshme për të trija netët. Bileta ka një kod skanimi dhe më pas pjesëmarrësve i jepet një byzylyk për të vendosur në dorë, i cili nuk duhet të dëmtohet. Mosha minimale për të ndjekur festivalin vetëm është 16-vjeç. Të rinjtë nën moshën 16-vjeç duhet të jenë të shoqëruar nga të rriturit. Nga ana tjetër duhet të keni me patjetër me vete kartën e ID për tu futur brenda në festival. 

Në festival nuk paguhet me Cash, por pagesat për pijet dhe ushqimin bëhen përmes aplikacionit Sunny Hill. Festivali, do të mbahet me datë 26, 27 dhe 28 gusht. Më herët ky organizim madhështor u zhvillua edhe në kryeqytetin e Kosovës, pjesë e së cilit ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës.

Të gjithë artistët që do të performojnë

26 gusht

Action Bronson
Fedez
Tananai
Dafina Zeqiri
Capital T
Dren Abazi
Art Lokaj
Sancet
Cryjaxx
Art Halili

27 gusht

Hardwell
Afrojack
Regard
Merk&Kremont
Drop G
Kamela
Ampov
Vin Veli
Lekë

28 gusht

Stormzy
Mc Kresha & Lyrical Son & Ledri Vula
Mozzik & Getinjo
Elgit Doda
Asgjë Sikur Dielli
Nika Paris- Vegas Jones- Rooms
Barny Fletcher
Alban Chela
Ardian
Rrrrron

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:44
Veliaj dhe Dukagjin Lipa inspektojnë përgatitjet e fundit për 'Sunny Hill Festival': Tirana destinacion i artit dhe i kulturës

Gjithçka gati për tre netë magjike të “Sunny Hill Festival” në Tiranë. Në nisje të festivalit të shumëpritur, Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj dhe organizatori Dukagjin Lipa, inspektuan detajet e fundit të përgatitjeve së një prej festivaleve më të mëdhenj që janë zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë, i cili zgjat tre ditë.

Bashkë me ekipin e vullnetarëve që do të kontribuojnë për mbarëvajtjen e këtij eventi, Veliaj theksoi se kjo është një javë fantastike për Tiranën. “Kjo ka qenë një javë fantastike për Tiranën. Gjysma e parë e javës u fokusua te sporti, me fitoret e Luiza Gegës dhe Florian Markut. Tani e marrin stafetën artistët shqiptarë. Kush ka vizituar Liqenin e Tiranës s’ka për të besuar se ky vend është transformuar në kaq pak ditë dhe në kaq pak orë. Tani jemi në punët e fundit, është përgatitur hapësira e skenës së madhe, ndërkohë tek fusha e balonave, siç e mbajmë mend ne nga Tirana e vjetër, kur luanim me balona, është pjesa e child-zone”, tha Veliaj. 

Dyert hapen që në orën 15:00, ndërkohë janë marrë masa në bashkëpunim edhe me Policinë Bashkiake dhe atë të Shtetit, për lehtësimin e qarkullimit të mjeteve dhe garantimin e sigurisë. Kreu i Bashkisë u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin përdorimin e automjeteve. “Në dallim nga Gërmia, ku ndoshta duhet të vish me makinë, kush jeton në Tiranë të mos vijë me makinë! T’i ruajmë vendet e parkimit për ata që do vijnë nga Kosova, Maqedonia, Italia, Greqia, Mali i Zi dhe nga vende të tjera”, nënvizoi Veliaj.

Ndërkaq, Veliaj dha një tjetër lajm të mirë. Pjesa e Liqenit Artificial që do të mikpresë festivalin “Sunny Hill Festival”, do të shërbejë edhe si një hapësirë e përhershme për festivale të ngjashme. “Unë besoj se ne do kemi një histori suksesi që fillon sot dhe do vazhdojë për vite të tëra me “Sunny Hill Festival” në Tiranë. Besoj shumë që të gjithë ata që do të vijnë nga qytete të tjera, do ta shohin Tiranën edhe si një destinacion, në këtë vit që është Kryeqyteti Europian i Rinisë, edhe si destinacion i artit dhe kulturës. Ëndrra që kemi me Dukagjinin është që këtë ta kthejmë në një hapësirë permanente të festivalit, e dedikuar vetëm për aktivitete të tilla”, theksoi Veliaj.

Organizatori i "Sunny Hill Festival", Dukagjin Lipa siguro tre netë fantastike, ku do të performojnë këngëtarët më të mirë të momentit. “Është kënaqësi të jesh në Tiranë, është kënaqësi të shohësh të rinjtë e Tiranës dhe Prishtinës. Po shpresojmë se të rinjtë tanë do kalojnë 3 ditë fantastike në Tiranë, edhe kjo do të kthehet me shpresë në një event i cili do të përsëritet. Jemi në një vend është shumë unik, shumë i veçantë për të pasur një festival të tillë. Ky është viti i parë në Tiranë, por shpresojmë se do kalojë shumë mirë. Kemi disa prej artistëve më në zë të momentit në zhanërat e tyre në Europë”, tha Lipa.

Për të shmangur radhët e gjata për blerjen e pijeve apo të ushqimeve, organizatorët kanë menduar disa risi, duke eliminuar pagesat cash. “Pjesa e konsumit funksionon cashless, do të thotë nuk përdorim cash në Festival. Kemi bërë “Sunny Hill Festival” aplikacion që download-et, merret një QR code me emër mbiemër, mbushet përmes bankës dhe mundesh të paguash shpejt”, sqaron Dukagjin Lipa.

Ndërkohë, ditën e sotme do të performojnë Fedez, Action Bronson, Capital T, Dafina Zeqiri etj.

Ora 09:38
Sunny Hill Festival në Tiranë, rregullat që duhet të zbatoni për të futur në festival

Kur kanë mbetur edhe pak orë nga nisja e Sunny Hill Festival Tirana 2022, gjithçka është pothuajse gati. Organizatorët e festivalit kanë publikuar disa nga rregullat që duhet të ndjekin të gjithë pjesëmarrësit në këtë festival. Të gjithë ata që tashmë kanë siguruar një biletë, duhet të marrin me vete kartën ID dhe Biletën, ndërsa nuk duhet të marrin me vete mjete të ndaluara.

Gjërat që duhet të dini:

1-Mosha minimale për të ndjekur festivalin vetëm është 16-vjeç.
Të rinjtë nën moshën 16-vjeçare duhet të jenë të shoqëruar nga të rriturit.
2-Ju mund ta rimbushni byzylykun tuaj direkt në vendin ku zhvillohet eventi, por ne ju rekomandojmë ta bëni pagesën nëpërmjet aplikacionit të Sunny Hill Festival për të shmangur radhët e gjata.
3-Për t’u futur, mos harroni:
Kartën ID/Pasaportën
Biletën (digjitale ose të printuar)
4-Në hyrje do të kaloni përmes kontrollit të sigurisë.

Sende të ndaluara:

Mjete të mprehta
Ushqim dhe pije
Produkte aerosoli (spraj)
Parfume
Narkotikë ose substanca të ndaluara
Çakmakë