Sotir Kolea letër Musine Kokalarit për
vrasjen e vëllezërve nga komunistët

Sotir Kolea letër Musine Kokalarit për<br />vrasjen e vëllezërve nga komunistët
Me 12 nëntor 1944, dy vëllezërit e Musine Kokalarit, Muntazi dhe Vesimi u morën nga shtëpitë e tyre nga partizanët dhe u ekzekutuan. Trupat e tyre u gjeten pas disa ditësh në bodrumet e Hotelit Bristol.

Nga ai nëntor fatkeq për familjen Kokalari me një dhimbje që s’kish të shuar, pasuan shumë drama të tjera për Kokalarët… Musineja vetë do të arrestohej po në atë kohë e do të lihej e lirë më tej për mungesë provash, më saktë do të vihej nën survejim për të zbuluar aktivitetin e saj dhe të një rrethi tjetër intelektualësh që kishin krijuar Bashkimin Demokratik, për ti vënë fre një opozite që një ditë do të rrezikonte pushtetin e komunistëve.

Vdekja e dy vëllezërve të mëdhenj të Musinesë do të ishte një tronditsje nga themelet për shpirtin e saj. Në ato ditë dhimbje Musineja mori këtë letër ngushëllimi nga Sotir Kolea, publicisti dhe veprimtari i njohur, i cili u nda nga jeta po në vitin 1945, në korrik, në Elbasan.

Në këtë letër Kolea i shpreh gjithë dhimbjen dhe ngushëllimet e tij për humbjen e dy vëllezërve të Musinesë, të cilët sipas tij ishin “dy të rinj që nuk' qenë vetëm lëvdijë për të vehtëtë po qenë së bashku dhe shpresa për ne për të paskëtajmenë, se kombi ka nevojë për bijë, si ç'qenë Muntazi dhe Vesimi…”. Letrën e tij Kolea e shkroi me prill 1945, vetëm pak muaj pas ngjarjes së rëndë për familjen Kokalari. Më poshtë e sjellim të plotë këtë letër.
 
Elbasan, 19 prill 1945
Zonjëzës Musine Kokalari
Zonjëz' e dashurë,

Me gjithë se lajmet' që më pru Nazmiu kur ktheu nga Tirana këtë herë të funditë, qenë sadopakë të buta dhe të mbara, po prapë se prapë nuk' m'u hoq nga zemra frika mos lëndonj një plagë të hapurë, që vetëm gjyqimi dhe mëndja dhe koha do t'mundin të tulasinë.
Lash prapë të shkojën ditë përmbi ditë dhe me zij' sot' guxonj të vënj gur në zemërë.

Shuplaka e fatit' që shkrepi mbi ju, Zonjëzë dhe mbi der të juajë është aqe tmerrëme sa ndofta as emër' nuk ka' të posaçëmë në gjuhënë t'ënë, në gjuhën' e njëj kombi që për të gjat' të shekujve, ka pas' qënë rrahur' dhe pjekur' e djegur' ndër cen e rrëbjera.

As fjalë ngushullimi nuk' kam ku t'i gjenj, se helëm i zi, që ju shtrydhi zemrënë juve dhe të juajëve, është nga ata që nuk' kan' të zbutur' me fjal' as me lotë.
Bashkë me ju dhe me miqt' të mirë të derës' së juajë, kam qarë së largu dy miqt' të çëmuarë që hikën' e na lanë në lulen e moshësë; kam qar' të dy të rinjtë që nuk' qenë vetëm lëvdijë për të vehtëtë po qenë së bashku dhe shpresa për ne për të paskëtajmenë, se kombi ka nevojë për bijë, si ç'qenë Muntazi dhe Vesimi, me zemër' për së mbari dhe me gjyqim të matur' dhe të pjekurë.

Vdekja ka detyra si ç'ka ç'do gjë në botë, po rredhi i tyre është veht-vehtiutë tepër' i kufiturë; me qënë se detyrat e jetës' së të gjallit' as anë kan' as masë; ç'do ditë që shkon u zgjat' e u rrit' vargunë, se jan' të shumëduarëta; detyra faqe vehtesë jo vetëm' sa rreh zemëra po dhe më pas, se jeta zgjatet' pak' a shumë edhe përtej varritë; detyra faqe bjerësvet' që ka njeriu të vehtë dhe faqe atyre që kan' qën' më parë; detyra faqe miqëvet' dhe faqe njerëzimitë, detyra faqe kombitë, atdheut' dhe botësë.

Zemërës së juajë dhe Zotit Hamit ju qoftë ngushëllim të kryerët' të detyravet' të ra dhe të rënda që her e prap e sotëme ju shtoj' mbi gjithë t'jeratë edhe faqe prindërvet' dhe faqe të miturvet' dhe nënavet' të tyre, që jeta nëpërkëmbi me kaqë egërsim.

Një gurrë ngushëllimi gjith' aqë të vërtetë do t'jua falinj' puna, kjo detyr e shenjtë edhe faqe vehtesë edhe faqe botësë, që është prëjt e zemrësë dhe shëndet' i trupitë 
dhe pus' i harrimit' për trocet e jetësë.
Labor consolator se protector maximus, ka qën' një e vërtetë për kohët e shkuara, pa është dhe sot dhe ka për të qënë gjith' mon' e vërtetë.
Fati ju ruajtët', Zonjëzë, bashkë me gjithë të afërmit' të zemrës' së juajë, nga ç'do mërxij' e brengë.
 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Raporti për klimën i Bankës Botërore: Diversifikimi dhe potenciali i erës do të bënin TEC Vlorën jo ekonomik përtej 2030

Raporti për klimën i Bankës Botërore: Diversifikimi dhe potenciali i erës do të bënin TEC Vlorën jo ekonomik përtej 2030