Forcimi i politikave për moshimin aktiv dhe të shëndetshëm, zgjerimi i shërbimeve shëndetësore e sociale dhe përfshirja e të moshuarve në vendimmarrje janë drejtimet kryesore të politikave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Një nga nismat e reja është ngritja, për herë të parë, e Këshillit Kombëtar të të Moshuarve, në kuadër të Planit Kombëtar të Veprimit për Moshimin 2025–2030.
Gjatë fjalës së saj në Konferencën Kombëtare mbi Moshimin Aktiv dhe Gjithëpërfshirës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, theksoi se plani i ri synon të shkojë përtej kujdesit shëndetësor dhe mbështetjes sociale, duke garantuar edhe përfaqësimin e drejtpërdrejtë të të moshuarve në proceset vendimmarrëse.
“Ne kemi një plan kombëtar veprimi për moshimin, i cili është plani i dytë dhe që vjen me sfida të reja. Plani 2025–2030 është shumë më ambicioz. Synojmë politika mbështetëse jo vetëm në aspektin mjekësor, por edhe në atë shoqëror e social. Një nga hapat më të rëndësishëm do të jetë ngritja e Këshillit Kombëtar të të Moshuarve, sepse është thelbësore që zëri i tyre të dëgjohet. Vetëm duke dëgjuar nevojat dhe shqetësimet e tyre mund të ndërtojmë politika që u përgjigjen realisht atyre”, u shpreh ministrja Spahiu.
Një tjetër instrument mbështetës është Linja Falas e Këshillimit për të Moshuarit, që sipas ministres Spahiu është ngritur sipas praktikave më të mira evropiane, që ofrojnë informacion, orientim dhe këshillim, veçanërisht për personat që jetojnë në zona të largëta të vendit.
Në fokus sipas Spahiut, mbetet edhe zgjerimi i shërbimeve sociale pranë komuniteteve. Spahiu bën të ditur se përmes Fondit Social janë mbështetur 98 shërbime të reja, nga të cilat 25 u dedikohen të moshuarve. Buxheti 2027 synon të garantojë vijimësinë e financimit dhe forcimin e këtyre shërbimeve, duke mundësuar kujdes më të qëndrueshëm dhe më pranë vendbanimit.
Në drejtim të shëndetit publik, një hap i rëndësishëm është zgjerimi i programit të kontrollit mjekësor falas, përmes heqjes së kufirit të sipërm të moshës, duke përfshirë edhe të moshuarit në shërbimet e parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm.
Paralelisht, po zgjerohet kujdesi i specializuar për këtë grupmoshë përmes ngritjes së shërbimit të Geriatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe punës për shtrirjen e tij në katër spitale bashkiake, me synimin për të mbuluar të gjitha zonat gjeografike të vendit.
“Një politikë e re, për të cilën kemi punuar intensivisht në bashkëpunim edhe me Institutin e Shëndetit Publik, është ngritja e shërbimit të Geriatrisë në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Po punojmë që këtë shërbim ta bëjmë të mundur edhe në katër prej spitaleve bashkiake të Shqipërisë, në mënyrë që kujdesi i specializuar të shtrihet në të gjitha zonat gjeografike”, tha ministrja Spahiu.
Përmes këtyre nismave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale synon të ndërtojë një model më të integruar kujdesi për të moshuarit, ku shërbimet shëndetësore dhe sociale ndërthuren me përfshirjen e tyre aktive në shoqëri dhe vendimmarrje, duke garantuar më shumë dinjitet, siguri dhe cilësi jete.








Komente
Komento