Gjenerali britanik që erdhi në Shqipëri gjatë Luftës: Pse Churchill përkrahu partizanët e Enver Hoxhës

Gjenerali britanik që erdhi në Shqipëri gjatë Luftës: Pse Churchill përkrahu partizanët e Enver Hoxhës

Portreti i panjohur i Julien Amery – armiku i përbetuar i komunizmit në Shqipëri, vëllai i të cilit, u dënua me vdekje nga Britania, pasi tradhëtoi atdheun e tij, duke u bashkuar me Hitlerin dhe Musolinin-

Në një mbrëmje dimri, trokitjeve të mia në derën e një shtëpie të lagjes së kamur ‘Belgravia’ të Londrës, iu përgjegjë një zonjë që dukej të ishte diku rreth 30 vjeçare. Kishte trup të gjatë dhe të hollë. Fytyra dhe dy sytë e saj të vegjël dhe shkëlques që qëndronin pas syzave ‘John Lennon style’, ofronin mirëseardhje. ‘Baba është duke iu pritur’ – tha me buzëqeshje. Ishte e pabesueshme se sa shumë kjo zonjë, përngjante në aktoren e cila luan rolin e gruas së ‘Rocky Balboas’ në filmin po me këtë emër, ku rolin e tij (bokserit) e luan Silvester Stallone. Kjo ishte vajza e Lord Amery-it apo Julian Amery-it, siç njihet më shumë te shqiptarët, ky personalitet i rëndësishëm.

Shtëpitë e aristokratëve britanikë ruajnë një sharm të veçantë të tradicionales, por në shumicën e rasteve, janë të zymta. Orenditë klasike, përfshirë tepihët dhe perdet, nuk e lejojnë elementin e modernizimit. Anglezët kur presin mysafirë, sidomos nëse ata janë gazetarë, tregojnë kujdes të madh.

Vishen bukur dhe kravata është pjesë e domosdoshme e kompletit të rrobave. Për habinë time, Lord Amery, nuk ishte i veshur në këtë mënyrë të zakonshme. Mbi pixhama ngjyrë të gjelbër, kishte një gunë të gjatë që përdoret në shtëpi gjatë ditës dhe natës.

Lordi i dha zor të ngrihej apo pretendoi, siç mendova unë, por nuk mundi. Tentativa e tij përfundoi me një lëvizje të lehtë nga vendi. Disa herë kishim biseduar për intervistë dhe më në fund i erdhi radha edhe kësaj pune.

Personaliteti i politikës kolonialiste, intervencioniste dhe imperialiste britanike, siç do ta quanin disa, dhe legjenda e ideimit dhe ekzekutimit të operacioneve sekrete, tashmë gjendej para meje.

E nxora diktofonin dhe e vendosa mbi tavolinë, afër shishes me whiskey nga e cila Lordi kishte konsumuar së paku një gotë. (Më vonë i ndihmova edhe unë me një apo dy gota). Filloi shpalosja e rëndësishme e historisë, ku ai kishte marrë pjesë. Më vonë, nxora edhe fotoaparatin të cilin e kisha mbushur me film, (më të mirin (Kodak 400)) që të mos dështoja dhe njëra nga pozat, është kjo që po e shihni në këtë postim.

Lord Amery. nuk ndjehej mirë me shëndet. Në sytë e tij shihej një lodhje e përzier me një mërzitje të madhe. Ishte diku rreth 74 vjeçar, por jeta, me dinamikën e saj të stërngjeshur, e kishte mundur.

Në realitet, në fund të bisedës, e kuptova se ai më kishte nderuar me intervistë, përkundër faktit që ishte i sëmurë dhe përkundër asaj që, ia pashë për të madhe veshjen. Ndoshta këtë e kishte bërë edhe për veten e tij që, t’i thoshte disa gjëra para se të largohej nga kjo botë. Nuk u takuam më dhe pas një viti (shtator 1996), Lord Amery, ndërroi jetë.

Familja Amery, ka qenë e njohur dhe me traditë politike. Babai i Julian Amery-it, Leo, ka ushtruar disa funksione shtetërore dhe ka qenë ndër shokët më të afërt të Churchill-it. Duke e vazhduar traditën aristokrate, Julian, është edukuar në shkollat elitare britanike – ‘Eaton College dhe Oxford University’.

Julian, si student, ishte bërë i njohur për publikun britanik, për shkak të lidhjes së tij të dashurisë me shkrimtaren Barbara Pym, e cila ishte dukshëm më e vjetër se ai.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, familja Amery është ballafaquar me një problem serioz. Vëllai i Julianit, Johni, ka qenë fashist, i cili shkoi në Gjermani, për t’iu bashkuar aparatit shtetëror të Hitlerit, ku ushtroi propagandë kundër Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve.

Më vonë, i ndihmoi Musolinit derisa në fund të Luftës, u kap nga forcat britanike, u soll në Londër dhe u dënua me vdekje (varje) për tradhti. Kjo gjë ka qenë një njollë jo e lehtë për familjen Amery.

Megjithatë, Britania e Madhe është vend demokratik ky përgjegjësia është personale dhe nuk i kalon këta kufij. Pra, kjo gjë nuk e ka penguar familjen Amery, veçanërisht Julian-in që ai pas Luftës, të ushtroj funksione të larta shtetërore.

Por, Julian Amery, gjatë Luftës ka treguar patriotizëm dhe heroizëm. Përpos veprimeve tjera, ai në histori ka hyrë për rolin e tij që luajti në Shqipëri dhe më vonë për Shqipërinë.

Në vitin 1943, Julian Amery, David Smiley dhe Billy McLean, u dërguan në Shqipëri si oficer ndërlidhës, me grupet që luftonin okupatorin. Për shkak të detyrës së tyre të përbashkët, afrisë dhe përcaktimit të angazhimit në Shqipëri, këta u quajtën ‘Tre Musketarët’.

Së pari, shkuan te partizanët e Enver Hoxhës dhe më vonë, te forcat nacionaliste, të cilat i preferuan më shumë se ato komuniste.

Në vitin 1944, Londra vendosi që t’i përkrahte më shumë forcat partizane të Enver Hoxhës, sikur edhe ato të Titos në Jugosllavi dhe ‘Tre Musketarët’, u tërhoqën nga Shqipëria. Ky vendim i Londrës, gjegjësisht i Churchill-it, që mundësoi fitoren e komunistëve në Shqipëri dhe Jugosllavi, ka shkaktuar një debat që vazhdon edhe sot.

Kjo ka krijuar bazë për përhapjen e një teorie konspirative që thotë se, në komandën britanike në Kairo, më vonë në Bari, kanë ekzistuar disa oficerë komunistë, që kanë ndikuar në këtë vendim që solli fitoren e komunistëve në Shqipëri dhe Jugosllavi.

Por, kjo nuk është e vërtetë. Churchill, vendosi t’i përkrahte partizanët e Shqipërisë dhe Jugosllavisë, për arsye se këto forca ishin më aktive në luftë kundër okupatorit italian dhe gjerman.

Në vitin 1948, ‘Tre Musketarët’ u aktivizuan sërish. Tani kishte filluar Lufta e Ftoftë dhe gjërat po ndryshonin. Shqipëria komuniste po bëhej bazë ushtarake ruse, kur në të njëjtën kohë, Jugosllavia po largohej nga ndikimi rus.

Greqia ishte në gjendje kaosi. Në përgjigje të situatës, në instanca të larta, britanikët dhe amerikanë, kishin hartuar një plan: Shqipëria të nxirrej nga sfera komuniste sovjetike.

Me këtë gjë, nëse do të ndodhte, do të stabilizohej Greqia dhe do të krijohej një vijë e plotë anti-ruse, që do të krijonte siguri për Evropën Perëndimore.

Prandaj, një ditë Shërbimi Sekret Britanik (MI6) e kontaktoi Julian Amery-in, për ta pyetur nëse do ta pranonte një detyrë që do t’i printe zbatimit politik të këtij plani. Pa e ditur Amery, ky shërbim i kishte kontaktuar edhe ‘Dy Musketarët’ tjerë.

Që të tre, misionin në Shqipëri e konsideronin edhe si punë personale pasi që, ishin të mllefosur që miqtë e tyre nacionalistë, kishin humbur luftën dhe tashti kishte ardhur rasti që kjo padrejtësi, të korrigjohej. Prandaj, e pranuan detyrën e re me kënaqësi të madhe.

Julian Amery, udhëtoi në Romë për të kryer një ‘Mission Impossible’: për të krijuar koncenzusin politik në mes shqiptarëve. Por, ia doli. Atje e takoi Vasil Andonin por, mungonin dy figura tjera prominente: Mit’hat Frashëri dhe Abaz Kupi.

Abaz Kupi gjendej i ngujuar në Greqi dhe ky shtet nuk e lëshonte të dilte jashtë. Por, me ndihmën e MI6, Abaz Kupi u soll në Romë e, madje udhëtoi me aeroplan nga Athina.

Kur edhe Mit’hat Frashëri erdhi nga Stambolli, Amery e takoi edhe Ahmet Zogun dhe ua zbuloi planin i cili përafërsisht thoshte: një forcë e diversantëve shqiptarë, do të dërgohej në Shqipëri e cila, do ta zgjeronte aktivitetin për ta rrëzuar Enver Hoxhën nga pushteti dhe përmbysur komunizmin në Shqipëri.

Pastaj, do të organizoheshin zgjedhjet e lira dhe do të vendosej demokracia; Shqipëria do të hynte në sferën e Perëndimit dhe do ta kishte ndihmën e plotë, ekonomike dhe politike të Perandorisë Britanike dhe superfuqisë tjetër, Amerikës.

Përkundër ndasive dhe hezitimeve, këto personalitete shqiptare nuk mund ta refuzonin këtë plan, që dukej ideal. Shumë shpejt filloi organizimi dhe u lajmëruan rekrutë vullnetarë, më shumë se që duheshin. Në Maltë, David Smiley, filloi stërvitjen e tyre.

Plani kërkonte përkrahjen e Jugosllavisë dhe Greqisë. Uashingtoni dhe Londra, urdhëruan ambasadorët e tyre që ta takonin Titon dhe ta merrnin përkrahjen e tij. Pasi që Tito ishte larguar nga ndikimi sovjetik dhe ishte afruar me Perëndimin, mendohej se ai, do ta përkrahte planin anglo-amerikan, të intervenimit në Shqipëri.

Por, nuk doli ashtu. Tito, duke qenë strateg, e kishte diktuar që ky plan ishte i rrezikshëm edhe për të. Sipas këtij plani, Shqipëria do të largohej nga komunizmi, do të demokratizohej, do të zhvillohej ekonomikisht dhe do të hynte nën kujdesin anglo-amerikan.

Prandaj, Tito, i këshilluar edhe nga Kardeli, e refuzoi kategorikisht planin dhe nuk pranoi të ndihmonte në asnjë segment. Tek e fundit, pse ta ndihmonte Tito një plan të huaj kur ai, e kishte planin e vet me të cilin, vazhdimisht e mbante Shqipërinë nën ndikim dhe nën presion.

Julian Amery, shkoi në Greqi për të siguruar ndihmën e këtij shteti që, diversantët të ndihmoheshin në rast se tërhiqeshin nga Shqipëria, në territor të këtij shteti.

Edhe kjo ishte punë e vështirë, por ia doli që ta merrte premtimin nga ushtria dhe policia greke. Dhe, kështu filloi zbatimi i planit, i cili dihet se si dhe pse përfundoi me debakël, kurse Shqipëria mbeti nën mëshirën e komunizmit të egër.

Sidoqoftë, Julian Amery e mbante në mend një moment interesant që kishte ndodhur në shtëpinë e tij, kur në Londër i kishte sjellë anëtarët e Komitetit “Shqipëria e Lirë” që ishte angazhuar në këtë plan. Pas drekës, kishin dalë për shëtitje në oborr.

Abaz Kupi, kishte parë një gjarpër në kopsht, pas të cilit kishte vrapuar dhe e kishte kapur. Si fshatar që ishte, nuk frigohej nga gjarpri. Por, me gjarpër e ndiqte nëpër oborr Mit’hat Frashërin, i cili si tip urban, ikte nga frika. Amery, me humor thoshte: “Abazi dëshironte ta provonte nëse, gjarpri ishte helmues”.

Megjithatë, Julian Amery e ka mbajtur veten për mik të shqiptarëve. Por, ekzistojnë fakte që vërtetojnë se në një drekë në ambasadën e Jugosllavisë në Londër, kur është folur për Shqipërinë, Amery ka sygjeruar se; ndarja e këtij vendi me Jugosllavinë dhe Greqinë, mund të ishte zgjidhje e mirë.

Tashti, kjo është një thënie ndoshta e pakujdesshme por shumë problematike për dikën që, i thotë vetes mik i Shqipërisë! Por, duhet patur parasysh që te politikanët britanikë, ka ekzistuar një dashuri e madhe për Jugosllavinë, sidomos për atë të Titos. Kështu ka qenë deri më 1997, kur Tony Blair e ndërroi kahjen./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë