'Sot u varros bulldogu anglez, Uinston Çërçilli', ditari politik i Enver Hoxhës, janar ‘65

'Sot u varros bulldogu anglez, Uinston Çërçilli', ditari politik i Enver Hoxhës, janar ‘65

Varrimi Winston Churchill

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet edhe ditari politik i Sekretarit të Përgjithshëm të PPSH-së, Enver Hoxha, midis të tjerash, në datat 25 dhe 26 janar të vitit 1965, ai ka shkruar disa shënime me rastin e ndarjes nga jeta të Uinston Çërçill, ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe që e udhëhoqi atë vend gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili vdiq në moshën 90 vjeçare, më datën 24 janar 1965. Lidhur me këtë në ditarin e tij politik që i përket datës 25 janar 1965, Enver Hoxha midis të tjerash ka shkruar: “Dje vdiq Uinston Çërçilli, burrë shteti shumë i shquar për kapitalizmin dhe imperializmin anglez. Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, Çërçilli ka qenë kryeministër i vendit të tij dhe si i tillë udhëhoqi me energji të madhe luftën e popullit anglez kundër nazizmit”.

Por ndërsa në këto shënime të tij udhëheqësi komunist shqiptar, Enver Hoxha, ka folur me superlativa për ish-kryeministrin britanik, duket e quajtur atë “një burrë shteti shumë të shquar”,  ç’ka ai ishte në të vërtetë dhe konsiderohej si i tillë nga gjithë bota perëndimore), duket se diktatori komunist shqiptar, është penduar për ato çka ka shkruar për Uinston Çërçillin, pasi vetëm një javë më pas, më 30 janar 1965, po në ditarin e tij politik, ai ka shkruar vetëm katër rreshta për të, duke u shprehur: “Sot u varros bulldogu anglez, Uinston Çërçilli. Funeralin e tij e pamë në televizion”. Nga Dashnor Kaloçi

Dokumenti arkivor ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës i datave 25-26 janar 1965, ku ai ka shkruar për vdekjen e ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Uinston Çërçill

Dje vdiq Uinston Çërçilli, burrë shteti shumë i shquar për kapitalizmin dhe imperializmin anglez. Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, Çërçilli ka qenë kryeministër i vendit të tij dhe si i tillë udhëhoqi me energji të madhe luftën e popullit anglez kundër nazizmit.

Këtë ai u mundua, dhe deri diku edhe e shfrytëzoi, për të imponuar politikën e qarqeve kapitaliste e imperialiste angleze, në dëm të popujve të tjerë.

Në mënyrë të veçantë, Çërçilli punoi me çdo mjet për të sabotuar luftën çlirimtare të popujve të vendeve të Evropës Lindore. Ai bëri çmos për të çarmatosur dhe për të shkatërruar ushtrinë demokratike greke deri në shuarjen e luftës çlirimtare të popullit grek.

Titon dhe klikën e tij, Çërçilli i lidhi kokë e këmbë pas qerres së vet, në dëm të luftës e të fitoreve antifashiste të popujve
të Jugosllavisë.

Çërçilli ishte një armik i egër i Bashkimit Sovjetik e i komunizmit. Megjithatë, gjatë Luftës së Dytë Botërore iu desh të ulet në bisedime me Stalinin në tryezën e takimeve të tre aleatëve të mëdhenj në Teheran, Jaltë e Potsdam.

Stalinit, me gjithë taktin e mprehtësinë diplomatike që edhe Rusvelti e ka vlerësuar lart, i është dashur të ndeshej me Çërçillin e të luftonte me këmbëngulje kundër oreksit të tij të shfrenuar në shërbim të politikës së vjetër kapitalisto-imperialiste të borgjezisë së madhe angleze.

Sot u varros bulldogu anglez, Uinston Çërçilli.

Funeralin e tij e pamë në televizion. Shumë dëme i ka bërë klasës punëtore ndërkombëtare dhe shumë vështirësi i ka nxjerrë socializmit veprimtaria e tij e madhe dhe e egër në krye të imperializmit anglez dhe botëror./Memorie

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë