Sotir Gjika në 1913:Pse Europa s'i
dha kufijtë natyralë Shqipërisë?

Sotir Gjika në 1913:Pse Europa s'i<br />dha kufijtë natyralë Shqipërisë?
Dy artikuj dhe një lajm i shkurtër i raportuar në maj 1913, përzgjedhur nga shkrimet publicistike të Sotir Gjikës, sjellin shumë pranë atmosferën social-politike në të cilën ndodhej Shqipëria pas shpalljes së Pavarësisë dhe në muajt e vështirë kur Esad Pashë Toptani kërkonte të merrte pushtetin e të shpallej mbret. Artikujt janë shkëputur nga vëllimi me publicistikën dhe letërkëmbimet e Sotir Gjikës botuar para pak javësh nga “Omsca-1” më titullin “Detyra ime mbaron me jeten time”.

Artikulli i parë trajton temën e nxehtë të ndarjes së kufijve dhe pozicionin e vështirë të Shqipërisë në atë proces. Artikulli i dytë është një raportim i shkurtër, i cili zbulon një rrezik që i vinte Shqipërisë nga një sëmundje që po shkaktonte vdekje në masë në ushtrinë turke dhe përpjekjet për të gjetur një rrugë të sigurt për largimin e ushtarëve turq pa depërtuar në tokat shqiptare.

Ndërsa artikulli i tretë flet për prapaskenat dhe veprimtarinë antishqiptare  të Esad Pashës pas Shpalljes së Pavarësisë në vjeshtën e 1912, e deri në vjeshtën e 1913-ës.
Ad.Pe.

Kufijtë e Shqipërisë 
Sot pyetja e habitëshme për botën shqiptare është: Pse Evropa s’i dha kufitë natyralë Shqipërisë? Pas kësaj pyetje dëshpërimi ësht’ i madh, duke ditur që Shqipëria krijohet si Shtet shum’ i vogël aqë sa të mos mundë të vetë-mbahet dhe të përparojë pas traktateve të kohës së sotme.

Duke dhënë sot Evropa gjysmën e Shqipërisë ndër malëziasit, sërbët dhe grekët, kombe të cilët kanë pësim të amëshuar për të shuajtur kombin shqiptar nga toka e Sinisisë së Ballkanit, përligja që bëri Evropa ësht’ e vajtueshme dhe lajthimi është i trashë sa i tmerruar!

Po cilët janë shkaet që e shtyjnë Evropën të krijojë një Shqipëri aqë të vogël?
Katërlidhja Ballkanike, e cila shporri Turqinë nga Evropa duke ujitur dhenë me gjak, në të ngjëruarit e pemëve mundëse deshi të përtypte dhe Shqipërinë e tërë. Kryeministri i Ingliterës z. Asquit tha: “pemët e mundjeve lipset të ngjirohen prej aleatëve“. Këtë fjalë e poltisi dhe kryeministri i Francës, pas atij dhe ai i Rusisë.

Pra, Shqipëria pas “lidhjes ballkanike“ ishte e trishngasraruar po të mos kishte ngritur zënë Trilidhja, në krye me Austro-Ungarinë: Shqipëria për Shqiptarët. Në mes të mundjeve triumfale të aleatëve kundra Turqisë, zëri i dëgjueshëm i Trilidhjes për krijimin e Shqipërisë si Shtet më vehte, tingëlloi shumë hidhur ndër veshët e aleatëve duke mos pandehur ata kurrë një gjë të tillë.

uke pasuar ushtrimet e tyre u munduan të shurdhojnë atë zë, të plotësojnë programin e tyre a, më mirë të themi, të dëbonin çdo influencë evropiane që përdorej gjer dje në Shtetet e tyre, kështu që të ishin vetërregullonjës të punëvet tyre të përbrëndëshme. Po zëri i fortë i Trilidhjes u dëgjua dhe u shtrua plani në Konferencën e paqës në Londër për krijimin e Shtetit shqiptar. Në mes të pakë ditëve bisedimesh të konferencës së paqës u pëlqye sheshtimi (plani) i Trilidhjes për Shqipërinë dhe Shqipëria u proklamua “autonome“ prej të gjashtë Fuqive të Mëdha, po pa kufij të njohur.

N’ato kohë fati i kufijve dukej si më i siguruar, po përsëritja e luftës nga ana e Don Kishotëve zhon-tyrq dhe të Shteteve të Ballkanit, solli një ndryshim të përgjithshëm në punët. Shtetet e Ballkanit, të cilët pothuajse bindeshin me kufijtë më të gjëra për Shqipërinë, pas përsëritjes së luftës ndryshuan mendimin, shtuan kërkesat e tyre, zaptuan Janinën dhe Edrenenë, dhe shtruan propozime fare të ndryshme në Konferencën e ambasadorëve në Londër përmbi viset që akërrojnë. Ky është i pari shkak për kufijt’ e vegjël të Shqipërisë.

I dyti shkak që shtrëngoi Evropën të bëjë një Shqipëri aqë të vogël, është që ajo s’pëlqeu të mohojë dhe të shqelmojë fitoret dhe gjakun që derdhën Shtetet e Ballkanit në luftën e njohur, për të dëbuar nga kopshti evropian “sokëllimën“ e motit, Turqinë. Çështja e kufive të Shqipërisë qe ajo çështja më gjëmbëtore për ambasadorët e paqës ; qe një çështje që solli një krizë të përbotëshme.

Trilidhja, protektoresha e Shqipërisë, përkrahu sa mundi për një Shqipëri të madhe aqë sa Austria mbajti 4 muaj 800,000 ushtarë më këmbë; po po të kishte vajtur kundërshtimi gjer në fund midis Trilidhjes dhe marrëveshjes Katërlidhje, kundërshtim i shkaktuar vetëm për Shqipërinë, pa dyshim një luftë panevropiane ishte më të krisur, se dhe Rusia kishte mobilizuar mjaft ushtrí ndër kufijtë ruso-austriake.

Një luftë panevropiane, frika e së cilës nuk është shojtur ende, do sillte një tmerrim, një boblë (katastrofë) të përbotëshme. Kështu, duke u shpështjellë punët, pranoi Trilidhja këto kufij sot për Shqipërinë, me qënë që protektoreshat e katërlidhjes ballkanike kishin dhe një tjetër armë për arësye : therorësitë e Shteteve të Ballkanit, nga të cilat fiton sot dhe Shqipëria vetëqeverimin e saj.

Këta janë shkaqet që Shqipëria krijohet sot me kufij aqë të vegjël.
Po kombi shqipëtar, në vënd që të dëshpërohet, lipset të gëzohet për ngjalljen sërish të Shqipërisë. Evropa, e cila u shkurtoi sot kufijt’ e Shqipërisë, nuk u ndaloi  të drejtën shqiptarëve për zgjerime të vona të kufijve t’ atdheut të tyre. (3 prill 1913, Shkëmb’ i Mbletës)               
 
Raportim nga atdheu:
Një sëmundje e ushtrisë turke, rrezik të përhapet në Shqipëri
Nga Milanua
Në letër nga Milanua na kallëzon këto : Më 5 të Prillit mbërriti z. Mihal Grameno këtu, i cili kish dalë nga Vlora në kohërat që u ngrit bllokada. Në Vlorë gjithë punët janë në qetësi, lajmet që përhapen janë gjithë gënjeshtra. Xhavidi pret avullore që t’i kthejë krahët nga Shqipëria me gjithë ushtëri. N’ ushtërit të Xhavidit ka rënë një sëmundje ku vdesin 100 tyrq në ditë, dhe qeveria jonë ka marrë masa të mëdha mos të përhapet kjo sëmundje në vendet e Shqipërisë. Për këtë shkak e ka rrethuar dhe priten dita me ditën të vijnë avullore dhe atëherë t’i hapë një udhë larg qytetit që të shkojë ushtëria turke për në Stamboll. 
3 maj 1913                           S. Gj.
 
Artikulli i Sotir Gjikës:
Lojërat e rrezikshme të Esad Pashës    
PROTESTË 
Komiteti Shqipëtar i Milanos “Shqipëria e re“, qëkurse u themelua prej një tok atdhetarësh të ndershëm dhe me aprovimin e qeverisë së përkohëshme për të mbrojtur të drejtat kombëtare, po vazhdon me vërejtje të madhe çmbështelljen e punëvet të Shqipërisë.
Fusha më e rrezikshme e punëvet, nis kur gjenerali i Shkodrës lëshoi qytetin nën Malaziasit.

Nis që atherë themi fusha e rrezikshme sepse në vënd që Esadi bashkë me ushtrinë e tij të hiqte për në Vlorë, ku gjendej e themeluar disa muaj më parë e njohura qeveri e përkohëshme, qëndroi në Tiranë ku u sheshua për mjaft kohë. Nga ky shkak lindi dyshimi, dhe lufta e shtypit të përbotshëm vazhduar mjaft vjet, ishte tepër e rreptë, shumë e vërsulur kundra rilindjes së Shqipërisë dhe Esad Pashës i cili, sipas sa thanë, deshi të bëhej mbret i Shqipërisë. Komiteti i Milanos duke u çuditur përse Esad Pasha qëndroi në Tiranë, afroi të besojë se me të vërtet ky deshi çmendësisht të zinte vëndin e Gjergj Kastriotit. Por duke i quajtur intriga dhe çpifje të huaja sa thuheshin dhe sa u thanë n’atë kohë për mbrojtësin e Shkodrës, Komiteti u mundua t’i përgënjeshtronte shpifjet e huaja, të cilat n’atë kohë burimin e kishin vetëm prej Athinës, Beogradit dhe Çetinës, dhe u përpoq të mbrojë Esadin moralisht duke e përshëmbëlluar si burrë të ndershëm t’ atdheut.

Nuk shkoi shumë kohë dhe me të vërtetë dyshimi i komitetit ndaj Esad Pashës nisi krejt të mërgohej, edhe u mërgua kur pa Esadin Ministër të Punëvet të Brëndëshme të Shqipërisë.
Kur Esad Pasha në mbarim të korrikut gjëndej në Romë në udhëtimin e tij të njohur në oborret e dy Fuqive mbrojtëse si Ministër i Punëvet të Brëndëshme, Komiteti “Shqipëria e Re“ që t’i apë dhe më rëndësì fillit të bashkimit, i dërgoi një letër të peshuar, ku i thoshte se dëshëron të presë në zyrë mbrojtësin kreshnik të Shkodrës famëmadhe. Esad Pasha u përgjigj me një letër të tijën duke përhiruar Komitetin për shërbimin e tij atdhesor, dhe shfaqte hidhërimin që s’mundej të përmbushte dëshirën e komitetit, nga shkaku i nxitimit të punëvet t’ Atdheut. I shpejtuar – sikundër thoshte – u kthye në Vlorë që nga, pas pak ditësh shkoi në Durrës për të shikuar disa punë t’atjeshme. Në Durrës, në vënd që t’i rregullonte punët dhe të kthehej përsëri në Vlorë, ai i dërgoi qeverisë së Vlorës një ultimatum ku, midis të tjerave, thoshte : të ngrihet së shpejti dhe doemos fron i qeverisë të vijë në Durrës edhe të formohet një qeveri m’e fortë, anëtarët e së cilës t’emërohen prej zotërisë tij dhe zotit kryetar të qeverisë, Ismail Qemalit!

Qeveria e Përkohëshme nuk e plotësoi ligjërisht kërkesën e Esadit, i cili flet me një gjuhë tjetër të hollë e të mprehtë, dhe jo me gjuhën e tij të pagdhendur.
Parija e Durrësit, e pregatitur që prej kohësh për fushatën kundër kombëtare, posa shikoi që qeverija e Vlorës nuk dëgjoi kërkesat e saj të pakëndshme, nisi të vërë në punë qëllimin. Formoi një qeveri tjetër me emrin “Pleqësia e Shqipërisë së Mesme“ duke ju mbështetur parimit të vjetër të plakonivet (pleqësivet). Kjo lodër qesharake, (se s’mund të quhet ndryshe) duke patur mbi krye Esad Pashën quhet lehtë një periudhë e dytë e rrezikshme për rilindjen e Shqipërisë. Komiteti i Milanos, duke marrë parasysh gjëndjen e Shqipërisë, nuk pëlqeu të protestojë më parë kundër kësaj shoqërije infame,  duke pritur një pajtim midis qartës së Vlorës e të Durrësit, shkaku i së cilës është vetëm paridashësija. Por kur pa se punët venë majë më majë, i mbështetur kurdoherë në programin e tij, vendosi këtë protestë:

1-ra. Duke marrë parasysh gjëndjen politike, ekonomike, paqësore dhe administratore të Shqipërisë, Komiteti proteston shpirtësisht kundra formimit të “Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme“.
2-ta. Komiteti e quan lëvizjen e Durrësit një vepër krejt antipatriotike dhe endësit e saj dëmprurës dhe trumbullonjës.
3-ta. Komiteti proteston rreptësisht në emër të Shqipërisë kundër gjithë atyre zotërinjvet që, për madhështi të veta, vënë jetën e kombit në rrezik, dhe për të shfryrë mëritë e tyre të veçanta përdorin fatin e Shqipërisë.
4-ta. Komiteti hidhërohet tepër duke parë disa të vetëthënë krerë që s’ndryshojnë mendim por kërkojnë gjithmonë të monopolizojnë punët e Shqipërisë dhe i lutet Qeverisë së përkohëshme t’i përgjigjet amtarisht zërit të pikëllueshëm të popullit, të sjellë sa më shpejt paqen dhe bashkimin e përgjithëshm, të mërgojë çfarëdo gjë që kanos jetën e Shqipërisë dhe të ruajë nderin e kombit.
5-ta. U lutet nxehtësisht gjithë shqiptarëvet të sprovojnë atdhesinë e tyre në këtë rast kaq kritik që po kalon Atdheu ynë edhe të kenë besim te Qeveria e Përkohëshme gjersa të emërohet princi, kur do të formohet një qeveri e mbaruar.
 
Milano, 5 Vjeshtë e tretë 1913        
Komiteti “Shqipëria e re“
Gazeta “LIRI E SHQIPËRISË”, 20 nëntor 1913

sotir gjika

esat pash toptani

esat pash toptani

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prishë provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarërt kur si pëlqejnë vendimet

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prishë provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarërt kur si pëlqejnë vendimet