Emisioni ‘Frontline’ në Report Tv startoi sot sezonin e ri, nën moderimin e gazetares Marsela Karapanço, ku u prekën një sërë tematikash me interes për publikun në Shqipëri, mes të cilave edhe ecuria e protestës që po zhvillohet prej 3 muajsh në Tiranë.
Përmes një lidhjeje live, juristi Kreshnik Spahiu deklaroi në emision se suksesi i protestës është vetëm vijimësia e saj, por sipas tij, pjesëmarrja nuk është në ato nivele që ta detyrojë qeverinë që të dorëhiqet.
“Qeveria është e ndërgjegjshme që niveli i protestës dhe intensiteti i protestës nuk është në atë përmasë që ta detyrojë për dorëheqje. Protesta ka një sukses, që nuk është e përditshme, e vazhdueshme, por nuk është në atë shkallë masive që të pretendosh që përfaqëson gjithë popullin që të detyrojë një qeveri që të bjerë. Impakti i parë ishte që nuk kishte ndryshime në qeveri, përveç ministres së Shëndetësisë që iku vetë”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu theksoi se Qeveria pretendon se nuk do të tërhiqet nga projekti i investimit në Zvërnec, i cili ishte edhe shkaku për të cilin nisën protestat.
Sipas Spahiut, projekti i resortit turistik në Zvërnec të Vlorës do të promovohet gjatë kohës kur të vijë ambasadori i ri i SHBA-së, Eric Ëendt në Tiranë.
Kjo pasi sipas Spahiut, një prej qëllimeve kryesore të ambasadorit të ri të SHBA-së në Tiranë është edhe mbrojtja e interesave të bizneseve amerikane.
Duke qenë se një prej ndërtuesve kryesorë në Sazan dhe Zvërnec pritet të jetë kompania e Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump, sipas Spahiut, ambasada e SHBA-së do të jetë e interesuar për këtë projekt.
“Ajo çfarë bie në sy është ajo pjesa e asaj ‘pasqyrës flamingo’ që bëhet fjalë që për herë të parë dilet me idenë që nga projekti nuk ka tërheqje. Pra që do të thotë jo vetëm që qeveria nuk po bie, jo vetëm qeveri teknike nuk ka, por as ajo gjë për të cilën lindi protesta, nuk e ka arritur qëllimin. Do merret informacion për Zvërnecin, për Sazanin, etj. Në dijeninë time, ky projekt do promovohet kur të vijë ambasadori i ri i SHBA-së.
Pra si projekt do promovohet në atë periudhë. Sepse ambasadori amerikan vjen me 3 qëllime kryesore, sigurinë, organizimin e samitit të NATO-s dhe mbrojtjen e interesave të biznesit amerikan. Kjo është pjesë e këtij projekti. Tani a është e koordinuar, apo qeveria kërkon që për këtë projekt të kërkojë mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së, për t’i vënë përballë një sfide protestuesit, kjo mbetet për t’u parë”, tha mes të tjerash Spahiu.










Komente
Komento