Busti i Skënderbeut vendoset në Parkun Qendror të Budapestit, Rama dhe Veliaj: Dhuratë nga Bashkia e Tiranës! Të pranishëm në ceremoni edhe Meta e Kryemadhi

Busti i heroit tonë kombëtar, Gjergji Kastrioti Skënderbeu është vendosur në parkun qendror të Budapestit, përballë statujës së bashkëkohësit të tij, heroit të Hungarisë, Janosh Huniadit.

Kryebashkiaku Veliaj dhe homologu hungarez Karacsony përuruan bustin.  Veliaj e cilësoi këtë të sotmen një ditë të shkëlqyer për marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Shqipërisë.

“Një ditë e mirë për marrëdhëniet mes dy vendeve. Kombet që nuk dinë nga kanë ardhur, nuk dinë as se ku po shkojnë. Në finale, përtej zhurmës dhe historisë, janë veprat ato që mbeten. Sfida për gjeneratën tonë është të lëmë vepra, të mos merremi me llafe, të mos i bëjmë stërkëmbësha njeri-tjetrit, mos të pengojmë progresin por të lëmë pas diçka që do të mbetet. Është dashur 20 vite për të mbërritur te kjo ditë. Një iniciativë që ka nisur që në kohën e Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës me kryetarin e Bashkisë së Budapestit atëherë. Më vjen mirë që Bashkia e Tiranës e lë një vepër që do të mbetet këtu në Budapest”, u shpreh Veliaj.

Vendosja e bustit është nismë dhe dhuratë e Bashkisë së Tiranës per qytetin e Budapestit. Ashtu siç pati premtuar edhe kryebashkiaku Veliaj, monumenti i Skëndërbeut, vendoset në kryeqytetin e Hungarisë, në shenjë nderimi dhe kujtimi për miqësinë dhe bashkëpunimin që heroi ynë ka pasur me Huniadin, por edhe për miqësinë që vijon mes dy popujve dhe dy kryeqyteteve.

“Sapo në Budapest, për vendosjen më në fund të bustit të Skënderbeut në Parkun Qendror - dhuratë e @bashkiatirane për Bashkinë e Budapestit në shenjë të miqësisë mes dy heronjve tanë kombëtarë Gjergj Kastriotit dhe Janosh Huniadit”, shkruan Veliaj.

Një foto e bustit është ndarë edhe nga kryeministri Edi Rama.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:18
Busti i Skënderbeut në Hungari, Veliaj për Report Tv: Së shpejti një monument të Mbretëreshës Geraldinë në Tiranë

 

Detaje në lidhje me vendosjen e bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut në parkun Qendror të Budapestit në Hungari ka dhënë për Report Tv kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

"Ka pasur gjithmonë debate mbi çfarë stili busti do ishte, në finale u vendos për një 'replika' të Odise Paskalit. U financua nga Bashkia e Tiranë, dhuratë nga populli i Tiranës për popullin e Budapestit. Është një marrëdhënie që ka nisur para 600 vitesh dhe vazhdon edhe sot. Fakti që në Parkun Qendror të Budapestit ne kemi një hapësirë prestigjioze dedikuar Heroit tonë Kombëtar ma mbush zemrën me gëzim dhe jam sot një prej njerëzve më të lumtur", tha Veliaj në intervistën për Report Tv.

Ai bëri me dije se shumë shpejt edhe  Mbretëresha Geraldinë do të ketë monument në Tiranë, i cili do të vendoset pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Ora 13:10
Busti i Skënderbeut në Budapest, të pranishëm edhe Meta e Kryemadhi, krah njëri-tjetrit në ceremoni! Presidenti: Lidhjet mes dy popujve, legjendare

Në ceremoninë e vendosjes së përmendores së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti në Budapest  ka marrë pjesë edhe  Presidenti Ilir Meta i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan rrënjët e miqësisë midis dy popujve gjenden në lidhjet legjendare të Kastriotit dhe të Huniadit.

“Me shumë kënaqësi dhe emocion të veçantë, mora pjesë sot, me ftesë të Presidentit Ader, në ceremoninë e vendosjes së përmendores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Budapest.

Rrënjët e miqësisë midis dy popujve tanë gjenden në lidhjet legjendare dhe aleancën strategjike të Heroit tonë Kombëtar me Prijësin ushtarak dhe drejtuesin e spikatur të Hungarisë dhe të mbarë Europës Qendrore, Janosh Huniadi, të dy mburoja të vlerave dhe të traditave të qytetërimit, por edhe të identitetit tonë europian.

Ashtu si në kohën e aleancës së Kastriotit dhe të Huniadit, Hungaria mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian të Shqipërisë dhe ne i jemi thellësisht mirënjohës. Jam i bindur se fryma e miqësisë dhe e bashkëpunimit të shkëlqyer tradicional historik midis dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohet pa u ndalur në të ardhmen”, shkruhet në postimin e Metës.

Ora 10:04
Rama ndan foton: Busti i Skëndërbeut vendoset në Budapest

Busti i heroit Gjergji Kastrioti Skënderbeu është vendosur në parkun qendror të Budapestit, përballë statujës së bashkëkohësit të tij, heroit të Hungarisë, Janosh Huniadit.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një foto në rrjetet sociale ndërsa tregon se ku është vendosur busti.

“Busti i Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skenderbeu në Budapest. Dhuratë e Bashkisë së Tiranës për Bashkinë e Budapestit në shenjë të miqësisë mes dy heronjve tanë kombëtarë Gjergj Kastriotit dhe Janosh Huniadit”, shkruan Rama.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • agim: 05/07/2021 13:50

    Mos harroni dhe bustin e Musolinit dhe te Hitlerit ti vendosni ne Tirane,duku afer Zogut pare aPO TE DYTE.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Qeveria rishpall tenderin 400 mln euro të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano

Qeveria rishpall tenderin 400 mln euro të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano