Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se ishte presioni i ambasadorëve të BE-së që detyroi deputetët demokratë të bashkonin votat ditën e sotme me mazhorancën, për Rezolutën e Integrimit, e miratuar në Kuvend me 114 vota pro.
Në një lidhje për emisionin 'Frontline' me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Spahiu tha se me miratimin e Rezolutës është ezauruar një nga vërejtjet dhe rekomandimet nga BE për mungesën e bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës.
“Mendoj se bashkimi i votave mes PS dhe PD për rezolutën është një lajm i mirë sepse ezaurohet një nga vërejtjet dhe rekomandimet për të cilat komisionerët ishin shumë kritikë në raportet e fundit, që ishte mungesa e bashkëpunimit të qeverisë me opozitën, krijimi i hapësirave për opozitën, apo edhe heqja dorë nga procesi bllokues apo i dhunshëm i rrugës së opozitës”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu tha se pavarësisht se dakordësia mes PD dhe PS për Rezolutën mund të jetë arritur për shkak të presionit të ambasadorëve të BE, ai e cilësoi akt pozitiv miratimin me konsensus e Rezolutës.
“Mendoj se pavarësisht se kjo mund të jetë bërë me hir apo me pahir, mund të jetë bërë nga presioni i ambasadorëve, të cilët një javë më parë patën një deklaratë kritike kundër Sali Berishës, për shkak të sulmeve që ai i adresonte ambasadorit Gonzato. Dhe mendoj se ky presion ka qenë një presion pozitiv që e ka detyruar opozitën të ndërmarrë një akt pozitiv në drejtim të procesit të integrimit”, tha Spahiu.
Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE është më shumë politik se teknik.
Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku mori si shembull anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, i cili sipas tij nuk ishte gjë tjetër veçse një proces politik.
Spahiu tha se Shqipëria nuk kishte plotësuar asnjë kriter për të qenë pjesë e NATO-s (ku përmendi edhe problematikat e shumta të ushtrisë shqiptare), por sipas tij, ishte vullneti politik që bëri të mundur anëtarësimin në Aleancën Euro-Atlantike.
“BE është një bashkim kombesh që nuk kanë të njëjtën gjuhë dhe të njëjtën etni. Aty ka kombe që ndër shekuj kanë luftuar dhe kanë vrarë njëri-tjetrin, por sërish kanë gjetur mundësinë për të bashkëjetuar. Por a ka një simpati për shqiptarët? Unë mendoj se nuk ka, por mendoj se kjo nuk është pengesë. Nuk mendoj se ne jemi aq të rëndësishëm sa fobia dhe urrejtja ndaj nesh të na mbajë jashtë. Unë mendoj se procesi është më shumë politik se teknik. Është politik sepse ishte politik edhe kur ne hymë në NATO. Hymë në një aleancë ushtarake pa pasur ushtri. Lere ça thonë këta ‘plotësuam standardet‘. Asnjë standard nuk plotësove ti për të hyrë në NATO, përveç vullnetit politik që kishe të ishe pjesë e aleancës ushtarake dhe përpos interesit gjeopolitik që kishte kjo aleancë ushtarake që të kontrollojë gjithë Mesdheun me bazat e veta. Nuk mendoj që t’i plotësoje një shteg që s’kishe as tanke, as hekurudha dhe as ushtarë. Tani çështja shtrohet, a do na fusin në BE apo jo”, tha mes të tjerash Spahiu.
Komente








