Juristi Kreshnik Spahiu e ka cilësuar vitin 2025 si vitin e kombëtares kuqezi, duke theksuar se futbolli ishte i vetmi element që i solli gëzim shqiptarëve.

I ftuar në emisionin 'Frontline' në Report Tv, Spahiu e cilësoi si një arritje historike faktin që Shqipëria dhe Kosova pretendojnë pjesëmarrjen në një kompeticion botëror, i cili do të ndiqej nga miliarda shikues në mbarë botën. 

Fituesi i dytë, sipas Spahiut, është Partia Socialiste. Ai nënvizoi se politika në Shqipëri është shumë e ndjekur dhe fitorja e socialistëve ishte surprizë, sidomos pas 12 vitesh në pushtet, kur një parti pritet të humbasë.

Spahiu theksoi se Partia Socialiste jo vetëm që nuk humbi, por shënoi rezultatin më të suksesshëm në historinë e saj elektorale.

‘Ka vlerësim objektiv dhe subjektive. Objektivisht do thonim që Shqipëria është shumë dinamike dhe brenda një viti ata që fitojnë mund të jenë edhe humbës. Unë do të thoja se në gjysmën e parë të vitit 2025 ka dy fitues të mëdhenj. Fitorja e Kombëtares është një arritje historike në Shqipëri që përfaqësues të Shqiëprisë dhe Kosovës të pretendojnë pjesëmarrjen në një kompeticion botëror, ku miliarda shikues do të kenë mundësi t’i ndjekin. Nëse realizohet, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme.

Fitorja e dytë është ajo e socialistëve, sepse në Shqipëri politika është shumë e ndjekur dhe kjo ishte një fitore surprizë. Pas 12 vitesh normalisht një parti duhet të humbasë, por Partia Socialiste jo vetëm që nuk humbi, por pati rezultatin më të suksesshëm në historinë e saj.

Por a mund të quhet një vit i suksesshëm për socialistët? Po, në aspektin zgjedhor, por jo në qeverisjen e vendit. Do të thosha se ky është një vit shumë kompleks, që kërkon analizë të gjatë, pasi është edhe viti kur kanë marrë më shumë vota. Mendoj se edhe kur kishin presidentin e tyre në burg, Fatos Nanon, nuk ishin në këtë situatë’, tha ai.


Lajmi kryesor:

Spahiu: Është fakt që PD në 35 vjet nuk e ka rrëzuar dot asnjë herë qeverinë me protesta