Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE është më shumë politik se teknik.

Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku mori si shembull anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, i cili sipas tij nuk ishte gjë tjetër veçse një proces politik.

Spahiu tha se Shqipëria nuk kishte plotësuar asnjë kriter për të qenë pjesë e NATO-s (ku përmendi edhe problematikat e shumta të ushtrisë shqiptare), por sipas tij, ishte vullneti politik që bëri të mundur anëtarësimin në Aleancën Euro-Atlantike.

“BE është një bashkim kombesh që nuk kanë të njëjtën gjuhë dhe të njëjtën etni. Aty ka kombe që ndër shekuj kanë luftuar dhe kanë vrarë njëri-tjetrin, por sërish kanë gjetur mundësinë për të bashkëjetuar. Por a ka një simpati për shqiptarët? Unë mendoj se nuk ka, por mendoj se kjo nuk është pengesë. Nuk mendoj se ne jemi aq të rëndësishëm sa fobia dhe urrejtja ndaj nesh të na mbajë jashtë. Unë mendoj se procesi është më shumë politik se teknik. Është politik sepse ishte politik edhe kur ne hymë në NATO. Hymë në një aleancë ushtarake pa pasur ushtri. Lere ça thonë këta ‘plotësuam standardet‘. Asnjë standard nuk plotësove ti për të hyrë në NATO, përveç vullnetit politik që kishe të ishe pjesë e aleancës ushtarake dhe përpos interesit gjeopolitik që kishte kjo aleancë ushtarake që të kontrollojë gjithë Mesdheun me bazat e veta. Nuk mendoj që t’i plotësoje një shteg që s’kishe as tanke, as hekurudha dhe as ushtarë. Tani çështja shtrohet, a do na fusin në BE apo jo”, tha mes të tjerash Spahiu.


Lajmi kryesor:

Spahiu: Presioni i ambasadorve të BE-së, detyroi PD të bashkojë votat me PS për Rezolutën e Integrimit