Policia e Shtetit ka njoftuar se sot në mesditë priten reshje të forta të shiut si dhe stuhi në të gjithë vendin. Në njoftim thuhet se janë përgatitur dhe janë në gjendje gadishmërie të gjitha shtabet e emergjencave për të përballuar situatën që mund të krijohet. Shkodra është qyteti që do të preket më shumë nga këto reshje pasi do të ketë shtrëngata shiu dhe breshëri të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Në zonat bregdetare do të ketë stuhi të fuqishme dhe dallgë nga 7-8 ballë.
 
Më poshtë njoftimi i plotë për situatën meteorologjike të datës 5 nars 2015
Në bazë të parashikimit të Qendrës Europiane të Përmbytjeve me qendër në Slovaki dhe të konfirmuar nga Instituti i Gjeoshkences (IGJEUM),rezulton se nga mëngjesi i datës 05.03.2015 deri në datë 06.03.2015 pritet të ketë reshje të dendura shiu mbi vendin tonë. Sasia më e madhe e reshjeve parashikohet të regjistrohet në intervalin kohor 12:00 – 18:00 të datës 5 mars.
 
Sipas këtij parashikimi intensiteti më i lartë i reshjeve pritet në pjesën Veriperëndimore të vendit, ku në qytetin e Shkodrës parashikohet që sasia e reshjeve të jetë rreth 80 mm për 24 orë. Do të ketë shtrëngata shiu dhe breshëri të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Po ashtu do të ketë reshje bore në pjesën e dytë të ditës në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit në pjesën Verilindore të vendit dhe kryesisht në zonën e Alpeve.
 
Kjo situatë do të shoqërohet me erë të vrullshme ku herë pas herë do të fitojë intensitet deri në 25m/sek kryesisht në zonat bregdetare ku do të shoqërohet me valëzim të forcës 7 dhe 8 në det të hapur me lartësi vale deri në 7m.
 
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka marrë masat e duhura për të vënë në gadishmëri të gjitha strukturat rajonale dhe lokale si dhe kompanitë që kane akses në menaxhimin e kaskadave të hidrocentraleve, me qëllim parandalimin e fatkeqësive.
 
Janë njoftuar prefektët në të gjitha qarqet e vendit që të mbajnë në gadishmëri shtabet e emergjencave civile, të sigurojnë gadishmërinë e kapaciteteve njerëzore dhe teknike si dhe të marrin masa mbrojtëse për objektet dhe banesat në afersi të lumenjve dhe vendeve të tjera me rrezikshmeri te lartë përmbytje.


Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)