Në seancën maratontë të ditës së sotme, në Kuvend u zhvillua interpelanca e kërkuar nga Agron Shehaj. Deputeti i opozitës kishte kërkuar një ballafaqim me kryeministrin Edi Rama me objekt diskutimi ‘në lidhje me prishjen e ndërtimeve pa vendime të formës së prerë dhe pa respektuar procedurat ligjore’. Rama nuk u paraqit në seancë dhe ia delegoni interpelancën ministres së Brendshme Albana Koçiu.

Shehaj pretendon për selektivitet nga ana e qeverisë lidhur me përzgjedhjen e objekteve për tu prishur nga veriu në jug. Opozitari tha se qytetarët e ndershëm janë bërë shembull dhe se ‘të pushtetshmit’ janë favorizuar duke mos u prekur nga plani për lirimin e hapësirave publike.

“Zonja ministre, e kuptoj sikletin tuaj, sepse ne u përplasëm dhe njëherë tjetër. Ashtu si ju e pranoni dhe keni hyrë në historinë e Kuvendit që keni pranuar se jeni ju ajo që vendos se kush do të marrë ilaçe apo shërbime në Shqipëri, e njëjta gjë ndodh edhe me shembjet e ndërtimeve pa leje. Mjafton të dalim në rrugë e të shohim sesi një pjesë janë shembur e një pjesë jo.

Atij fukarait ia shembni dhe e bëni shembull, ndërsa të fortin që ka hedhur miliona euro, atij nuk ia prekni; përkundrazi, atij ia legalizoni. Ia keni hequr qafe konkurrencën. Nuk kemi nevojë të shkojmë larg; duke ardhur këtu, përreth Parlamentit është plot me lokale që kanë shtesa. Përse, zonja ministre, atyre nuk ua keni prishur? Të lutem, mos më thoni që po ta kisha përzemër shtesën e dikujt, t’iu merrja në telefon. Nuk ka njeri që nuk do të donte të ndërtonte me leje. Jo vetëm që leje nuk marrin dot pa paguar, por nuk marrin dot as pronën, as nuk e regjistrojnë dot. Edhe në këtë fushë jeni ju që vendosni kush do të ndërtojë dhe kush do të marrë leje ndërtimi”, tha Shehaj.

Në përgjigje të kërkesës së Shehajt, Albana Koçiu tha se sagën e ndërtimeve pa leje në Shqipëri e ka nisur qeveria e Sali Berishës dhe se sot qeveria Rama ndahet qartazi nga vizioni i të kaluarës.

Ministrja Koçiu tha se prioritet për tu pastruar nga ndërtimet pa leje kanë pasur zonat me potencial të lartë turistik, teksa tha se është e patolerueshme pasurimi i një individi në kurriz të shqiptarëve. Duke iu përgjigjur akuzës së Shehajt se ndërtimet ku janë derdhur investime marramendëse nuk janë prekur, ministrja tha se për këtë flasin të gjitha vilat e shembura nga veriu në jug.

“Nuk ka të madh e të vogël që nuk e di se kush i ka hapur ndërtimet e paligjshme, pa kriter dhe duke i bërë kështu Shqipërisë një dhuratë të shëmtuar në çdo pëllëmbë. Territori është ai që ndan dy vizione: një vizion që trashëguam, ai i ndërtimeve pa kriter; në këtë vizion ishte qeveria që u bënte thirrje qytetarëve të ndërtonin ku të mundnin. Prandaj operacione të tilla të kthimit në ligjshmëri ju duken të çuditshme dhe kërkoni sqarime.

Më duket e çuditshme që sot ka deputetë që i kërkojnë llogari qeverisë përse po prish ndërtime pa leje. Ka kritere dhe prioritete. Vendimet për prishje janë zbatuar sipas legjislacionit. Përqendrimi i operacionit në zona me potencial të lartë turistik ka një logjikë të qartë. Në kushtet e sotme nuk mund të tolerojmë që zonat më tërheqëse të shfrytëzohen për pasurimin e disa individëve në kurriz të shqiptarëve.

Ndërhyrja erdhi pas konstatimeve të paligjshmërive. U vendosën 46 gjoba, 49 masa pezullimi punimesh dhe 57 të tjera për prishjen e objekteve. Në zonën e Valbonës u ndërhy me 15 vendime prishjesh. Njësoj në zonat bregdetare, ku u morën 42 vendime për prishje për një total prej 102 objektesh. Në zonat lumore u mor vendimi për prishjen e 15 objekteve.

Është e qartë që pronarët kanë qenë në dijeni të shkeljes dhe janë njoftuar në kohë. Ka pasur edhe qytetarë të ndershëm që e kanë kuptuar se tentativa për të gjetur mikun ka qenë e kotë dhe kanë liruar vullnetarisht hapësirat e zëna. Nëse aksioni ynë do të bazohej në raste selektive, patjetër që rastet në gjykatë nuk do të ishin të pakta. I gjithë procesi ka qenë i mirëdokumentuar. Më mirë në verë apo në dimër, në mes të ftohtit. Besoj se imazhet e vilave të prishuara në Farkë, Lundër, Theth e bregdet janë të mjaftueshme për të zhbërë këtë argument”, tha Albana Koçiu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:14
Rama nuk shkon në seancë, rrëzohet kërkesa e Shehajt! Interpelanca do të zhvillohet me Koçiun

Shehaj propozoi për heqjen nga rendi i ditës të interpelancës me kryeministrin Rama, pasi ky i fundit nuk është paraqitur në seancë dhe se ka deleguar ministren e Brendshme Albana Koçiu. Kërkesa e Shehajt për të kaluar në votim kërkonte mbështetjen e 10 deputetëve, të cilën e mori nga opozita.

Me 28 vota pro dhe 77 kundër, kërkesa e Shehajt u rrëzua.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Shehaj, u ndal te akuzat ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, gjë që kryesuesi i seancës, Niko Peleshi, e konsideroi jashtë rendit të ditës. Peleshi i kërkoi Shehajt të respektonte rregulloren dhe të fliste vetëm për çështjen në rend dite.

Sipas Shehajt, thelbi i çështjes lidhet me “vjedhjen e 50 milionë eurove me një SMS”, duke shtuar se rritja e pensioneve “do të ishte dyfishuar” po të mos kishin ndodhur abuzime të tilla.Peleshi insistoi që deputeti të respektonte rregulloren, por Shehaj reagoi me tone të larta: “Ju mund ta ktheni rolin tuaj si drejtues të Kuvendit në avokatin e Ballukut dhe Ramës, por kjo nuk ju nderon.”

“Sic e thashë kërkon interpelancë me kryeministrin dhe ministren e Brendshme. Nuk është askund në rregullore që kryeministri mund të shmangë interpelancën. Unë e kuptoj shqetësimin sepse në fakt fati i këtij vendi dhe kryeministri nuk është i përqëndruar në Kuvned se fati nuk po vendoset në këtë Kuvend. Kryeministri ka halle më të mëdha për të zgjidhur tani sesa të dalë në interpelancë. Kryeministri ka hallin e Ballukut, është hall i madh. Sot Rama ishte në një event me paturpësinë më të madhe ka dalë në 30 vjetorin e Prokurimeve Publike dhe po mburrej për arritjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Mazhoranca ka humbur fabulën. A i keni dëgjuar përgjimet, ku Balluku si fillim anullon një tender me ndjesi dhe pastaj del që mbyll një kontratë me kompaninë turke përpara se të hapej tenderi. Në radhë të parë duhet të respektoj qytetarët. Mënyra sesi unë i respektoj është duke folur për vjedhjet tuaja”, tha Shehaj.