Mijëra studentë shqiptarë protestuan sot në qendër të Shkupit për të kërkuar të drejtën e dhënies së provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Protesta nisi në orën 16:30 dhe për 2 orë, 'Ura e Gurit 'u “vesh” kuqezi, ndërsa studentët nga të gjithë trevat shqipfolëse që i ishin bashkuar protestës, valëvitnin flamuj shqiptarë dhe brohorisnin: “Gjuha shqipe nuk negociohet”.
Me pankarta të ndryshme në duar, ku shkruhej “Ligj në letër, diskriminim në praktikë”, “Gjykata politike e Maqedonisë së Veriut”, “Respekto Ligjin për Gjuhët”, “Gjykata destabilizuese”, “Politika ka korruptuar Gjykatën Kushtetuese“, “Përgjegjësi” dhe “Ligji për gjuhët është i qartë”, protestuesit kërkuan jo vetëm dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili ka kundërshtuar kërkesën e studentëve për zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe, por edhe të kryeministrit Hristjan Mickoski.
Thirrjet për dorëheqje ushtuan ndërsa protestuesit rrethuan godinën e Ministrisë së Drejtësisë.
"Kërkojmë gjuhën tonë, amanetin tonë, Nuk është privilegj, por e drejtë nga Marrëveshja e Ohrit, Kjo është e drejtë sepse ne kemi qenë këtu. Edhe sa kohë duhet të presë një shqiptar për të dhënë provimin në gjuhën e tij, për të ushtruar profesionin në gjuhën e tij? Nuk ka institucion që mund të prekë gjuhën shqipe,. As Ministria e Drejtësisë, as Gjykata Kushtetuese. Ne nuk jemi kundër këtij shteti, ne jemi këtu për dinjitet, barazi dhe respekt. Ata që na thonë prisni, ne ju themi nuk presim më”, tha Mevlan Ademi.
Protesta u shoqërua me masa sigurie, teksa forca të shtuara policie u raportuan pranë protestës. Organizatorët e saj raportuan se 3 studentë nga Trana u ndaluan kur një autobuz me studentë nga Shqipëria u ndalua dhe shoqërua drejt Kumanovës.
Megjithatë, në protestë kishte shumë qytetarë shqiptarë nga shumë treva shqipfolëse, përfshirë Tetovën, Strugën dhe Kosovën.
Si ka reaguar qeveria Mickoski?
Nga ana tjetër qeveria dhe partitë shqiptare në pushtet, intensifikuan përpjekjet para protestës për të ulur tensionet. Izet Mexhitit dhe Bilall Kasamit, dy kryetarët e partisë VLEN patën një takim dy orë para protestës, me kryeministrin Mickoski.
Në një postim në rrjete sociale, partia Vlen e Izet Mexhitit dhe Bilall Kasamit premtoi se provimet e jurisprudencës do të mbahen në gjuhën shqipe. Veç të tjerash, ata thanë se se po punohet për një zgjidhje konkrete dhe afatgjatë
"Atë që BDI nuk e zgjidhi për dy dekada, ne po e zgjidhim me veprime konkrete: Provimi i jurisprudencës do jepet në gjuhën shqipe" shkroi VLEN.
Kjo është protesta e dytë e organizuar nga studentët shqiptarë pas refuzimit të kërkesave të tyre nga Ministria e Drejtësisë.
Debati për gjuhën shqipe u intensifikua ndjeshëm shumë javët e fundit nxitur nga protesta e 6 prillit e studentëve nga tre universitete shqiptare në Shkup që kërkojnë me ngulm që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Ata argumentojnë se ligji nuk e ndalon këtë dhe gjatë protestës kërkuan respektim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe të Kushtetutës. Sipas interpretimit të neneve 2 dhe 5 të këtij ligji, institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat shtetërore, çka, sipas ekspertëve, përfshin edhe provimet profesionale.
Si ka reaguar opozita?
Pas protestës së 6 prillit, ndërsa kryeministri Mickoski akuzonte partitë shqiptare se duan të destabilizojnë vendin, kreu i BDI-së në opozitë, Ali Ahmeti, gjatë Samitit të Diasporës në Tiranë paralajmëroi se gjuha shqipe është në rrezik dhe u bëri thirrje shqiptarëve ta mbrojnë atë.
“Gjuha shqipe në Maqedoni është një rrezik i vërtetë që duhet t’i dalin zot të gjithë. Çdo koment që cenon arritjet është në dëm të Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Ahmeti, duke theksuar se e ardhmja e vendit lidhet me bashkëjetesën dhe bashkëqeverisjen me shqiptarët.
Çfarë thotë ligji për provimin e jurisprudencës?
Sipas mediave në Maqedoni, në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve të tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Projekt propozimi që do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka qenë gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u zu më në gojë nga qeveria aktuale.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, dhe prej asaj kohe, në Maqedoninë e Veriut janë ndërruar katër ministra të drejtësisë si Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga. Aktualisht ministër është Igor Filkov.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedonase, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Çështja e gjuhës shqipe ka qenë historikisht një nga temat më të ndjeshme në vend. Pas konfliktit të vitit 2001, Marrëveshja e Ohrit solli ndryshime kushtetuese që garantuan përdorimin e gjuhëve të komuniteteve.
Më pas, ligji për gjuhët i miratuar në vitin 2018 dhe i zbatuar nga viti 2019, e përcakton shqipen si gjuhë zyrtare në institucionet qendrore dhe në zonat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë.
Aktor Laert Vasili ishte një ndër shqiptarët e shumtë të nisur nga Tirana për të marrë pjesë në protestën e studentëve shqiptarë të Jurisprudencës që kërkojnë mbajtjen e provimeve në gjuhën shqipe.
Gjatë një intervistë me Report TV, Vasili ndau emocionet e pjesëmarrjes në këtë protestë, që ai e përshkroi si të jashtëzakonshme.
“Sapo isha në protestë në qendër të Shkupit të Nënë Terezës. Po mundohen të mohojnë gjuhën e Nënë Terezës. Gjendja ishte shumë emocionale sepse studentë nga të gjitha viset e Shqiptarisë ishin të mbledhur këtu për të protestuar për gjuhën amtare, për një të drejtë që ligji dhe Marrëveshja e Ohrit e kanë konfirmuar. Di që në kufi janë ndaluar shumë automjete për të ardhur drejt Shkupit. Unë jam nisur që pa gdhirë për të marrë pjesë në këtë protestë. Deri në 1911, Shkupi ka pasur 81% popullësi shqiptare, Ishte e jashtëzakonshme. Ishte një protestë paqësore’ tha Vasili.
.jpg)
Partia VLEN ka deklaruar se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po shkon drejt zgjidhjes, duke akuzuar njëkohësisht pushtetin e kaluar se nuk e ka zgjidhur problemin për më shumë se dy dekada.
Reagimi u publikua në Facebook, pak minuta pas takimit të bashkëkryetarëve Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti me kryeministrin Hristijan Mickoski për të avancuar zgjidhjen lidhur me përdorimin e gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës.
Në postim, VLEN tha se çështjet e shqiptarëve nuk zgjidhen me “deklarata boshe” apo “improvizime politike”, por me punë konkrete institucionale dhe zgjidhje të qëndrueshme.
VLEN theksoi se, "ndryshe nga qeveritë e kaluara që sipas tyre e përdorën këtë çështje për propagandë politike, ata po veprojnë me përgjegjësi institucionale për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në praktikë"
Vlen shtoi gjithashtu se "arsimi, drejtësia dhe barazia gjuhësore janë themel i një shteti modern dhe se zgjidhjet për këtë çështje nuk do të jenë “gjysmake”, por të plota dhe afatgjata në interes të studentëve dhe qytetarëve"

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Saocialiste Taulant Balla, ka reaguar në Facebook duke mbështetur protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe kërkesën e tyre për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Përmes një postimi publik, Balla e cilësoi kërkesën e studentëve si legjitime dhe theksoi se e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe njihet nga Kushtetuta.
"Mbështes kërkesën legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, që nuk u lejohet, edhe pse Kushtetuta e njeh si të drejtën e tyre. Nëse procedurat rezultojnë të mangëta, është detyrim i Parlamentit dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qendrueshme" shkroi Balla

Organizatorët e protestës së studentëve shqiptarë në Shkup kanë bërë të ditur se tre studentë shqiptarë nga Tirana janë ndaluar nga policia gjatë zhvillimeve të sotme.
Sipas tyre, një autobus me studentë nga Shqipëria, i cili po shkonte drejt protestës në Shkup, është ndaluar dhe më pas është shoqëruar nga policia drejt Kumanovës.
“Tre studentë shqiptarë nga Tirana po mbahen nga policia, ndërkohë që një autobus me studentë nga Shqipëria i shoqëruar nga policia është dërguar në Kumanovë”, thanë organizatorët.

Marshimi i studentëve shqiptarë në Shkup po vazhdon drejt Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa mijëra protestues kanë mbushur rrugët e qendrës së qytetit duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të drejtësisë dhe kryeministrit.
Për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve, Ura e Gurit është bllokuar nga fillimi deri te sheshi “Filipi i Dytë”, ndërsa protestuesit po marshojnë me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar.
Studentët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një të drejtë kushtetuese që nuk duhet të mohohet.
Ata dëgjohe duke brohoritur fjalët: “Gjuha shqipe identitet, gjuha shqipe amanet, gjuha shqipe nuk negociohet”.
Protesta e studentëve të jurisprudencës në Shkup, të cilët kërkojnë të drejtën për ta dhënë provimin në gjuhën shqipe, ka marrë mbështetje të madhe edhe nga treva të tjera shqipfolëse.
Studentë nga Kosova kanë mbërritur në protestë për t’u solidarizuar me bashkëmoshatarët e tyre në Maqedoninë e Veriut, ndërsa pjesëmarrës të shumtë kanë ardhur edhe nga Tetova dhe Struga.
Pamjet që vijnë nga qendra e Shkupit janë emocionuese, me dhjetëra flamuj kuqezi që valëviten mes thirrjeve për respektimin e gjuhës shqipe dhe të drejtave kushtetuese.

Mes mijëra protestuesve në Shkup, vëmendje të veçantë ka marrë edhe ky djalosh i vogël që mban në duar pankartën me mbishkrimin: “Mos ma përktheni të ardhmen!”.
Mesazhi i tij erdhi në një nga momentet më domethënëse të protestës së studentëve shqiptarë, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Studentët që po protestojnë sot në Shkup thonë se beteja për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje politike.
“Kjo që po bëjmë ne është e detyrueshme. Bëhet fjalë për të ardhmen tonë. Duhet të flitet shqip. Kjo na takon me të vërtetë”, tha një student i Shkencave të Komunikimit gjatë protestës.
Arlinda Emini nga Kumanova, studente në Fakultetin Juridik në Universitetin “Nënë Tereza”, kërkoi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe tha se studentët nuk do të tërhiqen.
“Ne nuk do të dorëzohemi. Është një e drejtë që na takon. Është problem i institucioneve, por me brezin tonë do realizohen shumë çështje që nuk janë realizuar më herët. Partitë politike nuk kanë marrë pjesë në organizim. Është organizim studentor”, deklaroi ajo.
Në mbështetje të protestës ka dalë edhe Lavdrim Hajrullahi, student i marketingut, i cili tha se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave.
“Shpresojmë që të arrihet zgjidhje. Ne do të vazhdojmë protestat dhe nuk do të ndalemi. Kjo nuk është çështje partiake, është çështje gjaku dhe gjuhe. Duhen marrë masa që t’i kemi të drejtat tona”, u shpreh ai.
Ndërkohë në terren janë vërejtur edhe forca të shtuara policore, në zonën përreth Urës së Gurit.
Ka nisur protesta e paralajmëruar në Shkup, ku mijëra studentë shqiptarë dhe qytetarë të Maqedonisë së Veriut janë mbledhur në qendër të qytetit për të kërkuar të drejtat e tyre kushtetuese dhe mundësinë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Protestuesit po marshojnë me flamuj kuqezi në duar dhe pankarta të shumta, përmes të cilave kërkohet dorëheqja e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov.

Njëri nga organizatorët e protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Mevlan Ademi, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, duke thënë se disa shqiptarë janë ndaluar në një pikë kufitare dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.
Ademi paralajmëroi se nëse nuk ka reagim të shpejtë nga institucionet, organizatorët do të marshojnë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Lëshoni menjëherë vëllezërit tanë shqiptarë të ndaluar në pikën kufitare! Kërkojmë veprim të menjëhershëm dhe lejim të hyrjes së tyre pa vonesë. Nëse nuk ka ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje urgjente, ne do të jemi të detyruar të marshojmë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme!”, ka shkruar Ademi.
Në reagimin e tij nuk është specifikuar se në cilën pikë kufitare dyshohet se janë ndaluar personat në fjalë. Deri tani nuk ka asnjë informacion zyrtar nga autoritetet për pretendimet e publikuara nga Ademi apo për arsyet e ndalimit të mundshëm.
Protesta e sotme vjen pas demonstratës së 6 prillit, kur mijëra qytetarë dhe studentë protestuan në Shkup duke kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në shqip.

Pak para protestës së studentëve shqiptarë në Shkup, liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami kanë takuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ku kanë diskutuar edhe për kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurispodencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Në njoftimin e qeverisë maqedonase, siç transmetojnë mediat e Maqedonisë së Veriut, thuhet se institucionet në Shkup po punojnë për të gjetur një zgjidhje lidhur me kërkesat e studentëve shqiptarë.
“U theksua se vetëm përmes një qasjeje të përbashkët, të mençur dhe dinjitoze mund të arrihen zgjidhje që sjellin përparim, besim të ndërsjellë dhe ecje të përbashkët drejt së ardhmes. Bashkëbiseduesit u pajtuan se arsimi dhe dijet përbëjnë themelin e çdo shteti modern dhe të suksesshëm. Prandaj, institucionet po punojnë aktivisht për gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e Gjuhëve, me qëllim të sigurimit të sigurisë juridike dhe funksionalitetit”, thuhet në njoftim, transmeton KosovaPress.

Qarkullimi në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është bllokuar gjatë ditës së sotme, teksa në Shkup ditën e sotme do të zhvillohet protesta e studentëve shqiptarë, që kërkojnë aplikimin e gjuhës shqipe në provime.
Policia e Maqedonisë së Veriut ka ndalur krejt qarkullimin dhe hyrje/daljet e personave, veturave e autobusëve, pasi Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës, ka njoftuar se sistemi i regjistrimit të hyrje/daljeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka rënë.
Sipas njoftimit, për momentin janë duke u krijuar radhë të gjata në kufij, për shkak të ndërprerjes së qarkullimit.
“Ju rekomandojmë që të shfrytëzoni PKK Stançiq-Bellanovc apo PKK Glloboqicë. Për çdo ndryshim do t’u njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se sot nga ora 16:30 në Shkup do të organizohet protestë nga studentët shqiptarë për garantimin e përdorimit të gjuhës shqipe.
Një autobus me studentë shqiptarë nuk është lejuar të kalojë kufirin me Maqedoninë e Veriut në pikën doganore të Bllatës në Dibër.
Sipas informacioneve autoritetet maqedonase i kanë bllokuar për rreth 1 orë e gjysmë me arsyetimin se kanë probleme me dokumentacionin.
Sot studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do të mbajnë protestën e radhës për të kërkuar të drejtën për të zhvilluar provimet në gjuhën shqipe.
Sot studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do protestojnë në Shkup për gjuhën shqipe. Shkupi Çlirim Iseni, student dhe njëkohësisht protestues, tha në ‘Shtypi i Ditës dhe Ju’ se shpreson që gjatë kësaj proteste mos të kenë provokime nga pala maqedonase. Ndër të tjera ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen që kanë marrë nga Kosova dhe Shqipëria.
“Kemi disa fjalime të përgatitura, shpresojmë që të jetë paqësore ashtu si ne e kemi planifikuar dhe të mos biem pre e provokimeve. Mbështetja për këtë protestë ka qenë shumë e madhe veçanërisht nga Shqipëria dhe Kosova. I jemi mirënjohës Shqipërisë që na ka mbështetur në kauzën tonë”, tha ai.
Më tej Iseni i cili studion për juridik thekson se do të vijojnë të luftojnë deri në fund për kauzën e tyre.
“Është e pakuptimtë që gjatë gjithë jetës sonë ne kemi studiuar shqip dhe në fund t’i nënshtrohemi një provimi në gjuhën maqedonase. Nëse ne studiojmë shqip, përse mos të testohemi shqip. Ne luftojmë për flamurin tonë shqiptar. Ne duam një përgjigje konkrete nga institucionet, prandaj edhe dalim në rrugë. Të gjithë thonë do presim po nuk do të presim. Do i shkojmë deri në fund të kësaj kauze, pritja është nënshtrim”, theksoi ai.
Komente










