Kuvendi zhvillon sot një seancë maratonë ku do të miratohet projektbuxheti 2026 me vlerë 8.8 mld euro, si edhe 8 projektligjet e paketës fiskale. Pr.buxheti mori ‘ok’ nga Komisioni i Ligjeve, ku u rrëzuan edhe 60 amendime të bëra nga opozita. Pr.buxheti më 20 nëntor u votua në parim me 83 vota pro dhe 32 kundër, ndërsa tashmë pas diskutimeve të gjata në Kuvend, pritet të marrë edhe vulën përfundimtare.

Ky buxhet parashikon një fond prej 10 miliardë lekë për bonuset mujore për pensionistët që nisin nga janari 2026. Projektbuxheti i 2026-ës, parashikon edhe rritjen e pagës minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë, si dhe për herë të parë do të aplikohet indeksimi i rrogave me 2.5% për punonjësit e administratës publike. Sa i takon investimeve publike ato planifikohen në afro 1.8 miliardë euro, dhe do të përdoren për të mbyllur projektet infrastrukturore në proces dhe të reja që do fillojnë në 2026-ën.

Një çështje që pritet të përplasë ashpër palët, është ajo për Avokatin e Popullit, zgjedhja e të cilit është futur në ngërç pasi PD tërhoqi firmat mbështetëse për 6 kandidatët që i shkojnë seancës për votim. 6 kandidatët janë: Adriana Kalaja, Aranita Brahaj, Besim Ndregjoni, Endrit Shabani, Skënder Haluci, Tartar Bazaj.

Ndërkohë, në rend dite është parashikuar edhe një kërkesë e deputetit Agron Shehaj me kryeministrin Edi Rama për operacionin për lirimin e hapësirave publike. Pritet të shihet nëse Rama do jetë në Kuvend për tu përballur me Shehajn. Ndërkohë që deputetja demokrate Ina Zhupa ka kërkuar interpelancë me ministrin Blendi Gonxhja për projektin TID në Durrës.