KAPSHTICE- Në pikën doganore të Kapshticës, pala greke ktheu në kufi dhjetëra qytetarë shqiptarë me pretendimin se aty po instalohet një sistem i ri. Kthimi i shqiptarëve përkoi me zhvillimin e protestës së PDIU-së dhe shoqatës "Çamëria" në Tiranë për vonimin e miratimit të Rezolutës çame nga Kuvendi shqiptar.  Dogana greke sot ka lejuar vetëm kalimin e personave, që kanë karta greke për 4 orë.

“Me dhjetëra qytetarë janë kthyer mbrapsht nga doganierët grekë. Vetëm shtetasit shqiptarë me dokumente greke u lejuan të kalojnë”- informoi korrespondentja jonë në Korçë, Dafina Ismaili.

Dogana greke e justifikoi kthimin e shqiptarëve me punimet, që po kryheshin në sistemin e kompjuterave, që do të thotë se nuk mund të kryenin identifikimin e atyre që duan të kalojnë. “Po instalojmë sistem të ri të dhënash”- ishtë përgjigjja e autoriteteve doganore greke, ndërkohë që nuk kanë dhënë sqarime, se kur mund të normalizohej puna dhe qytetarëve të kthyer nuk i është thënë kur mund të kalojnë doganën.


RINIS KALIMI I SHTETASVE SHQIPTARE NE KAPSHTICE

ORA 17.00: Rinis kalimi i të gjithë shtetasve shqiptarë drejt territorit grek, pas një bllokimi për rreth 4 orë në pikën kufitare të Kapshticës.

Pas një marrëveshje nga të dyja palët shqiptare dhe ajo greke rinisi kalimi normalisht në pikën kufitare të Kapshticës rreth ores 17.00.

Madje, pala greke njoftoi se kjo bllokadë për kalimin e shtetasve shqiptar, që ishin të pajisur vetëm me pasaporta biometrike do të zgjaste deri të shtunën, por puna e mirëorganizuar mes dy paleve bëri që puna në doganë t'i rikthehet normalitetit.

Redaksia online
(sg/ad.ti/shqiptarja.com)