Pesë anëtarët demokratë të Këshillit të Mandateve Gamzent Bardhi, Gent Strazimiri, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti dhe Saimir Korreshi i janë drejtuar me shkresë kryetarit të Kvuendit Niko Peleshi ku kërkojnë mbledhjen ditën e nesërme të Këshillit të Imunitetit për shqyrtimin e krëkesës së SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Kjo është kërkesa e dytë që i drejtohet kryetarit të Kuvendit nga deputetët e PD-së ku referuar të drejtës ligjore, Këshilli mblidhet me kërkesën e 1/2 të anëtarëve. Në kërkesë thuhet se 1 javë është periudhë kohore e mjaftueshme për të gjithë anëtarët për tu njohur me provat e vëna në dispozicio nga SPAK, ku flasim për një dosje me 10 mijë faqe.

Dje 5 deputetët demokratë shkruan në Mbledhje referuar kërkesës së parë të depozituar ku kishin kërkuar që të vijonin me shqyrtimin e kërkesës së SPAK. Prokuroria e Posaçme kërkon t’i hapet rruga për marrjen e veprimeve të tjera ligjore për Ballukun, e cila është marrë e pandehur e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë me vlerë 190 mln euro.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama bëri të qartë disa ditë më parë se Këshilli nuk do të mblidhet deri sa Gjykata Kushtetuese të shprehet përfundimisht më datë 22 janar për pezullimin e Ballukut nga detyrat qeveritare.

Mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve u zhvillua më 19 dhjetor, me pjesëmarrjen e 10 deputetëve, ( 5 nga PD dhe 5 nga PS) dhe nën prezencën e 3 prokurorëve të posaçëm, drejtuesit të ri të SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorëve të çështjes Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

Diskutimet u rrotulluan rreth USB-së me mbi 10 mijë faqe prova kundër Ballukut e dorëzuar nga SPAK ku argumentohet kërkesa e depozituar. Kjo USB iu shpërnda të gjithë anëtarëve, ndërsa palët nuk ranë dakord për caktimin e një date fikse për mbledhjen e ardhshme pas njohjes me provat konkrete. Anëtarët e PD kërkuan që mbledhja të mbahej brenda 5 ditëve të javës së ardhshme, ndërsa pas 20 minutave pushim, drejtuesi i Këshillit të Mandateve, Niko Peleshi nuk dha një datë për thirrjen e seancës së radhës.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë