Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se shifrat e publikuara nga Partia Demokratike, për numrin e pjesëmarrësve në zgjedhjet pa garë në PD që rikonfirmuan kryetar Sali Berishën, nuk janë të vërteta.
Komentet Spahiu i bëri në një lidhje për emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se nëse Berishën do ta kishin votuar 37 mijë anëtarë të PD-së siç ai pretendon, në shesh gjatë protestave nuk do të dilnin vetëm 2 mijë persona (sa dalin zakonisht në protestat kombëtare të organizuara nga Berisha).
“E gjithë tema e diskutimit është pse Berisha nuk lejoi zgjedhje dhe garë. Berisha nuk është se i trembej garës se do humbte me kandidatët e tjerë. Ai kishte 2 probleme kryesore. E para nuk ka asnjë garanci dhe fakt që votuesit kanë qenë 51 mijë persona. Unë dyshoj se edhe Basha ka gënjyer për 75 mijë, edhe Berisha nuk e ka shifrën e saktë. Dhe të dy kanë fshehur numrin real të anëtarëve. Sepse një parti që ka 450 mijë votues dhe që të ketë 50 mijë votues dhe të nxjerrë në protesta 2 mijë persona, këtu ka një problem të jashtëzakonshëm”, tha mes të tjerash Spahiu.
Teksa ironizoi zgjedhjet pa garë në PD, Spahiu tha se partia që sipas tij krijoi dhe solli pluralizmin në Shqipëri, sot bën zgjedhje moniste si Partia e Punës.
Për Spahiun, zgjedhjet pa garë në PD nuk janë vetëm problem i brendshëm i kësaj force politike, pasi sipas tij, kjo parti pretendon të sjellë rotacionin politik dha në zgjedhjet e fundit ka marrë një numër të konsiderueshëm votash.
“Unë mendoj se zgjedhjet e fundit kanë disa probleme, që në disa aspekte janë probleme të PD-së dhe të brendshme, por në disa aspekte janë probleme përtej PD-së, sepse kur bëhet fjalë për partinë që pretendon të sjellë rotacionin apo të zgjedhë kandidatin për kryeministër, sigurisht që s’mund të jetë thjeshtë dhe vetëm problem i PD-së. E dyta, nga krijimi i saj, PD ka pasur si domain të saj pluralizmin politik. Edhe sot ka zgjedhjet e lira e të ndershme. Tani partia që krijoi dhe solli pluralizmin, bën zgjedhje moniste. Pas 4 dekadash futesh si Parti e Punës”, vijoi më tej Spahiu.
Në një proces pa garë në 23 maj, Sali Berisha arriti të marrë votën pro nga 37 mijë e 341 anëtarë, ose rreth 95% të votave, një përqindje alla “enveriste”. Nga 51 737 anëtarë të PD, vetëm 39 441 prej tyre morën pjesë në garë. Nga votat e numëruara, 38 mijë e 902 rezultuan të vlefshme, ndërsa 1055 anëtarë votuan kundër Berishës dhe 506 abstenuan.
Juristi Kreshnik Spahiu ka ironizuar Sali Berishën, duke thënë se kur kryedemokrati i trembet garës së brendshme me Ervin Salianjin dhe Mereme Selën, nuk ka si të mundë në zgjedhje kryeministrin Edi Rama.
Komentet Spahiu i bëri në një lidhje për emisionin 'Frontline' me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se duke mos realizuar zgjedhje reale brenda PD-së, Berisha nuk bën gjë tjetër veçse legjitimon edhe kryeministrin Edi Rama, në rast të manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme.
“Duke mos realizuar zgjedhje vetë, PD nuk bën gjë tjetër veçse legjitimon Ramën të manipulojë garën më të madhe. Berisha mund të ketë absolutisht këtë provën e fundit. Tani kur ti del para 24 orësh dhe thua Meremja i plotëson kriteret, thotë Sekretari i Përgjithshëm. 24 orë mbrapa kur vjen kryetari nga Sllovenia, thua nuk i plotëson kriteret Meremja, sepse bëhet gara qesharake. Nëse ti i trembesh një fraksioni që zien në parti, kur ti nesër e di shumë mirë që do të humbasësh zgjedhjet lokale, këta mendojnë që të nesërmen të mos ketë një 7% kundër, sepse mos u hap probleme”, tha mes të tjerash Spahiu.
Komente









