Shqipëria ka mbyllur këtë të martë tre kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Juristi Kreshnik Spahiu deklaroi në emisionin "Repolitix" në Report Tv se në arritjen e sotme të Shqipërisë, rol thelbësor dhe të pamohueshëm ka ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

"Sot përfaqësuesja e BE-së e konsideroi të martën e madhe për shkak të megahapave që BE hodhi në raport me Shqipërinë, duke mbyllur 3 kapituj të rëndësishëm që janë në lidhje me shkencën, arsimin dhe marrëdhëniet me jashtë.

Kjo vjen në një moment kur shumë kush e ka vendosur në pikëpyetje integrimin e Shqipërisë, kur shumë faktorë të jashtëm dhe të brendshëm kërkojnë bllokimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Mendoj që personazhi kryesor i ditës sot është kryediplomati Ferit Hoxha, që në një farë mënyre është çelësi i suksesit për njërin nga kapitujt që BE ka konsideruar që Shqipëria i plotëson standardet, qoftë për marrëdhëniet me BE, qoftë për reagimin ndaj deklaratave raciste të ministres serbe.

Është një person suksesi në raportet diplomatike dhe sot ka qenë një shembull i suksesit diplomatik dhe patriotik",- tha Spahiu ndër të tjera.