Endrit Shabani do të jetë Avokati i ri i Popullit dhe do të zëvendësojë Erinda Ballancën, e cila 3 vitet e fundit ishte me mandat të mbaruar.

Shabani u zgjedh me 85 vota pro, të ardhura nga socialistët dhe socialdemokratët, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike, edhe pse 35 prej tyre i dhanë firmat që të ishte kandidat, e braktisën votimin që në fillim.

Demokratët që kishin mbështetur me firma 6 kandidatë, por më pas deklaruan tërheqjen nga nënshkrimet, që në fillim të seancës në mëngjes kërkuan heqjen nga rendi i ditës të zgjedhjes së Avokatit të të Popullit. 

3 orët e debatit për Avokatin e Popullit u vërtitën vetëm në një pikë: Akuza mazhorancës se ka bërë pazar me Endri Shabanin, njërin nga kandidatët që vetë mbështetën nga më shumë se gjysma e deputetëve të opozitës. 

Madje opozita paralajmëroi dërgimin në Kushtetuese zgjedhjen e Shabanit si Ombudsman i ri i vendit.  

"Avokati i popullit po do jetë një cen kushtetues i zgjedhur pa një propozim nga deputetët. Nuk do tju njihet si përputhje me kërkesat e BE. Të gjejmë rrugën të mbledhim firmat mbi kandidatët pastaj të votojmë",- tha deputeti Oerd Bylykbashi.

Opozita argumentoi se firmat mbështetëse që kishte dhënë nuk tregojnë se rrjedhimisht kandidatët janë propozim i tyre, ndaj kërkuan votë për Adriana Kalanë ose Besim Ndregjonin. 

"Më vjen keq që talleni me një të persekutuar politik si besim ndregjoni, e dini të gjithë që nuk zgjidhet dot, se është 70 vjec nuk e lë ligji. Ju talleni me Adriana Kalanë",-tha Taulant Balla.

Ofendimi i Flamur Nokës, krahut të djathtë të Sali Berishës dhe Ballës çoi në ndërprerjen e seancës, dhe në rikthim, një tërheqje vëmendje.

Në rikthimin disi më të qetë, sqarimin procedural e bëri Ulsi Manja, kryetari i Komisionit të ligjeve, duke mbyllur sipas tij çdo hapësirë për intereprtim

"Firmat i keni tërhequr përtej afatit 2 dhjetor të vendosur nga komisioni. Është e vërtetë vendimi që një deputet mbështet vetëm 1 kandidat. Nëse do kishit zbatuar atë që u thashë unë, iu do të kishit sjellë në kuvend 1 kandidat e gjysmë. Pse i dhatë 316 firma? U detyroi kush me zor",- tha Ulsi Manja.

Endri Shabani sipas ligjit do të betohet para Kuvendit në seancën e radhës, për të marrë zyrtarisht detyrën e Avokatit të Popullit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:15
Endri Shabani u zgjodh Avokati i Popullit/ Adratik Lapaj: Shërbëtor i sistemit dhe Edi Ramës, kryeministri na ka përballë zyrës

1765491602_shabanidhelapaj.png

Kryetari i partisë 'Shqipëria Bëhet', Adriatik Lapaj, ka reaguar pas zgjedhjes së Endri Shabanit si Avokati i Popullit, duke kritikuar procesin si të ndikuar nga qeveria.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lapaj shkruan se nuk u zgjodh Avokati i Popullit, por u shpërblye shërbëtori i sistemit dhe Edi Ramës.

'Sot nuk u zgjodh Avokati i Popullit, por u shpërblye shërbëtori i sistemit dhe Edi Ramës. Edi Rama na ke përballë zyrës', shkruan ai.

Ora 22:56
Kuvend/ Votimi për Avokatin e Popullit, në sallë vetëm mazhoranca, opozita e braktis

1765489973_mundsiadhepdlargohen.png

Në seancën maratonë që po zhvillohet në Kuvend, Endri Shabani është zgjedhur Avokat i Popullit me 85 vota pro.

Partia Demokratike ka braktisur sallën gjatë procesit të votimit, duke mos marrë pjesë në votim.

Nga salla është larguar edhe Partia Mundësia, ndërsa deputeti i Lëvizjes Bashkë Redi Muçi ka qenë i pranishëm. 

Ora 22:46
Endri Shabani zgjidhet Avokat i Popullit me 85 vota deputetësh! Ja sa vota morën kandidaturat e tjera

Ashtu siç Report Tv mësoi, Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit nga Kuvendi, me 85 vota pro, 82 të Partisë Socialiste dhe 3 të Partisë Socialdemokrate. Më poshtë ju sjellim votimet për të 6 kandidaturat e propozuara nga opozita, pavarësisht se kjo e fundit braktisi sallën në momentin e votimit.

Tartar Bazaj / 1 pro,79 abstenim, 7 kundër

Aranita Brahaj / 4 pro, 76 abstenim, 7 kundër

Skënder Haluci / 1 pro, 72 abstenim, 14 kundër

Adriana Kalaja / 0 pro, 69 kundër, 17 abstenim

Beism Ndregjoni / 0 pro, 61 abstenim, 25 kundër

Endri Shabani / 85 vota pro, 0 abstenim, 3 kundër

Ora 22:37
Burime: Partia Socialiste do të votojë Endri Shabanin për Avokat të Popullit

1764755566_endrishabani.jpg

Burime për Report Tv bëjnë me dije se në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të zhvilluar në Kuvend mbrëmjen e sotme, me praninë edhe të kryeministrit Edi Rama, është vendosur që PS të votojë Endri Shabanin për Avokat të Popullit.

Ora 16:50
‘70 vjeç, s’mund të zgjidhet Avokat i Popullit’, kandidati Ndregjoni i përgjigjet Ballës: Nuk ekziston një kriter i tillë

1765294651_besimndregjoni.JPG

Besim Ndregjoni, një nga kandidatët për Avokat i Popullit, ka reaguar për deklaratën e sotme në Kuvend të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili tha se Ndregjoni nuk mund të zgjidhet pasi është 70 vjeç dhe përjashtohet automatikisht nga ligji për atë post.

“Më vjen keq që talleni me një të persekutuar politik si Besim Ndregjoni, e dini të gjithë që nuk zgjidhet dot, se është 70 vjec nuk e lë ligji. Ju talleni me Adriana Kalanë”, tha Balla në Kuvend më herët.

Ndregjoni thotë se pretendimi i Ballës është i pabazuar në ligj pasi neni 3 i ligjit nr. 8454/1999 e përcakton qartë se cilat janë kriteret për këtë funksion, dhe mosha nuk është pjesë e atyre kritereve.

Reagimi i plotë:

Në vijim të deklarimit publik të deputetit Taulant Balla, i cili ka deklaruar se kandidatura për Avokat të Popullit “nuk mund të votohet pasi kandidati ka mbushur moshën 70 vjeç”, dëshiroj të bëj një sqarim të domosdoshëm për publikun dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ligji shqiptar nuk parashikon asnjë kufizim moshe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Neni 3 i ligjit nr. 8454/1999 e përcakton qartë se cilat janë kriteret për këtë funksion, dhe mosha nuk është dhe nuk ka qenë kurrë pjesë e tyre. Për këtë arsye, çdo pretendim që lidhet me një kufizim moshe është plotësisht i pabazuar në ligj.

Kandidatura ime është shqyrtuar dhe verifikuar në mënyrë të rregullt nga strukturat kompetente të Kuvendit, të cilat kanë konfirmuar përputhshmërinë time me të gjitha kriteret e përcaktuara nga legjislacioni. Deklarata se kandidatura “nuk mund të votohet”, për shkak të moshës, përbën një shtrembërim të hapur të së vërtetës dhe një ndërhyrje të papranueshme në procesin e votimit.

Në këtë rast po tentohet të pengohet qëllimisht kandidimi i një të përndjekuri politik për një funksion kushtetues të pavarur. Kjo nuk është vetëm e padrejtë, por përbën një cenim të rëndë të të drejtave themelore, të parimit të barazisë dhe të pjesëmarrjes së lirë në jetën publike. Të përdorësh justifikime të sajuara për të ndaluar votimin e një kandidature të ligjshme është një praktikë diskriminuese, që krijon precedent të rrezikshëm dhe sjell ndër mend praktika që Shqipëria është përpjekur t’i kapërcejë.

Veprime të tilla bien ndesh me standardet e kërkuara nga BE, SHBA, OSBE dhe Këshilli i Evropës, të cilët kanë theksuar prej vitesh se institucionet e pavarura duhet të zgjidhen përmes proceseve transparente, të paanshme dhe të bazuara në merita. Përpjekjet për të deformuar ligjin dhe procesin e votimit minojnë besimin publik dhe dëmtojnë imazhin demokratik të vendit.

U bëj thirrje institucioneve të respektojnë ligjin dhe të garantojnë një proces të rregullt, duke mos lejuar ndërhyrje politike që cenojnë zgjedhjen e Avokatit të Popullit, një institucion kyç për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ora 14:36
FOTOLAJM/ Gjithçka po ecte në rregull derisa në foltore doli... Berisha

Foto:Sali Berisha

Seanca e sotme në Kuvend u mbizotërua nga debati për Avokatin e Popullit. Ka pasur debate dhe diskutime, është ndërprerë seanca disa herë dhe ka rifilluar sërish.

Por seanca ka ecur dhe foltorja nuk është bllokuar nga asnjë prej deputetëve të opozitës.

Derisa në seancë është shfaqur Sali Berisha, i cili nuk ka lejuar deputeten e PD-së, Ina Zhupa, të flasë dhe ka mbajtur të zaptuar për disa minuta, gjë që ka detyruar të ndërpritet seanca për disa minuta.

Ajo që vihet re vazhdimisht është se sapo shfaqet Berisha në Kuvend, deputetët e PD-së ‘hedhin vallen’ e tij, duke u ngritur dhe duke bllokuar foltoren së bashku me të, gjë që nuk e bëjnë pa qenë ai në sallë.

E bëjnë për t’i bërë qefin Berishës apo e ndjejnë vërtet një gjë të tillë, nuk mund ta themi me siguri. Por fakt është që ndodh sa herë shfaqet dhe bllokon Berisha foltoren./TemA

Ora 14:09
Debati për Avokatin e Popullit, Berisha: Endri Shabani i mori firmat kur mbështeti Florian Binajn

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha jashtë ambienteve të Kuvendit ka folur për mediat duke thënë se Shabani i mori votat nga opozita në periudhën kur ai mbështeti kandidatin e pavarur Florjan Binaj për kryetar bashkië në Tiranë.

Por më pas sipas tij dolën një seri problemesh që faktuan se Endri Shabani ishte një person me lidhje kryekëput me Edi Ramën.

“Unë nuk them që nuk i mori firmat Endri Shabani. I mori në një periudhë Endri Shabani kur ai mbështeti Florian Binën, se nuk mund të them që nuk ishte një koalicion moral i plotë i të gjitha forcave politike. Por pastaj dolën një seri problemesh që faktuan se ai që kishte atë fjalor si opozitar i opozitës, nuk ishte vetëm kaq, por ishte një person me lidhje kryekëput me Edi Ramën.

Dhe ky nuk është vetëm mendimi ynë, por është një mendim më i gjerë edhe i faktorëve të palidhur me opozitën, por që ishin dhe janë që Avokati i Popullit të jetë një person i besueshëm, një person me kredenciale dhe integritet të lartë. Më së paku, Endri Shabani është kryetar i një partie, nuk po marr anën tjetër.

Por Komisioni i Ligjeve vendosi që deputetët nuk do kenë të drejtë të firmosin për më shumë se një kandidat. Në përputhje me këtë vendim, grupi parlamentar i PD dërgoi një shkresë në Kuvend ku e informon se tërheq çdo firmë për çdo kandidat. Dhe, këtë vendim të Komisionit të Ligjeve, në mënyrë të habitshme, e hodhi poshtë mazhoranca pa asnjë vendim. E bëri të paqenë pa marrë asnjë vendim në asnjë institucion. Pse e bëri këtë? Se humbisnin firmat për Endrin Shabanin”, tha Berisha.

Ora 13:37
Berisha: Ku e keni Ramën? Ai dhe Balluku kanë frikë të dalin përpara qytetarëve

Berisha iu përgjigj akuzave të Taulant Ballës, i cili tha se Berisha në kohën kur ishte kryeministër nuk paraqitej në interpelanca. Berisha tha se Rama dhe Belinda Balluku kanë frikë që të vijnë në Kuvend dhe të dalin përpara qytetarëve.

Sali Berisha: Kam pasur pasion të vecantë për tiu përgjigjur interpelancave. Ky pasion nuk ndikohet as nga personi as nga tematika. Ju nuk keni faj. Ku e keni Ramën. A e kuptoni si jeni kantandisur. Nuk guxojën të vijnë në parlament, ai dhe Lubija. Ju kot votoni, kot sillni ligje, ju keni marrë fund. Frika e tij ka kufi vetëm qiellin. Gjë në botë që të mbyllë dosjen e tij nuk ka. Do ua shpjegoj më vonë betejën që po zhvillohet.

Ora 13:16
Sali Berisha bllokon foltoren, kryetari i Kuvendit ndërpret seancën me kërkesën e PD

Pas votimit për heqjen nga rendi i ditës të interpelancës së kërkuar nga Agron Shehaj, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha bllokoi foltoren e Kuvendit duke mos lejuar deputeten demokrate Ina Zhupa të marrë fjalën sipas rendit. Në këto kushte, kryetari i Kuvendit ndërpret seancën. Seanca u ndërpre me kërkesë të demokratëve.

Ora 13:01
Avokati i Popullit/ Rrëzohet me 77 vota kundër kërkesa e demokratëve, votohet sot pasardhësi i Erinda Ballancës

Rrëzohet kërkesa e PD-së për shtyrjen e votimit të Avokatit të Popullit. Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi të enjten kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen nga rendi i ditës të votimit për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Gjatë seancës parlamentare, kërkesa mori 30 vota pro, 77 vota kundër dhe 1 abstenim, duke u konsideruar e rrëzuar. Deputeti Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë abstenoi.

Pas votimit, projektvendimi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit mbetet në rendin e ditës për shqyrtim. Posti i Avokatit të Popullit prej 3 vitesh mbahet nga Erinda Ballanca jashtë afateve.

Ora 12:51
Ulsi Manja-opozitës: E keni kthyer Avokatin e Popullit në vend pune! Nuk e njoh lepurin e Surrelit e as Ujkun e Cërrikut, kush ju detyroi për të firmosur?

Kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe njëkohësisht deputeti i PS Ulsi Manja ka sqaruar të gjithë procedurat e procesit për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit. Manja thotë se opozita nuk zbatoi vendimin e komisionit dhe se tërheqja e firmave është jashtë afateve proceduriale.

“Unë e kuptoj se gjithçka që u tha deri tani është qëndrim dhe arsyetim politik. Kjo nuk do të thotë se arsyetimet politike mund të mbivendoset mbi ato ligjore dhe procedurale. Unë jam këtu për të kërkuar deri në fund të përmbyllet faza e përzgjedhjes së AP sipas raportit të Komisionit të Ligjeve, i cili ka pasur këtë bazë ligjore, kushtetutën. Kemi shpallur afatin 20 ditor që është shprehja e interesit, pas 20 ditësh kemi marrë 26 kandidatura, pastaj i kemi verifikuar. Më 12 dhe 13 nëntor komisioni i ka dëgjuar të 26 kandidatët. Meqë 17 nëntor komisioni ka miratuar listën me 26 kandidatë që sipas vlerësimin plotësonin kushtet për të qenë kandidat.

Kemi thënë që deri më 2 dhjetor kandidatët të mbledhin firmat. Është e vërtetë vendimi që një deputet mbështet vetëm 1 kandidat. Ua thashë, por nuk më dëgjuat. Dhatë 316 firma. Nëse do kishit zbatuar atë që u thashë unë, iu do të kishit sjellë në Kuvend 1 kandidat e gjysmë. Pse i dhatë 316 firma? U detyroi kush me zor? Jo. Se ka një pretendim se ne i kemi dhënë përpara data 17 nëntor.

Komisioni i Ligjeve nuk është prokurori, nuk bën hetime. Në letra të gjithë firmat janë dhënë brenda afateve. Është e vërtetë që në seancën e datës 9 dhjetor kur ne miratuam këtë raport me 6 kandidatët për AP, ju keni sjellë një kërkesë ku thoni që tërhiqni mbështetjen për të gjithë kandidatët. Komisioni tha, firmat i keni tërhequr përtej afatit 2 dhjetor të vendosur nga komisioni. Kjo tërheqje nuk ka efekte juridike sepse bie ndesh me ligjin që sanksionon parimin e sigurisë juridike.

Nëse ju firmosni në mëngjes dhe tërhiqeni në darkë, shteti shkon në kaos juridik. E tundën rregulloren e kuvendit e bëtë copa. Mos e ngatërroni kekun me byrekun. Thoni sot se duhet konsensus politik. Jua dhamë konsensusin, ju dhamë listën mbështesni kë të doni. Ju thoni jemi tërhequr se jemi bërë pishman se nuk votojmë lepurin e Surrelit. Unë nuk e njoh lepurin e Surrelit dhe as Ujkun e Cërrikut. Ju AP e keni kthyer në vend pune. Këto të 6-të që janë në garë, respekt sepse i dhanë mundësinë këtij kuvendi, në turpin e vet, t'i japin Shqipërisë një AP legjitim”, tha Ulsi Manja.

Ora 12:21
Redi Muçi: Sot do të dalim nga seanca me Endrit Shabanin Avokat Populli me firmat e PD dhe votat e PS

Deputeti i Partisë ‘Lëvizja Bashkë’, Redi Muçi i është kthyer të dy partive PD dhe PS, ndërsa tha se sot seanca e Kuvendit do të mbyllet me Endrit Shabanin, Avokat i Popullit i mbështetur nga firmat e demokratëve dhe i emëruar nga votat e socialistëve.

Redi Muçi: Zoti ministër foli për seriozitet, por për mendimin tim nuk ka gjë më qesharake sesa që kemi 2 orë e 120 minuta ku burra e gra zihen për Endri Shabanin për një njeri që deri më parë i binte gjoksit si tribuni i partive të reja që po luftonte kundër sistemit të kalbur të politikës. Mesa duket sot nga kjo sallë do të dalim me Avokat Populli Endri Shabani me firmat e PD dhe votat e PS. Kur e quani lepur të Surrelit, pse i hodhët firmat? Për PS, si e ëmbëlsuat Endrit Shabanin, ose më mirë si ju ëmbëlsoi ai juve që do të zgjidhni Avokat të Popullit.

Ora 11:59
Avokati i Popullit/ Në mesin e kandidatëve Shabani, PD sot do ta përjashtojë nga lista me 6 emra! Korreshi: Hodhëm firmat për shokët!

Deputeti i PS, Eduart Shalsi tha se opozitarët kanë marrë direktiva nga numri dy i PD, Flamur Noka, i cili u ka thënë që në mesin e kandidatëve të firmosin dhe për Shabanin.

Deputeti i PD-së Saimir Korreshi për të sqaruar të gjithë kalvarin e hedhjes së firmave dhe më pas tërheqjen e tyre për kandidatët e Avokatit të Popullit, tha se nuk ka pasur një konsensus grupi dhe se firmat janë hedhur për më shumë se një kandidat lidhur dhe në bazë të raporteve shoqërore me ta. Mirëpo, në mesin e 6 kandidatëve është dhe emri i Endrit Shabanit, që opozita kërkon sot ta përjashtojë nga lista me 6 emra, i cili ka siguruar 35 firma nga PD.

Pd ka kërkuar rihapje të procesit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ndërsa deklaruan se të vetmit kandidatë të opozitës janë Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni.

Shalsi: Kishte nga ata kolegë të opozitës, që thonin më ka thënë numri 2 i partitë (Flamur Noka) të firmos për Endri Shabanin. Për veprimet që bëjmë, ne paguajmë pasojat. Të mos humbasim kohë, të vijojmë me procedurat.

Korreshi: Shals, unë mbaj përgjegjësi për firmat e mia. Unë sekretarin e Përgjithshëm kam pyetur a ka vendim grupi, më ka thënë jo, se mundem me të gjithë (për të dhënë firma), pa u bërë keq. S’ka pasur vendimmarrje grupi, pra mund t’i jepeshin firmat kujtdo kandidati që ne mos të ishim keq me askënd. Për sa kohë s’ka pas vendim për kandidat të caktuar, deputetët mundet që për një lidhje shoqërore etj, mund të merrnin firmën kandidatët. Por këto firma i dhamë pa kaluar në komision ligjesh për të parë kriteret kushtet a pranoheshin etj. Ne tërhoqëm gjithë firmat që të zgjidhet në konsensus. A na i ka marrë njëri natën, ditën, na ka detyruar? Jo, firmat i kemi dhënë.

Ora 11:43
I tha Taulant Ballës ‘injorant’, Flamur Noka ‘krenar’ për fjalorin e tij: Do vazhdoj t'ia them, nuk është fyerje

Deputeti i PD, Flamur Noka nuk tërhiqet nga termi ‘injorant’ me të cilin iu drejtua Taulant Ballës. Ai tha se Balla është injorant në fushën e ligjeve dhe se kjo nuk përbën një fyerje.

“Është shumë e rëndë që kuvendi drejtohet me SMS dhe jo me rregullore. Unë nuk kam fyer askënd dhe atë vërejtje tërhiqe kryetar. Përdora termin injorant që në fjalorin shqip do të thotë një njeri që nuk ka dijeni për një çështje të caktuar. Zotëria është injorant në fushën e ligjit dhe do vijoj ta them se nuk është fyerje. Atë që thashë unë pa mikrofon e dëgjuat, dhe ju nuk dëgjuat që ai u tha deptuetëve të opozitës zagarë”, tha Noka.

Ora 11:10
Balla nxjerr listën me firmat e deputetëve të PD që kanë mbështetur Endrit Shabanin, ironi me Nokën: I ka bindur Salianji

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se sot në Kuvend do të votohet kandidati për postin e Avokatit të Popullit pavarësisht kundërshtisë së opozitës, të cilët kanë kërkuar rihapje të procesit. Balla ka treguar dhe listën e firmave të opozitës të hedhura për kandidatin Endrit Shabani. Balla ironizoi Flamur Nokën me një deklaratë të bërë nga ai në një emision, teksa nëpërmjet një mesazhi tha se ka qenë Ervin Salianji ai që u ka mbushur mendjen deputetëve të firmosnin për Endrit Shabanin.

Balla gjithashtu iu përgjigj dhe Flamur Nokës, i cili më parë iu drejtua me termin ‘injorant’ duke i kujtuar gafën e 28 nëntorit.

Taulant Balla: Në seancën e sotme ne miratojmë buxhetin bashkë me paketën fiskale, kjo është çështja më e rëndësishme, sepse dalim përpara popullit me një buxhet më të madhin në histori dhe me plotë të mira që na kanë dhënë nderin t'i përfaqësojmë në kuvend si shumicë.

Edhe ju sot keni seancë të rëndësishme, por serioziteti juaj për kauzat që lini rrugës është dhe kjo tallje. Kemi diskutuar se sot ka një debat të rëndësishëm për raportin e OSBE-ODIHr. Do ishte në drejtën tuaj të ndaleshim dhe të gjeni një kohë për këtë debat që ta ndjekin qytetarët. Po ku talleni me të gjitha kauzat që nisni. (tregon firmat) ne jemi këta? Nënkryetari i partisë është këtu, anëtarët e kryesië që kanë firmosur. Të të fyejë ky i vetmi Flamur kur nuk di kur është ngritur flamuri, është fundi i botës.

Këta tha i ka bindur Ervin Salianji. Edhe hallin e brendhshëm të partisë tuaj na e sollët këtu. Jemi 1250 ditë në shkelje të ligjit si kuvend. Ju kurrë nuk e keni gjetur konsesusin mes vetes. Sot do të votojmë Avokatin e Popullit me kandidaturat që keni sjellë ju.

Ora 10:52
Balla: Po folët për lepuj, duhet të flisni dhe për zagarët! Flamur Noka i thotë ‘injorant’! Ndërpritet seanca

Deputeti i PD-së, Flamur Noka ka përdorur në drejtim të kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Balla termin “injorant”, gjatë kohës që Balla kishte marrë fjalën në sallë.

Balla kërkoi menjëherë ndërprerje të seancës plenare deri në momentin që Noka të nxirrej jashtë nga salla. Kryetari i Kuvendit vendosi 10 minuta pushim deri në qetësim të situatës.

Balla: Ka ardhur një kërkesë për ndryshim të rendit të ditës. Jemi në shkelje të rregullores se nu kemi dëgjuar  argumenin përse kanë kërkuar heqjen nga rendi i ditës. Asnjëri prej folsëve nuk ka sqaruar përse kjo cështje duhet të iki nga rendi i ditës. Dëgjova batuta, tallje , njëri fliste për lepuj, por po folët për lepuj duhet të flisni dhe për zagarët. Po i hytë këtij diskutimi bujrum se do t’iu lexoj unë listën. Të gjithë e dini se Besim Ndregjoni nuk zgjidhet dot në atë post se nuk e le ligji se ka mbushur 70 vjec. (Noka i thotë injorant)

Balla kërkon ndërprerjen e seancës.

Përplasja nisi pasi Berisha dhe të tjerë të PD-së cilësuan Endrit Shabanin si lepur të Surrelit, për të cilin kërkuan që të përjashtohet nga lista e kandidatëve për Avokat Populli. Në vijim të kësaj, Balla iu drejtua demokratëve duke u thënë se ‘kur të flisni për lepuj, duhet të flisni dhe për zagarë’. Në këto momente ka ndërhyrë Noka, i cili kundrejt Ballës, përdori termin ‘injorant’.

Ora 10:42
Shehaj akuza qeverisë: Keni vendosur të vidhni Avokatin e Popullit, ndërkombëtarët kanë frikë se mos vidhni dhe kreun e SPAK! Pse nuk ka ardhur Rama?

Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj akuzoi qeverisë se po tentojnë të “vjedhin” nga opozita kandidatin për Avokatin e Popullit. Shehaj u bën thirrje demokratëve për të pranuar vijimësinë e përzgjedhjes pavarësisht tërheqjes së firmave.

Ndër të tjera Shehaj thotë se në KLP ku po përzgjidhet kreu i ri i SPAK, salla është mbushur plot me ambasadorë e ndërkombëtarë, pasi kanë frikë se ai proces mund të intimidohet nga qeveria. Ndër të tjera, Shehaj ka kërkuar sqarim për mosprezencën e kryeministrit Rama në sallë lidhur me interpelancën e kërkuar me të.

Agron Shehaj: Pavarësisht qëndrimeve qesharake, është e qartë që Avokati i Popullit i takon opozitës. Është e qartë qe keni vendosur ta rrëmbeni dhe kjo nuk është çudi. Tani që nëse flasim, në një sallë tjetër po vendoset kreu i ri i SPAK dhe aty janë mbledhur të gjithë ambasadorët, nuk ka vend për gazetarët sepe kanë frikë se ju rrëmbeni dhe kreun e ri të SPAK. Imagjinoni cfarë poshtërimi po ju bëjnë ambasdorët. Ftojmë kolegët opozitarë ta pranojmë se nuk kemi çfarë të bëjmë, e kanë vendosur ta rrëmbejnë.

Kam kërkuar interpelancë, ju kemi pyetur nëse do të jetë apo jo kryeministri dhe nuk më keni dhënë përgjigje. Nëse nuk është kryeministri kërkon që interpelanca të shtyhet. Praktika juaj për tiu shamngur ballafaqimit është në kundërshtim me rregulloren. Cfarë kuptimi ka të delegojë një mnistre?

Ora 10:31
PD kërkon heqjen nga rendi i ditës zgjedhjen e Avokatit të Popullit: Hiqni Endri Shabanin nga lista! Berisha-mazhorancës: Po përmbysni vendimin tuaj

PD ka kërkuar heqjen nga rendi i ditës votimin për përzgjedhjen e kandidatit për postin e Avokatit të Popullit. Kjo kërkesë arysetohet me paraqitjen e shkresës për tërheqjen e firmave që opozita ka dhënë për 6 kandidatët. Tërheqja e firmave është bërë një ditë pasi u shpallën kandidaturat. Ata kërkojnë heqjen nga lista të emrit të Endrit Shabanit, i cili ka plotësuar nurmin e firmave të nevojshme të marra nga opozita, ndërsa shprehen se të vetmit kandidatë të opozitës janë Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni.

Berisha në foltore tha se PD respektoi vendimin e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili tha se një deptuet ka të drejtën për të firmosur vetëm për një kandidat. Tërheqja e firmave kundërshtohet nga PS me argumentin se është ka kaluar afati.

Sali Berisha: E keqja banale e kombit jeni ju. E keqja e kohës jeni. Ju ky parlament ka një Komision Ligjesh, këtë komision e kryeson një ish-ministër i juaj. Në garën e AP, një ditë ky mbledh komisionin dhe vendos në mënyrë të diskutueshme, që për kandidatët për AP do ketë deputeti të drejtë vetëm për 1 firmë. Ky është një vendim i një komisioni që ligji dhe kushtetuta e ngarkon për shqyrtimin dhe organizimin e procedurës së emërimit. Ai është kryetar komisioni. Tjetër punë se e keqa banale e shtron në hic. Ne zbatuam vendimin e Komisionit të Ligjeve. Në përputhje me këtë vendim ne bëmë shkresën për tërheqjen e të gjitha firmave. Për disa, deputeti mund të japë vetëm një firmë, për të tjerë mund të vendosë shumë. Por vendimi i Komisionit ishte i qartë. Dhe tani ju, meqenëse duhet patjetër Shabani ose opozita që duam, kishte marrë firma dhe tani përmbysni vendimin e Komisionit të Ligjeve, vendimin tuaj. Në respekt të Komisionit të Ligjeve tërhoqëm votat. E vazhdoni se e dini që lepuri i Surrelit nuk merr dot asnjë firmë.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 12/12/2025 02:54

    Imagjinoni Adriana Kalane si Av.populli. Do te ishte nje /Savonarola/ femer.

    Përgjigju
  • miri: 12/12/2025 00:29

    avokat u popullit 40 vjec ...ptu...

    Përgjigju
  • Adriatiku nga Joni: 12/12/2025 00:17

    Tani Adritatiku , Lapaj te provoje te marri ndonje President se ska cben, Shabani arriti ne karriere shume mire deri 2031 , Lapaj po ngordh ftohti me karrige bosh, kam frike se edhe Salianji do duhet ta bejme prokuror tek KLP ose GJKO ose diku! Mbetet vende vakante goxha , Lapaj doli i humbur bashke me babain I gjori! Sot 3 grade temperatura ai dergjet me karrige bosh

    Përgjigju
  • Yyyttt: 11/12/2025 23:57

    E nxorri koken dhe ky...

    Përgjigju
  • qaniu: 11/12/2025 14:54

    endri shabani po paguhet tashme sepse ai personalisht vrau shpresen se ne kete vend, nje mendim i ri nje alternative e re mund te ekzistonte perballe dragonjve te vjeter vdiq sepse endri shabani bashkeveproi per kete. kjo eshte medalja qe po i akordohet ne bashkepunim nga rama dhe berisha. bravo e gezofshi avokatin e ketij fare populli

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 11 Dhjetor, 07:30

    Çfarë vlerësimi keni për drejtimin e SPAK nga Altin Dumani?