Lindita Nikolla zgjidhet kryetare Kuvendi me 79 vota pro dhe 4 kundër! Soreca e uron: Roli i parlamentit kyç për pranimin e vendit në BE

Lindita Nikolla zgjidhet kryetare Kuvendi me 79 vota pro dhe 4 kundër! Soreca e uron: Roli i parlamentit kyç për pranimin e vendit në BE

Kryetarja e re e Kuvendit Lindita Nikolla

Kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë për 4 vitet e ardhshme është Lindita Nikolla, e zgjedhur me 79 vota pro dhe 4 kundër, sot në seancën e parë të parlamentit të ri. Grupi parlamentar i PD-së ka zgjedhur të grisë në mënyrë demonstrative fletët e votimit e duke i hedhur më pas në tokë. Kryeministri Rama është ulur në tokë duke mbledhur fletët e grisura, të cilat i futi në një qese. Ndryshe nga PD kanë vepruar dy aleatët e demokratëve në zgjedhje, Monika Kryemadhi dhe Vangjel Dule, kanë hedhur votën në kutinë e votimit. 4 deputetët e LSI kanë votuar kundër emrit të Nikollës, nga 137 që ishin në total të pranishëm në sallë. Kurse, ish-kryeministri Sali Berisha pasi u betua, e bojkotoi procesin e zgjedhjes së kryetares së Kuvendit duke dalë nga salla pak para nisjes së votimit. Lindita Nikolla do të zërë vendin e Gramoz Ruçin në krye të Kuvendit të Shqipërisë.

Sakaq ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka uruar Nikollën për zgjedhjen e saj në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Në një postim në rrjetet sociale Soreca, shkruan se roli i parlamentit është kyç për pranimin në BE. 

Por kush është kryetarja e re e Kuvendit?

Nikolla lindi në Tiranë, më 22 Tetor 1965. Ajo është e martuar me Ligor Nikolla dhe ka një vajzë që quhet Livia. Nikolla, në korrik 2010 ka kryer studimet Master në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzekutiv, pranë Albanian University dhe në vitin 1989 ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, dega  Matematikë, Universiteti i Tiranës. Ajo ka hyrë në politikë në vitin 2003. Gjatë viteve 2003–2006 është zgjedhur si Këshilltare e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.1, Tiranë. Është zgjedhur për dy mandate në periudhën 2007-2011 dhe 2011-2013, Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë. Në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, zgjidhet deputete e qarkut të Tiranës. Ajo ka qenë më parë në postin e ministres së Arsimit nga shtatori i vitit 2013 deri në tetor të vitit 2018.

Nga shtatori i vitit 2007, Nikolla është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Në vitin 2006 ka përfunduar Akademinë për Udhëheqësi dhe Reformë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (NDI) në Tiranë dhe në qershor të vitit 2008 ka kryer Akademinë mbi Policimin Komunitar dhe Qeverisjen Vendore në Universitetin e Pitsburgut, SHBA. Nikolla ka kryer gjithashtu një sërë kualifikimesh në menaxhimin e shkollës dhe mësimdhënien e matematikës, si dhe për fuqizimin e gruas në vendimmarrje. Ajo zotëron gjuhën angleze dhe njeh gjuhën frënge e atë italiane.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:56
Soreca uron Nikollën për zgjedhjen si kryetar Kuvendi: Roli i parlamentit kyç për pranimin në BE! Deputetët të bashkëpunojnë për integrimin e vendit

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka uruar Lindita Nikollën për zgjedhjen e saj në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Në një postim në rrjetet sociale Soreca, shkruan se roli i parlamentit është kyç për pranimin në BE. Soreca thotë se pret që të gjithë anëtarët e Parlamentit të bashkëpunojnë dhe të çojnë përpara integrimin.

'Urime Anëtarëve të Kuvendit të ri Shqiptar dhe kryetares së re Lindita Nikolla. Roli i Parlamentit është kyç për pranimin në BE. Ne presim që të gjithë anëtarët e Parlamentit të bashkëpunojnë dhe të çojnë përpara integrimin, një përparësi gjithëpërfshirëse për njerëzit.'- shkruan Soreca

Ora 19:14
Veliaj uron Lindita Nikollën për zgjedhjen në krye të Kuvendit, ironizon opozitën: Tigra prej letre 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka përgëzuar Lindita Nikollën për zgjedhjen si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.

Përmes një postimi në twitter, Veliaj ka vlerësuar kryeparlamentaren Nikolla duke theksuar se një figurë si ajo do t'i bënte nder çdo kuvendi e institucioni.

Veliaj ka ironizuar edhe grisjen e fletëve të votimit nga ana e deputetëve të opozitës teksa u shpreh se kjo shpjegon ku inkurajohet ajo pjesë e vogël e shoqërisë që hedhjen e plehrave në rrugë e sheh si imitim të "tigrave prej letre" në SHQUP. 

“Lindita Nikolla është një kryezonjë fisnike e qytetare që do t'i bënte nder çdo kuvendi e institucioni. Grisja e hedhja e letrave përtokë shpjegon ku inkurajohet ajo pjesë e vogël e shoqërisë që hedhjen e plehrave në rrugë e sheh si imitim të "tigrave prej letre" në SHQUP!”, shkruan Veliaj.  

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë