Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se e vetmja mundësi që Shqipëria të anëtarësohet në BE, është që të anëtarësohet pa të drejtë vetoje.
Komentet Spahiu i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se me ardhjen e nacionalistëve në pushtet në disa vende të Europës, agjenda e zgjerimit të BE-së do të marrë fund.
"Ky është i vetmi plan që Shqipërisë t'i mundësohet anëtarësimi në BE, sepse në të kundërt rrezikon shumë me ardhjen në pushtet të forcave nacionaliste ektremiste në Francë e Gjermani. Ardhja e nacionalistëve në Francë është çështje kohe dhe nazistët kanë fituar shumë terren në Gjermani dhe për ata është çështje kohe që të jenë sëshpejti në pushtet. Kështu zgjerimi nuk do të jetë më agjendë e BE-së", tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu tha se për anëtarësimin në BE të Shqipërisë, Malit të Zi dhe vendeve të tjera aspirante, e vetmja mënyrë është përshpejtimi i procedurave.
Sipas Spahiut, janë vendet e reja që janë anëtarësuar sëfundmi në BE që pengojnë ndryshimin e ligjit themeltar të Unionit, për integrimin me shumicë të cilësuar.
"Shqipëria, Mali i Zi dhe vendet që aspirojnë për t'u anëtarësuar në BE, kanë vetëm një shans, që ky plan, ku vendet e reja anëtare të mos kenë të drejtë vetoje, është mundësia për përshpejtimin e procedurave. Kroacia është një nga vendet që përdor veton dhe nuk dëshiron që anëtarësimi në BE të shkojë me shumicë të cilësuar. Pra janë vendet e reja që janë anëtarësuar në BE që e pengojnë ndryshimin e ligjit themeltar. Shqipëria e ka trenin e fundit. Ideja e Ramës e Vuçiç për anëtarësim pa veto, mund të mos ketë qenë ide e tyre. Dikush u'a ka dhënë", shtoi Spahiu.









Komente
Komento