Dita e Çlirimit të Prishtinës është ditë manifestimi për të kujtuar 11 qershorin e vitit 1999 kur forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) hynë në Prishtinë.
Kjo u bë në ditën kur hyri në fuqi Marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar më 9 qershor në Kumanovë në mes forcave të NATO-së dhe Republikës Federale të Jugosllavisë.
Me këtë marrëveshje, forcat serbe të ndodhura përballë sulmeve të UCK-së dhe kërcënimeve të vazhdueshme të NATO-s dhe bombardimeve të tyre, u detyruan të fortifikohen nëpër kazerma duke pritur momentin e tërheqjes përfundimtare nga Prishtina.
UÇK-ja kontrollonte pothuajse tërë Prishtinën dhe me datë 11 qershor 1999 ngriti flamurin kombëtar duke shpallur kryeqytetin të lirë. Në këtë moment u realizua ëndrra shekullore e popullit të Kosovës.
22-vjetori i çlirimit të Prishtinës, Hoxhaj: Lavdi për trimat që nuk kursyen as jetën e tyre për këtë ditë
Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka kujtuar 22-vjetorin e çlirimit të Prishtinës, duke thënë se kjo është një ditë e madhe, kur çizmet e trimave të UÇK-së pas muajsh të tërë lufte shkelën në kryeqytetin e Kosovës për ta çliruar përjetësisht nga robëria e frika.
“Lavdi të gjithë atyre heronjve që nuk kursyen as më të shtrenjtën jetën e tyre për këtë ditë. Urime Dita e Lirisë, Prishtinë”, shkruan Hoxhaj përmes rrjetit të tij social Facebook.