Juristi Kreshnik Spahiu tha për Report TV se sistemi penal në Shqipëri po prodhon një numër të lartë paraburgosurish jo për shkak të rrezikshmërisë së tyre, por për shkak të proceseve gjyqësore që zvarriten me vite dhe përdorimit të tepruar të arrestit me burg.

“Amnistia nuk zgjidh çështjet e paraburgimit. Duhen masa alternative. Shqipëria duhet të aplikojë edhe masa të tjera shtrënguese. Jo gjithmonë arresti me burg është zgjidhja. Vetë shteti duhet të gjejë mekanizma që masat shtrënguese të jenë funksionale dhe i pandehuri të përfundojë në burg kur të ketë vendim të formës së prerë. Nuk zgjidhet çdo gjë me arrest burgu sepse ka dhe një parim që ‘më mirë 100 të fajshëm jashtë se 1 i pafajshëm në burg”. Ne duhet të jemi në shtet me parime që nuk paragjykon të burgosurit. Kemi edhe gjykata që zgjasin proceset gjyqësore me vite, pra një proces penal i thjeshtë ku hetimi duhet të përfundojë brenda një muaji zgjat deri në 2 vjet. Si mundet ta mbash në paraburgim dikë 2 vjet dhe ta shpallësh të pafajshëm? Mendoj që është fatkeqësi që Shqipëria nuk i kushton shumë rëndësi këtyre çështjeve. Dyndja dhe mbipopullimi i burgjeve ka pasoja të tjera siç është arratisja. Është mirë që të kemi një paketë të përkushtuar për çështjet e paraburgimit dhe burgjeve, përfshirë edhe amnistinë. Nuk duhet bërë amnistia vetëm për uljen e kostove” tha Spahiu.


Lajmi kryesor:

Spahiu: Amnistia Penale duhet të jetë më e gjerë, sepse burgjet shqiptare s’kanë efekt riedukues