TIRANË- Atë që ndodhi protestën e 3 javëve më parë, kur më 2 korrik para parlamentit situata doli jashtë kontrollit në disa momente, Policia e shtetit e kishte marrë mësim.

Që në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteve ishin marrë të gjitha masat nga uniformat blu për protestën që ishte paralajmëruar para godinës së seancave plenare. Kordoni i sigurisë, ndryshe nga herët e tjera, ishte vendosur disa qindra metra larg hyrjeve të Kuvendit, për t’i mbajtur sa më larg protestuesit.

Këta të fundit ishin pajisur mirë me vezë dhe domate.

Me deputetët që i kishin larg, vezët dhe domatet që i kishin parashikuar për ligjvënësit i hodhën drejt policisë.

Tensioni u intensifikua dhe të bllokuar në hyrjen kryesore të qendrën tregtare Toptani, protestuesit filluan përplasjet me uniformat. Ata arritën të heqin një pjesë të gardhit metalik.

Që në orën 9:15 u lëndua, kur duhej edhe një orë nga nisja e seancës plenare, u lëndua efektivi i parë.

Ndërkohë deputetët filluan hyrjen në Kuvend, të cilën këtë herë e kishin më të thjeshtë prej perimetrit të zgjeruar. Pjesa më e madhe u futën nga hyrja anësore nga pedonalja, të bezdisur vetëm nga thirrjet e protestuesve ‘nuk na përfaqësoni’ apo ‘deputetë frikacakë’

Një zonjë me të afërmin e saj me aftësi të kufizuar, u lejua të kalonte nga policia  në gardhin metalik, por kjo u pa si një mundësi nga protestuesit që të kalonin edhe ata. Kjo përplasje të forta, ndërsa shumë mes protestuesve më të dhunshëm ishin me maska.

Rreth orës 9:35 nisën autobotët me ujë, spraji piper apo edhe gazi lotsjellës

Një i ri i gjakosur pati nevojë për ndërhyrjen e ambulancës.

Situatë kaotike te bulevardi “Zhan d’Ark”, pranë Rrugës së Elbasanit” ku protestuesit e pakët përpiqen të ndalojnë makinat. Ata nxorën në rrugë edhe koshat e mbeturinave duke bllokuar qarkullimin e automjeteve dhe u përplasën me policinë.

Bilanci i përplasjeve 6 punonjës policie dhe 11 protestues të lënduar që përfunduan në spital.

Rreth 15 protestues u shoqëruan nga uniformat blu.

Përplasja zgjati disa minuta. Protestuesit u qetësuan, duke qëndruar larg kordonit të uniformave blu. Pas dhunës disa protestues të tjerë nuk munguan me lule apo përqafime

Teksa tashmë vijonte seanca plenare, protestuesit vijuan të qetë nën temperatura të larta, gjithmonë e më të pakët siç treguan pamjet me dron të Report Tv.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:10
Deputetët lënë Kuvendin, protestuesit qëllojnë makinat me vezë! Policia nis me shoqërimet

1784819455_tensione.jpg

Sapo deputetët kanë lënë ambientet e Kuvendit në përfundim të seancës plenare, protestuesit e mbetur kanë qëlluar me vezë makinat e ligjvënësve. Përplasja ndodhi përballë qendrës tregtare Toptani dhe menjëherë nisën shoqërimet nga policia.

Ora 16:54
Përplasjet me policinë, efektivët shoqërojnë edhe disa protestues të tjerë (VIDEO)

Vijojnë tensionet mes shërbimeve të policisë dhe protestuesve.

Vetëm pak më parë policia ka shoqëruar edhe disa protestues të tjerë të që ishin pranë Lanës.

Aktualisht raportohet për rreth 15 protestues të shoqëruar gjithsej.

Ora 16:00
Protesta para Kuvendit, policia shoqëron organizatorin Edison Lika! Protestuesit kundërshtojnë (VIDEO)

 

Vijon ende protesta para Kuvendit. Pas përplasjeve me policinë, këta të fundit kanë shoqëruar 11 persona mes tyre edhe organizatorin Edison Lika.

Ndërsa forcat e policisë kanë marrë Likën, disa protestues kanë ndërhyrë në mes.

Ata dëgjohen të thonë mos e prek me dorë.

Ora 15:55
Protesta para Kuvendit, shoqërohet nga policia protestuesi Erlis Sina (VIDEO)

Policia ka shoqëruar protestuesin Erlis Sina, i cili këtë të enjte mori pjesë në protestën para Kuvendit. Ende nuk dihet arsyeja e shoqërimit të Sinës, i cili u bë i njohur për publikun pas një mesazhi drejtuar tij nga kryeministri Edi Rama.

Rama publikoi një foto të SInës mëngjesin e një dite që qytetarët e gdhinë para Kryeministrisë në shenjë proteste, ku ai dukej i braktisur nga protestuesit e tjerë në nismën për të kaluar natën para godinës qeveritare.

Ora 14:38
Protestuesit vendosin qeska me plehra para kordonit të policisë (VIDEO)

 

Pas përplasjeve para Kuvendit, protestuesit kanë vendosur disa qeska me plehra para kordonit të policisë.

Sipas protestuesve mesazhi për uniformat blu është që ata mos t’i mbrojnë politikanët.

Ora 13:08
Protestuesit sulmojnë me ‘breshëri’ vezësh makinën e ministrit Nufi (VIDEO)

Ndërsa makina e ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufit, dilte nga ana e Ministrisë së Brendshme, protestuesit lëshuan një ‘breshëri’ vezësh.

“O hajdut!” thërrasin ata teksa flakin vezë drejt automjetit.

Ora 13:01
Përplasjet para Kuvendit/ 17 të lënduar në spitale, Ministria e Shëndetësisë: 6 policë dhe 11 protestues

1784796857_protestatkunderqeverise.jpg

17 qytetarë mes tyre, mes tyre 6 policë dhe 11 protestues iu drejtuan në Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" dhe Spitalit Universitar të Traumës për ndihmë mjekësore, pas tensioneve në protestën e cila vijon ende para Kuvendit.

Në një njoftim Ministria e Shëndetësisë thotë se të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i plotë:

Ju informojmë se aktualisht në strukturat e shëndetit publik, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT) dhe në Spitalin Universitar të Traumës (SUT), po marrin shërbim mjekësor gjithsej 17 pacientë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në QSUT janë paraqitur 10 protestues.

Prej tyre, 3 pacientë kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë larguar nga spitali, sipas këshillës së mjekut.

Aktualisht, 4 pacientë po marrin trajtim në Urgjencën e QSUT-së, nën kujdesin e ekipit mjekësor, ndërsa 3 pacientë po trajtohen në shërbimin e Toksikologjisë.

Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në Spitalin Universitar të Traumës, po marrin shërbim mjekësor 6 efektivë policie dhe 1 protestues, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm nga ekipet mjekësore.

Ora 11:52
Tensionet në protestën para Kuvendit, protestuesit i bie të fikët!

 

Në vazhdën e protestave një protestuesi i ka rënë të fikët para Kuvendit.

Pas kësaj situate qytretari është marrë nga ambulanca për t’u transportuar drejt urgjencës.

Ora 11:16
Me plagë në kokë, pamjet e efektivëve të lënduar në përplasjet para Kuvendit

Me plagë në kokë dhe me uniformën e dëntuar, këto janë pamjet e punonjësve të policisë që mbetën të dëmtuar si pasojë e përplasjeve me protestuesit para Kuvendit.

Ora 11:09
Shenjë ‘pajtimi’? Protestuesit u dhurojnë lule policëve

 

Pas përplasjeve me policinë, protestuesit kanë bërë një gjest më paqësor duke u dhuruar lule. Gjithashtu, ata shihen duke shkruar diçka në asfalt.

Ora 10:50
Përplasjet me policinë, 1 shoqëruar te 'Rruga e Elbasanit'

 

Pas tensioneve dhe përplasjes me uniformat blu, bëhet me dije se një protestues është shoqëruar në polici te 'Rruga e Elbasanit'.

Protestuesit tentuan të bllokojnë qarkullimin e automjeteve në “Rrugën e Elbasanit.” Ata dolën përpara makinave duke thirrur "Bashkohuni me ne!"

Ora 10:24
Bllokohet qarkullimi te bulevardi ‘Zhan d’Ark”, protestuesit tërheqin në rrugë koshat e mbeturinave (VIDEO)

Situatë kaotike te bulevardi “Zhan d’Ark” ku protestuesit përpiqen të ndalojnë makinat.

Ata kanë nxjerrë në rrugë edhe koshat e mbeturinave duke bllokuar qarkullimin e automjeteve. Në një nga koshat është shkruar edhe “Rama burg, Berisha burg.”

Ora 10:18
Përplasjet me policinë para parlamentit, dy protestues të lënduar

 

Dy protestues me djegie në lëkurë nga gazi lotsjellës e spray me piper i janë drejtuar ambulancës për të kërkuar ndihmë.

Në momentin që një prej protestuesve u bën thirrje ndihmësmjekëve, një prej tyre thotë se në ambulancë ka edhe katër të lënduar të tjerë. Deri më tani nuk ka një numër të saktë për protestuesit e lënduar, teksa raportohet për 3 policë.

Ora 09:56
Protestuesi lëndohet me gur në kokë: Mos u dorëzoni!

Një protestues është lënduar nga një gur në kokë. Me ndihmën e dy protestuesve të tjerë ai është dërguar me nxitim drejt ambulancës.

Edhe pse i lënduar, protestuesi vijon me thirrje të forta “Mos u dorëzoni!”

Ora 09:39
VIDEO/ Polici i mbuluar në gjak nga sulmet e protestuesve, Balla: S’është më protestë paqësore, por terrorizëm

Taulant Balla ka ndarë një video të një efektivi policie të lënduar nga sulmet e protestuesve. Polici shihet i gjakosur në kokë, ndërsa Balla e quan protestën “terrorizëm.”

“Kjo nuk është më protestë paqësore, është terrorizëm. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”, shkruan ai.

 

Ora 09:39
PAMJET ME DRON/ Tensionet në protestën te Kuvendi, policia shpërndan protestuesit me ujë me presion dhe spraj piperi 

Policia është kundërpërgjigjur me ujë dhe spraj me piper ndaj protestuesve, të cilët i qëlluan me vezë e domate.

Ora 09:34
‘Fikni makinat’, protestuesit bllokojnë “Rrugën e Elbasanit”, ndërhyn policia

 

Protestuesit po përpiqen të bllokojnë qarkullimin e automjeteve në “Rrugën e Elbasanit.” Ata përpiqen të kalojnë kordonin e policisë duke dalë përpara makinave dhe thërrasin "Bashkohuni me ne!"

“Fikni makinat”, thërrasin ata, teksa përplasen me policinë që ndërhyn për t’i larguar dhe shmangur kaosin e trafikut.

Ora 09:19
Protesta para Kuvendit, protestuesit bëjnë gati ‘arsenalin’! Arka të mbushura me vezë

Protestuesit e kanë bërë gati arsenalin e vezëve që do të përdorin në protestën para Kuvendit. Disa prej tyre, siç shihet edhe në këto pamje, po çojnë në protestë arka të mbushura me vezë, të cilat i mbajnë në krah apo me motor.

 

Ora 09:15
Sulmet e protestuesve para parlamentit, lëndohet një polic (VIDEO)

Një efektiv është lënduar nga sulmet e protestuesve para parlamentit. Nuk është e qartë se çfarë e ka goditur policin. Protestuesit deri më tani kanë përdorur vezë, bidonë e domate.

Ora 09:07
Protesta te Kuvendi, protestuesit heqin gardhin metalik! Sulme me vezë e domate drejt policisë (VIDEO)

Protestuesit kanë hequr gardhin metalik para parlamentit për të përçarë kordonin e sigurisë. Ky moment shënoi edhe përplasjen e tyre të parë me policinë. Më pas kanë vijuar të hedhin vezë, domate e bidonë drejt efektivëve, edhe pse janë bërë thirrje për të mos sulmuar policinë.

Tani gardhi metalik te pedonalja është hequr dhe ka mbetur vetëm kordoni i sigurisë i krijuar nga forcat e policisë. Pranë ndodhen edhe autobotet në ujë, në gatishmëri për neutralizimin e situatës.

Ora 08:32
Protesta para Kuvendit, ambasada thirrje qytetarëve amerikanë: Nisin paqësisht, por mund të ndryshojnë! Shmangni demonstratat

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë lidhur me protestën e lajmëruar sot përpara Kuvendit. Ambasada thotë se mund të ketë protesta të tjera edhe në vijim ndërsa thekson se pavarësisht se mund të nisin paqësisht, situata ndryshon.

Njëkohësisht, i lajmëron se para dhe pas protestave ka kufizime lëvizjeje dhe masa sigurie të shtuara, ndërsa personelit amerikan i kërkohet të shmangë zonat e tubimit. Në një sërë këshillash të renditura, e para theksohet shmangia e demonstratave nga qytetarët amerikanë.

“Një protestë është planifikuar të zhvillohet përpara ndërtesës së Kuvendit, në Rrugën George Ë. Bush. Kjo protestë lidhet me protestat e natës që vazhdojnë përpara ndërtesës së Kryeministrisë, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ndërmjet Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Protesta të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim. Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protestat mund të shtrihen edhe në zona përreth, përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Prania e shtuar e policisë, mbyllja e rrugëve, devijimet e qarkullimit dhe ndërprerjet në trafik priten në orët para dhe gjatë zhvillimit të protestave. Personeli i qeverisë së Shteteve të Bashkuara këshillohet të shmangë zonat ku zhvillohen protestat.

Forconi masat për sigurinë tuaj duke ndjekur këto këshilla:

  • Veprimet që duhen ndërmarrë:
  • Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin demonstratat.
  • Qëndroni të vetëdijshëm për mjedisin që ju rrethon.
  • Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit ose kufjeve, kur ndodheni në vende publike.
  • Ndiqni mediat lokale për përditësime.
  • Gjithmonë keni një plan emergjence ose një strategji për t'u larguar në rast nevoje.
  • Mbani një profil të ulët dhe shmangni tërheqjen e vëmendjes”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ora 08:22
Kuvendi ‘blindohet’ me gardhe metalike, zgjerohet perimetri i sigurisë (VIDEO)

Teksa pas pak pritet seanca plenare, Kuvendi është rrethuar me gardhe metalike, në një perimetër më të gjerë sesa herët e tjera. Momentalisht, veç qytetarëve e automjeteve, as media nuk po lejohet të hyjë brenda territorit të rrethuar nga “Rruga e Elbasanit” drejt pedonales dhe Ministrisë së Brendshme. Masat vijnë pas sulmeve me vezë të së hënës nga protestuesit drejt deputetëve dhe sot pritet protesta e radhës.