Ishte parashikuar që sot Saimir Tahiri të dilte para Apelit të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO), në seancën e parë pasi çështja e tij u rikthye nga Gjykata e Lartë, por ndryshimi i trupës gjykuese ka bërë që seanca të shtyhet serish. Pas dorëheqjes se gjyqtares Daniela Shirka ajo u zëvendësua nga Florjan Kalaja, i cili sot ka kërkuar kohë për tu njohur me dosjen. Kujtojmë se vendimi më 28 shtator i Gjykatës së Lartë e rikthye për rigjykim çështjen me trupë të re drejtuese.

Dje Apeli i GJKKO njoftoi se gjyqtarja Daniela Shirka u tërhoq dhe u zëvendësua nga gjyqtari Florjan Kalaja, gjyqtar i komanduar në Gjykatën e Apelit Durrës, i cili ka kaluar vetingun në fund të vitit 2020.

Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Më pas ish ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e ka pranuar për ta gjykuar. 

Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.

Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës, në analizë të të gjitha provave të paraqitura nga Prokuroria, nuk rezultonte asnjë fakt, që ta përfshijë ish-ministrin në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin me grupin kriminal të Habilajve, kryetari i të cilëve është Mojsi Habilaj, i arrestuar dhe në gjykim në Itali. Po ashtu, thotë gjykata në arsyetimin e saj, pas përgjimeve edhe të prokurorisë italiane ku Habiljat diskutojnë për dhurata që do ja japin ministrit, çmohet fakti se nuk ka prova të mjaftueshme për t'i lidhur këto dhurata apo shuma monetare se do të shkonin tek Tahiri. Në bazë të këtyre fakteve gjykata vendosi dënimin me 3 vite shërbim prove.