TIRANË - Kryeqyteti shqiptar ka ulur siparin e edicionit të 9-të të Maratonës së Tiranës 2025. 5100 garues nga 58 shtete të ndryshme morën pjesë në katër aktivitet që e ktheu Tiranën në kryeqytetin e atletikës. Moshat në këtë event ishin të ndryshme, teksa 92-vjeçari gjerman Heinz Kirch ishte pjesëmarrësi më i vjetër, por një 84-vjeçar ishte garuesi më i vjetër në disiplinën e 10 kilometrave. Pjesëmarrës ishin edhe emra të njohur nga politika apo figura publike.
Me energji dhe garim, Maratona e Tiranës u nda në katër kategori. Maratona e plotë (42 km), Gjysmë-maratona (21 km), 10 km dhe "Fun Run & We Too", e dedikuar për familjarë, amatorë dhe persona me aftësi ndryshe.
Sportistët nga Kenia ishin ata që dominuan në Maratonën e 42 kilometrave, si për meshkuj edhe për femra. Keniani Benard Kiprotich Too u shpallk fitues i Maratonës për meshkuj me kohën 2 orë 21 minuta e 35 sekonda, i ndjekur nga bashkatdhetarët Derrick Chege Njoroge dhe Shedrack Kiptoo Kimaiyo. Paraqitje shumë të mirë bënë edhe atletët shqiptarë Ilir Kellezi dhe Altin Vorpsi, që mbyllën garën respektivisht në vendin e 8-të dhe të 9-të.
Edhe për femra në disiplinën e 42 kilometrave dominuan sportistet nga Kenia. Chelangat Sang u shpall fituese me kohën 2 orë 39 minuta dhe 21 sekonda, e ndjekur nga Rose Jepchumba dhe Lina Jepkemoi. Blerina Bregu u rendit e 4-ta.
Në gjysmë maratonën e 21 kilometrave ishin sportistët nga Kenia që triumfuan
Për femra, Valentine Jebet e mbylli e para me kohën 1 orë 17 minuta dhe 44 sekonda, ndjekur nga bashkëkombaset Kavindu Jacinta dhe Japkemoi Lina. Shqiptarja Kristina Pura u rendit në vendin e pestë dhe Julinda Peshku e dhjeta.
Për meshkuj, Maiyo Kiptum Hillary doli i pari me kohën 1 orë 4 minuta e 17 sekonda, ndjekur nga bashkëkombasit e tjerë, Raphael Gacheru dhe Kennedy Kipkemoi.
Në kategorinë 10 kilometra ishte Redia Dauti që u shpall fituese, ndjekur nga Sebahat Demir dhe Natalie Wangler. Për meshkuj ishte Adam Lomb që mori vendin e parë, ndërsa u ndoq nga Albion Ymeri dhe polaku Krystof Symanowski.
Garuesit më të mirë shqiptarë
10 km - FEMRA-SHQIPTARE
Vendi 1 - Elisabeta Marku
10 km - MESHKUJ-SHQIPTAR
Vendi 1 - Thomas Greco
21 km - FEMRA-SHQIPTARE
Vendi 1- Julinda Peshku
21 km - MESHKUJ-SHQIPTAR
Vendi 1 - Gent Muca
42 km - FEMRA-SHQIPTARE
Vendi 1 - Blerina Bregu
42 km - MESHKUJ-SHQIPTAR
Vendi 1- Ilir Kellezi
Çmimet
Për fituesit u ndanë edhe çmimet respektive. Vendi i parë mori 5 mijë euro, i dyti 3 mijë euro dhe i treti 2 mijë euro.
Itinerari
Itinerari i maratonës përfshinte sheshin “Nënë Tereza”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Papa Gjon Pali II”, segmentin pranë RTSH-së, urën e Rrugës së Elbasanit, godinën e Parlamentit, sheshin “Skënderbej”, bulevardin “Zogu i Parë” dhe “Zogu i Ri”, si dhe rrugët “Durrësit”, “Kavajës”, “Myslym Shyri”, bulevardin “Zhan D’Ark” dhe rrugët “Ibrahim Rugova” e “Lek Dukagjini”.
Në maratonën e Tiranës nuk kanë marrë pjesë vetëm garues, por edhe familjarë për të dhënë mesazhe sensibilueze.
I tillë është edhe rasti i një nëne të një fëmije me autizëm, teksa tha se ishte në maratonë për të mbështetur prindërit e fëmijëve me autizëm.
“Këtu jemi për të mbështetur prindërit e fëmijëve me autizëm. Unë jam vetë prind i një fëmije me autizëm dhe uroj që të kemi lënë mesazhin e mirë dhe që të na bashkohen sa më shumë vitet e tjera”, tha ajo.
Ndërsa një tjetër garuese, tha se ishte krenare që kishte përfunduar garën e 21 km.
“Për mua ishte hera e parë që bëja 21 km dhe jam e lumtur që arrita këtë kohë dhe të vazhdoj me tej për një kohë sa më të mirë. Patjetër që ia dedikoj familjes time, trajnerit Taulant Stërmasi dhe Luiza Gegës që më kanë mbështetur për të arritur këtu ku jam”, tha ajo.
Një 52-vjeçar nga Italia, i cili është garues në Maratonën e Tiranës, ka pësuar infarkt.
Report Tv mëson se 52-vjeçari është transportuar me autoambulncë drejt Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT).
Ndërsa mësohet se garuesi italian, ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Taulant Stërmasi, ish-kreu i Atletikës shqiptare dhe një nga organizatorët e Maratonës së Tiranës foli për gazetaren e Report Tv, Joana Preja, në lidhje me zhvillimin e këtij aktiviteti me përmasa të mëdha në kryeqytet. Stërmasi tha se janë më shumë se 5 mijë pjesëmarrës nga gjithë bota në këtë event, teksa më i vjetri ka moshën 84-vjeçare, që është një frymëzim për të gjithë.
"Çdo vit e më tepër jemi më të mëdhenj, ka pjesëmarrës nga gjithë bota. Ka një organizim të mirë nga Bashkia e Tiranës. Ka 5 mijë persona dhe kishte disa persona që nuk u ndjenë mirë gjatë garës. Kemi 8 ambulanca në dispozicion. Një sportist nuk u ndje mirë në finish, mori ndihmën e parë dhe tani është mirë me bashkëshorten.
Edhe Ramush Haradinaj pjesë e garës? Kjo maratonë i bashkon të gjithë, nuk bën dallime nga politika dhe njerëzit e thjeshtë. Ka nga gjithë shqiptaria. Mosha më e madhe është deri në 84 vjeç, në maratonën deri në 10 km dhe janë një frymëzim. Një spunto më tepër për në, që na bashkon të gjithëve.
Do vraponi vetë? Jo, nuk e kam këtë luks. Më duhet të ndjek garën dhe do jetë gabim teknik. Dëshira është, por nuk kam kohë", tha Taulant Stërmasi.
Mes rreth 5100 garuesve në Maratonën e Tiranës është edhe Ramush Haradinaj. Ish-kryeministri i Kosovës, ka marrë pjesë në katëgorinë 21 kilometra, ndërsa tregon se kjo është hera e dytë që merr pjesë në këtë maratonë.
"Mora pjesë në kategorinë e 21 km. Për mua është një garë shumë e veçantë, është hera e dytë që marr pjesë", tha Haradinaj për Report Tv.
Një vrapues nga Gjermania, 92 vjeç, është sot pjesë e maratonës së Tiranës.
92-vjeçari Heinz Kirch shihet teksa shijon ditën dhe kërcen në sheshin ‘Skënderbej’ pak përpara fillimit të garës. Maratona e Tiranës i jep hapësirë në garën 10 kilometra "Fun Run & We Too", familjarëve, amatorëve dhe personave me aftësi ndryshe.
Komente











Përveç rrumpallës në trfik i shtohen edhe këto bllokime të shpeshta a thua se ne kemi ndonjë atletikë të shquar,përjashto Luiza Gegën të tjerët janë ZERO.
Përgjigju