Sotir Gjika:Si u krijua Xhandarmëria
e Ushtria pas Kongresit të Lushnjes

Sotir Gjika:Si u krijua Xhandarmëria<br />e Ushtria pas Kongresit të Lushnjes
Një shkrim i Sotir Gjikës i 6 korrikut 1923, na zbulon përpjekjet e shtetit shqiptar pas Kongresit të Lushnjes për të organizuar ushtrinë dhe xhandarmërinë. Sotir Gjika në artikullin e tij jep detaje me mjaft vlerë historike mbi këto iniciativa, të cilat deri në fund të vitit 1920 kishin hedhur baza të qëndrueshme si institucione.

“E para ushtri e rregullt shqiptare është formuar në fundin e vitit 1920, nën qeverinë e Iliaz Vrionit, me ministër të luftës, kolonel Selaudin Shkoza. Ajo ka edhe sot tre regjimentë, secili i përbërë nga tre batalionë këmbësorie. Më 1920 u krijua edhe një kompani aviacioni me tre aeroplanë të blerë në Itali. Si organizator dhe inspektor i ushtrisë është thirrur koloneli austriak Mirdash, që ka marrë tashmë nënshtetësinë shqiptare”, shkruan Gjika duke na zbuluar kështu edhe nëj kuriozitet sa i takon aviacionit shqiptar.

Më tej shkrimi sjell detaje të tjera kurioze mbi gjithë organizimin e ushtrisë dhe xhandarmërisë. Strukturat e ushtrisë shqiptare u ngritën shpejt dhe sipas Gjikës “edhe pse e formuar shumë vonë, ushtria e vogël shqiptare, paraqitej në të gjitha drejtimet në kushte mjaft të kënaqëshme.

Shqiptari e përfiton mësimin ushtarak me një shpejtësi të habitëshme. Si duket është një virtut i veçantë i kësaj race të fortë, që ka tradita të lavdishme ushtarake. Raca shqiptare i ka dhënë gjeneralë të shquar dhe ushtarë të mrekullueshëm Perandorisë Otomane, Egjyptit, Italisë dhe Greqisë…”.

Më poshtë e sjellim të plotë shkrimin e publicistit Sotir Gjika shkëputur nga libri “Detyra ime mbaronme jetën time”, një përmbledhje me artikuj të botuar  në gazetat italjane dhe  shqiptare nga 1911 deri në 1924 dhe letërkëmbime, mbledhur e pregatitur për botim nga Eugjen Merlika dhe botuar nga “Omsca-1”.
Ad.Pe.
  
Letër nga Shqipëria 
Organizimi i ushtrisë dhe i gjindarmërisë
 (nga i dërguari i ynë i posaçëm)
 
Kur, mbas Kongresit të Lushnjes të janarit 1920, u krijua qeveria e parë, Shqipëria u gjënd menjëherë përballë problemit të vështirë të organizimit të një ushtrie e të një gjindarmërie. Një organizim i tillë dukej aq më i vështirë, nëse mendohet se elementët e parë duheshin marrë ndërmjet gjindarmëve të mbetur nga periudha e Princ Ëied-it, që i përkisnin shkollës së oficerëvet hollandezë ; gjindarmët dhe milicët t’organizuar nga komanda ushtarake italiane ; gjindarmët e stërvitur nga komanda ushtarake austro – hungareze dhe ata të mësuar nga francezët në krahinën e Korçës.

 Bëhej fjalë, siç shihet, të mobilizoheshin e të viheshin nën një komandë të vetme ushtarë e gjindarmë t’ardhur nga disiplina të ndryshme. Detyrë mjaft e vështirë, sigurisht, por ishte, sidoqoftë, bërthama e burrave të cilët, sa i përket detyrave ushtarake, pak a shumë e kishin idenë dhe përvojën. E njëjta gjë duhet thënë për oficerët. Kishte oficerë që i përkisnin ushtrisë turke, oficerë që kishin kryer kurse të studimeve të rregullta në shkolla ushtarake italiane, ata që kishin studjuar n’Austri dhe oficerët e shkollës franceze të Korçës.

“Megjithë këtë heterogjenitet të dukshëm të disiplinës – më tha një oficer i nderuar – njëjtësia e komandës ka dhënë rezultate të mira drejt një shkrirjeje të plotë. Aq të dukëshme janë në fushën e pregatitjes përparimet, sa që të vëresh në qëndrimet dhe lëvizjet ushtrinë tonë, nuk mund të besosh se ka vetëm dy vite e gjysmë jetë.”
    
Shërbime të shkëlqyera i kanë dhënë Shtetit të Shqipërisë milicitë shqiptare të Gjirokastrës, t’organizuara nga komanda ushtarake italiane gjatë pushtimit. I vetmi trup ushtarak i organizuar dhe i disiplinuar, ata u përdorën me sukses në kaqë operacione të vështira brënda dhe në front dhe shpëtuan – është e drejtë të pohohet – Vendin nga gjëndje kritike. E para ushtri e rregullt shqiptare është formuar në fundin e vitit 1920, nën qeverinë e Iliaz Vrionit, me ministër të luftës, kolonel Selaudin Shkoza. Ajo ka edhe sot tre regjimentë, secili i përbërë nga tre batalionë këmbësorie. Më 1920 u krijua edhe një kompani aviacioni me tre aeroplanë të blerë në Itali. Si organizator dhe inspektor i ushtrisë është thirrur koloneli austriak Mirdash, që ka marrë tashmë nënshtetësinë shqiptare.

Ligji i rekrutimit në fuqi, i miratuar nga Parlamenti, detyron të gjithë qytetarët shqiptarë, pa asnjë përjashtim, të kryejnë shërbimin ushtarak. Ai parashikon për të gjithë ushtarët e gjithë kategorive pesë vjet shërbim, nga të cilët 18 muaj nën armë në shërbim aktiv.

Xhandarët dhe ata që merren me muzikën ushtarake kryejnë tre vjet shërbim aktiv. Ushtarët e rezervës, ata që kanë kryer 18 muajt e shërbimit aktiv, janë në gatishmëri për të shërbyer kur të paraqitet nevoja deri në moshën 30 vjeç.

Ligji parashikon gjithashtu se koha e shërbimit aktiv mund të zgjatet, nëse e kërkojnë rrethanat e jashtzakonshme. Zgjatja mund të bëhet vetëm me një dekret të posaçëm, të miratuar nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit të Luftës.

Veç ligjit të rekrutimit, Ministria e Luftës ka hartuar e vënë në fuqi udhëzimet mbi uniformën, atë të harxhimeve të brëndëshme, ligjin e gradimeve, të dorëheqjeve, të pensioneve etj.  Bilanci i Ministrisë së Luftës për vitin në vazhdim, i aprovuar nga Parlamenti është 5.270.620 franga ar.
     Duke krijuar ushtrinë e rregullt Shteti i Shqipërisë sendërton :
     1. Mbrojtjen e kufijvet.
     2. Ruajtjen e rendit  të brëndshëm.
     3. Mësimin ushtarak për të gjithë të rinjtë shqiptarë nga 20 deri në 23 vjeç.

Edhe se e formuar shumë vonë, ushtria e vogël shqiptare, paraqitet në të gjitha drejtimet në kushte mjaft të kënaqëshme. Shqiptari e përfiton mësimin ushtarak me një shpejtësi të habitëshme. Si duket është një virtut i veçantë i kësaj race të fortë, që ka tradita të lavdishme ushtarake. Raca shqiptare i ka dhënë gjeneralë të shquar dhe ushtarë të mrekullueshëm Perandorisë Otomane, Egjyptit, Italisë dhe Greqisë.

Duke luftuar nën simbolet otomane, shqiptarët u shquan për virtute ushtarake në beteja të paharrueshme. Në shkretëtirat e zjarrta të Sudanit, n’Egjypt, në të gjithë territoret e Turqisë aziatike dhe evropiane, prehen eshtrat e bijve të popullit të Skënderbeut.

Vdekja e Heroit Kombëtar qe për këtë popull fillimi i odisesë së tmerrhme, të mbaruar më 1912 me fitimin e Pavarësisë. Dhe ka ardhur, më së fundi, çasti i shumëpritur edhe për shqiptarët që të venë dhuntitë e tyre ushtarake  në shërtbim të Atdheut të tyre, duke mbrojtur tokën e tij dhe lirinë e rifituar. Sepse nuk janë të denjë për lirinë ata popuj që atë vetë nuk dijnë t’a ruajnë e t’a mbrojnë.

Rekrutimi jep ndihmesën e vet të madhe edhe në shkrirjen shpirtërore dhe bashkimin kombëtar të krahinave të Shqipërisë, të cilat, për mungesë të mjeteve të komunikacionit, kishin mbetur gjatë zotërimit turk në një gjëndje, pothuaj të një veçimi absolut, pa kontakte të rregullta e marrëdhënie ekonomike, tregtare e morale. Që tani, shumë me vënd, Ministria shqiptare e Luftës, të rinjtë e krahinave të veriut i dërgon në jugë, për të kryer shërbimin ushtarak dhe anasjelltas. Pa dyshim është ky një nga mjetet më të mira për t’i bërë të njihen toskët me gegët, duke shpejtuar atë shkrirje të  shpirtërave, e domosdoshme për fuqinë dhe mirëqënien e Shtetit.
     *****
Gjindarmëria shqiptare është një armë e ndarë nga ushtria. Ajo drejtohet nga një komandë e përgjithëshme (ka selinë e saj në Tiranë) me në krye një oficer madhor. Gjindarmëria është e ndarë në 9 komanda të krahinave, në 40 komanda rrethesh dhe në 270 të tilla të postave të stacioneve. Ajo ka zbatuar sistemin e Armës së Karabinierëve Mbretërorë t’Italisë. Ushtarakët janë të rekrutuar nga rradhët e ushtrisë së rregulltë. Mbasi ka mbaruar 18 muajt e shërbimit të detyrueshëm, i jepet mundësi  rekrutit, që ka veti morale e fizike të përshtatëshme, të regjistrohet vullnetarisht në gjindarmëri, kundrejt një page të fillimit prej 70 fr.ar në muaj, që mund të shtohet deri në 130 fr., mbas pesë vitesh shërbimi.
ymer lytfine
(Xhandarmëria e parë Shqiptare)

Nëse të regjistruarit vullnetarë nuk do të mjaftonin për të mbuluar kuadrin, komanda e përgjithëshme e gjindarmërisë zgjedh ndërmjet rekrutëve të shërbimit të detyrueshëm, të cilët në vend të 18 muajvet, simbas ligjit të rekrutimit, kryejnë 30 muaj shërbim aktiv. Kohët e para paguhen me 40 fr. ari në muaj, veç veshjes dhe ushqimit.  Pastaj kalojnë përfundimisht në gjindarmëri, me të drejtën e rrogës së plotë dhe të pensionit.

Ushtarët kryejnë kursin e studimevet në shkollën e Gjindarmërisë në Vlorë. Simbas lajmesh të marra nga burime të drejtpërdrejta, nga shkolla e Vlorës dalin të mësuar rreth njëmijë xhandarë në vit. Bilanci i gjindarmërisë për vitin në vazhdim, i miratuar nga Parlamenti, është prej 2.838.120 franga.

Rregulli i brëndshëm i gjindarmërisë shqiptare, siç e preka më sipër, është i njëjtë me atë të karabinjerëve italianë. Eksperti që Qeveria shqiptare ka ndërmënd të marrë s’afërmi nga jashtë, do t’i japë pa dyshim një zhvillim më të madh organizimit të gjindarmërisë, duke ngritur vlerat morale dhe intelektuale. Gjindarmëria, nën komandën e përgjithëshme të majorit Shefqet Korça, i bën që tani shërbime të shquara Vendit, duke mbajtur rendin dhe qetësinë.
 
6 – 7 – 1923                              
SOTIR  GJIKA

xhandarmeria
(Ushtria e parë Shqiptare në 1920-ën)

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prishë provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarërt kur si pëlqejnë vendimet

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prishë provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarërt kur si pëlqejnë vendimet