Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot ankimin e kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, kërkesë e cila u kundërshtua nga SPAK.

Lidhur me këtë juristi Kreshnik Spahiu, në një lidhje skype për emisionin ‘Frontline’ në Report Tv, tha se Kuvendi duhet të ndërhyjë në Kodin e Procedurës Penale për të sqaruar dispozitat që lidhen me pezullimin nga detyra të ministrave, duke theksuar se aktualisht ka një debat institucional mes pushteteve.

Sipas Spahiut, askush nuk mund të përcaktojë se kush ka të drejtë në këtë përplasje, pasi vendimi përfundimtar i takon Gjykatës Kushtetuese.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se në të ardhmen mund të lindë një paradoks ligjor, ku mund të pezullohet nga detyra një deputet, por jo një kryeministër, pavarësisht se të dy janë zgjedhur nga populli.

‘Kemi një debat mes pushteteve që nuk mundem as unë asnjë analist që të thotë kush ka të drejtë. Vendimi i GJK do të jetë ai që do të jap vendimin. Unë them se është me vend që sot është objekt gjykimi në GJK edhe për një arsye. Me këtë ritëm të Prokurorisë së Posaçme, SPAK duhet që të jetë i interesuar që të zgjidhet si interpretim kushtetues që në të ardhmen të mos e marrë këtë masë nëse GJK e konsideron jo të ligjshëm. Mazhoranca ka një shumicë të cilësuar në Kuvend dhe kishte përgatitur një kuadër të ri ligjor sa i përket Kodit të Procedurës Penale. Në të ardhëm mund të lind problemi që të hetosh edhe një kryeministër, pra një deputet t’i mund ta pezullosh nga detyra, ndërsa kryeministrin jo, edhe pse janë zgjedhur nga populli’, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:02
Spahiu: Ivanka dhe Trump nuk janë sekserë të arabëve, por syri dhe truri i Donald Trump

Juristi Kreshnik Spahiu deklaroi se është gabim të thuhet se Shqipëria po “shitet” për shkak të investimeve amerikane në jug të vendit, ndërsa hodhi poshtë pretendimet se Ivanka Trump vepron si sekser i arabëve.

'Në qoftë se ka pasur një problem me ekonominë shqiptare, korrupsioni dhe kapja e shtetit në Shqipëri kanë qenë pengesa kryesore e investimeve të huaja, dhe kjo është ndjerë kryesisht në turizëm dhe në bregdet, të gjithë vendet bregdetare në Mesdhe, duke filluar nga Greqia, Turqia, Kroacia, Mali i Zi, Italia, Spanja dhe Franca, nuk janë zhvilluar në turizëm vetëm nga sipërmarrja lokale. Por janë zhvilluar në turizëm nga korporatat ndërkombëtare, nga kapitali global dhe nga markat e huaja të famshme që investojnë në resorte, në infrastrukturë apo në turizëm të nivelit të lartë, dhe nuk kanë qenë asnjëherë të lokalizuara vetëm tek ishujt grekë apo zonat e lira në Turqi. Dhe të thuash që po shitet Shqipëria sepse po bëhet një investim në jug të Shqipërisë nga korporatat amerikane është një turp, dhe një tjetër injorancë që kam dëgjuar të thonë se Ivanka është seksere e arabëve, por çfarë rëndësie ka se ku e marrin financimin këta’, tha ai.

Ora 22:31
Spahiu: Rama do udhëtojë në Washington për firmosjen me Trump të 'Bordit të Paqes'

Juristi Kreshnik Spahiu, tha se kryeministri Edi Rama do udhëtojë në Uashington për firmosjen me presidentin e SHBA Donald Trump të “Bordit të Paqes”.

Ai u ndal edhe tek vizita e vajzës së Trump, Ivanka Trump në Shqipëri, për të cilën tha se ardhja e saj në vendin tonë ka një rëndësi të veçantë, pasi sjell vëmendje ndërkombëtare dhe promovon vendin.

‘Ardhja e Ivankës këtu është me e rëndësishme se pjesëmarrja e Ramës në Davos. Por unë them se Rama do udhëtojë në Uashington për firmosjen me Trump të ‘Bordit të Paqes’. Po pritja e saj ka një vlerë permanente këtu, kjo është si të vijë Mesi dhe Ronaldo të luaj me kampionatin shqiptar dhe të gjithë do të merren me Shqipërinë dhe atë. Nuk ka vlerë investimi, por Shqipëria hynë në hartën e vendeve turistike dhe elitare. Çdo i huaj do e këtë në axhendë për të ardhur në Shqipëqri për ta parë. Duke i thënë atyre që thonë çfarë fitojmë ne nga investimi në Sazan. Të gjitha i fitojmë. Vetëm investimi fotot, dhe reklamimi është një referencë e madhe për Shqipërinë’, tha ai.